“Fiskalizimi”- vijon procesi i konsultimit publik mbi projektligjin

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, prej datës 1 gusht është hedhur për konsultim publik, sikundër është njoftuar më herët nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financave znj.Anila Denaj.

Për Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, gjatë kësaj periudhe, vlerësohet shumë i rëndësishëm procesi i konsultimit publik, ndaj fton të gjitha grupet e interesit dhe opinionin në tërësi, të japin komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim mbarëvajtjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Ju bëjmë me dije se këtë projektligj, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, të gjitha palët e interesuara mund ta gjejnë në platformën online: http://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/195.

Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, në  faqen e saj zyrtare ka krijuar një meny të dedikuar mbi fiskalizimin:  https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi, në të cilën do të gjeni gjithashtu projekligjin dhe pyetjet më të shpeshta dhe përgjigjet për secilën prej tyre, në mënyrë të përditësuar.
Për marrjen e komenteve, pyetjeve dhe sugjerimeve në dispozicion të çdo të interesuari, është një staf teknik i dedikuar, i cili mund ta kontaktohet përmes adresës së postës elektronike: Fiskalizimi.Helpdesk@tatime.gov.al.
Faza e konsultimit publik do të zgjasë deri në fund të muajit Gusht 2019.

Gjithashtu, me qëllim garantimin e një komunikimi sa më të plotë, janë planifikuar të organizohen tryeza të gjera diskutimi me grupe interesi, si me: kontabilistë, specialistë të sektorit të Informacionit dhe Teknologjisë, shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë,  Këshillin e Investimeve, Këshillin Konsultativ Tatimor, etj.

Projektligji, synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë Shqiptare në përpjekje për të minimizuar ekonominë informale, përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Qëllimi i këtij projekti është:

• Minimizimi i niveli të ekonomisë informale;
• Përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave;
• Identifikim më i lehtë i evazionit fiskal;
• Bërjen e auditimit të taksave më kost-eficiente;
• Ulja e nivelit të korrupsionit në administratë;
• Ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;
• Pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.

Burimi: Faqja Zyrtare e DPT

 

Related Posts

Write a comment