Kujtesë për tatimpaguesit mbi detyrimin ligjor për të hapur llogari bankare deri më 26 Tetor

Në sqarim të ndryshimeve të fundit ligjore, mbi detyrimin e tatimpaguesve për të hapur llogari bankare, sjellim në vëmendje se subjekte të përfshira janë:

  • tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar;
  • tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë;
  • organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.

Nisur nga paqartësitë e krijuara në kuptimin e detyrimit ligjor të mësipërm, po japim një shpjegim më të detajuar si vijon:

1. Personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë, – janë subjekte të dispozitës së mësipërme;

2.Personat juridikë dhe organizatat jofitimprurëse, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore

Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore. Ky  afat është data 26 Tetor.

Administrata Tatimore bën me dije se prej datës 15 Tetor këto të dhëna do të mund t’i dorëzoni, duke i plotësuar në llogarinë tuaj të deklarimit elektronik në E-filing.

Tatimpaguesit e rinj  janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në të njëjtën mënyrë në Administratën Tatimore.

Theksojmë se, përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar.

 Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.

Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, Ligji nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon sanksione për tatimpaguesit.

Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit, subjekte të këtyre përcaktimeve ligjore, të përmbushin në mënyrë vullnetare këtë detyrim ligjor brenda afateve.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Related Posts

Write a comment