Para disa ditësh Administrata Tatimore publikoi Planin Sektorial të Turizmit 2026. Nuk është njoftim rutinë. Është dokumenti i parë i këtij lloji që integron inteligjencë artificiale, monitorim automatik të platformave si Booking dhe Airbnb dhe sisteme alarmi për çdo mospërputhje mes aktivitetit real dhe atij të deklaruar.
Ky plan prek tre grupe njerëzish. Individët që japin prona me qira nëpërmjet platformave online dhe nuk i kanë deklaruar këto të ardhura individuale në DIVA. Bizneset që aplikojnë normën e gabuar të TVSH-së, shpesh pa e ditur se e kanë gabim. Dhe operatorët që kanë deklaruar xhiro që nuk përputhen me çmimet dhe kapacitetin e listuara publikisht.
Sezoni turistik ka nisur. Faza e parë e kontrolleve ka filluar tashmë. Ky blog shpjegon çfarë kontrollohet, si funksionon sistemi i ri dhe çfarë mund të bëni nëse ndiheni të ekspozuar.
Çfarë është Plani Sektorial i Turizmit 2026 dhe çfarë ka ndryshuar këtë vit
Administrata Tatimore miraton çdo vit një plan sektorial për turizmin. Plani i 2025 u fokusua kryesisht në ndërgjegjësimin e subjekteve për VKM nr. 160/2025 dhe deklarimin e kapaciteteve. Plani i 2026 shkon dukshëm më larg dhe sjell disa instrumente të reja.
Inteligjenca artificiale si instrument kontrolli. Sistemi skanon fotot e bizneseve në Google Maps dhe identifikon nëse faturat e dukshme në to përmbajnë kodin QR, numrin serial të lëshimit të faturës dhe numrin e identifikimit të veprimeve tatimore, tre elementet që konfirmojnë fiskalizimin.
Monitorim javor i automatizuar. Sistemi CPCM (portali qëndror për kontrollin dhe menaxhimin e tatimpaguesve në nënsistemin e transaksioneve me para në dorë) krahason çdo javë të dhënat e faturave të fiskalizuara me deklaratat e TVSH-së. Çdo mospërputhje gjeneron alarm automatik dhe e kategorizon tatimpaguesin sipas nivelit të riskut. Kategorizimi bëhet edhe sipas fashave orare; analizë e qarkullimit sipas orës, që identifikon biznese me aktivitet real por fatura zero gjatë pikut.
Booking dhe Airbnb si burim të dhënash tatimore. Çmimet, kapacitetet, vlerësimet dhe komentet e listuara në platforma krahasohen me xhiron e deklaruar. Sistemi nxjerr xhiron e vlerësuar dhe e krahason me atë të deklaruar. Mospërputhja aktivizon vlerësim alternativ.
Turizmi alternativ si territor i ri. Guidat malore, kabina, kampe, agroturizmat dhe operatorët kulturorë janë targetuar shprehimisht për herë të parë. Shumë prej tyre janë plotësisht joformale.
Afati POS 30 Maj 2026. Law Nr. 79/2025 detyron të gjitha strukturat akomoduese të kenë terminal POS deri më 30 Maj 2026. Ky afat është shumë i afërt.
Kush targetohet
Plani i 2026 përcakton shtatë kritere targetimi. Mjafton të plotësohet edhe vetëm njëri prej tyre për t’u përfshirë në listën e monitorimit.
Kriteret janë:
- kodi i aktivitetit REV 2 në grupet I5510-I5630 (hotele, bujtina, apartamente, agroturizëm, bar-restorante, fast-food, ambiente nate);
- regjistrim në Ministrinë e Turizmit;
- aktivitet i dokumentuar gjatë 2025-2026 pavarësisht statusit aktiv ose pasiv;
- regjistrim i ri gjatë vitit 2026;
- prezencë e identifikueshme nëpërmjet Booking.com ose Airbnb;
- kontratë me AKB për stacion plazhi;
- dhe marrje fondesh nga AZHBR.
Dhe një tjetër risi. Çdo biznes që ka marrë grante ose subvencione për agroturizëm hyn automatikisht në popullsinë e targetuar, edhe nëse nuk ka ende aktivitet të plotë tatimor.
Gjithashtu, subjektet me status pasiv tatimor por me listim aktiv në platforma janë klasifikuar si risk i lartë. Kalimi në regjistrin pasiv nuk fsheh prezencën dixhitale.
Tre çështjet kryesore
Individi me Airbnb dhe detyrimi DIVA
Neni 15 i Ligjit Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” e klasifikon të ardhurën nga qiraja e pasurisë së paluajtshme që nuk është e ardhur nga biznesi si të ardhur individuale. Norma e tatimit është 15% e shumës neto të arkëtuar, duke zbritur komisionin që mban platforma. Deklarimi bëhet çdo vit nëpërmjet DIVA deri më 31 mars të vitit pasardhës.
Ligji nuk lejon zbritje shpenzimesh për këtë kategori. Kostot e pastrimit, rikonstruksionit, furnizimit nuk zbresin nga baza tatimore. Tatohet e ardhura neto e arkëtuar.
Pragu i deklarimit është 50,000 LEK të ardhura të patatuara në vit. Edhe dy javë qira sezonale mund ta kalojnë atë. Administrata tatimore po kryqëzon të dhënat e komisioneve të paguara nga platformat me deklarimet e bëra në DIVA, me qëllim identifikimin e të ardhurave të patatuara.
TVSH 6%
Norma e reduktuar 6% e TVSH-së për shërbimet e akomodimit nuk varet nga lloji i biznesit apo kodi i aktivitetit. Varet nga çertifikata e lëshuar nga Ministria e Turizmit që klasifikon strukturën si strukturë akomoduese. Pa këtë çertifikatë, norma e detyrueshme është 20%. Çertifikimi lidhet jo me subjektin por me objektin që shërben si strukturë akomoduese.
Ky gabim është shumë i zakonshëm. Shumë biznese janë regjistruar si hoteleri or turizëm në QKB dhe mendojnë se norma 6% aplikohet automatikisht. Nuk aplikohet. Çertifikimi kërkon procedurë të veçantë, dokumentacion teknik dhe inspektim fizik nga Ministria e Turizmit. Procesi zgjat mesatarisht disa javë deri në dy muaj.
Plani i 2026 e liston shprehimisht aplikimin e normës TVSH 6% pa çertifikim si sjellje me risk të lartë. Kjo do të thotë se subjektet pa çertifikatë janë tashmë të identifikuara si problematike.
Gjithashtu, edhe nëse struktura ka çertifikatën e akomodimit, shërbimet e bar-restorantit brenda saj tatohen gjithmonë me 20%. Norma 6% vlen vetëm për dhënien e fjetjes dhe shërbimeve të drejtpërdrejta të akomodimit, jo për çdo gjë tjetër brenda saj.
Mospërputhja
Neni 72 i Ligjit Nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore” autorizon administratën tatimore të llogarisë detyrimin tatimor bazuar në të dhëna të tërthorta, mes të cilave çmimet e tregut, kapacitetet e deklaruara dhe informacioni i palëve të treta.
Booking dhe Airbnb janë burime të treta sipas kuptimit të ligjit. Kur xhiroja e deklaruar nuk qëndron me çmimet dhe kapacitetin e listuar, tatimet llogarisin xhiron e vlerësuar dhe bëjnë vlerësimin alternativ. Pas kësaj, barra e provës kalon tek biznesi. Ai duhet të provojë se ka pasur zënie më të ulët, jo administratës tatimore.
Tre raste praktike
Çdo rast ilustron një situatë të ndryshme. Shumë lexues do të njohin veten në njërin prej tyre.
Individi me dy apartamente
Besnik ka dy studio në Sarandë. I ka blerë si investim para disa vitesh dhe i ka listuar në Airbnb nga sezoni 2022. Ka menduar se ky ishte i ardhur nga prona si çdo qira tjetër dhe nuk ka bërë asgjë.
Nuk ka hapur biznes. Nuk ka NIPT. Nuk ka plotësuar asnjë DIVA.
Çfarë ka fituar gjatë tre viteve: 2 studio × 80 EUR/natë × 20 netë/muaj × 5 muaj = 16,000 EUR/vit. Për tre vite: 48,000 EUR të arkëtuara.
Çfarë e detyron ligji:
Baza tatimore pas komisionit Airbnb (rreth 8%): 44,160 EUR, afërsisht 4,990,000 LEK.
Tatimi: 15% × 4,990,000 LEK = 748,500 LEK.
Penaliteti i evazionit sipas nenit 116 të ligjit të procedurave tatimore: 100% e tatimit të padeklaruar = 748,500 LEK shtesë.
Interesi i vonimit sipas nenit 76: rreth 0.06% në ditë të grumbulluar mbi periudhën trevjeçare = rreth 190,000 LEK.
Ekspozimi total: rreth 1,687,000 LEK ose afërsisht 14,900 EUR.
Nga 48,000 EUR të arkëtuara, pothuajse 1 në 3 euro i detyron shtetit si tatim i vonuar, penalitet dhe interes. Dhe kjo llogaritje bazohet vetëm në DIVA. Nëse vëllimi dhe frekuenca e qirasë konsiderohen aktivitet tregtar, shtrohen detyrime shtesë fiskalizimi dhe TVSH.
Periudha e parashkrimit sipas nenit 73 të ligjit të procedurave tatimore është pesë vjet. Tatimet mund të shqyrtojnë periudhën 2020-2024 tani.
Bujtina me TVSH 6% pa çertifikatë
Arjana ka një bujtinë me 8 dhoma në Himarë. Është regjistruar pranë tatimeve, lëshon fatura elektronike, deklaron TVSH çdo muaj. Mendon se është plotësisht në rregull.
Por kurrë nuk ka kaluar procedurën e çertifikimit si strukturë akomoduese pranë Ministrisë së Turizmit. Aplikon normën 6% mbi të gjitha shërbimet e akomodimit.
Situata tatimore:
Xhiro vjetore: 12,000,000 LEK.
TVSH e paguar me normën 6%: 720,000 LEK/vit.
TVSH e detyrueshme pa çertifikatën e akomodimit, norma 20%: 2,400,000 LEK/vit.
Diferenca vjetore e papaguar: 1,680,000 LEK.
Për dy vjet:
TVSH e papaguar: 3,360,000 LEK. Penalitet evazioni 100%: 3,360,000 LEK shtesë. Interes i akumuluar: rreth 430,000 LEK.
Ekspozimi total: rreth 7,150,000 LEK, afërsisht 63,300 EUR vetëm nga çështja e normës së gabuar të TVSH-së.
Arjana ka paguar rregullisht. Ka fatura, ka sistem. Problemi është se ka paguar normën e gabuar dhe diferenca mes normës 6% dhe 20% mbi dy vjet aktivitet gjeneron ekspozim të madh.
Nëse i shtohet edhe shërbimi i bar-restorantit (ku norma duhet të jetë gjithmonë 20%) dhe çështja e punonjësve me paga fiktive, ekspozimi rritet ndjeshëm.
Shumë biznese si Arjana e shohin veten si të rregullt sepse paguajnë TVSH. Kontrolli nuk kërkon vetëm nëse paguan, por nëse paguan normën e saktë.
Rasti i mospërputhjes
Hotel Adriatiku ka 20 dhoma. Booking tregon çmim mesatar 55 EUR/natë. Profili ka mbi 180 komente të akumuluara gjatë tre viteve, shenjë e aktivitetit të qëndrueshëm.
Tatimet marrin këto të dhëna dhe bëjnë llogaritjen bazuar në kapacitetin dhe çmimet publike:
20 dhoma × 70% zënie × 150 ditë × 55 EUR × 113 LEK/EUR = 13,167,000 LEK xhiro e vlerësuar.
Hotel Adriatiku ka deklaruar 4,800,000 LEK xhiro vjetore.
Mospërputhja: 8,367,000 LEK aktivizon vlerësim alternativ sipas nenit 72 të ligjit të procedurave tatimore.
Tani biznesi duhet të provojë se ka pasur prenotim më të ulët me regjistrime fizike të rezervimeve, listëpagesa, certifikata qiradhënieje dhe çdo dokument tjetër justifikues. Nëse nuk ka prova, vlerësimi i tatimeve bëhet bazë e detyrueshme.
Mbi diferencën e 8,367,000 LEK aplikohen, TVSH (6% ose 20% sipas çertifikimit), tatim mbi fitimin nëse totalja e xhiros e kalon pragun, penalitet evazioni 100% dhe interes. Nëse edhe punonjësit janë deklaruar me pagë minimale ndërkohë që biznesi ka aktivitet të tillë, shtohen edhe efektet e kontributeve dhe tatimit mbi pagën.
Summary
Tre raste tipike · ekspozimi tatimor i akumuluar
Si grumbullohen penalitetet sipas ligjit
Parashkrim 5 vjet · Neni 73 i Ligjit Nr. 9920/2008 · Periudha 2020–2024 brenda afatit
Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.
Dërgomë njoftimet falasSi llogariten penalitetet
Shumë tatimpagues mendojnë se nëse zbuloheni, paguani vetëm tatimin e vonuar. Nuk funksionon kështu.
Ligji parashikon tre shtresa penaliteti që aplikohen bashkërisht.
Shtresa e parë është tatimi i papaguar vetë, shuma e plotë e detyrimeve të paplotësuara.
Shtresa e dytë është penaliteti i evazionit sipas nenit 116 të ligjit të procedurave tatimore. Shuma është 100% e tatimit të padeklaruar. Ky nuk është penalitet i vogël rutinë, është dyfishim i detyrimeve.
Shtresa e tretë është interesi i vonimit sipas nenit 76: 120% e normës ndërbankare të Bankës së Shqipërisë, që sot rezulton rreth 4.5% në vit. Ky interes llogaritet nga dita kur detyrimi duhej paguar deri në ditën e pagesës faktike.
Gjithashtu, nëse biznesi ka punonjës të padeklaruar, penaliteti sipas nenit 119 është 200,000 LEK për çdo punonjës të padeklaruar për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH.
Tre fazat e planit dhe ku jemi sot
Plani është strukturuar në tre faza. Të kuptuarit e secilës ndihmon të kuptoni çfarë vjen tani.
Faza I: Identifikimi dhe ndërgjegjësimi ka nisur tashmë. Sistemi identifikon popullsinë e targetuar dhe dërgon njoftime personale nëpërmjet platformës e-Filing. Nëse keni marrë njoftim POP-UP ose email nga Tatimet nëpërmjet e-Filing, jeni tashmë në Fazën I. Kjo është faza ku veprimi vullnetar ka kosto minimale.
Faza II: Verifikimi dhe monitorimi nis para sezonit veror. Parashikon verifikime intensive në terren, kontrolle pa paralajmërim të punonjësve, inspektim të faturimit dhe krahasim aktiv të të dhënave të platformave. Bashkëpunimi me Inspektoratin e Punës dhe organet e rendit është i parashikuar shprehimisht.
Faza III: Vlerësimi dhe raportimi vjen pas sezonit. Masa korrigjuese për ata që nuk janë formalizuar vullnetarisht, konsolidim gjetjesh dhe referim rastesh me risk shumë të lartë tek hetimi tatimor.
Jemi në Fazën I. Kjo është dritarja e vetme ku veprimi ndryshon rezultatin.
Amnistia Fiskale: mundësia që shumë po e humbasin
Law Nr. 86/2025 për Amnistinë Fiskale është ende në fuqi. Ky ligj parashikon mundësinë e formalizimit dhe korrigjimit të detyrimeve të periudhave të kaluara me kushte të lehtësuara, reduktim penalitetesh dhe mbrojtje tatimore për periudhat e korrigjuara.
Gjithashtu ia vlen të dihet: neni 69 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat parashikon normën zero të tatimit mbi fitimin deri më 31 dhjetor 2029 për tatimpaguesit me të ardhura bruto nën 14,000,000 LEK në vit. Kjo vlen për individët tregtarë, të vetëpunësuarit dhe SHPK-të. Shumë biznese të vogla turistike nuk e dinë se nuk kanë detyrim profit tax fare deri në 2029. Ekspozimi i tyre kryesor nuk është tatimi mbi fitimin, por TVSH-ja dhe detyrimet e punësimit.
Kur kontrolli ka filluar, kushtet e Amnistisë nuk zbatohen më. Veprimi tani ka kuptim.
Çfarë të bëni tani
Nëse jeni individ me të ardhura nga Airbnb ose Booking
Kontrolloni nëse keni plotësuar DIVA për çdo vit me të ardhura mbi 50,000 LEK. Nëse jo, mundësia e vetme e mbrojtjes është vetëdeklarimi para fillimit të kontrollit. Procesi bëhet nëpërmjet e-Filing. Tatimi është 15% mbi shumën e arkëtuar pas komisionit të platformës. Ligji nuk lejon zbritje shpenzimesh.
Nëse jeni biznes me aktivitet akomodimi
Verifikoni nëse keni çertifikatën e strukturës akomoduese nga Ministria e Turizmit. Nëse jo, nisni procedurën tani. Çertifikimi zgjat mesatarisht disa javë deri në dy muaj. Pa çertifikatë, norma e detyrueshme e TVSH-së është 20%. Kontrolloni gjithashtu nëse të ardhurat nga bar-restoranti janë deklaruar me normën 20% dhe jo 6%.
Nëse keni aktivitet bar-restoranti bashkë me akomodimin
Sigurohuni që faturat i ndani saktë sipas shërbimit dhe normës. Akomodimi me 6% vetëm nëse keni çertifikatën, bar dhe restorant gjithmonë me 20%. Nëse keni aplikuar 6% mbi të gjitha shërbimet, keni mospërputhje të drejtpërdrejtë.
Nëse çmimet tuaja në Booking nuk qëndrojnë me xhiron e deklaruar
Rishikoni deklaratat. Nëse ka dallim të madh mes xhiros së vlerësueshme nga kapaciteti dhe çmimet tuaja dhe asaj të deklaruar, bëhuni gati për vlerësim alternativ. Mbani regjistrime të detajuara të zënies dhe çdo dokumenti justifikues.
Instaloni terminalin POS para 30 Majit 2026
Ky afat është i detyrueshëm dhe ka mbetur pak kohë. Mosrespektimi shton penalitet shtesë.
Frequently asked questions
A duhet të hap NIPT nëse jap vetëm dy apartamente nëpërmjet Airbnb?
Jo domosdoshmërisht, nëse aktiviteti nuk konsiderohet tregtar. Por detyrimin e DIVA-s e keni njëlloj. Nëse vëllimi i apartamenteve, frekuenca e zënies dhe të ardhurat janë të larta, Tatimet mund ta konsiderojnë veprimtari tregtare dhe të kërkojnë regjistrim me NIPT dhe fiskalizim. Lexo këtë artikull për të kuptuar më shumë.
Kemi paguar TVSH rregullisht. Jemi të mbrojtur?
Jo nëse norma ka qenë e gabuar. Pagimi i TVSH-së me normën 6% pa çertifikatën e duhur nuk trajtohet si deklarim i rregullt. Diferenca mes normës 6% dhe 20% mbi të gjithë qarkullimin historik mbetet e detyrueshme.
A vlen norma zero e tatimit mbi fitimin edhe për hotelet e vogla?
Po, nëse të ardhurat bruto vjetore janë nën 14,000,000 LEK. Kjo vlen njëlloj për individët tregtarë, të vetëpunësuarit dhe SHPK-të. Ekspozimi kryesor i këtyre bizneseve nuk është tatimi mbi fitimin, por TVSH-ja dhe detyrimet e punësimit.
Çfarë ndodh nëse kontrollori vjen dhe ka mospërputhje?
Aktivizohet vlerësimi alternativ sipas nenit 72 të ligjit të procedurave tatimore. Barra e provës kalon tek ju. Nëse nuk keni dokumentacion justifikues, vlerësimi i tatimeve bëhet bazë detyrimi dhe mbi të aplikohen penaliteti 100% dhe interesi.
Sa vjet mbrapa mund të shkojnë Tatimet?
Pesë vjet, sipas nenit 73 të ligjit të procedurave tatimore. Kjo do të thotë se periudha 2020-2024 është akoma brenda afatit të parashkrimit.
Ky material është hartuar vetëm për qëllime informimi dhe nuk zëvendëson këshillimin tatimor individual. Çdo situatë konkrete mund të ketë karakteristika që ndikojnë mbi analizën dhe detyrimet specifike.

