TiranaTiranaDurres Monday – Friday 08:30 – 17:00 +355693232349 Monday – Saturday 08 – 18 +355693232349

Indicative Salaries for Doctors and Estheticians: What's Different and How Much It Costs

Pagat indikative sektori mjekësor dhe estetik - AlProfit Consult

Shqipëria ka rreth 1.200 spitale, klinika dhe qendra mjekësore private. Dhjetëra mijëra individë punojnë në to, nga kirurgët te recepsionistet. Dhe pothuajse asnjëri prej tyre nuk deklarohet me pagën reale.

Ky fakt është bërë me dije gjatë njoftimit të fundit të Administratës Tatimore. Jo një listë teknike çmimesh. Por një sinjal i qartë se shteti e di, ka të dhënat, dhe ka vendosur të veprojë.

Çfarë ka ndodhur saktësisht, çfarë do të thotë ligjërisht, sa është kostoja e shtuar, dhe çfarë duhet të bëni tani, janë pyetjet që trajtojmë në këtë artikull.

Çfarë Publikoi Administrata Tatimore

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e pagave indikative për 39 profesione të sektorit mjekësor dhe estetik. Bashkë me listën, ka ardhur edhe mesazhi zyrtar: çdo tatimpagues që deklaron paga nën nivelet indikative do të kategorizohet si subjekt me risk tatimor dhe do të jetë objekt verifikimi nga strukturat e specializuara.

Njoftimi specifikon edhe diçka tjetër që nuk duhet kaluar pa analizë dhe reflektim: edhe ndryshimi artificial i titullit të pozicionit, pra shënimi i një mjeku si “asistent” ose i një infermieri si “punonjës shërbimi” për të ulur pagën e deklaruar, do të trajtohet si shkelje dhe do të verifikohet.

Disa nga nivelet indikative, sipas dokumentit zyrtar, janë:

  • Kirurg i Specializuar (Neuro / Kardio / Ortopedi / Plastike): 215.000 LEK/muaj
  • Anesteziolog / Reanimacion: 215.000 LEK/muaj
  • Pediater / Gjinekolog / Neonatolog: 210.000 LEK/muaj
  • Mjek i Përgjithshëm: 163.000 LEK/muaj
  • Mjek Familje: 165.000 LEK/muaj
  • Kirurg Dentar dhe i Gojës: 170.000 LEK/muaj
  • Dentist dhe Stomatolog: 110.000 LEK/muaj
  • Kryeinfermier: 125.000 LEK/muaj
  • Infermier i Përgjithshëm: 100.000 LEK/muaj
  • Farmacist: 110.000 LEK/muaj
  • Laborant Mjekësor: 100.000 LEK/muaj
  • Recepsionist / Sekretari Mjekësore: 85.000 LEK/muaj
  • Estetist dhe Kozmetist: 80.000 LEK/muaj
  • Instruktor Personal: 120.000 LEK/muaj
  • Berber dhe Parukier: 75.000 LEK/muaj

Lista e plotë me 39 profesione është e disponueshme në official page të Tatimeve.

Çdo deklarim nën pagën indikative e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk. Kjo nuk është paralajmërim. Është procedure automatike e analizës tatimore.

Nuk Është Hera e Parë: Si Filloi me Ndërtimin

Për të kuptuar peshën e vërtetë të këtij njoftimi, duhet ta vendosësh në kontekstin e duhur.

Në dhjetor 2025, Administrata Tatimore publikoi pagat orientuese për sektorin e ndërtimit. Pagat varionin nga 80.000 deri në 160.000 LEK, me inxhinierët ndërmjet 115.000 dhe 150.000 LEK, dhe operatorin e vinçit si kategorinë më të lartë. Bashkë me listën, u njoftua se fokusi i kontrollit tatimor nga dhjetori 2025 do të drejtohej kryesisht tek subjektet e ndërtimit me paga nën nivel indikativ.

Çfarë ndodhi pas atij njoftimi? Të dhënat e INSTAT për tremujorin e katërt të vitit 2025 tregojnë se kostot e ndërtimit u rritën me 6 për qind vjetore, me faktori kryesor të rritjes pikërisht shpenzimet e pagave. Pyetja nëse bizneset e ndërtimit e rritën vullnetarisht pagën apo e bënë nën presion tatimor mbetet e hapur, por ka shumë gjasa të jetë kombinim i të dyjave.

Tani, tre muaj pas atij precedenti, Tatimet i drejtohen mjekësisë dhe estetikës. Dhe nuk ka asgjë që të sugjerojë se ky do të jetë sektori i fundit.

Ndërtimi, pastaj mjekësia dhe estetika. Cili do të jetë i treti? Logjika e strategjisë sugjeron sektorë me informalitet të lartë dhe kontroll relativisht të lehtë: turizmi, gastronomia, arsimi privat, tregtia me pakicë e shërbimeve.

Read also: Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore: Normat dhe Llogaritja për 2025

A Ka Bazë Ligjore? Analiza e Pyetjes më të Rëndësishme

Kjo është pyetja që shumë e shmangin, por që ka rëndësi praktike. Janë pagat indikative të detyrueshme ligjërisht?

Baza ligjore

Pagat indikative nuk janë vendim i Këshillit të Ministrave. Nuk janë udhëzim tatimor me efekt normativ. Nuk janë paga minimale ligjore sipas Kodit të Punës. Juridikisht, janë akt administrativ i brendshëm i Administratës Tatimore, i bazuar mbi kompetencën e saj për analizën e riskut.

Baza ligjore gjendet në Ligjin nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore”, i ndryshuar. Konkretisht, nenet që i japin Administratës Tatimore kompetencën të vlerësojë tatimpaguesit sipas treguesve të riskut dhe të rikonstruktojë bazën tatimore kur ka arsye të besueshme se të dhënat e deklaruara nuk pasqyrojnë realitetin. Neni 69 i ligjit parashikon të drejtën e organit tatimor të caktojë bazën tatimore në mënyrë indirekte, duke u mbështetur ndër të tjera edhe në krahasimin me aktivitete të ngjashme dhe norma sektoriale.

Pra, lista nuk te detyron të paguash atë pagë. Por pozicionon automatikisht biznesin tënd si objekt kontrolli nëse deklaron nën nivel. Dhe gjatë kontrollit, ti duhet të provosh se paga jote e deklaruar është reale dhe e justifikuar, jo Tatimet.

Ku Qëndron Problemi Themelor

Problemi nuk është vetëm juridik. Është edhe metodologjik. Lista e pagave indikative u publikua pa asnjë shpjegim se si u ndërtua. Nuk dihet nëse bazohet mbi të dhëna nga inspektimet e mëparshme, nga anketat e tregut, nga shifrat e sektorit publik, apo nga metodologji statistikore të ndonjë lloji. Nuk ka pasur konsultim publik me shoqatat e sektorit mjekësor privat. Nuk ka periudhë tranzicioni.

Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që bëjnë vendet me sisteme tatimore të konsoliduara. Dhe kjo e bën listën juridikisht të sfideshme, edhe pse jo domosdoshmërisht të sfiduar në praktikë, sepse bizneset e vogla rrallë kanë burimet dhe kapacitett për të nisur procedura ankimimi.

Nëse merr njoftim verifikimi tatimor, e drejta e ankimimit ekziston. Por barra e provës është e jotja: duhet të demonstrosh me dokumentacion se paga e deklaruar është reale dhe në përputhje me kushtet konkrete të biznesit tënd.

Faktorë Objektiv që Mund të Justifikojnë Paga nën Nivel Indikativ

Ligji nuk të ndalon të justifikosh. Disa argumente objektive që mund të mbajnë ujë gjatë një verifikimi janë: volumi i ulët i aktivitetit, veçanërisht për biznese me pjesë të punës në kohë të pjesshme, kushtet e tregut lokal jashtë Tiranës, ku pagat reale janë ndjeshëm të ndryshme, kontratat e shërbimit ose format e tjera jo të punësimit klasik, dhe historia konkrete e pagave të subjektit, nëse ka qenë e qëndrueshme dhe e dokumentuar.

Asnjë nga këto argumente nuk garanton sukses, por dokumentacioni i mirë është dallimi ndërmjet një verifikimi të menaxhueshëm dhe një ndëshkimi të rëndë.

Si Bëhet Kjo Gjetkë: Shembuj nga Bota

Praktika e referencave sektoriale për të luftuar evazionin fiscal nuk është shpikje shqiptare. Por mënyra se si implementohet ndryshon rrënjësisht.

Italia dhe “Studi di Settore”

Italia, vendi me të cilin jemi shumë shpesh krahasuar, ka eksperimentuar për dekada me instrumente të ngjashme. Që nga vitet 1990, Agenzia delle Entrate zbatoi “Studi di Settore“, studime sektoriale të detajuara mbi të ardhurat dhe qarkullimin tipik të çdo kategorie biznesi, të ndërtuar mbi të dhëna reale statistikore nga miliona subjekte.

Ky sistem, megjithëse me defekte të njohura, kishte disa karakteristika thelbësore. Bazohet mbi modele statistikore me të dhëna të grumbulluara ndër vite. Konsultohet me kategoritë profesionale dhe dhomën e tregtisë. Lëshon njoftim pajtimi para çdo verifikimi, duke i dhënë tatimpaguesit mundësinë të shpjegojë divergjencat. Dhe ka rrugë të qarta ankimimi.

Italia e la pas këtë sistem në vitin 2019 dhe e zëvendësoi me ISA (Indici Sintetici di Affidabilità fiscale), tregues sintetikë besueshmërie fiskale, sistem me logjikë krejt të ndryshme: jo ndërshkimi i atyre që janë “nën nivel”, por shpërblimi me avantazhe administrative e atyre me besueshmëri të lartë.

Italia e testoi sistemin e krahasimit sektorial për 25 vjet dhe e la pas. Gjetjet kryesore: funksionon si presion, por nuk zvogëlon evazionin strukturor pa adresuar njëkohësisht edhe tatimin e tepërt dhe informalitetin e tregut.

Greqia dhe Limitet e Presionit Tatimor

Greqia është shembulli më i afërt kulturalisht. Me një ekonomi informale të vlerësuar ndër vite ndërmjet 20 dhe 30 për qind të GDP, administratat greke kanë provuar forma të ndryshme presioni sektorial, shpesh me rezultate të kufizuara. Studime të kryera nga organizata si Dianeosis kanë vënë në dukje paradoksin qendror: të vetëpunësuarit dhe bizneset e vogla fshehën historikisht 57 deri 58 për qind të të ardhurave, ndërkohë që punëmarrësit formale arrijnë të fshehin vetëm rreth 0.5 deri 1 për qind. Pra, kontrolli formal ka kufij të qartë nëse nuk adresohet njëkohësisht edhe struktura e ekonomisë informale.

Mësimet nga Greqia sugjerojnë se pa kombinim me incentiva formalizimi, presioni tatimor çon bizneset drejt formave alternative të evazionit, jo drejt transparencës.

Çfarë Mund të Mësojmë nga Këta Shembuj

Të gjitha këto sisteme kanë bërë diçka që mungon plotësisht nga lista shqiptare: metodologji transparente, konsultim me sektorin, periudhë tranzicioni dhe mekanizma shpërblimi për ata që formalizohen vullnetarisht. Shqipëria e ka kaluar drejtpërdrejt te faza e presionit, pa kaluar nëpër fazat paraprake.

Read also: Ndryshimet Ligjore Tatimore 2026: Çfarë Ndryshon për Bizneset

Sa Kushton Realisht: Tre Skenarë

Llogaritjet më poshtë bazohen mbi normat aktuale të sigurimeve sipas kuadrit ligjor nga janari 2026. Punëdhënësi paguan 15 për qind sigurime shoqërore dhe 1,7 për qind sigurime shëndetësore, totalisht 16,7 për qind mbi pagën bruto. Pagat aktuale janë vlerësim i bazuar mbi informacionin e tregut, duke supozuar se bizneset tipike deklarojnë ndërmjet 60 dhe 65 për qind të pagës indikative.

Tabela tregon vetëm efektin e sigurimeve të punëdhënësit. Tatimi mbi pagën bie mbi punonjësin, jo mbi punëdhënësin, dhe nuk përfshihet këtu.

Skenari A: Studio Dentare e Vogël, 5 Punonjës

Ky model i referohet një studi dentare tipike me 1 dentist, 1 teknik dentar, 2 asistentë mjekësorë dhe 1 recepsionist. Është modeli më i zakonshëm i biznesit të vogël mjekësor privat.

PozicioniPaga aktuale (LEK)Paga indikative (LEK)Diferenca bruto
Dentist68.000110.000+42.000
Teknik Dentar52.00080.000+28.000
Asistent Mjekësor55.00085.000+30.000
Asistent Mjekësor55.00085.000+30.000
Recepsionist55.00085.000+30.000
Totali bruto/muaj285.000445.000+160.000
Kontribute punëdhënësi (16.7%)47.59574.315+26.720
Kosto totale punëdhënësi/muaj332.595519.315+186.720

Rritja vjetore e kostove: rreth 2.240.000 LEK, ose afërsisht 22.400 EUR.

Për referencë, kjo shumë është e barabartë me fitimin neto vjetor të shumë studieve dentare të vogla. Nuk është kosto marxhinale, është ndryshim strukturor i modelit financiar.

Skenari B: Klinikë Mjekësore Mesatare, 10 Punonjës

Ky model i referohet një klinike me 2 mjekë të përgjithshëm, 1 specialist, 2 infermierë, 1 kryeinfermier, 1 farmacist, 1 laborant, 1 specialist imazherie dhe 1 recepsionist.

PozicioniPaga aktuale (LEK)Paga indikative (LEK)Diferenca bruto
Mjek i Përgjithshëm100.000163.000+63.000
Mjek i Përgjithshëm100.000163.000+63.000
Specialist (Kardiolog)120.000200.000+80.000
Infermier65.000100.000+35.000
Infermier65.000100.000+35.000
Kryeinfermier80.000125.000+45.000
Farmacist70.000110.000+40.000
Laborant Mjekësor65.000100.000+35.000
Imazheri / Radiologji65.000100.000+35.000
Recepsionist55.00085.000+30.000
Totali bruto/muaj785.0001.246.000+461.000
Kontribute punëdhënësi (16.7%)131.095205.813+74.718
Kosto totale punëdhënësi/muaj916.0951.451.813+535.718

Rritja vjetore e kostove: rreth 6.430.000 LEK, ose afërsisht 64.300 EUR.

Kjo shifër shtesë do të duhej të mbulohej tërësisht nga rritja e çmimeve të shërbimeve ose nga reduktimi i kostove të tjera. Në një treg mjekësor ku çmimet nuk rriten lehtë dhe pacientët janë të ndjeshëm ndaj kostos, ky presion është shumë realist.

Skenari C: Poliklinikë ose Spital Privat, 20 Punonjës

Ky model i referohet një strukture me kirurgë, anestezistë, specialistë të ndryshëm, staf infermieror të plotë dhe administrativ.

KategoriaKosto aktuale/muaj (LEK)Kosto indikative/muaj (LEK)Rritja
Totali bruto (20 punonjës)1.713.0002.756.000+1.043.000
Kontribute punëdhënësi (16.7%)286.071440.796+154.725
Kosto totale punëdhënësi/muaj1.999.0713.196.796+1.197.725

Rritja vjetore e kostove: rreth 14.370.000 LEK, ose afërsisht 143.700 EUR.

Për strukturat e kësaj madhësie, kjo nuk është thjesht problem kontabiliteti. Është vendim strategjik: si ri-inxhinierohet modeli i biznesit kur kostoja e punës rritet me 60 për qind brenda natës, teorikisht.

Këto llogaritje tregojnë vetëm efektin e sigurimeve dhe pagave bruto. Tatimi mbi pagën ndikon mbi punonjësin, por edhe ai ka efekte indirekte: ndryshimi i pagës neto mundet, dhe do, të ndikojë në pritjet e punonjësve dhe në aftësinë e punëdhënësit për të rekrutuar.

Read also: Si Ndërtoni një Plan Financiar që Funksionon për Biznesin Tuaj

Pyetjet e Vërteta që Duhen Bërë

Diskutimi publik mbi pagat indikative ka qenë i sipërfaqshëm, duke u ndalur kryesisht te pyetja nëse janë “të drejta”. Por pyetjet e vërteta janë shumë më të ndërlikuara.

A është ky niveli i pagave i arritshëm për sektorin privat?

Sistemi publik shëndetësor paguan mjekët shumë nën nivelet indikative të shpallura. Mjeku i përgjithshëm në sektorin publik merr rreth 80.000 deri 100.000 LEK. Lista indikative tregon 163.000 LEK për të njëjtin profil. Nëse sektori privat detyrohet de facto të paguajë 163.000 LEK, ka dy rrjedhoja: ose çmimet e shërbimeve private rriten ndjeshëm, ose mjekët e sektorit publik të mirë intensifikojnë largimin drejt sektorit privat. Asnjëra nuk është domosdoshmërisht e keqe, por asnjëra nuk është as e planifikuar apo e menaxhuar.

A është tregu i punës mjekësor homogjen?

Lista aplikon të njëjtën pagë indikative për Tiranën dhe për Shkodën, Sarandën dhe Gramshin. Një klinikë e vogël familjare në Peshkopi dhe një qendër mjekësore në qendër të Tiranë operojnë me kushte krejt të ndryshme të tregut: volume të ndryshme, çmime të ndryshme shërbimesh dhe nivel të ndryshëm konkurrence. Lista nuk bën asnjë dallim.

Çfarë ndodh me format e tjera të bashkëpunimit?

Sektori mjekësor ka shumëllojshmëri marrëdhëniesh pune: mjekë me kohë të pjesshme, mjekë me kontratë shërbimi, mjekë bashkëpunëtorë pa marrëdhënie punësimi formale. Lista indikative duket se i referohet pagave mujore të punonjësve me kontratë pune klasike. Por çfarë ndodh me mjekun që punon dy ditë në javë në klinikën private dhe tre ditë në spitalin publik? Asnjë sqarim zyrtar nuk ka dalë.

A sjell presion formalizim real apo rikonfigurimi i strukturave?

Ky është rreziku më i madh i instrumenteve të tilla, dhe historia e tyre ndërkombëtare e dëshmon. Kur barra e kostove rritet papritur dhe pa trajtim gradual, bizneset shpesh nuk formalizohen. Ata gjejnë forma alternative: rikonfigurimin e kontratave si shërbim të jashtëm, ndarjen e strukturës në njësi të vogla juridike, ose thjesht kalimin e pagave në gri, të dokumentuara formalisht nën nivel por me kompensim informal jashtë sistemit. Italia dhe Greqia e mësuan këtë me dhimbje të madhe.

A ka mekanizma ankimimi efektiv?

Teorikisht po. Por ankimimi tatimor në Shqipëri është i gjatë, i kushtueshëm dhe i pasigurt. Bizneset e vogla, ato me 3 deri 10 punonjës, nuk kanë kapacitetin real të nisin procedura ligjore kundër Administratës Tatimore. Efekti praktik është se presioni ndjehet shumë herë më ashpër nga të vegjlit sesa nga të mëdhenjtë, edhe nëse ligji formalisht i trajton njëlloj.

Hapat Konkretë që Duhet të Merrni

Pavarësisht vlerësimeve mbi drejtësinë e politikës, reagimi juaj duhet të jetë i matur dhe i bazuar mbi fakte, jo mbi frikë apo indiferencë.

Hapi 1: Bëni Analizën e Listëpagesës Tuaj Aktuale

Krahasoni çdo pozicion me listën indikative. Identifikoni hendekun për çdo punonjës. Kjo ju jep pamjen e saktë të ekspozimit tuaj tatimor aktual dhe ju ndihmon të kuptoni nëse jeni në zonën e riskut të lartë, mesatar apo të ulët.

Hapi 2: Llogarisni Koston Totale të Formalizimit

Mos u ndaloni tek diferenca e pagës bruto. Llogarisni edhe kontributet e punëdhënësit (16.7%), tatimin mbi pagën të punonjësit (nëse ndryshon niveli), dhe efektin mbi çmimet e shërbimeve. Kjo shifër ju tregon nëse formalizimi gradual është i mundshëm pa ndryshime strukturore, apo kërkon rishikim të plotë të modelit të biznesit.

Hapi 3: Kontrolloni Titujt e Pozicioneve

Administrata Tatimore ka shprehimisht deklaruar se do të verifikojë rastet e riklasifikimit artificial. Sigurohuni që çdo pozicion i deklaruar korrespondon me funksionin real të punonjësit. Shënime si “punonjës shërbimi” për dikë që kryen funksion infermieri janë pikërisht ato që sistemi synon të identifikojë.

Hapi 4: Dokumentoni Kushtet Specifike të Biznesit Tuaj

Nëse ka arsye objektive që justifikojnë paga nën nivel indikativ, dokumentojini. Volumi i ulët i aktivitetit, kontratat me kohë të pjesshme, kushtet e tregut lokal, vitet e aktivitetit dhe historiku i pagave janë të gjithë argumente të mundshme. Një dosje e mirë dokumentare vlen shumë nëse ndodh verifikimi.

Hapi 5: Konsultohuni para çdo Ndryshimi

Mos bëni ndryshime të nxituara pa u konsultuar. Rritja e pagave nën presion pa planifikim financiar të kujdesshëm mund të krijojë probleme të reja: kontraktuale me punonjësit nëse jo të gjithë trajtohen njëlloj, financiare nëse marzhet nuk mbulojnë koston shtesë, dhe tatimore nëse ndryshimet nuk dokumentohen siç duhet.

Pikëpamja nga Dy Anët

Ky diskutim meriton analizë të plotë, jo vetëm nga një kamp.

Nga ana e tatimeve, argumenti ka meritë reale. Informaliteti i pagave në sektorin mjekësor privat është i dokumentuar dhe i njohur nga të gjithë. Mjekë me paga formale prej 60.000 deri 80.000 LEK, ndërkohë që klinika faturon shërbime me çmime që sugjerojnë të ardhura shumë herë më të larta, është realitet dhe jo spekulim. Punonjësi që punon me paga të ulëta të pa deklaruara humbet kontribute të rëndësishme shoqërore dhe shëndetësore, dhe ky dëm ndaj tij është real.

Nga ana e bizneseve, argumenti ka gjithashtu meritë. Marzhet e klinikave të vogla private janë shpesh shumë të ngushta, veçanërisht në periudhat e para të aktivitetit. Kostot operative, pajisjet mjekësore, qiraja, fatura e energjisë elekrike dhe shpenzimet administrative janë reale dhe të larta. Rritja e papritur e kostos së pagave me 50 deri 60 për qind, pa periudhë tranzicioni dhe pa mekanizma mbështetje, mund të destabilizojë biznese të shëndetshme financiarisht.

Të dyja perspektivat janë të vlefshme. Zgjidhja e mirë qëndron diku në mes: formalizim gradual, metodologji transparente, konsultim sektorial dhe mekanizma mbështetje për bizneset e vogla që bëjnë hapin e formalizimit. Të gjitha këto mungojnë nga forma aktuale e listës.

Frequently Asked Questions (FAQ)

A jam i detyruar ligjërisht të paguaj pagat sipas listës indikative?

Jo, jo drejtpërdrejt. Lista nuk ka fuqinë e një akti normativ. Por nëse deklaroni nën nivel indikativ, biznesi kategorizohet automatikisht si subjekt me risk tatimor dhe bëhet objekt verifikimi. Efekti praktik është shumë i ngjashëm me detyrimin.

Çfarë ndodh nëse verifikohem dhe nuk mund të justifikoj pagën?

Organi tatimor rikonstrukton bazën tatimore dhe aplikohet tatim i shtesë mbi diferencat, bashkë me gjobat dhe kamatat e parashikuara nga Ligji nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore“. Gjoba për mosdeklarim ose deklarim të pasaktë të pagave mund të jetë e rëndë. Ka të drejtë ankimimi, por procesi është i gjatë.

A ndikon lista tek bizneset e sektorit estetik?

Po. Lista përfshin berberët (75.000 LEK), estetistët e kozmetistët (80.000 LEK), manikyristët e pedikyristët (80.000 LEK) dhe instruktorët e gjimnastikës e sportit (80.000 LEK). Instruktori personal ka nivelin indikativ më të lartë në këtë kategori, me 120.000 LEK.

A mund të kundërshtoj listën nëse kushtet e tregut lokal janë të ndryshme?

Po, kjo është mundësi ligjore. Por barra e provës është e jotja: duhet të paraqisësh dokumentacion konkret, si kontratat e punonjësve, historiku i pagave, vërtetime nga aktiviteti dhe argumente objektive mbi kushtet lokale të tregut.

Çfarë ndodh me mjekun që punon me kohë të pjesshme?

Lista i referohet pagave mujore të plota. Për punonjësin me kohë të pjesshme, paga proporcionale mund të jetë e justifikueshme nëse kontrata dhe oraret e punës janë të dokumentuara saktë. Dokumentacioni i mirë është kyç në këto raste.

AlProfit Consult: Your Business's External Economist

Nëse biznesi juaj operon në sektorin mjekësor apo estetik dhe dëshironi të kuptoni qartë ekspozimin tuaj aktual tatimor, ne bëjmë analizën e situatës suaj konkrete.

  • Administrim i listëpagesave dhe sigurimeve
  • Analizë e riskut tatimor dhe planifikim preventiv
  • Kontabilitet dhe raportim financiar
  • Këshillim tatimor dhe minimizim rreziku
  • Mbështetje gjatë verifikimeve dhe procedurave tatimore
  • Ekonomist i jashtëm i dedikuar për klinika dhe biznese shëndetësore

Kontaktoni: +355 69 323 2349 or [email protected]

Në Fund: Çfarë Mund të Presim

Lista e pagave indikative është një sinjal i qartë se drejtimi i politikës tatimore ka ndryshuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë listë, por për një model kontrolli që do të vijojë dhe do të zgjerohet. Sektori mjekësor privat është i dytë pas ndërtimit. Logjika e sistemit sugjeron se nuk do të jetë i fundit.

Por nuk ka kuptim të shikohet kjo vetëm si kërcënim. Formalizimi real i pagave nënkupton edhe kontribute reale shoqërore për punonjësit, edhe bazë tatimore më të ndershme dhe edhe model biznesi më të qëndrueshëm afatgjatë. Bizneset që arrijnë ta menaxhojnë këtë tranzicion me plan dhe kujdes, jo nën panik, do të dalin më të forta.

Lista indikative nuk ka ardhur papritur. Sektori e dinte se ky moment do të vinte. Dallimi tani është vetëm se data ka ardhur. Dhe ata që kanë filluar të planifikojnë sot janë gjithmonë në pozicion shumë më të mirë se ata që presin të trokasin derën.

Biznesi juaj është në sektorin mjekësor ose estetik?

Pagat indikative kanë hyrë në fuqi si instrument rreziku tatimor. Nëse listëpagesa juaj është nën nivelet e publikuara, koha për të vepruar është tani. Ekipi i AlProfit Consult analizon situatën tuaj konkrete dhe ju ndihmon të menaxhoni tranzicionin pa surpriza.

KËRKO KONSULTË FALAS

✔ Analizë e listëpagesës  ·  ✔ Planifikim tatimor  ·  ✔ Mbështetje gjatë verifikimit

Contact us: +355 69 323 2349  ·  [email protected]

GDPR