TiranaTiranaDurazzo Dal lunedì al venerdì, dalle 08:30 alle 17:00 +355693232349 Dal lunedì al sabato, dalle 8 alle 18 +355693232349
Personi duke nënshkruar dokumente financiare, ligji i kontabilitetit 2026

Ministria e Financave ka dërguar për konsultim publik një projektligj që ndryshon Ligjin nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Ndryshimet prekin mënyrën si mbani kontabilitetin, çfarë informacioni duhet të parqaqisni çdo vit dhe sa kohë duhet të ruani dokumentet.

Disa ndryshime lehtësojnë detyrimet ekzistuese. Disa shtojnë kërkesa të reja. Disa paraqesin detyrime krejtësisht të reja, si raportimi i qëndrueshmërisë dhe transparenca tatimore e grupeve shumëkombëshe. Projektligji nuk është ende ligj dhe do të presim finalizimin e tij nga Kuvendi.

Ky artikull analizon ndryshimet kryesore, kush preket nga secili prej tyre dhe çfarë duhet të bëni tani.

Ruajtja e dokumenteve: nga 10 vjet në 5 vjet

Ligji aktual kërkon që dokumentet kontabël të ruhen për 10 vjet rresht pas mbylljes së periudhës raportuese. Projektligji propozon uljen e këtij afati në të paktën 5 vjet.

Pesë vjet është standardi i zakonshëm në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian dhe është më i përshtatshëm me kapacitetet e bizneseve të vogla dhe të mesme. Ruajtja fizike e dokumenteve ka kosto reale, hapësirë, kohë dhe organizim. Ky ndryshim e zvogëlon atë barrë.

Megjithatë, të paktën 5 vjet nuk do të thotë se mund të hidhni dokumentet pas 5 vjetësh në çdo rast. Nëse dispozita të tjera ligjore, tatimore ose tregtare kërkojnë afat më të gjatë, ato mbeten në fuqi. Konsultohuni para çdo vendimi për asgjësimin e dokumenteve.

Sqarimi i kritereve për pasqyrat e konsoliduara

Ligji aktual parashikon detyrimin për hartimin e pasqyrave financiare të konsoliduara, por nuk specifikon me hollësi se kur një njësi ekonomike konsiderohet se kontrollon një tjetër. Projektligji plotëson këtë boshllëk me një nen të ri, nenin 12/1.

Sipas tij, detyrimi për konsolidim lind në katër situata. E para, kur njësia mëmë zotëron shumicën e të drejtave të votës në njësinë tjetër. E dyta, kur ka të drejtë të emërojë ose të largojë shumicën e anëtarëve të organeve drejtuese. E treta, kur ushtron kontroll nëpërmjet ndikimit dominues, pavarësisht formës juridike. E katërta, kur kontrollon shumicën e votave në bazë të një marrëveshjeje me aksionarë të tjerë.

Ky sqarim ndikon kryesisht te pronarët që drejtojnë disa shoqëri njëkohësisht. Nëse keni dy ose më shumë biznese me lidhje pronësie, është e rëndësishme të vlerësoni nëse detyrimi i konsolidimit vlen tashmë për ju.

Informacion shtesë në shënimet shpjeguese

Projektligji zgjeron informacionin që duhet të paraqitet në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare. Ndryshimet veprojnë në dy nivele të ndryshme.

Për njësitë e mesme, të mëdha dhe ato me interes publik

Shtohen dy kërkesa të reja. Njëra ka të bëjë me paradhëniet dhe kreditë e dhëna anëtarëve të organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse. Duhet të specifikohen normat e interesit, kushtet kryesore dhe shumat e shlyera. Tjetra ka të bëjë me detyrimet afatgjata, ato që paguhen pas më shumë se pesë vjetësh, si dhe garancitë e dhëna nga vetë njësia ekonomike.

Konkretisht, nëse administratori i shoqërisë ka marrë një hua nga shoqëria, kjo duhet të shfaqet qartë në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare.

Për të gjitha njësitë ekonomike

Shtohet detyrimi i paraqitjes së të ardhurave të zbërthyera sipas kategorive kryesore të aktivitetit ekonomik. Nuk mjafton më vetëm shuma totale e të ardhurave. Duhet të ndahen sipas llojit të veprimtarisë.

Për bizneset me aktivitete të ndryshme, si shitje dhe shërbime njëkohësisht, kjo kërkon një organizim më të kujdesshëm të të dhënave gjatë vitit, jo vetëm në momentin e hartimit të pasqyrave.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Deklarata e përgjegjësisë për kontabilistin

Projektligji fut një detyrim të ri për personin përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare. Kontabilisti i miratuar ose shoqëria kontabël do të duhet të përgatisë një deklaratë përgjegjësie, e cila publikohet bashkë me pasqyrat financiare vjetore.

Forma dhe përmbajtja e kësaj deklarate do të miratohet me urdhër të Ministrit të Financave, me propozim të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Detajet e sakta nuk janë ende të njohura.

Ky ndryshim thekson rolin e kontabilistit jo vetëm si hartues dokumentesh, por si person me përgjegjësi të plotë profesionale ndaj pasqyrave financiare. Nëse punoni me ekonomist të jashtëm, ky ndryshim ndikon drejtpërdrejt në marrëdhënien tuaj me të.

Raportimi i qëndrueshmërisë

Ky është ndryshimi konceptualisht më i madh i projektligjit, por me ndikim shumë të kufizuar numerik te bizneset shqiptare. Bëhet fjalë për futjen e raportimit të qëndrueshmërisë, i njohur ndërkombëtarisht si ESG (Environmental, Social, Governance).

Projektligji përshtaton Direktivën Evropiane 2022/2464 (CSRD) dhe parashikon dy standarde të reja. Standardet e Raportimit të Qëndrueshmërisë (SRQ) do të jenë të detyrueshme për njësitë e prekura. Standardet Vullnetare të Raportimit të Qëndrueshmërisë (SVRQ) do të jenë për njësitë që dëshirojnë të raportojnë vullnetarisht.

Kush preket

Detyrimet për raportim të qëndrueshmërisë janë të kufizuara te njësitë ekonomike me interes publik që tejkalojnë njëkohësisht mesataren vjetore prej 1 000 punonjësish dhe 450 milionë euro të ardhura shfrytëzimi.

Bazuar në analizën e Ministrisë së Financave, kjo i prek maksimumi 2 deri 3 njësi ekonomike në të gjithë Shqipërinë.

Për bizneset e vogla dhe të mesme, ky detyrim nuk vlen. Megjithatë, nëse bashkëpunoni me grupe të mëdha ndërkombëtare, mund të merrni kërkesa për të dhëna si pjesë e zinxhirit të vlerës së tyre. Projektligji vendos kufizime të qarta për këto kërkesa, me qëllim mbrojtjen e bizneseve të vogla nga presioni i panevojshëm.

Kur hyn në fuqi

Detyrimet për raportim të qëndrueshmërisë do të jenë të zbatueshme duke filluar nga periudha raportuese e vitit 2028. Deri në vitin 2027, njësitë e detyruara vazhdojnë me raportin jofinanciar ekzistues. Nga viti 2028, raportimi jofinanciar zëvendësohet plotësisht nga raportimi i qëndrueshmërisë. Bizneset e tjera mund ta zbatojnë vullnetarisht duke filluar nga i njëjti vit.

Raporti për tatimin mbi të ardhurat

Projektligji fut një kapitull të ri për raportimin e informacionit mbi tatimin mbi të ardhurat, të njohur ndërkombëtarisht si Country-by-Country Reporting. Ky detyrim ka si synim transparencën fiskale të korporatave shumëkombëshe.

Detyrohen njësitë ekonomike mëmë të nivelit më të lartë me të ardhura të konsoliduara mbi 750 milionë euro për dy periudhat e fundit raportuese të njëpasnjëshme. Raporti duhet të paraqesë numrin e punonjësve, të ardhurat, fitimin para tatimit dhe tatimin e paguar, të ndara veçmas për çdo juridiksion tatimor ku operon grupi.

Ky detyrim ka prag shumë të lartë dhe nuk prek bizneset e zakonshme shqiptare. Degët e grupeve ndërkombëtare të regjistruara në Shqipëri mund të kenë detyrime specifike nëse grupi prind tejkalon pragjet.

Pse ka rëndësi

Projektligji është aktualisht në fazën e konsultimit publik. Mund ta ndiqni dhe të jepni komente në faqen konsultimit publik. Pas kësaj faze kalon në Këshillin e Ministrave dhe pastaj në Kuvend. Data e saktë e hyrjes në fuqi nuk është e njohur ende.

Ndërkohë, disa hapa praktikë mund t’i ndërmerrni tani.

Nëse biznesi juaj ka aktivitete të ndryshme, kontrolloni nëse sistemi kontabël aktual ju lejon të zbërtheni të ardhurat sipas kategorive. Ky detyrim do të jetë i zbatueshëm për të gjitha njësitë, pavarësisht madhësisë.

Nëse keni disa shoqëri të lidhura pronësisht, rishikoni strukturën duke pasur parasysh kriteret e reja të konsolidimit të parashikuara nga neni 12/1.

Nëse punoni me ekonomist të jashtëm, diskutoni mbi deklaratën e re të përgjegjësisë dhe çfarë ndryshon në marrëdhënien tuaj kontraktuale.

Bizneset dhe profesionistët që do të jenë të përgatitur kur ligji të finalizohet do të kenë avantazhin e reagimit të hershëm, pa u gjetur papritur para detyrimeve të reja.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Domande frequenti

A ndryshon afati i dorëzimit të pasqyrave financiare?

Jo. Projektligji nuk propozon ndryshime në afatin e dorëzimit. Afati 7-mujor pas datës së raportimit mbetet i pandryshuar.

A preket biznesi im nëse jam mikronjësi ose njësi e vogël?

Po, pjesërisht. Detyrimi i ri për zbërthimin e të ardhurave sipas kategorive aktivitetit ekonomik vlen për të gjitha njësitë, pavarësisht madhësisë. Ndryshimi i afatit të ruajtjes së dokumenteve ju ndihmon. Detyrimet për qëndrueshmëri dhe tatim ndërkombëtar nuk ju prekin.

Kur pritet miratimi i projektligjit?

Akoma nuk ka datë të saktë. Projektligji po kalon fazën e konsultimit publik. Pas saj, do të procedojë në Këshillin e Ministrave dhe pastaj në Kuvend. Hyrja në fuqi do të ndodhë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Raportimi i qëndrueshmërisë nga kur bëhet i detyrueshëm dhe për kë?

Bëhet i detyrueshëm duke filluar nga periudha raportuese e vitit 2028. Vlen vetëm për njësitë ekonomike me interes publik që kanë mbi 1 000 punonjës dhe mbi 450 milionë euro të ardhura. Për bizneset e tjera nuk është i detyrueshëm.

Si ndikon deklarata e re e përgjegjësisë te marrëdhënia me ekonomistin e jashtëm?

Kontabilisti i miratuar ose shoqëria kontabël do të nënshkruajë një dokument shtesë që publikohet bashkë me pasqyrat financiare. Kjo rrit transparencën, por edhe nivelin e përgjegjësisë formale. Detajet e sakta të kësaj deklarate do të dalin me akt nënligjor.

Pse ka rëndësi të veproni me kohë

Ndryshimet ligjore në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar ndikojnë drejtpërdrejt mënyrën si organizohet biznesi juaj çdo vit. Disa nga ndryshimet e propozuara, si zbërthimi i të ardhurave sipas kategorive, kërkojnë rregullime në sistemin tuaj kontabël që është mirë t’i bëni gradualisht, jo në fund të vitit kur janë afate.

Lexo më poshtë versionin e konsoliduar me ndryshime në ligjin aktual.

Keni pyetje mbi ndryshimet e reja në ligj?

Projektligji është në konsultim. Kur të miratohet, disa detyrime hyjnë menjëherë, disa kanë afate. Ekipi ynë ndjek çdo ndryshim dhe ju njofton me kohë. Si ekonomist i jashtëm i biznesit tuaj, ne jemi aty kur ligjet ndryshojnë.

KËRKO KONSULTË FALAS

✔ Pa detyrim  ·  ✔ Konfidencialitet i plotë  ·  ✔ Përgjigje brenda 24 orë

Ose direkt në: +355 69 323 2349  ·  [email protected]

GDPR