Personi duke nënshkruar dokumente financiare, ligji i kontabilitetit 2026
Botuar më 5 maj 2026

Përditësuar më 14 gusht 2026 · Projektligji u miratua si ligji nr. 87/2026. Artikulli u rishkrua sipas tekstit përfundimtar, me pragjet e reja të madhësisë, deklaratën e pajtueshmërisë dhe afatet e zbatimit.

Ligji i kontabilitetit ndryshoi. Kuvendi miratoi më 23 korrik 2026 ligjin nr. 87/2026, i cili sjell disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Presidenti e shpalli me dekretin nr. 470, datë 4 gusht 2026, dhe ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Pjesa më e madhe e tekstit merret me raportimin e qëndrueshmërisë dhe me raportimin e tatimit sipas vendeve. Këto janë kërkesa që në Shqipëri prekin një numër shumë të vogël njësish, ndoshta dy ose tri. Megjithatë, brenda të njëjtit ligj ka tri ose katër ndryshime që i prekin edhe shoqëritë e vogla, dhe pikërisht ato kalojnë pa u vënë re.

Qëllimi i këtij artikulli është t’ju japë tablonë e plotë, të ndarë sipas asaj që ju prek vërtet. Do të gjeni gjithashtu se cilat propozime të projektligjit nuk kaluan, sepse disa prej tyre u përhapën gjerësisht si të miratuara.

Lexo edhe: Pasqyrat financiare të vitit 2025. Çfarë kërkohet nga biznesi juaj dhe deri kur

Çfarë nuk kaloi nga projektligji

Projektligji i hedhur për konsultim publik parashikonte shkurtimin e afatit të ruajtjes së dokumenteve kontabël, nga 10 vjet në 5 vjet. Ky propozim nuk u miratua. Ligji nr. 87/2026 nuk e prek fare nenin 8 të ligjit nr. 25/2018, prandaj dokumentet kontabël ruhen sërish për 10 vjet rresht pas mbylljes së periudhës raportuese.

Sqarimi ka rëndësi praktike, sepse shumë biznese planifikojnë arkivin fizik dhe koston e ruajtjes mbi këtë afat. Rregulli i vjetër mbetet në fuqi dhe asgjë nuk ndryshon në mënyrën si i mbani dosjet.

Një sqarim i dytë vlen për pragjet e raportimit të qëndrueshmërisë. Disa përmbledhje i dhanë ato në euro. Ligji i përcakton në lekë, prandaj shifrat që gjeni më poshtë janë ato zyrtare.

Tri ndryshimet që prekin çdo njësi ekonomike

Këto tri ndryshime nuk kanë prag. Ato zbatohen njësoj për mikronjësinë me tre punonjës dhe për shoqërinë me qarkullim miliardësh.

Deklarata e pajtueshmërisë

Ligji shton një detyrim të ri te neni 23. Personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare përgatit një deklaratë pajtueshmërie, e cila publikohet së bashku me pasqyrat financiare vjetore.

Formën dhe përmbajtjen e deklaratës do t’i miratojë ministri përgjegjës për financat, me propozim të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit. Pra dokumenti ekziston si detyrim ligjor, por modeli konkret pritet me akt nënligjor. Deri atëherë nuk ka format zyrtar për ta plotësuar.

Në praktikë kjo do të thotë një dokument më shumë në dosjen e mbylljes vjetore, të nënshkruar nga personi që harton pasqyrat. Nëse punoni me ekonomist të jashtëm, është përgjegjësia e tij ta përgatisë.

Lexo më shumë: Ekonomisti i jashtëm

Shënime shpjeguese më të hollësishme

Të gjitha njësitë ekonomike, përtej asaj që kërkojnë standardet kontabël, duhet të japin tani në shënimet shpjeguese tri grupe informacioni.

Së pari, numrin mesatar të punonjësve gjatë periudhës raportuese. Së dyti, paradhëniet dhe kreditë e dhëna anëtarëve të organeve ekzekutive, drejtuese dhe mbikëqyrëse, me normat e interesit, kushtet kryesore dhe shumat e shlyera ose të fshira. Së treti, shumat që duhen paguar pas më shumë se 5 vjetësh, si dhe detyrimet e siguruara me garanci të dhëna nga vetë njësia.

Shtohet gjithashtu një kërkesë e katërt. Çdo njësi duhet të japë informacion për kategoritë kryesore të të ardhurave, të ndara sipas llojit të aktivitetit ekonomik. Nëse shoqëria juaj bën njëkohësisht tregti dhe shërbime, ato tani ndahen në shënime.

Pika e dytë kërkon vëmendje te huaja e ortakut dhe te tërheqjet nga llogaria e shoqërisë. Ato bëhen informacion i deklaruar në pasqyra, jo thjesht një zë kontabël i brendshëm.

Inventarizimi të paktën një herë në periudhë

Neni 15 rishkruhet dhe përcakton qartë se njësia kontrollon ekzistencën dhe vlerësimin e aktiveve, detyrimeve dhe kapitaleve të veta të paktën një herë gjatë periudhës raportuese, nëpërmjet inventarizimit dhe dokumenteve kontabël përkatëse.

Për bizneset që e bëjnë inventarin rregullisht në fund të vitit, kjo nuk sjell punë shtesë. Për ato që e kanë lënë pas dore, formulimi i ri e bën më të vështirë mbrojtjen në rast kontrolli.

Pragjet e reja të madhësisë nga viti 2028

Ky është ndryshimi me efektin më të prekshëm për klientët tanë, sepse kategoria e njësisë përcakton standardin kontabël që zbatoni, hollësinë e pasqyrave dhe hyrjen në rrethin e njësive që auditohen.

Aneksi 1 zëvendësohet i tëri. Kolona e vitit 2028 ekzistonte edhe më parë, por shifrat e saj ulen dhe rrumbullakosen. Konkretisht, për periudhat raportuese nga viti 2028 vlejnë këto kufij.

Mikronjësi: aktive deri 45,000,000 lekë, të ardhura deri 90,000,000 lekë, deri 10 punonjës. Më parë kolona 2028 parashikonte 47,500,000 lekë aktive dhe 95,000,000 lekë të ardhura.

Njësi e vogël: aktive deri 500,000,000 lekë, të ardhura deri 1,000,000,000 lekë, deri 50 punonjës. Më parë ishin 540,000,000 lekë dhe 1,080,000,000 lekë.

Njësi e mesme: aktive deri 2,500,000,000 lekë, të ardhura deri 5,000,000,000 lekë, deri 250 punonjës. Më parë ishin 2,700,000,000 lekë dhe 5,400,000,000 lekë.

Njësitë e mëdha janë ato që i tejkalojnë këta kufij. Të njëjtat shifra vlejnë edhe për grupet e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Deri në fund të vitit 2027 mbeten në fuqi kufijtë e kolonës 2025 deri 2027, pra 35,000,000 lekë aktive dhe 70,000,000 lekë të ardhura për mikronjësinë, dhe 350,000,000 lekë aktive dhe 700,000,000 lekë të ardhura për njësinë e vogël.

Lexo edhe: Tatimi mbi fitimin.

Shembull. Si ndryshon kategoria e një shoqërie

Marrim një shoqëri tregtare me 40 punonjës. Në fund të vitit 2026 ajo ka aktive 480,000,000 lekë dhe të ardhura 950,000,000 lekë.

Sipas kufijve që vlejnë sot, kjo shoqëri i tejkalon të dy pragjet e njësisë së vogël, që janë 350,000,000 lekë dhe 700,000,000 lekë. Prandaj ajo klasifikohet si njësi e mesme, me gjithçka që kjo sjell në hollësinë e raportimit.

Nga periudha raportuese e vitit 2028, kufijtë e njësisë së vogël bëhen 500,000,000 lekë aktive dhe 1,000,000,000 lekë të ardhura. Me të njëjtat shifra, shoqëria qëndron brenda dy prej tri kritereve dhe kthehet në njësi të vogël.

Kalimi nga njëra kategori te tjetra nuk është formalitet. Ai ndryshon vëllimin e shënimeve shpjeguese, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe, në varësi të rastit, edhe detyrimin për auditim ligjor. Prandaj ia vlen ta llogaritni pozicionin tuaj tani, jo në vitin 2028.

Lexo edhe: Si të regjistrosh sh.p.k. në e-Albania.

Terminologjia e re në dokumentet tuaja

Ligji ndërron disa terma në të gjithë tekstin. Ndryshimi është gjuhësor, por do ta shihni në çdo dokument, model dhe udhëzim që do të dalë më pas.

Fjala “qarkullim”, e përdorur për të ardhurat nga veprimtaria ekonomike, zëvendësohet me “të ardhura të shfrytëzimit”. Termi “monedhë e paraqitjes” bëhet “monedhë raportuese”. Emërtimi “Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar” zëvendësohet me “standardet kontabël ndërkombëtare të raportimit financiar”.

Ligji shton gjithashtu njëmbëdhjetë përkufizime të reja, mes tyre pala e lidhur, njësitë ekonomike të lidhura, njësia ekonomike e investimit dhe data e raportimit. Këto sqarojnë raste që deri tani trajtoheshin me interpretim.

Një nen i ri, neni 12/1, përcakton hollësisht kur një shoqëri detyrohet të hartojë pasqyra financiare të konsoliduara. Kriteri kryesor mbetet zotërimi i shumicës së të drejtave të votës, por tani shtohen edhe rastet e kontrollit nëpërmjet ndikimit dominues ose emërimit të organeve drejtuese.

Lexo më shumë: Shërbime kontabiliteti

Publikimi i pasqyrave financiare

Afati i dorëzimit të pasqyrave financiare nuk ndryshon. Ai mbetet 31 korriku për vitin paraardhës, sipas legjislacionit në fuqi.

Ajo që ndryshon është rrethi i njësive që duhet të publikojnë. Ligji parashikon tani se një kategori mikronjësish mund të përjashtohet nga detyrimi për publikimin e pasqyrave financiare. Cila kategori konkretisht do të përcaktohet me akt nënligjor nga ministri përgjegjës për financat, prandaj lehtësimi ekziston si mundësi, jo ende si rregull i zbatueshëm.

Shtohet gjithashtu një rregull për publikimin e formatit të reduktuar. Kur standardet lejojnë një format të shkurtuar, publikimi duhet të deklarojë qartë se formati është i reduktuar, të tregojë ku janë depozituar pasqyrat e plota dhe të japë llojin e opinionit të auditimit, nëse ka.

Lexo edhe: Si shpërndahet fitimi dhe sa tatohet dividendi

Për organizatat jofitimprurëse

Njësitë jofitimprurëse marrin një lehtësim të vërtetë. Deri tani ato detyroheshin të publikonin pasqyrat në faqen e tyre të internetit nëse aktivi ose të ardhurat tejkalonin 30,000,000 lekë, pra mjaftonte njëri prej dy treguesve.

Tani kërkohet që të dy treguesit të tejkalojnë pragun njëkohësisht, dhe kjo për dy vjet radhazi. Shumë shoqata dhe fondacione dalin kështu jashtë detyrimit të publikimit.

Raportimi i qëndrueshmërisë dhe kë prek vërtet

Kjo është pjesa më e gjatë e ligjit dhe përafron legjislacionin shqiptar me direktivën evropiane të raportimit të qëndrueshmërisë. Ajo prek një rreth shumë të ngushtë njësish.

Detyrimi lind vetëm kur njësia tejkalon njëkohësisht dy kritere. Mbi 1,000 punonjës mesatarisht gjatë vitit financiar dhe mbi 45 miliardë lekë të ardhura të shfrytëzimit. Në ekonominë shqiptare këtë prag e kalojnë vetëm pak subjekte.

Raporti kërkon informacion për ndikimin mjedisor, për kushtet e punës dhe të drejtat e njeriut, për qeverisjen dhe për planin e njësisë drejt neutralitetit klimatik. Ai i nënshtrohet gjithashtu një angazhimi të dhënies së sigurisë nga audituesi ligjor.

Për njësitë bija shqiptare të grupeve të huaja vlejnë pragje të veçanta. Detyrimi i publikimit lind kur njësia e kontrolluar ka realizuar mbi 20 miliardë lekë të ardhura dhe grupi i huaj kalon 45 miliardë lekë për dy periudha radhazi.

Lexo edhe: Financë & Kontabilitet

Nëse jeni furnitor i një njësie të madhe

Këtu qëndron pika që prek biznesin e vogël në mënyrë të tërthortë. Njësitë e mëdha duhet të raportojnë edhe për zinxhirin e tyre të vlerës, pra për furnitorët dhe partnerët. Prandaj kërkesat për të dhëna zbresin drejt shoqërive më të vogla.

Ligji e parashikon këtë rrezik dhe vendos një mbrojtje. Njësia me deri 1,000 punonjës, që është pjesë e zinxhirit të vlerës, quhet njësi e mbrojtur. Ajo ka të drejtë të refuzojë dhënien e informacionit që tejkalon standardet vullnetare të raportimit, dhe çdo dispozitë kontraktuale që e detyron të kundërtën nuk ka fuqi detyruese.

Me fjalë të tjera, nëse një klient i madh ju kërkon të plotësoni pyetësorë të gjatë qëndrueshmërie, ju keni bazë ligjore ta kufizoni përgjigjen brenda standardeve vullnetare.

Lexo edhe: Kur dhe si zbatohet TVSH

Raporti për tatimin mbi të ardhurat

Ligji shton një kre të ri për raportin publik të informacionit të tatimit mbi të ardhurat, të njohur ndërkombëtarisht si raportimi sipas vendeve.

Detyrimi zbatohet për njësitë mëmë dhe për shoqëritë e pavarura me të ardhura mbi 75 miliardë lekë, për secilën nga dy periudhat e fundit raportuese të njëpasnjëshme. Raporti publikohet falas, në shqip dhe në një gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian, brenda 12 muajve nga data e raportimit.

Ky prag është praktikisht i njëjtë me atë të tatimit minimal global, prandaj bizneset që preken nga njëri rregull duhet ta lexojnë edhe tjetrin.

Lexo më shumë: Tatimi minimal global në Shqipëri. Kë prek dhe çfarë ndryshon në 2026

Ligji ul gjithashtu pragun e raportimit të pagesave që u bëhen institucioneve shtetërore, nga 13,500,000 lekë në 10,000,000 lekë. Ky raport prek industrinë nxjerrëse dhe, tani për herë të parë, edhe njësitë që shfrytëzojnë pyje primare.

Kur hyn në fuqi ligji i ri i kontabilitetit

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Prandaj ndryshimet pa afat të veçantë, si deklarata e pajtueshmërisë, shënimet shpjeguese dhe terminologjia, nisin të zbatohen që nga periudhat raportuese pas hyrjes në fuqi.

Raportimi i qëndrueshmërisë, raportimi i konsoliduar i qëndrueshmërisë dhe raporti për tatimin mbi të ardhurat zbatohen në mënyrë të detyrueshme për periudhat raportuese që fillojnë nga viti 2028 e në vijim.

Raportimi jofinanciar i sotëm vazhdon të zbatohet për periudhat raportuese deri në vitin 2027 përfshirë. Nga viti 2028 ai shfuqizohet dhe zëvendësohet nga raportimi i qëndrueshmërisë. Njësitë që duan mund ta zbatojnë raportimin e qëndrueshmërisë edhe vullnetarisht, po nga viti 2028.

Pragjet e reja të Aneksit 1 zbatohen për periudhat raportuese nga viti 2028. Deri atëherë vlejnë kufijtë aktualë.

Hapat për momentin

  1. Nxirrni totalin e aktiveve, të ardhurat dhe numrin mesatar të punonjësve për vitin 2025 dhe krahasojini me kufijtë e vitit 2028. Kështu e dini paraprakisht nëse kategoria juaj ndryshon.
  2. Verifikoni nëse keni huaja ose paradhënie ndaj administratorit dhe ortakëve. Ato hyjnë tani te shënimet shpjeguese dhe duhet të jenë të dokumentuara.
  3. Sigurohuni që inventari të kryhet dhe të dokumentohet të paktën një herë brenda vitit, me proces verbal të nënshkruar.
  4. Nëse shoqëria juaj bën më shumë se një lloj aktiviteti, kërkoni që të ardhurat të ndahen sipas aktivitetit që në regjistrimet e përditshme, jo në fund të vitit.
  5. Nëse jeni furnitor i një grupi të madh, ruani tekstin e mbrojtjes për njësitë e zinxhirit të vlerës. Do t’ju duhet kur të vijnë pyetësorët e parë.

Pse ka rëndësi

Asnjë nga këto ndryshime nuk sjell gjobë të re më vete. Kostoja e vërtetë shfaqet më vonë, kur pasqyrat dorëzohen pa shënimet e kërkuara ose kur një shoqëri zbulon në prag të afatit se ka kaluar në kategori tjetër.

Rregullimi paraprak kërkon disa orë pune. Rregullimi i mëvonshëm kërkon rihartim të pasqyrave, dhe në disa raste edhe një auditim që nuk ishte parashikuar në buxhet.

Pyetje të shpeshta

A ndryshon afati i dorëzimit të pasqyrave financiare?

Jo. Afati mbetet 31 korriku i vitit pasardhës, si për depozitimin në QKB ashtu edhe për dokumentet shoqëruese. Ligji i ri nuk e prek këtë datë.

Sa vjet duhen ruajtur dokumentet kontabël?

Dhjetë vjet rresht pas mbylljes së periudhës raportuese. Propozimi për ta ulur afatin në 5 vjet nuk u miratua dhe nuk është pjesë e ligjit nr. 87/2026.

Mikronjësia ime preket nga ndonjë prej këtyre ndryshimeve?

Po, nga tri prej tyre. Deklarata e pajtueshmërisë, shënimet shpjeguese shtesë dhe inventarizimi zbatohen pa prag. Raportimi i qëndrueshmërisë dhe raporti i tatimit nuk ju prekin.

Kur duhet ta përgatis deklaratën e pajtueshmërisë?

Ajo publikohet së bashku me pasqyrat financiare vjetore. Formati zyrtar miratohet me urdhër të ministrit, prandaj modeli konkret pritet të dalë përpara mbylljes së parë ku do të zbatohet.

A ndryshon detyrimi për auditim ligjor?

Ligji i kontabilitetit nuk e rregullon drejtpërdrejt auditimin, por përcakton kategorinë e njësisë. Meqenëse pragjet e vitit 2028 ulen, disa shoqëri që sot janë njësi të mesme kalojnë në njësi të vogla, dhe kjo mund të ndryshojë pozicionin e tyre ndaj auditimit.

Çfarë bëj nëse një klient i huaj më kërkon të dhëna qëndrueshmërie?

Nëse keni deri 1,000 punonjës, ju konsideroheni njësi e mbrojtur dhe keni të drejtë të kufizoni përgjigjen brenda standardeve vullnetare. Një dispozitë kontraktuale që kërkon më shumë nuk ka fuqi detyruese.

A duhet të ndryshoj planin kontabël për terminologjinë e re?

Jo menjëherë. Ndryshimi i termave nuk kërkon rikonfigurim të llogarive, por do të shfaqet në formularët dhe modelet e reja që do të miratohen me akte nënligjore.

Kategoria e njësisë përcakton standardin kontabël, hollësinë e pasqyrave dhe në disa raste edhe auditimin, prandaj një klasifikim i gabuar zbulohet vonë dhe kushton shtrenjtë. Ne e ndjekim kategorizimin, shënimet shpjeguese dhe dokumentet e mbylljes vjetore për çdo klient, si pjesë e abonimit mujor.

SHIKO ÇMIMET

GDPR

Ekonomisti i jashtëmi biznesit tuaj.

Ne kujdesemi për kontabilitetin dhe taksat, në mënyrë që ju të kurseni kohë, para dhe të fokusoheni në rritjen e biznesit.

Kërko Ofertë