TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 Mon - Fri 08:00-18:00 +34-354-5468-8

UDHËZUES PËR

PËRGATITJEN E RAPORTIT JOFINANCIAR

(metodologjia për raportimin e informacionit jofinanciar)

(Në zbatim të nenit 18 të Ligjit 25, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”)

dokument transpozon Komunikatën1 e Komisionit Europian “Udhëzues për raportimin jo-financiar”

 

1. HYRJE

 Ligji 25, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, hyri në fuqi në 1 janar 2019. Ligji i ri i kontabilitetit përafron Direktivën e Kontabilitetit 2013/34/BE kryesisht në çështjet e klasifikimit të njësive ekonomike dhe grupeve si dhe në kërkesat për përgatitjen e raportit të ecurisë së veprimtarisë, raportit jofinanciar dhe raportit të drejtimit të brendshëm. Gjithashtu ligji i ri ka përmirësuar dhe disa kërkesa lidhur me publikimin e raporteve financiare dhe jofinanciare.

Një transparencë më e madhe pritet t’i bëjë njësitë më elastike dhe të performojnë më mirë, në aspektin financiar dhe jo-financiar. Me kalimin e kohës kjo do të çojë në një rritje të biznesit dhe punësimit si dhe rritje të besimit midis palëve të interesuara, përfshirë investitorët dhe konsumatorët. Menaxhimi transparent i biznesit është gjithashtu në përputhje me synimin për investime më afatgjata.

Kërkesat e dhënies së shënimeve shpjeguese për informacion jo-financiar zbatohen për disa njësi të mëdha me më shumë se 500 të punësuar, pasi kostoja e detyrimit të njësive të vogla dhe të mesme për t’i zbatuar ato mund të tejkalojë përfitimet.

Njësiv u kërkohet të japin informacione të rëndësishme e të dobishme, të nevojshme për të kuptuar zhvillimin e tyre, performancën, pozicionin dhe ndikimin e veprimtarisë së tyre dhe jo një raport shterues e të hollësishëm. Për më tepër, shënimet shpjeguese mund të ofrohen në nivel grupi dhe jo nga secila njësi ekonomike, filial brenda një grupi. Direktiva gjithashtu u jep njësive fleksibilitet të konsiderueshëm për ta dhënë informacionin përkatës, në mënyrën që ata e konsiderojnë më të dobishëm, të përfshirë në një raport të veçantë.

Udhëzime jo detyruese

 Neni 18 i Ligjit 25/2018 i referohet detyrimit që kanë njësitë e mëdha, të cilat janë me interes publik dhe që tejkalojnë kriterin e numrit mesatar prej 500 të punësuarish gjatë periudhës raportuese, për të përfshirë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jo-financiar, i cili përmban informacionin e nevojshëm për një kuptim më të mirë të zhvillimit të vetë njësisë ekonomike, performancës, pozicionit dhe ndikimin e aktivitetit të saj lidhur me mjedisin, çështjet sociale dhe ato të punësimit, respektimin e të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe çështje të ryshfetit. Në këtë nen janë dhënë çështjet kryesore që duhet të përmbajë raporti jo-financiar ndërsa ky udhëzues jep sqarime të mëtejshme se çfarë duhet përfshirë në secilin prej krerëve të raportit jo-financiar duke përfshirë treguesit kryesorë të performancës (TKP-të) jo-financiare, të përgjithshëm dhe sektorialë, me qëllim mundësimin e shpjegimeve të rëndësishme, të përdorshme dhe të krahasueshme të përgatitura nga njësitë ekonomike. […]‟.

Ky Udhëzues transpozon Komunikatën e Komisionit Europian “Udhëzues për raportimin jo- financiar”, dokument i cili ka marrë parasysh praktikat aktuale më të mira, zhvillimet ndërkombëtare dhe rezultatet e nismave të tjera të lidhura me to, brenda Unionit.

Pavarësisht këtij Udhëzuesi të KKK-së, njësitë mund të zgjedhin të përdorin një kuadër raportimi gjerësisht të pranuar dhe me cilësi të lartë, pjesërisht ose në përputhje të plotë me të. Njësitë mund të mbështeten në një kuadër raportimi ndërkombëtar, të Bashkimit Evropian ose kombëtar dhe nëse është kështu, specifikojnë kuadrin që ato përdorin.

KKK inkurajon njësitë të përfitojnë nga fleksibiliteti i kërkesave të parashikuara në nenin 18 të ligjit të kontabilitetit, kur të shpjegojnë informacionet jo-financiare. Udhëzimet në këtë dokument nuk kanë për qëllim të pengojnë risitë në praktikat e raportimit.

Kuadrot e ndryshme të raportimit – kombëtare, të Bashkimit Evropian apo ndërkombëtare

 Në përgatitjen e këtij Udhëzimi, KKK i është referuar Komunikatës së KE “Udhëzuesi për raportimin jo-financiar”. Parimet dhe përmbajtja e përshkruar në Komunikatën e KE “Udhëzuesi për raportimin jo-financiar” mbështetet kryesisht në kuadro të tilla si:

  • CDP – Projekti i mëparshën për shënimet shpjeguese mbi Karbonin;
  • Bordi i Standardeve të Raportimit për Klimën;
  • Udhëzimi për Due Diligence i OECD-së për Zinxhirët e Përgjegjshëm të Furnizimit nga zonat e ndikuara nga konflikti dhe ato me rrezik të lartë, dh shtesat e tij;
  • Skema e Eko Menaxhimit dhe Auditimit (EMAS) dhe Dokumentet e Referencës Sektoriale;
  • Federata Evropiane e Shoqatave të Analistëve Financiarë të Treguesve Kryesorë të Përformancës Mjedisore, Sociale dhe Qeverisës, një Udhëzues për Integrimin e TKP-ve mjedisor, social dhe të qeverisjes në Analizën Financiare dhe Vlerësimin e Korporatave;
  • Iniciativa Globale e Raportimit;
  • Udhëzuesi për Zinxhirin e Përgjegjshëm të Furnizimit në Bujqësi të FAO-OECD;
  • Udhëzuesi mbi Raportin Strategjik të Këshillit të Raportimit Financiar (Britani e Madhe);
  • Udhëzimet për Kompanitë Shumëkombëshe të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD)
  • Parimet Udhëzuese të Kuadrit Raportues për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut;
  • ISO 26000 e Organizatës Ndërkombëtare të Standardizimit;
  • Kuadri Ndërkombëtar i Raportimit të Integruar;
  • Model Udhëzimi  mbi  Raportimin  e  informacionit  mjedisor,  social  dhe  qeverisës  për investitorët e Iniciativës për Bursat e Qëndrueshme (Kombet e Bashkuara);
  • Protokolli i Kapitalit Natyror;
  • Udhëzimi për ndikimin në Mjedis të Prodhimit dhe Organizmit;
  • Bordi i Standardeve të Kontabilitetit të Qëndrueshëm;
  • Kodet e qëndrueshmërisë i Këshillit Gjerman për Zhvillimin e Qëndrueshëm;
  • Deklarata Trepalëshe e Parimeve lidhur me Kompanitë Shumëkombëshe dhe politikat sociale të Organizatës Ndërkombëtare të Punës;
  • Impakti Global (Kombet e Bashkuara);
  • Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (Kombet e Bashkuara), Resoluta e 25 Shtatorit 2015 Transformimi i botës sonë: Axhenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm;
  • Parimet Udhëzuese  (Kombet  e  Bashkuara)  mbi  Biznesin  dhe  të  Drejtat  e  Njeriut  që implementon kuadrin “Mbro, Respekto dhe Ndreq” të Kombeve të Bashkuara;

E rëndësishme

 Ky dokument është përgatitur në pajtim me nenin 18 të Ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” në mënyrë që të ndihmojë njësitë e interesuara të paraqesin informacionin jo-financiar në një mënyrë të rëndësishme, të dobishme, të qëndrueshme dhe më të krahasueshme. Kjo dokument përmban udhëzime jo detyruese dhe nuk krijon detyrime të reja ligjore.

Njësitë që përdorin këtë Udhëzues mund të mbështeten gjithashtu në një kuadrin tjetër ndërkombëtar, të BE ose kombëtar. Ky dokument nuk përbën një standard teknik dhe as përgatitësit e raportit jo-financiar, as ndonjë palë tjetër, qoftë duke vepruar në emër të një përgatitësi apo ndryshe, nuk duhet të pretendojnë se raporti jo-financiar është në përputhje me këtë dokument.

2.QËLLIMI

 Qëllimi i këtij Udhëzuesi është të ndihmojë njësitë të paraqesin një informacion jo-financiar (për çështjet mjedisore, sociale dhe të drejtimit) me cilësi të lartë, të rëndësishëm, të dobishëm, të qëndrueshëm dhe më të krahasueshëm, në mënyrë të tillë që të nxisë rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme, punësimin dhe transparencën për palët e interesuara. Ky udhëzues jo detyrues propozohet në kuadër të kërkesave të raportimit të parashikuara në Ligjin e kontabilitetit. Udhëzuesi ka për qëllim të ndihmojë njësitë të hartojnë një raport jo-financiar të rëndësishëm, konciz, të dobishëm dhe në përputhje me kërkesat e Ligjit.

Në hartimin e Udhëzuesit, janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të shmangur barrën e padrejtë administrative, shpjegime të tepërta apo të një ushtrimi të varfër të tipit „tick the box‟.

Ky udhëzues jo-detyrues vendos theksin në informacionin e rëndësishëm, të dobishëm dhe të krahasueshëm jo-financiar, në përputhje me nenin 18 të ligjit të kontabilitetit për dhënien e informacionit jofinanciar dhe diversitetit nga njësitë e mëdha, me interes publik që tejkalojnë kriterin e numrit mesatar të 500 të punësuarve gjatë periudhës raportuese.

Ky udhëzues u drejtohet njësive, subjekt i kërkesës së Ligjit të kontabilitetit, për të dhënë informacion jo-financiar në raportin e tyre të ecurisë së veprimtarisë. Sidoqoftë, ky udhëzues jo- detyrues mund të përfaqësojë praktikën më të mirë për të gjitha njësitë që japin informacion jo- financiar, përfshirë dhe njësitë e tjera që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të Ligjit të kontabilitetit.

Ky udhëzues është përshtatur në kontekstin e raportit të ecurisë së veprimtarisë. Sipas nenit 18 të Ligjit të kontabilitetit, raporti i ecurisë së veprimtarisë përfshin raportin jo-financiar.

Synimi i përgatitjes së këtij dokumenti është të sigurohet një udhëzues i ekuilibruar dhe fleksibël për raportimin e informacionit jofinanciar në mënyrë të tillë që ndihmon njësitë të paraqesin informacionin material në mënyrë të qëndrueshme dhe koherente. Ky udhëzues duhet të ndihmojë, sa më shumë të jetë e mundur, në sigurimin e krahasueshmërisë midis njësive ekonomike dhe sektorëve.

Kjo qasje njeh diversitetin e gjerë të bizneseve dhe sektorëve të përfshirë si dhe rrethanave që njësitë duhet të reflektojnë në raportimin e tyre. Janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të shmangur një qasje të tipit „një madhësi që i përshtatet të gjithave‟ si edhe një metodologji „tepër përshkruese‟.

Udhëzuesi njeh rëndësinë e lidhjeve dhe ndërmarrëdhënieve midis informacionit (lidhjen), pavarësisht nëse ato janë ndërmjet aspekteve të ndryshme të informacionit jo-financiar ose midis informacionit financiar dhe jo-financiar.

3.PARIMET KRYESORE

  • Paraqitet informacioni material

Neni 18 i Ligjit të kontabilitetit përcakton që njësitë në fjalë:

[…] Do të përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jo-financiar që përmban informacion në masën e nevojshme për të kuptuar zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e veprimtarisë së njësisë […]

Materialiteti është një koncept që përdoret zakonisht nga përgatitësit, audituesit dhe përdoruesit e informacionit financiar. Të kuptuarit e plotë të një njësie, për përbërësit kryesorë të zinxhirit të saj të vlerës, ndihmon në identifikimin e çështjeve kryesore dhe vlerësimin e asaj që e bën informacionin të quhet material.

SNK 1 Paraqitja e Pasqyrave Financiare, paragrafi 7 dhe SKK 1 Kuadri i përgjithshëm për përgatitjen e pasqyrave financiare, paragrafi 70, e përcakton informacionin material si “statusin e informacionit ku mungesa, paraqitja e gabuar ose e paqartë, ka pritshmëri të arsyeshme që të ndikojë në vendimet që përdoruesit kryesorë të pasqyrave financiare të përgjithshme mund të marrin në bazë të atyre pasqyrave financiare, të cilat japin informacion financiar rreth një njësie ekonomike të caktuar”. Materialiteti i zërave individuale vlerësohet në kontekstin e zërave të tjerë të ngjashëm.

Ligji prezanton një element të ri që duhet të merret parasysh kur vlerësohet materialiteti i informacionit jo-financiar duke i‟u referuar informacionit „në masën e nevojshme për të kuptuar ndikimin […] të aktivitetit (të njësisë) (Neni 18 i Ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”O).

Kur jepen informacione jo-financiare, është e rëndësishme të mbahet në konsideratë ndikimi i veprimtarisë së një njësie. Ndikimet mund të jenë pozitive ose negative. Dhënia e informacioneve shpjeguese materiale duhet t‟i përfshijë të dyja llojet e ndikimeve, në mënyrë të qartë dhe të ekilibruar. Raporti jo-financiar pritet të pasqyrojë një pamje të drejtë të informacionit të një njësie, për aq sa i‟u nevojitet palëve të interesuara përkatëse.

Informacioni material duhet të vlerësohet në një kontekst të caktuar. Informacioni që mund të jetë material në një kontekst të caktuar mund të mos jetë i tillë në një tjetër. Çështjet që konsiderohen të përfshihen në raportin jo-financiar janë specifike për rrethanat e njësisë, duke marrë parasysh situata konkrete dhe konsiderata sektoriale. Njësitë brenda një industrie ka të ngjarë të ndajnë sfida të ngjashme mjedisore, sociale dhe qeverisëse, për shembull për shkak të burimeve në të cilat mbështeten për të prodhuar mallra dhe shërbime, ose efektet që mund të kenë ata te njerëzit, shoqëria dhe mjedisi. Prandaj mund të jetë e përshtatshme të krahasohen drejtpërdrejt informacionet jo-financiare përkatëse midis njësive në të njëjtin sektor.

Njësitë mund të raportojnë për një gamë të gjerë çështjesh potenciale. Një njësi vlerëson se cili informacion është material bazuar në analizën e tij dhe se sa i rëndësishëm është ai informacion për të kuptuar zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e njësisë. Ky vlerësim i materialitetit duhet të marrë parasysh faktorët e brendshëm dhe të jashtëm.

Mund të merren parasysh disa faktorë kur vlerësohet materialiteti i informacionit, përfshirë këtu:

  • Modelin e biznesit, strategjinë dhe rreziqet kryesore: qëllimet, strategjitë e një njësie, qasja e drejtimit dhe sistemet, vlerat, aktivet materiale dhe jo-materiale, zinxhiri i vlerës dhe rreziqet kryesore, të gjitha janë konsiderata të rëndësishme.
  • Çështjet kryesore sektoriale: çështje të ngjashme ka të ngjarë të jenë materiale për njësitë që operojnë në të njëjtin sektor, ose që ndajnë zinxhirët e Çështjet e identifikuara tashmë nga konkurrentët, klientët ose furnitorët ka të ngjarë të jenë relevante për një njësi.
  • Interesat dhe pritshmëritë e palëve të interesuara përkatëse: njësitë pritet të angazhohen me palët përkatëse të interesit dhe të kërkojnë të kuptojnë më mirë interesat dhe shqetësimet e
  • Ndikimi i aktiviteteve: Njësitë pritet të marrin në konsideratë ashpërsinë aktuale dhe potenciale të ndikimeve të aktivitetit të Kjo përfshin ndikimet e produkteve, shërbimeve dhe marrëdhënieve të biznesit (përfshirë aspektet e zinxhirit të furnizimit).
  • Politikat publike dhe nxitësit rregullatorë: Politikat dhe rregulloret publike mund të kenë efekt në rrethanat specifike të një njësie dhe mund të ndikojnë materialitetin.

Njësitë mund të shpjegojnë marrëveshjet e tyre të qeverisjes së brendshme dhe proceset e përdorura për të kryer vlerësimin e materialitetit të tyre. Vlerësimet e materialitetit pritet të rishikohen në intervale të rregullta për të siguruar që çështjet e raportuara vazhdojnë, apo jo, të jenë materiale. Vlerësimet duhet të jenë më të shpeshta në njësitë dhe sektorët më dinamikë dhe inovatorë, ose në njësitë që ndryshojnë dhe përmirësojnë modelet ose politikat e tyre të biznesit, përfshirë këtu edhe procesin due diligence. Sidoqoftë, ato mund të jenë më pak të shpeshta në rrethana më të qëndrueshme.

3.2 Paraqitet informacion i vërtetë, i balancuar dhe i kuptueshëm

 Raporti jo-financiar duhet të bëjë një paraqitje të drejtë të aspekteve të favorshme dhe atyre të pafavorshme si dhe informacioni duhet të vlerësohet dhe paraqitet në një mënyrë të paanshme.

Raporti jo-financiar duhet të marrë parasysh të gjitha inputet e mundshme dhe të besueshme, duke marrë parasysh nevojat për informacion të palëve të interesuara përkatëse. Përdoruesit e informacionit nuk duhet të mashtrohen nga keqkuptimet materiale, pra njësia nuk mund të lërë mënjanë informacionet materiale duke dhënë me tepri informacione jomateriale.

Raporti jo-financiar duhet të dallojë qartë faktet nga pikëpamjet, opinionet ose interpretimet. Informacioni mund të bëhet më i drejtë dhe më i saktë përmes, për shembull:

  • marrëveshjeve të përshtatshme të qeverisjes së brendshme (për shembull, disa anëtarë të pavarur të Këshillit Drejtues ose një komitet i tij të cilit i është besuar përgjegjësia për çështjet e qëndrueshmërisë dhe / ose transparencës);
  • provave të forta dhe të besueshme, sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe raportimit;
  • angazhimit efektiv të palëve të interesit; dhe
  • shërbimeve të sigurisë, të pavarura, ofruar nga palë jashtë njësisë.

Informacioni gjithashtu mund të bëhet më i kuptueshëm duke përdorur gjuhë të thjeshtë dhe terminologji të qëndrueshme, duke shmangur modelin e fjalëve standarde të përsëritshme dhe kur është e nevojshme, duke dhënë përkufizime për termat teknikë.

Informacioni material duhet dhënë në kontekstin e duhur për ta bërë më të lehtë të kuptuarit. Për  shembull,  performanca  e  një  njësie  mund,  për  shembull  të  paraqitet  duke  i‟u  referuar strategjive të saj dhe qëllimeve më të gjera. Njësitë pritet të përshkruajnë se si çështjet jo- financiare lidhen me strategjinë e tyre afatgjatë, rreziqet kryesore dhe politikat.

Një njësi duhet të shpjegojë shtrirjen dhe kufijtë e informacionit të paraqitur, veçanërisht kur disa informacione lidhen vetëm me një ose disa segmente të tij, ose përjashton segmente specifike.

Kuptueshmëria gjithashtu mund të përmirësohet duke shpjeguar çështje të brendshme lidhur me informacionin jofinanciar, të tilla si metodat e matjes, supozimet themelore dhe burimet.

Raporti jo-financiar nuk ka të bëjë vetëm me sigurimin e një liste të treguesve kryesorë të performancës (TKP-të). Për të kuptuar si duhet zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e një njësie, duhet të paraqiten informacione cilësore dhe sasiore. Ndërsa informacioni sasior mund të jetë efektiv në raportimin e disa çështjeve jo-financiare (treguesit e performancës, objektiva, etj.), informacioni cilësor siguron kontekstin dhe e bën raportin jo-financiar më të dobishëm dhe më të lehtë për t‟u kuptuar. Një kombinim i raportimit narrativ, informacionit sasior dhe elementeve të paraqitjes vizuale, e bën komunikimin më efektiv dhe transparent.

Paraqitja e informacionit në një gjuhë të zakonshme biznesi, përveç gjuhës zyrtare të një njësie, ka të ngjarë të përmirësojë transparencën dhe të ndihmojë që informacionet të jenë më të kuptueshme për investitorët përkatës dhe palët e tjera të interesuara.

3.3 Paraqitet informacion gjithëpërfshirës por konciz

 Në nenin 18, pika të Ligjit të kontabilitetit përcaktohet që njësitë në fjalë:

‘[…] Do të përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jo-financiar që përmban informacion në masën e nevojshme për të kuptur zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e veprimtarisë së njësisë, në lidhje me çështjet mjedisore, sociale, të punonjësve, të respektimit të të drejtave të njeriut, antikorrupsionit dhe ryshfetit […] ‘

Minimalisht, duhet dhënë informacion material për kategori të caktuara të çështjeve që reflektohen qartë në këtë nen. Kjo përfshin:

  • çështjet mjedisore, sociale dhe të punonjësve;
  • respektimin e të drejtave të njeriut;
  • çështjet anti-korrupsion dhe

Njësitë gjithashtu duhet të paraqesin çdo informacion tjetër material

 Shpjegimet për informacionin material pritet të japin një pamje të plotë të njësisë në vitin raportues. Kjo i referohet gjerësisë së informacionit të paraqitur. Sidoqoftë, thellësia e informacionit të raportuar për ndonjë çështje të veçantë varet nga materialiteti i tij. Një njësi duhet të përqendrohet në sigurimin e gjerësisë dhe thellësisë së informacionit që do t’i ndihmojë palët e interesuara të kuptojnë zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e aktiviteteve të saj.

Raporti jo-financiar gjithashtu pritet të jetë konciz, dhe të shmangë informacionin jomaterial. Paraqitja e informacionit jomaterial mund ta bëjë raportin jo-financiar më pak të kuptueshëm për faktin se minimizon peshën e informacionit material. Duhet të shmangen informacionet e përgjithshme ose ato që nuk janë materiale.

Raporti jo-financiar mund të përfshijë referenca të kryqëzuara të brendshme ose shenja orientuese për të qenë konciz, të kufizojë përsëritjen dhe të sigurojë lidhje me informacione të tjera.

3.4  Paraqet informacion strategjik dhe parashikues

 Raporti pritet të ofrojë informacion mbi modelin e biznesit, strategjinë dhe zbatimin e saj dhe të shpjegojë implikimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të informacionit të raportuar.

Njësitë pritet të paraqesin informacionin përkatës për modelin e biznesit të tyre, përfshirë strategjinë dhe objektivat e tyre. Raporti jo-financiar ofron informacion mbi qasjen strategjike të çështjeve relevante jo-financiare; çfarë bën një njësi, si dhe pse e bën atë.

Duke dhënë informacion mbi objektivat, standardet më të mira dhe angazhimet, një njësi mund të ndihmojë investitorët dhe palët e tjera të interesuara për të lexuar performancën e njësisë brenda një konteksti të caktuar. Kjo mund të jetë e dobishme kur vlerësohet perspektiva në të ardhmen. Monitorimi i jashtëm i angazhimeve dhe përparimeve drejt objektivave promovon transparencë më të madhe ndaj palëve të interesuara. Synimet dhe standardet mund të paraqiten në terma cilësor ose sasior. Sipas rastit, njësitë mund të paraqesin informacion jo-financiar të rëndësishëm bazuar në skenarë shkencorë.

Informacioni mbi të ardhmen u lejon përdoruesve të informacionit të vlerësojnë më mirë aftësinë dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit, pozicionit, performancës dhe ndikimit të një njësie me kalimin e kohës. Ndihmon gjithashtu përdoruesit të matin progresin e njësisë drejt arritjes së objektivave afatgjatë.

3.5  Paraqet informacion të orientuar nga palët e interesit

 Njësitë pritet të marrin në konsideratë nevojat për informacion të të gjithë të interesuarve përkatës. Por, njësitë duhet të përqendrohen në nevojat për informacion të palëve të interesuara si një grup kolektiv dhe jo në nevojat ose preferencat individuale të aksion mbajtësve apo në kërkesa të paarsyeshme për informacion të të interesuarve atipikë.

Sipas rastit, grupet kolektive, mund të përfshijnë ndër të tjera: investitorët, punëtorët, konsumatorët, furnitorët, klientët, komunitetet lokale, autoritetet publike, grupet vunerabile, partnerët dhe shoqërinë civile.

Njësitë duhet të japin informacione të rëndësishme dhe të dobishme për angazhimin e tyre me palët e interesuara përkatëse, dhe se si merren parasysh nevojat e tyre për informacion.

Për shembull, ISO 26000 dhe Udhëzimet e OECD për kompanitë shumëkombëshe japin udhëzime të dobishme për këtë.

3.6  Paraqitet informacion i qëndrueshëm dhe koherent

 Raporti jo-financiar pritet të jetë në përputhje me elementet e tjerë të raportit të ecurisë së veprimtarisë.

Lidhja e qartë midis informacionit të paraqitur në raportin jo-financiar dhe informacioneve të tjera të dhëna në raportin e ecurisë së veprimtarisë e bën informacionin më të dobishëm, të rëndësishëm dhe koheziv. Raporti i ecurisë së veprimtarisë duhet të shihet si një set i vetëm, i ekuilibruar dhe koherent i informacionit.

Përderisa përmbajtjet e raporteve janë të lidhura me njëra-tjetrën, shpjegimi i lidhjeve kryesore e bën më të lehtë për investitorët dhe palët e tjera të interesuara të kuptojnë informacionin material dhe ndërvarësinë.

Përmbajtja e raportit jo-financiar duhet të jetë konsistente përgjatë gjithë kohës. Kjo u mundëson përdoruesve të informacionit të kuptojnë dhe krahasojnë ndryshimet në zhvillimin, pozicionin, performancën dhe ndikimin e një njësie në të kaluarën dhe në të tashmen, krahasuar gjithashtu dhe me informacionin e besueshëm mbi të ardhmen.

Konsistenca në zgjedhjen dhe metodologjinë e treguesve kryesorë të performancës është e rëndësishme për të siguruar që raporti jofinanciar të jetë i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Sidoqoftë, përditësimet mund të jenë të nevojshme, pasi treguesit kryesorë të performancës mund të vjetrohen, ose të zhvillohen metodologji të reja dhe më të mira që përmirësojnë cilësinë e informacionit. Njësitë pritet të shpjegojnë çdo ndryshim në politikën ose metodologjinë e raportimit, arsyet e ndryshimit të tyre dhe efektet e tyre (për shembull duke përsëritur informacionin e kaluar, duke treguar qartë efektin e ndryshimit të politikave ose metodologjive të raportimit).

4. PËRMBAJTJA

 Njësitë pritet të identifikojnë aspektet specifike tematike dhe informacionin material që do të përfshihet në raportin jo-financiar në mënyrë të drejtë, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse, përfshirë këtu edhe angazhimin me palët e interesuara.

Informacioni në raportin jo-financiar është i ndërlidhur. Për shembull, rezultatet pasqyrojnë jo vetëm atë që bën një njësi (dhënë kjo përmes modelit të saj të biznesit, politikave dhe strategjive), por edhe rrethanat dhe rreziqet specifike të njësisë, si dhe sa efektive është njësia në administrimin e atyre rreziqeve. Shpjegimi i lidhjeve kryesore dhe ndërvarësive përmirëson cilësinë e raportit.

Gjatë përgatitjes së raportit jo-financiar, njësitë duhet të kenë parasysh rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.

4.1  Modeli i biznesit

 Neni 18 (1) i ligjit të kontabilitetit, përcakton që raporti jo-financiar përmban informacione, ku përfshihet:

„një përshkrim i shkurtër i modelit të biznesit të njësisë; ‘

 Modeli i biznesit të një njësie përshkruan se si njësia gjeneron dhe ruan vlerën përmes produkteve ose shërbimeve të saj në afat gjatë. Modeli i biznesit siguron kontekstin e raportit të ecurisë së veprimtarisë në tërësi. Ai siguron një përmbledhje të mënyrës se si funksionon një njësi dhe arsyetimin e strukturës së saj, duke përshkruar se si i shndërron inputet në outpute përmes aktiviteteve të biznesit. Në terma më të thjeshtë, çfarë bën një njësi, si dhe pse e bën atë.

Kur përshkruajnë modelin e tyre të biznesit, njësitë mund të konsiderojnë përfshirjen e informacioneve shpjeguese përkatëse në lidhje me:

  • mjedisin e tyre të biznesit;
  • organizimin dhe strukturën e tyre;
  • tregjet ku veprojnë;
  • objektivat dhe strategjitë e tyre;
  • tendencat dhe faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre në të

Njësitë mund të përdorin treguesit kryesorë të performancës për të shpjeguar modelin e tyre të biznesit, tendencat kryesore, etj.

Njësitë pritet të shpjegojnë modelin e tyre të biznesit në një mënyrë të qartë, të kuptueshme dhe të bazuar në fakte. Një model biznesi është një fakt ekzistues. Njësitë duhet të shmangin dhënien e informacioneve jomateriale të natyrës promovuese ose aspiruese të cilat largojnë vëmendjen nga informacioni material.

Njësitë pritet të nxjerrin në pah dhe të shpjegojnë në vitin raportues, kur kanë ndodhur ndryshimet materiale në modelin e tyre të biznesit.

4.2  Politikat dhe due diligence

Neni  18  (1)  i  ligjit  të  kontabilitetit  thotë  se  raporti  jo-financiar  përmban  informacione, përfshirë:

„një përshkrim të politikave të ndjekura nga njësia në lidhje me ato çështje, përfshirë zbatimin e procesit due diligence; ‘

Njësitë duhet të paraqesin informacione materiale që ofrojnë një pamje të drejtë të politikave të tyre. Ato duhet të marrin në konsideratë dhënien e informacionit për aspektet kryesore jofinanciare, objektivat kryesore dhe mënyrën se si njësitë po planifikojnë të realizojnë objektivat e tyre si edhe mënyrën si po e zbatojnë këtë plan. Çdo informacion i dhënë do të marrë parasysh rrethanat specifike të njësisë. Në shënimet shpjeguese dhe në raportin jo-financiar, një njësi mund të shpjegojë përgjegjësitë dhe vendimet e Këshillit të Drejtimit dhe se si shpërndarja e burimeve lidhet me objektivat, menaxhimin e rreziqeve dhe rezultatet e synuara. Për shembull, një njësi mund të shpjegojë aspektet përkatëse të qeverisjes, përfshirë edhe Këshillin Mbikëqyrës.

Proceset due diligence kanë të bëjnë me politikat, menaxhimin e rrezikut dhe rezultatet. Proceset due diligence ndërmerren nga një njësi për të siguruar që ajo po punon për një objektiv konkret (p.sh. për të siguruar që emetimet e karbonit të jenë nën një nivel të caktuar ose që zinxhirët e furnizimit të jenë të lirë nga trafikimi i qenieve njerëzore). Proceset due diligence ndihmojnë në identifikimin, parandalimin dhe zbutjen e ndikimeve anësore negative, ekzistuese dhe të mundshme.

Njësitë duhet të japin informacione shpjeguese mbi proceset e due diligence të zbatuar, përfshirë, aty ku është e nevojshme dhe proporcionale, informacion mbi furnitorët e saj dhe zinxhirët nënkontraktues. Njësitë gjithashtu mund të konsiderojnë dhënien e informacionit për vendimet e marra për krjimin e tyre dhe se si proceset synojnë të funksionojnë, veçanërisht në lidhje me parandalimin dhe zbutjen e ndikimeve anësore negative. Njësitë gjithashtu mund të konsiderojnë ofrimin e informacionit përkatës për përcaktimin e synimeve dhe matjen e progresit.

Njësitë pritet të nxjerrin në pah dhe të shpjegojnë çdo ndryshim material në politikat e tyre kryesore dhe proceset due diligence gjatë vitit raportues.

Mund të ndodhë që një njësi të mos ketë hartuar politika për çështje të caktuara, të cilat vazhdon t‟i konsiderojë materiale. Kjo njësi duhet të japë një shpjegim të qartë dhe të arsyeshëm për mos hartimin e këtyre politikave. Kërkesat e tjera për raportimin jo-financiar vijojnë të zbatohen (për shembull, modeli i biznesit, rreziqet kryesore …).

Neni 18 (2) i Ligjit të kontabilitetit thotë se “kur njësia nuk ndjek politika në lidhje me një ose disa nga çështjet e parashikuara në pikën 1 të po këtij neni, raporti jo-financiar duhet të japë një shpjegim të qartë dhe të arsyeshëm se përse është vepruar kështu.”

4.3  Rezultati

 Neni 18 (1) i ligjit të kontabilitetit përcakton që raporti jo-financiar duhet të përmbajë informacione, përfshirë:

“përfitimet e këtyre politikave;”

 Njësitë duhet të japin një pamje të dobishme, të drejtë dhe të ekuilibruar të përfitimeve të politikave të tyre.

Informacioni jo-financiar i paraqitur nga njësitë duhet të ndihmojë investitorët dhe palët e tjera të interesuara të kuptojnë dhe monitorojnë performancën e njësisë.

Dhënia e informacioneve përkatëse në lidhje me përfitimet e politikave mund të ofrojë informacion të dobishëm për pikat e forta dhe të dobëta të njësisë. Raporti jo-financiar duhet të pasqyrojë në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe koncize rezultatet e operacioneve  dhe veprimtarive të një njësie.

Njësitë mund të marrin në konsideratë shpjegimin e marrëdhënies midis rezultateve financiare dhe jofinanciare dhe se si menaxhohet kjo në kohë.

Analiza e rezultateve duhet të përfshijë treguesit kryesorë të performancës jo-financiare. Njësitë pritet të japin informacion për treguesit kryesorë të performancës që ata i konsiderojnë më të dobishëm në monitorimin dhe vlerësimin e progresit dhe mbështetjen e krahasueshmërisë midis njësive dhe sektorëve. Kur është e përshtatshme, njësitë gjithashtu mund të marrin në konsideratë prezantimin dhe shpjegimin e këtij informacioni në lidhje me synimet dhe standardet më të mira për t‟u ndjekur.

4.4  Rreziqet kryesore dhe menaxhimi i tyre

 Në nenin 18 (1) të ligjit të kontabilitetit thuhet se raporti jo-financiar duhet të përmbajë informacione, përfshirë:

„riskun kryesor lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin e shfrytëzimit të njësisë ekonomike, duke përfshirë, kur është e nevojshme, lidhjet e biznesit, produktet ose shërbimet, të cilat kanë të ngjarë të shkaktojnë ndikim të ndërsjellë dhe se si njësia ekonomike e menaxhon riskun e tyre;‟

 Njësitë duhet të paraqesin informacione mbi rreziqet kryesore dhe mënyrën se si ato menaxhohen dhe shmangen. Këto rreziqe mund të lidhen me aktivitetet, produktet ose shërbimet e tyre, zinxhirin e furnizimit dhe marrëdhëniet e biznesit, ose me aspekte të tjera. Mund të përfshihet në raport një perspektivë për rreziqet kryesore, të mesme dhe afatgjata. Njësitë pritet të shpjegojnë se si rreziqet kryesore mund të ndikojnë në modelin e biznesit të tyre, operacionet, performancën financiare dhe ndikimin e aktiviteteve të tyre.

Një njësi pritet të paraqesë informacione materiale mbi rreziqet kryesore, pavarësisht nëse ato burojnë nga vendimet ose veprimet e veta, ose nga faktorët e jashtëm. Njësia duhet të shpjegojë proceset e përdorura për të identifikuar dhe vlerësuar rreziqe të tilla.

Dhënia e informacioneve shpjeguese, aty ku është e rëndësishme dhe proporcionale, duhet të përfshijë informacion material mbi zinxhirët e furnizimit dhe nënkontraktimit. Shënimet gjithashtu duhet të përfshijnë informacione materiale se si një njësi administron dhe shmang rreziqet kryesore.

Një njësi pritet të nxjerrë në pah dhe të shpjegojë çdo ndryshim material në rreziqet e saj kryesore, ose në mënyrën si i administron ato në vitin raportues.

4.5  Treguesit kryesorë të performancës (TKP-të)

 Në nenin 18 (1) të ligjit të kontabilitetit thuhet se raporti jo-financiar duhet të përmbajë informacione, përfshirë:

„treguesit kryesorë të performancës jo-financiare në lidhje me biznese të veçanta;‟

 Raporti jo-financiar duhet të përfshijë informacione shpjeguese, përshkruese dhe të lidhura me treguesit kryesorë të performancës.

Njësitë pritet të raportojnë ata tregues të performancës jofinanciare që janë të dobishëm duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. TKP-të duhet të jenë në përputhje me metodat e përdorura nga njësia në menaxhimin e brendshëm dhe proceset e vlerësimit të rrezikut. Kjo i bën informacionet në raport më të rëndësishme dhe më të dobishme si dhe përmirëson transparencën. Shpjegimi i TKP-ve të një cilësie të lartë, gjerësisht të njohura (për shembull, metoda të përdorura gjerësisht në një sektor ose për çështje specifike tematike) gjithashtu mund të përmirësojnë krahasueshmërinë, veçanërisht për njësitë brenda të njëjtit sektor ose zinxhir vlere.

Një njësi duhet të shpjegojë TKP-të që janë të nevojshme për të kuptuar zhvillimin, performancën, pozicionin dhe ndikimin e veprimtarisë së saj. Disa TKP mund të jenë të dobishëm për një gamë të gjerë njësish dhe rrethanash biznesi. TKP-të e tjera lidhen më shumë me çështjet dhe rrethanat e një sektori të caktuar. Njësitë inkurajohen të shpjegojnë TKP-të materiale, të përgjithshme dhe sektoriale. Duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike dhe nevojat për informacion të investitorëve apo të interesuarve të tjerë, njësitë pritet të ofrojnë një pamje të drejtë dhe të ekuilibruar duke përdorur TKP të përgjithshme, sektoriale dhe specifike për njësinë.

Përdoruesit e informacionit kanë tendencë ta vlerësojnë shumë informacionin sasior pasi i ndihmon ata të matin progresin, të kontrollojnë qëndrueshmërinë në kohë dhe të bëjnë krahasime. Shpjegimet e përshtatshme të TKP-ve ndihmojnë që raporti jo-financiar të bëhet më i kuptueshëm.

TKP-të konsiderohen gjithashtu mjete efektive për të lidhur informacion cilësor dhe sasior dhe për të krijuar lidhje të brendshme të raportit. Ato mundësojnë që njësitë të ofrojnë një pamje të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse në mënyrë koncize dhe efektive.

TKP-të duhet të përdoren në mënyrë të qëndrueshme, nga një periudhë raportimi në tjetrën, në mënyrë që të sigurojnë informacion të besueshëm mbi progresin dhe tendencat. TKP-të e raportuara, natyrisht, mund të evoluojnë me kalimin e kohës për arsye biznesi ose teknike. Në këto raste, njësitë duhet të shpjegojnë arsyet pse TKP-të ndryshuan. Njësitë mund të konsiderojnë rikthimin e informacioneve të së kaluarës, kur është e përshtatshme dhe të shpjegojnë qartë dhe në mënyrë efektive, efektin e këtyre ndryshimeve.

Njësitë mund të shpjegojnë mbledhjen e të dhënave, metodologjinë dhe kuadrin ku janë mbështetur. Ato gjithashtu mund të ofrojnë një analizë të TKP-ve të paraqitura, duke shpjeguar për shembull pse TKP-të u shtuan apo pakësuan në vitin raportues dhe se si TKP-të mund të evoluojnë në të ardhmen.

Njësitë mund të paraqesin TKP-të në kontekstin e objektivave, performancës së kaluar dhe krahasimit me njësi të tjera, sipas rastit.

4.6  Aspektet tematike

 Neni 18 (1) i Ligjit të kontabilitetit thotë se njësitë në fjalë „përfshijnë në raportin e ecurisë së veprimtarisë një raport jofinanciar, i cili përmban informacionin e nevojshëm për një kuptim më të mirë të zhvillimit të vetë njësisë ekonomike, performancës, pozicionit dhe ndikimin e aktivitetit të saj lidhur me mjedisin, çështjet sociale dhe ato të punësimit, respektimin e të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe çështje të ryshfetit […]’.

Dhënia e informacioneve shpjeguese materiale duhet të sigurojë një pamje të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirëse të zhvillimit, performancës, pozicionit dhe ndikimit të veprimtarisë së  një njësie.

Në rrethana të caktuara, njësitë mund të konsiderojnë se dhënia e informacioneve të hollësishme, në lidhje me zhvillimet (çështjet) në pritje apo në fazë negociatash, do të ishte me paragjykime serioze. Sidoqoftë, dhënia e një informacioni të përmbledhur pa paragjykime serioze mund të çojë gjithësesi drejt përmbushjes së objektivit të përgjithshëm të transparencës.

Aspektet tematike shpesh janë të ndërlidhura. Për shembull, një çështje mjedisore që lidhet me aktivitetet, prodhimet ose zinxhirin e furnizimit të një njësie gjithashtu mund të ketë një ndikim në sigurinë dhe / ose shëndetin e konsumatorëve, punonjësve, furnitorëve ose në reputacionin e markës. Njësitë pritet të japin një pamje të qartë, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse që përfshin të gjitha aspektet e rëndësishme të një çështjeje.

Çështjet e mëposhtme përbëjnë një listë jo-shteruese të aspekteve tematike që njësitë pritet të marrin parasysh kur japin informacione jo-financiare:

Çështjet mjedisore

 Një njësi pritet të japë informacion të rëndësishëm mbi ndikimet aktuale dhe të mundshme të aktiviteteve të saj në mjedis, dhe se si çështjet aktuale dhe të parashikueshme mjedisore mund të ndikojnë në zhvillimin e njësisë, performancën ose pozicionin.

Kjo mund të përfshijë:

  • shënime shpjeguese materiale për parandalimin dhe kontrollin e ndotjes;
  • ndikimin mjedisor nga përdorimi i energjisë;
  • emetimet direkte dhe indirekte atmosferike;
  • përdorimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore (p.sh. uji, toka) dhe mbrojtjen e biodiversitetit;
  • menaxhimin e mbeturinave;
  • ndikimet mjedisore  nga  transporti  ose  nga  përdorimi  dhe  asgjësimi  i  produkteve  dhe shërbimeve; dhe
  • zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të

Njësit mund t’i referohen, kur është e përshtatshme, informacionit material të dhënë në kontekstin e kërkesave specifike të raportimit mjedisor.

Çështjet sociale dhe të punonjësve

 Njësitë pritet të japin informacione materiale mbi çështjet sociale dhe ato të punonjësve. Këtu përfshihet:

  • zbatimi i legjislacionit në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës;
  • çështjet e diversitetit, siç janë diversiteti gjinor dhe trajtimi i barabartë në punësim dhe profesion (përfshirë moshën, gjininë, orientimin seksual, fenë, aftësinë e kufizuar, origjinën etnike dhe aspektet e tjera të rëndësishme);
  • çështjet e punësimit, përfshirë konsultimin e punonjësve dhe / ose pjesëmarrjen, punësimin dhe kushtet e punës;
  • marrëdhëniet sindikale, përfshirë respektimin e të drejtave të sindikatave;
  • menaxhimi i kapitalit njerëzor përfshirë menaxhimin e ristrukturimit, menaxhimin e karrierës dhe punësimin, sistemin e shpërblimit, trajnimet;
  • shëndeti dhe siguria në punë;
  • marrëdhëniet me  konsumatorin,  përfshirë  kënaqësinë  e  konsumatorit,  aksesueshmërinë, produktet me efekte të mundshme në shëndetin dhe sigurinë e tyre;
  • ndikimet tek konsumatorët vunerabël;
  • marketingu dhe hulumtimi i përgjegjshëm; dhe
  • marrëdhëniet brenda komunitetit, përfshirë zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve

Njësitë mund ta shohin të dobishme të mbështeten në kuadro gjerësisht të njohura dhe me cilësi të lartë, për shembull Udhëzimet e OECD për njësitë shumëkombëshe, Deklarata Trepalëshe e Parimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës në lidhje me njësitë shumëkombëshe dhe politikën sociale, ose ISO 26000.

Respektimi i të drejtave të njeriut

 Njësitë pritet të japin informacione materiale mbi ndikimet e mundshme dhe aktuale të operacioneve të tyre tek mbajtësit e të drejtave.

Konsiderohet si „praktika më e mirë‟ që një njësi të shprehë përkushtimin e saj për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky angazhim mund të përcaktojë atë që njësia pret nga menaxhimi, punonjësit dhe partnerët e saj të biznesit në lidhje me të drejtat e njeriut, përfshirë standardet themelore të punës. Informacioni mund të shpjegojë të drejtat e kujt angazhimi adreson, për shembull të drejtat e fëmijëve, grave, pakicave kombëtare, personave me aftësi të kufizuara, komunitetet lokale, fermerët e vegjël, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të drejtat e punëtorëve, përfshirë ata që punojnë me kontrata të përkohshme, punëtorët në zinxhirët e furnizimit ose nënkontraktorët, punëtorët migrantë dhe familjet e tyre.

Njësitë duhet të marrin në konsideratë dhënien e informacioneve shpjeguese materiale mbi procesin due diligence për të drejtat e njeriut dhe proceset apo marrëveshjet e zbatuara për të parandaluar abuzimet e të drejtave të njeriut. Kjo mund të përfshijë, për shembull, se si kontratat e një njësie me bizneset në zinxhirin e saj të furnizimit trajtojnë çështjet e të drejtave të njeriut dhe se si një njësi eleminon ndikimet e mundshme negative në të drejtat e njeriut dhe siguron ndreqjen e përshtatshme nëse në ndonjë rast të drejtat e njeriut janë shkelur.

Çështjet e anti-korrupsionit dhe ryshfetit

 Njësitë pritet të japin informacione materiale se si ata menaxhojnë çështjet dhe dukuritë e korrupsionit dhe ryshfetit.

Njësitë mund të marrin në konsideratë dhënien e informacioneve shpjeguese për mënyrën e organizimit, vendimmarrjes dhe menaxhimit si dhe burimet e alokuara për të luftuar korrupsionin dhe ryshfetin.

Njësitë gjithashtu mund të konsiderojnë shpjegimin se si ata vlerësojnë luftimin e korrupsionit dhe ryshfetit, si ndërmarrin veprime për të parandaluar ose zbutur ndikimet e pafavorshme, si monitorojnë efektivitetin dhe si komunikojnë mbi këtë çështje brenda dhe jashtë njësisë.

Të tjera

 Zinxhirët e furnizimit

Njësitë, aty ku është e rëndësishme dhe proporcionale, pritet të japin informacione materiale mbi çështjet e zinxhirit të furnizimit që kanë implikime të rëndësishme për zhvillimin, performancën, pozicionin ose ndikimin e tyre. Kjo do të përfshinte informacionin e nevojshëm për një kuptim të përgjithshëm të zinxhirit të furnizimit të një njësie dhe mënyrën se si çështjet relevante jo-financiare merren në konsideratë në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.

Nëse një njësi konsideron se dhënia e informacioneve të hollësishme në lidhje me zhvillimet (çështjet) në pritje apo në fazë negociatash, do të ishte seriozisht paragjykuese, ajo mund të përmbushë objektivin e përgjithshëm të transparencës duke dhënë informacione të përmbledhura që nuk janë me paragjykime serioze.

Mineralet në zonat e konfliktit

Njësitë, kur është e rëndësishme dhe proporcionale, pritet të japin informacione të rëndësishme në lidhje me procesin due diligence për të siguruar zinxhirë të përgjegjshëm furnizimi për kallajin, tantalin, tungstenin dhe arin nga zonat e prekura nga konflikti dhe me rrezik të lartë.

Njësitë pritet të japin informacione të rëndësishme në lidhje me performancën e politikave dhe praktikave due diligence, si dhe rezultatet e tyre, në lidhje me furnizimin me minerale nga zonat e konfliktit. Ata gjithashtu duhet të tregojnë hapat e ndërmarrë për të zbatuar „kuadrin pesë- hapësh‟3 në qasjen due diligence të bazuar në rrezik, në zinxhirin e furnizimit me minerale siç përcaktohet në Udhëzimin Due Diligence të OECD, duke marrë parasysh pozicionin e tyre në zinxhirin e furnizimit.

Njësitë pritet të paraqesin TKP-të në lidhje me natyrën dhe numrin e rreziqeve të identifikuara, masat e marra për të parandaluar dhe zbutur këto rreziqe; dhe mënyrën se si njësia ka forcuar përpjekjet e saj në procesin due diligence me kalimin e kohës.

Treguesit specifik të performancës Këta përfshijnë:

  • proporcionin e furnizuesve të drejtpërdrejtë të rëndësishëm që kanë miratuar dhe zbatuar një politikë të due diligence për furnizimin me minerale nga zonat në konflikt, në përputhje me Udhëzimin për Due Diligence të OECD-së;
  • shfrytëzimin e përgjegjshëm proporcional të kallajit, tantalit, tungstenit ose arit me origjinë nga zonat e prekura nga konflikti dhe me rrezik të lartë; dhe
  • përqindjen e klientëve të rëndësishëm që kontraktualisht kërkojnë informacion për procesin due diligence për mineralet nga zonat e konfliktit, sipas udhëzimit për due diligence të OECD.

5. INFORMACIONE PËR DIVERSITETIN E KËSHILLIT TË DREJTIMIT

 Ky seksion ofron udhëzime specifike që synojnë të ndihmojnë njësitë e mëdha të listuara të përgatisin përshkrimin e politikës së diversitetit të Këshillit të tyre të Drejtimit, i cili do të përfshihet në raportin e drejtimit të brendshëm4. Përshkrimi i politikës së diversitetit të Këshillit të Drejtimit nuk bën pjesë në raportin jo-financiar. Prandaj, kjo pjesë e udhëzimeve nuk parashikon nevojën për të dhënë informacione materiale mbi diversitetin si pjesë e raportit jo- financiar.

Neni 19 i Ligjit të kontabilitetit kërkon që njësitë e mëdha me interes publik të paraqesin në raportin e drejtimit të brendshëm:

„një përshkrim të politikave të ndryshme të zbatuara lidhur me organet ekzekutive drejtuese dhe mbikëqyrëse të njësisë ekonomike për aspekte të tilla, si: mosha, gjinia apo prejardhja arsimore dhe profesionale, objektivat e këtyre politikave të ndryshme, si janë zbatuar dhe rezultatet për periudhën raportuese‟

„kur njësia ekonomike nuk vepron sipas rregullave/kodit të drejtimit të brendshëm të shoqërisë, ajo duhet të japë një shpjegim se cilat janë pjesët e kodit të drejtimit të brendshëm, të cilat nuk i zbaton dhe arsyet për këto shmangie;

„kur njësia ekonomike ka vendosur të mos bëjë lidhjen me dispozitat e një kodi të caktuar të drejtimit të brendshëm, ajo shpjegon arsyet për këtë‟.

 Aspektet e diversitetit

Përshkrimi i politikës së diversitetit duhet të specifikojë cilat kritere të diversitetit janë aplikuar dhe të shpjegojë arsyet e zgjedhjes së tyre. Gjatë zgjedhjes së këtyre kritereve, të gjitha aspektet përkatëse të diversitetit duhet të merren parasysh për të siguruar që Këshilli i Drejtimit ka një diversitet të mjaftueshëm të pikëpamjeve dhe ekspertizën e nevojshme për një kuptim të mirë të çështjeve aktuale dhe rreziqeve si dhe mundësive afatgjata që lidhen me biznesin e njësisë. Kur vlerësohen profilet e nevojshme për diversitetin optimal të Këshillit të Drejtimit, duhet të merren parasysh natyra dhe kompleksiteti i biznesit të njësisë sikurse edhe konteksti shoqëror dhe mjedisor në të cilin operon njësia.

Aspektet e diversitetit duhet në përgjithësi të mbulojnë moshën, gjininë, ose prejardhjen arsimore dhe profesionale. Kur është e rëndësishme, për shkak të vendndodhjes gjeografike të njësisë dhe sektorit të biznesit në të cilin operon, është gjithashtu e përshtatshme që të përfshihet edhe përparësia gjeografike, përvoja ndërkombëtare, ekspertiza në çështjet përkatëse të qëndrueshmërisë, përfaqësimi i punonjësve dhe aspekte të tjera, për shembull sfondi socio- ekonomik.

Në zgjedhjen e një kandidati për anëtar në Bord në bazë të kritereve të përcaktuara të diversitetit, duhet të merren parasysh rregullat dhe parimet përgjithësisht të pranuara të mosdiskriminimit.

Objektivat

 Njësitë duhet të përshkruajnë objektiva specifikë dhe të matshëm për aspektet përkatëse të diversitetit. Është sidomos e dobishme të vendosen objektiva sasiorë dhe afate kohore, veçanërisht në lidhje me balancën gjinore.

Zbatimi dhe rezultatet

 Njësitë duhet të tregojnë se si objektivat e politikës së tyre të diversitetit merren parasysh në planifikimin, zgjedhjen, emërimin dhe vlerësimin e radhës. Njësitë gjithashtu duhet të tregojnë rolin e komiteteve kompetente të Këshillit Drejtues në këto procese. Njësitë gjithashtu duhet të tregojnë nëse informacioni rreth kritereve dhe objektivave të diversitetit i‟u është vënë në dispozicion aksionarëve kur ata zgjedhin ose rinovojnë anëtarët e Këshillit Drejtues, kur kjo është e nevojshme.

Njësitë duhet të tregojnë statusin e zbatimit të politikës së tyre të diversitetit dhe rezultatet e zbatimit të saj, të paktën që nga raportimi i fundit, për të gjitha aspektet e politikës së diversitetit. Nëse nuk përmbushen objektivat e diversitetit, njësia duhet të tregojë se si synon t‟i përmbushë ato, përfshirë afatin kohor të pritshëm, brenda të cilit duhet të përmbushen këto objektiva.

Burimi (Autori): Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.

Sharko Udhezuesi i raportimit jofinanciar_publikuar të plotë.

Leave a Reply