Tatimi mbi të ardhurat e korporatës: Dispozita të përgjithshme mbi përcaktimin e fitimit : Tatimi në burim (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Agjenti i mbajtjes së tatimit në burim

Çdo agjent i mbajtjes së tatimit në burim është i detyruar:

  • të mbajë tatimin kur paguan ndonjë të ardhur dhe ndonjë pagesë që është subjekt i nenit 58 të këtij ligji;
  • të transferojë shumën e saktë në afatin e kërkuar të tatimit të mbajtur në llogarinë e autoritetit kompetent tatimor, së bashku me deklaratën e tatimit të mbajtur në burim, siç parashikohet në nenin 57 të këtij ligji;
  • të mbajë regjistrime të të ardhurave dhe pagesave e të tatimit të paguar dhe t’ia vendosë në dispozicion ato autoritetit kompetent tatimor kur kërkohet nga ky i fundit për kontrollin e saktësisë së llogaritjes, mbajtjes dhe/ose pagesës së tatimit sipas këtij ligji.

Data e pagesës së të ardhurave, subjekt i mbajtjes së tatimit në burim, nënkupton datën në të cilën pagesa është kryer. Në rastin e dividentit, subjekt i detyrimit të mbajtjes së tatimit në burim, i cili nuk është paguar, tatimi duhet të mbahet dhe të transferohet në fund të muajit të tretë pas muajit në të cilin organi statuor i entitetit ka vendosur mbi shpërndarjen e fitimit përkatës. Entiteti depoziton pranë organeve tatimore, jo më vonë se data 31 korrik të çdo viti, vendimin mbi destinacionin e fitimit.

Agjentët e mbajtjes së tatimit janë përgjegjës për pagesën e tatimit në emër të një tatimpaguesi tjetër njëlloj si të ishte detyrimi i tyre tatimor.

Agjenti i mbajtjes së tatimit detyrohet të deklarojë dhe të paguajë tatimin e mbajtur në llogarinë e të ardhurave të organeve tatimore deri në datën 20 të muajit që pason muajin e pagesës ose mbajtjes së tatimit, në përputhje me pikën 2 të këtij neni.

Deklarata e tatimit të mbajtur në burim

Deklarata e tatimit të mbajtur duhet të ketë të paktën informacionin e mëposhtëm:

  • të dhënat identifikuese të agjentit të mbajtjes në burim;
  • të dhënat identifikuese të tatimpaguesit të cilit i mbahet tatimi;
  • rezidencën tatimore të tatimpaguesit të cilit i mbahet tatimi, në rast se tatimi mbahet në burim për një tatimpagues jorezident;
  • llojin e të ardhurave ose pagesat;
  • shumën e tatimit të mbajtur në burim;
  • datën e të ardhurave ose pagesave.

Deklarata e tatimit të mbajtur në burim nuk shërben si certifikatë e tatimit të paguar në Republikën e Shqipërisë derisa të certifikohet nga autoriteti kompetent tatimor.

Ministri përgjegjës për financat miraton me udhëzim formën dhe përmbajtjen e deklaratës për tatimin e mbajtur në burim.

Deklarata e tatimit të mbajtur në burim dorëzohet sipas kërkesave të parashikuara në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.

Të ardhurat dhe pagesat objekt i tatimit të mbajtur në burim

Të ardhurat dhe pagesat në vijim janë objekt i mbajtjes së tatimit në burim, kundrejt detyrimit tatimor përfundimtar, kur i paguhen një tatimpaguesi rezident ose një selie të përhershme në Republikën e Shqipërisë të një tatimpaguesi jorezident:

  • dividendët;
  • interesat;
  • honoraret;
  • të ardhurat nga lojërat e fatit;
  • të ardhurat nga qiradhënia vetëm kur i paguhen individit.

Pagesat e mëposhtme janë subjekt i mbajtjes përfundimtare të tatimit në burim kur paguhen nga një tatimpagues rezident apo një seli e përhershme në Republikën e Shqipërisë për një person fizik jorezident ose një entitet jorezident pa një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë:

  • dividendët, interesat dhe honoraret;
  • fitimet nga lojërat e fatit;
  • pagesat e shërbimeve, përveç shërbimeve të marra fizikisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
  • shërbimet e sigurimit;
  • tarifat për pjesëmarrjen në bordet drejtuese dhe këshillat ose trupa drejtues të tjerë;
  • pagesat për ndërtime, instalime, montime ose punë mbikëqyrëse të lidhura me to;
  • pagesat për performancën e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla të bëra për personat që punësojnë artistë ose sportistë ose që veprojnë si ndërmjetës në organizimin e shfaqjeve apo performancave.

Të ardhurat e mëposhtme nuk janë subjekt i mbajtjes së tatimit në burim:

  • të ardhurat e paguara personave të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat;
  • dividendët sipas kushteve të përcaktuara në nenin 29 të këtij ligji;
  • të ardhurat nga fitimi kapital, si dhe të ardhurat nga interesat nga emetimi i eurobondit prej Republikës së Shqipërisë, të paguara entiteteve jorezidente, pa një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë;
  • të ardhurat nga interesat që u paguhen bankave dhe institucioneve të tjera financiare. Neni 59

Norma e mbajtjes së tatimit në burim

Norma e mbajtjes së tatimit në burim mbi dividendët është 8%. Norma e tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat dhe pagesat sipas nenit 58 të këtij ligji është 15%.


Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR

Ekonomisti i jashtëmi biznesit tuaj.

Ne kujdesemi për kontabilitetin dhe taksat, në mënyrë që ju të kurseni kohë, para dhe të fokusoheni në rritjen e biznesit.

Kërko Ofertë