Kush paguan tatimin mbi të ardhurat e korporatës dhe kush përjashtohet

Pikat kryesore
  • Tatimi mbi të ardhurat e korporatës paguhet nga çdo entitet, përfshirë shoqëritë kolektive, komandite, me përgjegjësi të kufizuar dhe aksionare.
  • Entitetet jorezidente tatohen për fitimin me burim në Shqipëri.
  • Organet e pushtetit dhe disa entitete të tjera janë të përjashtuara me ligj.
  • Rezidenca e entitetit përcaktohet nga selia ose nga vendi i drejtimit efektiv.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Teksti u krahasua me ligjin nr. 29/2023, nenet 28 dhe 40. Tatimi mbi fitimin, faqja e burimit

Kjo pjesë e ligjit përcakton kush është tatimpagues i tatimit mbi të ardhurat e korporatës dhe kush përjashtohet. Normat që zbatohen mbi këtë bazë janë te faqja jonë e normave dhe pragjeve.

Pika praktike. Forma ligjore e vendos subjektin brenda ose jashtë këtij kreu, ndërsa rezidenca vendos nëse tatohet fitimi botëror apo vetëm ai me burim në Shqipëri. Rregullat e jorezidentit janë te faqja e tatimit të jorezidentit.

Tatimpaguesi për tatimin mbi të ardhurat e korporatave

Çdo entitet i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat e korporatave, ku përfshihen kryesisht:

a) shoqëritë kolektive;

b) shoqëritë komandite;

c) shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar;

d) shoqëritë aksionare; dhe

çdo entitet tjetër, përfshirë entitetet jorezidente, që nuk parashikohen në shkronjat “a” deri “d” të kësaj pike, përfshirë edhe entitetet që i nënshtrohen një regjimi të veçantë tatimor.

Entitetet e mëposhtme janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës:

  • organet e pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, ligj ose vendim të Këshillit të Ministrave, që kanë si veprimtari të tyre parësore përmbushjen e funksioneve të qeverisjes qendrore;
  • Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave;
  • fondacionet ose institucionet financiare jobankare, të krijuara ose të transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që synojnë mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive;
  • entitetet që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo anëtarëve të tyre;
  • organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre;
  • entitetet e parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi;
  • shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Të gjitha entitetet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, përveç shkronjave “a” dhe “b”, pavarësisht nga përjashtimi i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, janë të detyruara të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe pasqyrat e raportimit financiar në të njëjtat afate si entitetet, që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatës.

Rezidenca

Një entitet është rezident në Republikën e Shqipërisë në një vit tatimor nëse:

  • entiteti është themeluar në Republikën e Shqipërisë, ose,
  • në çdo kohë gjatë vitit tatimor, menaxhimi dhe kontrolli i punëve të entitetit ushtrohen në Republikën e Shqipërisë.

Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, menaxhimi dhe kontrolli i punëve të një entiteti konsiderohet se ushtrohet në Republikën e Shqipërisë nëse mbledhjet e bordit drejtues të entitetit mbahen në Republikën e Shqipërisë ose plotësohen të paktën dy nga kushtet e mëposhtme:

  • vendimet në lidhje me drejtimin e përditshëm të entitetit merren në Republikën e Shqipërisë;
  • të paktën 50 për qind e anëtarëve të bordit ose drejtuesve të entitetit janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë;
  • të paktën 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës së entitetit zotërohen direkt ose indirekt nga persona rezidentë në Republikën e Shqipërisë.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR