TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

[Video] Udhëzim për mënyrën e plotësimit të “Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave” DIVA.

Deklarimi

Tatimi mbi të ardhurat personale, llogaritet mbi të ardhurat e individëve, të cilët janë të detyruar me ligj t’i deklarojnë ato.

Deklarimi i detyruar.

Individët rezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore.

Individët rezidentë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet(brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë), në shumën e përgjithshme mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Nëse individët rezidentë, realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën më pak se 2 milionë lekë, nuk kanë detyrim për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave.

Ky përjashtim nuk zbatohet për individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre bruto vjetore është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë.

Këta individë deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.

Individët jorezidentë, që realizojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë,dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, pranë administratës tatimore qendrore.

Individët jorezidentë, detyrohen të plotësojnë dhe të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, në qoftë se ato realizojnë të ardhura bruto vjetore me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën e përgjithshme mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Nëse individët jorezidentë, realizojnë të ardhura bruto vjetore me burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në shumën më pak se 2 000 000 (dy milionë) lekë, nuk kanë detyrim, për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave. Ky përjashtim nuk zbatohet për individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre bruto vjetore është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Këta individë deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.

Përjashtimi nga deklarimi

Përjashtohen nga detyrimi, për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, të gjithë individët që realizojnë të ardhura bruto vjetore, nga të gjitha burimet në shumën e përgjithshme më pak se 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Deklarimi fakultativ

Deklarata vjetore e të ardhurave, mund të plotësohet edhe nga çdo individ, i cili megjithëse nuk e ka detyrimin ligjor për këtë, për arsye se dëshiron të përfitojë, nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj, kur ky individ plotëson kushtet e përfitimit nga zbritja e shpenzimeve.
Në këtë rast, shuma e të ardhurave bruto vjetore, nga të gjitha burimet duhet të jetë, jo më e madhe se 1 050 000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit).

Formulari i deklarimit

Plotësimi i deklaratës

Deklarata vjetore e të ardhurave, plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar.

  • Individi i cili ka detyrimin për të plotësuar e dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar apo dorëzuar deklaratën e tij.
  • Përfaqësuesi i individit deklarues është një person i përzgjedhur prej tij për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Përfaqësuesi i individit, merr përsipër të drejta dhe detyrime të individit dhe administrata tatimore, është e detyruar të bashkëpunojë dhe operojë me të.
  • Emërimi i një përfaqësuesi, nuk e shkarkon individin deklarues nga përgjegjësia tatimore.

Ai mbetet ligjërisht përgjegjës, për përmbushjen e detyrimeve tatimore të tij.

  • Fakti që përfaqësuesi i individit, mund të bëjë një gabim në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, nuk e shkarkon këtë të fundit, nga përgjegjësia për gabimin.

Për t’u identifikuar si deklarues, si kod fiskal i individit shërben:

  • numri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e tij.
  • për personin jorezident, nmuri i identifikimit personal, në letërnjoftimin e individit jorezident.

Deklarata përmban të dhëna për:

  • të ardhurat bruto,
  • shpenzimet e zbritshme të kryera,
  • tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore (viti kalendarik)

Modeli dhe përmbajtja e Deklaratës

Modeli i formularit të Deklaratës Individuale Vjetore të të ardhurave, miratohet me udhëzim nga Ministri i Financave. Më poshtë do të gjeni modelin e miratuar të deklaratës (Formulari D1 dhe D2):

Modeli i Deklaratës (Formulari/D1):

Modeli i Deklaratës (Formulari/D2):

  • Në pjesën e parë të deklaratës,shënohet periudha tatimore që lidhet me vitin kalendarik, në të cilin individi ka përftuar të ardhurat, si dhe të dhëna identifikuese të tij.
  • Në pjesën e dytë, paraqiten të dhënat që mundësojnë llogaritjen e tatimit, konkretisht:

Të ardhurat bruto

  • Të ardhurat bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, plotësohet për totalin e pagave dhe shpërblimeve, që deklaruesi përfiton nga të gjitha marrëdhëniet e punësimit gjatë periudhës tatimore.
  • Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesmarrje në shoqëritë tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, do të plotësohet, për shumën e dividentit që deklaruesi përfiton, nga të gjitha pjesmarrjet e tij në shoqëritë tregtare, apo veprimtaritë e biznesit.
  • Të ardhurat bruto nga qiratë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto që individi realizon nga dhënia me qira e një ose disa objekteve.

Sqarim:
Në rastin e qiradhënies midis dy individëve perfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Për këtë qëllimi shërben formulari:

  • Fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtëshme (toke, ndertese) në pronësi të deklaruesit, do të plotësohet për fitimin kapital te realizuar.

Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi).

Fitimi kapital është i barabartë me diferencën e çmimit të shtijes me çmimin e blerjes së pasurisë së paluajtëshme.

  • Të ardhurat bruto nga interesat bankare, do të plotësohen për totalin e të ardhurave nga interesat bankare që individi ka përfituar, gjatë periudhës tatimore.
  • Fitimi kapital neto i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtëshme do të plotësohet për totalin e fitimeve të realizuara nga investimet në tituj, shitje aksionesh, e pasuri të paluajtëshme, përvec se tokë e ndërtesë

Me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë.

Në rastin e shitjes së aksioneve,vlera e tatueshme është diferenca midis të ardhurave nga shitja e aksioneve me vlerën nominale ose të blerjes aksioneve.

  • Shuma bruto të fituara nga lotari apo lojra të tjera të fatit, do të plotësohet për totalin e shumave bruto të fituara nga lotaritë apo lojra të tjera të fatit.
  • Të ardhura bruto nga pasuri intelektuale liçensa, të drejta ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto nga të gjitha, sa përshkruar më sipër.
  • Fitimet kapitale nga dhurimi, do të plotësohet për shumën e fitimeve kapitale të realizuara nga dhurimi. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor, do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
  • Të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të plotësohet për totalin e të ardhurave bruto, të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, do plotësohet për totalin e të ardhurave bruto të tjera, të cilat nuk janë të përfshira në të ardhurat e sipërshënuara.

Shpenzime të zbritshme

  • Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë, për shkollim për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, do të plotësohet për shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, nga banka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Shpenzimet për mjekim për vete, apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, do të plotësohet mbështetur në faturat e lëshuara nga institucionet shëndetësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për justifikimin e shpenzimeve për mjekim, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore.

Tatimi i llogaritur për t’u paguar

Llogaritet shuma e të ardhurave të tatueshme, për diferencën ndërmjet:

  • shuma e të ardhurave bruto, me
  • shuma e shpenzimeve të zbritshme.

Llogaritet shuma e tatimit, që rezulton nga shumëzimi i:

  • të ardhurave të tatueshme, me
  • shkallën tatimore 15%.

Tatime të paguara gjatë periudhës tatimore

Rubrikat të veçanta të deklaratës plotësohen me: tatime të paguara gjatë vitit kalendarik, llogaritur mbi të ardhurat bruto.

  • tatimin e llogaritur e të paguar, mbi të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Repubikës së Shqipërisë.
  • kreditimi i tatimit te huaj, është shuma në lekë e tatimit të huaj e paguar nga individët, për të ardhurat me burim nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në masën që këto të ardhura do të tatoheshin me shkallën tatimore 15%.

Tatimi i paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar, plotësohet për shumen e tatimit të paguar tepër, nga viti i mëparshëm dhe që rezulton i parimbursuar deri në ditën e deklarimit.

Kërkesë për rimbursim, plotësohet për shumën që kërkohet të rimbursohet.

Tatimi i paguar tepër (për rimbursim), plotësohet për diferencën nëse tatimi i paguar gjatë periudhës tatimore, është më i madh se tatimi i llogaritur sipas deklaratës .

Tatimi i detyrueshëm për t’u paguar, plotësohet për diferencën midis:

  • shumës së tatimit të llogaritur sipas deklaratës, minus
  • shumën e tatimit të paguar,
  • minus tatimin e paguar tepër nga viti i mëparshëm dhe i parimbursuar.

Mënyra e deklarimit

Dorëzimi për:

  • formularin D1 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave;
  • formularin D2 – Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave për Individët e Huaj,

kryhet nëpërmjet formës elektronike dhë është i disponueshëm në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Afati i deklarimit

Individët rezidentë dhe individët jorezidentë, subjekt i deklarimit, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Pagesa e tatimit

Shkalla tatimore

  • Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto, me shpenzimet e zbritshme dhe të ardhurat nga punësimi, përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet me shkallën tatimore prej 15%.
  • Mbi këtë bazë,me shkallën tatimore prej 15%, përcaktohet shuma e tatimit të llogaritur për të gjitha llojet e të ardhurave të tatueshme, pa përfshirë tatimin e llogaritur, për të ardhurat e tatueshme nga punësimi
  • Të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit, tatohen sipas tabelës së mëposhtme:
    Çdo punëdhënës, që paguan një pagë a shpërblim të parashikuar, është i detyruar të llogarisë dhe të mbajë në burim tatimin mbi të ardhurat personale (të ardhurat nga punësimi).
  • Shumës së tatimit, të llogaritur i shtohet tatimi i llogaritur mbi pagën dhe i zbriten, tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore, të dokumentuara nga mbajtësi në burim i këtyre tatimeve.

Afati i pagesës së tatimit

Nëse nga plotësimi i deklaratës vjetore rezulton se individi tatimpagues duhet:

  • të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar”, të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave,
  • individi dorëzon në bankë formularin “Urdhërpagesë e tatimit mbi të ardhurat individuale”.

Kujdes:
Pagesa e tatimit kryhet jo më vonë se data 30 prill.

Korigjimi i deklaratës

Individi deklarues, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, mund të korrigjojë deklaratën, duke plotësuar një deklaratë të re, duke vendosur shenjën “X” në kutinë përkatëse (deklaratë korrigjuese), brenda tre muajve nga data e dorëzimit të deklaratës së parë.

Brenda këtij afati, individi ka të drejtë të bëjë korrigjimin e deklaratës deri në dy herë, pa u penalizuar.

Kujdes
Nëse brenda këtij afati tremujor, ndryshon për herë të tretë, ndaj tij aplikohen penalitete.

Në rast së gjatë kontrollit rezulton se tatimpaguesi, ka të ardhura të padeklaruara në deklaratë, dokumente të rreme ose të pasakta, ndaj tatimpaguesit aplikohen penalitetet e përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore.

Kthimi i tatimit të paguar tepër

Nëse nga plotësimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave, rezulton diferencë negative, pra nga sa rezulton nga llogaritja sipas deklaratës, individi tatimpagues ka një tepricë të tatimeve si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, drejtoria rajonale tatimore duhet t’i kthejë me kërkesën e tij, shumën e tatimeve të paguara me tepër.

Kërkesa e tatimpaguesit për kthim të shumës së paguar tepër, duhet të dorëzohet pranë organit tatimor, brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe duhet të shoqërohet, me kopje të të gjithë dokumentacionit justifikues të të ardhurave dhe shpenzimeve të zbritshme.

Individi tatimpagues, kërkesën për kthim të shumës, së bashku me dokumentacionin justifikues, e paraqit dorazi pranë organit tatimor, duke u pajisur me një numër protokolli të dorëzimit të tyre.

  • Individi duhet të japë me saktësi numrin e llogarise së tij bankare në të cilën do të bëhet rimbursimi i tatimit të paguar tepër. Përgjegjësia për saktesinë e numrit të llogarisë bankare është e individit deklarues.

Pasi, drejtoria rajonale tatimore vërteton saktësinë e të dhënave dhe nga verifikimi i tyre apo kontrolli del se informacioni i dhënë në deklaratë është i saktë, drejtoria rajonale tatimore procedon :

  • me urdhër rimbursimi të shumës së tatimeve të paguara tepër, në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
  • me kërkesën me shkrim të deklaruesit, shuma e paguar tepër mund të përllogaritet edhe si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues.

Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme, kryhet brenda datës 30 shtator të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata.

Ankimimi

Ku mund të ankohemi për veprime të administratës tatimore që i konsiderojmë të padrejta?

Ankimi bëhët vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor e cila që nga 1 Janari vitit 2017, është pjesë e strukturës së Ministrisë së Financave.

Çfarë rregullash ka për të bërë një ankim:

  1. Duhet të kesh një dokument (të dërguar nga adminstrata tatimore) i cili prek interesat e tatimpaguesit (lexo më poshtë se ç’mund të jetë ky dokument).
  2. Të ankohesh brënda 1 muaji nga marrja dijeni për aktin administrativ që të ka dërguar administrata tatimore.
  3. Brënda këtij muaji duhet të paguash ose të vendosësh garanci bankare për detyrimet që përmban njoftimi i vlerësimit, së bashku me kamatvonesat deri në datën e pagesës. Gjobat, as nuk parapaguhen e as vihet garanci.

Kujdes! Pa këto dokumenta, Drejtoria e Apelimit e refuzon ankimin.

Përse mund të ankohemi?

  • Për çdo “Njoftim-vlerësimi për detyrimet tatimore” që ju ka dërguar administrata tatimore dhe ju e gjykoni të padrejtë.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën për rimbursim të tatimpaguesit.
  • Çdo akt që ndikon në kërkesën e tatimpaguesit për lehtësim tatimor.
  • Mund të ankimohen gabimet e bëra nga administrata në llogaritjen e përqindjes së kamatvonesës.
  • Vendosjen ose gabimet në llogaritjen e shumave dhe llojeve të ndryshme të gjobave.
  • Ankimi mund të bëhet edhe kundër një mosveprimi, të administratës tatimore që ndikon në detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

Kujdes! Nuk mund të ankimohen masat administrative që kanë të bëjnë me masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore:

  • si urdher bllokimi i llogarive bankare;
  • njoftim dhe kërkesë për të paguar;
  • njoftimi për palë të treta dhe aktet administrative që lidhen me konfiskimin e mallrave.

Ç’dokumenta duhen dërguar në Drejtorinë e Apelimit për ankimin?

  1. Kërkesën me shkrim ku të përshkruajë pretendimet e tij. Në këtë kërkesë duhet të shënohen emri dhe adresa e tatimpaguesit; kodi fiskal i regjistrimit të tatimpaguesit dhe në mbyllje të saj e nënshkruan.
  2. Aktin adminstrativ të nxjerrë nga administrata tatimore.
  3. Vërtetimin e pagesës së detyrimit dhe kamatvonesave (urdhër-pagese i kaluar në bankë). Në mungesë të pagesës, garanci bankare ku të përfshihen detyrimet+ kamatvonesat.
  4. Informacione në mbështetje të ankimit si raporte kontrolli, proces-verbale, akte-konstatimi etj.
  5. Çdo dokument tjetër që që ankimuesi e çmon të rëndësishëm se ndihmon zgjidhjen e drejtë të çështjes.

Si dërgohet ankimi në Drejtorinë e Apelimit?

Ankimi mund të dorëzohet dorazi ose dërgohet me postë rekomande. Datë e marrjes se ankimimit nga Drejtoria e Apelimit Tatimor konsiderohet data e protokollimit për ankimet e dorëzuara dorazi dhe data e dorëzimit në postë kur ankimi bëhet nëpërmjet postës.

Kujdes! Tatimpaguesi, në dokumentat që dorëzon për ankim, duhet të vërtetojë datën e marrjes së aktit administrativ, objekt ankimi. Si provë, mund të shërbejë kopja e zarfit nëpërmjet të cilit është dërguar ankimi pranë tatimpaguesit, kopja e regjistrimit të dorëzimit të objekteve postare nga zyra postare etj.

Disa çështje që duhen mbajtur parasysh gjatë apelimit:

  1. Drejtoria e Apelimit gjatë shqyrtimit mund të kërkojë dokument shtesë dhe tatimpaguesi është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës.
  2. Barra e provës për të vërtetuar të kundërtën e vlerësimit të administratës tatimore i takon tatimpaguesit.
  3. Në rast se tatimpaguesi e ka humbur afatin e ankimit, ai duhet të argumentojë dhe provojë me dokumentacionin e nevojshëm se humbja e afatit të ankimit nuk është për faj të tij.
  4. Mbas rivendosjes në afat, ankimi duhet bërë mbas 15 ditësh e jo pas 1 muaji sikurse ishta pa e humbur këtë afat.
  5. Në rast se tatimpaguesi ka dëshirë të dëgjohet edhe me gojë, ai mund ta kërkojë këtë në ankimin e vet.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online