National Economic Chamber: automatic membership and new fee for businesses

Key points
  • Dhoma Ekonomike Kombëtare zëvendëson dhomat e tregtisë dhe industrisë me një sistem të vetëm kombëtar dhe sektorial.
  • Çdo subjekt tregtar aktiv në Regjistrin Tregtar bëhet anëtar automatikisht, me fuqinë e ligjit.
  • Pas një periudhe tranzitore 2 vjeçare, tarifa vjetore e regjistrimit shkon nga 1,000 deri në 70,000 lekë.
  • Profesionet e organizuara në urdhra me ligj të posaçëm përjashtohen nga anëtarësimi automatik.
  • Komentet mbi projektligjin dorëzohen deri më 11 shtator 2026 në platformën e konsultimit publik.
25 gusht 2026. Projektligji ndodhet në konsultim publik dhe nuk është ende në fuqi. Asnjë tarifë nuk paguhet sot. Lexo projektligjin e plotë

Dhoma Ekonomike Kombëtare është institucioni i ri që propozohet të krijohet me projektligjin e hedhur në konsultim publik më 14 gusht 2026 nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Ky artikull do të sqarojë rolin dhe rëndësinë që pritet të ketë dhoma ekonomike kombëtare në përfaqësimin e biznesit. Projektligji zëvendëson ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, dhe riorganizon nga themelet përfaqësimin e biznesit në Shqipëri.

Ky nuk është një riorganizim që prek vetëm institucionet. Anëtarësimi juaj përcaktohet drejtpërdrejt nga statusi në Regjistrin Tregtar, pa asnjë kërkesë dhe pa asnjë firmë.

Gjithashtu, pas një periudhe tranzitore, anëtarësia shoqërohet me një tarifë vjetore regjistrimi. Në këtë artikull gjeni çfarë parashikon projektligji, kush preket, sa kushton dhe cili është afati i vetëm real për momentin.

Read also: The register of beneficial owners is changing. What does the new draft law bring?

Çfarë është Dhoma Ekonomike Kombëtare

Dhoma Ekonomike Kombëtare është person juridik i së drejtës publike, me seli në Tiranë, që përfaqëson interesat e të gjithë subjekteve tregtare në vend. Relacioni shpjegues e argumenton ndryshimin me fragmentarizimin e sistemit ekzistues dhe mungesën e një strukture koordinuese kombëtare. Me fjalë të tjera, shteti synon një zë të vetëm të organizuar të biznesit.

Nën Dhomën Kombëtare ngrihen Dhomat Sektoriale, të organizuara sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë. Numri dhe emërtimet e tyre miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës, me propozim të vetë Dhomës. Secila dhomë sektoriale ka asamblenë e vet me 15 deri 61 anëtarë, në proporcion me numrin e bizneseve të sektorit.

Një detaj tërheq vëmendjen te dhomat rajonale. Hapja e tyre lejohet vetëm nëse bizneset e rajonit kontribuojnë me mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar, sipas të dhënave të INSTAT. Ky kusht është shumë i lartë, prandaj në praktikë sistemi mbetet i përqendruar në nivel kombëtar dhe sektorial.

Kush bëhet anëtar automatikisht dhe kush jo

Neni 11 i projektligjit e përcakton anëtarësimin ipso lege, pra automatikisht me fuqinë e ligjit. Subjekt tregtar sipas projektligjit është çdo person fizik ose juridik që ka detyrimin e regjistrimit në regjistrin tregtar sipas ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007.

Çdo subjekt i tillë me status aktiv bëhet anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. E njëjta gjë vlen edhe për çdo biznes që regjistrohet më pas në QKB.

Përjashtimi për profesionet e rregulluara

Anëtarësimi automatik nuk zbatohet për subjektet që me ligj të posaçëm janë të detyruara të anëtarësohen diku tjetër, në urdhra ose dhoma profesionale. Në praktikë këtu pritet të hyjnë profesionet e lira të rregulluara, si avokatët, noterët, mjekët dhe audituesit.

Këto subjekte mund të anëtarësohen vullnetarisht, nëse duan. Për të gjithë të tjerët nuk ka zgjedhje, prandaj pyetja praktike nuk është a bëhem anëtar, por sa do të kushtojë dhe çfarë merrni në këmbim.

Read also: Profesionet e rregulluara po riorganizohen. Çfarë ndryshon për financat dhe auditimin

E drejta e votës në sistemin e ri

Anëtarësia sjell edhe të drejtën e votës për organet drejtuese, që zgjidhen çdo 3 vjet me votim të fshehtë. Megjithatë, neni 38 përjashton nga vota disa kategori. Aty hyjnë subjektet me dënime penale të formës së prerë për vepra ekonomike, ato në proces likuidimi ose falimentimi, dhe bizneset me status të pezulluar në Regjistrin Tregtar.

Sa është tarifa vjetore e Dhomës Ekonomike Kombëtare

Neni 12 parashikon një tarifë vjetore regjistrimi, e cila bëhet e detyrueshme vetëm pas përfundimit të periudhës tranzitore. Për efekt të tarifës, projektligji e përcakton këtë periudhë si 2 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit. Gjatë këtyre dy viteve bizneset e gëzojnë statusin e anëtarit pa paguar asgjë.

CategoryTarifa vjetore
Gjatë periudhës tranzitore 2 vjeçarezero lek
Subjektet që nuk janë subjekt i tatimit mbi fitimin1,000 lekë
Subjektet e tjera tregtareCaktohet nga Asambleja, deri 70,000 lekë
Viti i parë pas regjistrimit në Regjistrin Tregtar1,000 lekë

Kush hyn te tarifa 1,000 lekë

Te kjo kategori pritet të hyjnë kryesisht personat fizikë tregtarë, të cilët tatohen si të vetëpunësuar dhe jo me tatim fitimi. Përcaktimi i saktë do të sqarohet me aktet nënligjore.

Kujdes te një detaj që mund t’ju gënjejë. Norma 0% e tatimit mbi fitimin deri në 2029 nuk do të thotë se nuk jeni subjekt i këtij tatimi. Nëse teksti zbatohet fjalë për fjalë, edhe një shpk e vogël me normë 0% mbetet subjekt i tatimit mbi fitimin, prandaj nuk hyn automatikisht te tarifa 1,000 lekë.

Për subjektet e tjera, Asambleja e Përgjithshme e Dhomës e cakton tarifën mbi kritere si forma ligjore, madhësia e ndërmarrjes, numri i punonjësve dhe xhiroja vjetore. Ligji vendos vetëm tavanin prej 70,000 lekësh në vit. Ndërkohë, bizneset që sapo kryejnë regjistrimin fillestar paguajnë 1,000 lekë vitin e parë, pavarësisht formës ligjore.

Afati i pagesës dhe gjoba

Afati i pagesës është 30 prilli i vitit pasardhës, nëpërmjet sistemit bankar. Mosshlyerja e tarifës përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë. Masa e gjobës do të caktohet me akt nënligjor, në përputhje me ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010, Për kundërvajtjet administrative.

Një skenar orientues me data

Le ta bëjmë konkrete me një hipotezë të thjeshtë. Supozojmë se ligji miratohet dhe hyn në fuqi në janar 2027. Periudha tranzitore 2 vjeçare zgjat deri në janar 2029, prandaj deri atëherë asnjë biznes nuk paguan tarifë.

Tarifa e parë e detyrueshme do t’i takonte vitit 2029 dhe do të paguhej jo më vonë se 30 prilli 2030. Një person fizik tregtar do të paguante 1,000 lekë. Një shpk me punonjës dhe xhiro të konsiderueshme do të paguante shumën e miratuar nga Asambleja, deri në 70,000 lekë. Datat janë ilustruese, sepse ligji nuk është miratuar ende.

Read more: 10 steps businesses should follow after initial registration

Çfarë shërbimesh ofron sistemi i ri i dhomave

Tarifa nuk është thjesht një pagesë anëtarësie. Projektligji i delegon Dhomës Ekonomike Kombëtare disa funksione dhe shërbime publike, të cilat sot kryhen nga institucione të ndryshme ose mungojnë fare.

Sipas nenit 9, Dhoma do të lëshojë certifikata origjine jo-preferenciale sipas Kodit Doganor, certifikata Carnet ATA për lejimin e përkohshëm të mallrave dhe certifikata Carnet TIR për transportin ndërkombëtar. Për bizneset eksportuese dhe transportuesit këto janë dokumente pune të përditshme.

Gjithashtu, Dhoma merr përsipër administrimin e kodeve NVE, pra klasifikimin e veprimtarive ekonomike, në bashkëveprim me Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ajo do të ofrojë edhe mbështetje për procedurat e regjistrimit dhe të ndryshimeve në regjistrat e QKB-së.

Dhoma do të luajë edhe rol ndërmjetësues mes punëdhënësve dhe sistemit arsimor, që kualifikimet të përshtaten me tregun e punës. Ky rol prek çdo biznes që ka punonjës me kontratë sipas kodit të punës, sepse lidhet me trajnimet dhe aftësimin e stafit.

Në listë hyjnë gjithashtu përfaqësimi i sipërmarrjes në organet e shqyrtimit të ankimit në fushën e inspektimit sipas ligjit nr. 99/2024, një strukturë e përhershme arbitrazhi për mosmarrëveshjet mes bizneseve dhe promovimi i markës Made in Albania.

Vlen të theksohet se gjatë periudhës tranzitore këto shërbime ofrohen pa pagesë, edhe për subjektet që nuk janë anëtarë. Pas kësaj periudhe, jo anëtarët i marrin shërbimet kundrejt tarifave që caktohen me akt nënligjor.

Çfarë ndodh me dhomat e tregtisë ekzistuese

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe dhomat e qarqeve hyjnë në një fazë mbylljeje me hyrjen në fuqi të ligjit. Ato vijojnë punën deri në përfundimin e mandateve ekzistuese dhe më pas konsiderohen të shpërbëra. Gjatë kësaj faze ato nuk mund të marrin detyrime të reja dhe as të ndryshojnë marrëveshje ekzistuese pa miratim paraprak me shkrim.

Drejtimin e tranzicionit e merr një Komision i Përkohshëm Teknik me tre ekspertë, i caktuar me urdhër të ministrit përgjegjës. Ky komision harton planin e veprimit, merr në dorëzim dokumentacionin e dhomave ekzistuese dhe përgatit zgjedhjet e para të organeve të reja. Dhomat ekzistuese duhet të dorëzojnë brenda tremujorit të parë të vitit 2027 pasqyrat financiare dhe të nisin procedurat e mbylljes.

Për dy vitet e para, Dhoma Ekonomike Kombëtare financohet nga buxheti i shtetit. Më pas ajo duhet të vetëfinancohet, kryesisht nga tarifat vjetore dhe tarifat e shërbimeve. Kjo shpjegon edhe logjikën e tarifës së detyrueshme, sepse sistemi i ri projektohet të mbahet nga vetë bizneset anëtare.

Ende projektligj. Si të jepni mendim deri më 11 shtator 2026

Projektligji ndodhet në konsultim publik dhe nuk ka asnjë efekt ligjor sot. Dhomat e tregtisë ekzistuese funksionojnë normalisht dhe asnjë tarifë e re nuk paguhet. Edhe pas miratimit të mundshëm në Kuvend, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa bashkëveprimi me QKB parashikohet të nisë jo më herët se 1 janari 2027.

Paqartësitë që presin sqarim

Disa pika kanë ende paqartësi në tekstin e konsultimit. Për shembull, periudha tranzitore përkufizohet njëherë si koha deri në përfundimin e mandateve ekzistuese dhe njëherë si afat 2 vjeçar për efekt të tarifës. Gjithashtu, kategorizimi i bizneseve për tarifat dhe masa e gjobës për mospagesë mbeten për t’u përcaktuar me akte nënligjore.

Prandaj çdo shifër dhe afat i këtij artikulli duhet rilexuar kur teksti të miratohet përfundimisht.

Si dorëzohen komentet

Afati i vetëm real për momentin është ky. Komentet mbi projektligjin dorëzohen deri më 11 shtator 2026 në platformën e konsultimit publik, pas identifikimit në platformë. Nëse tarifa, përfaqësimi sektorial apo shërbimet e deleguara prekin veprimtarinë tuaj, ky është momenti për ta thënë. Mendimet e dorëzuara tani kanë peshë shumë më të madhe se ankesat pas miratimit.

Read also: Accounting law is changing. What does the 2026 draft law provide?

Every time there is a tax or financial change that affects your business, we notify you directly by email with a practical explanation.

Send me free notifications

Frequently asked questions

A është i detyrueshëm anëtarësimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare?

Po, nëse projektligji miratohet në këtë formë. Çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar bëhet anëtar automatikisht, me fuqinë e ligjit. Përjashtohen vetëm subjektet që me ligj të posaçëm anëtarësohen në urdhra ose dhoma profesionale.

A duhet të paguaj apo të bëj diçka tani?

Jo. Projektligji nuk është miratuar dhe asnjë detyrim nuk ekziston sot. Hapi i vetëm i mundshëm tani është dorëzimi i komenteve në konsultimin publik, deri më 11 shtator 2026.

Sa do të paguajë biznesi im nëse ligji miratohet?

Gjatë 2 viteve të para pas hyrjes në fuqi, asgjë. Më pas, 1,000 lekë në vit nëse nuk jeni subjekt i tatimit mbi fitimin, ose një tarifë deri në 70,000 lekë në vit sipas madhësisë, punonjësve dhe xhiros. Bizneset e saporegjistruara paguajnë 1,000 lekë vitin e parë.

Kush përjashtohet nga anëtarësimi automatik?

Subjektet që me ligj të posaçëm anëtarësohen në urdhra ose dhoma profesionale, si avokatët, noterët, mjekët dhe audituesit. Ata mund të anëtarësohen vullnetarisht dhe, nëse nuk anëtarësohen, i marrin shërbimet kundrejt tarifave.

A zëvendëson Dhoma regjistrimin në QKB?

Jo. Regjistri Tregtar mbetet te Qendra Kombëtare e Biznesit dhe procedurat e regjistrimit nuk ndryshojnë. Dhoma bashkëvepron me QKB për kodet NVE dhe mbështetjen e subjekteve. Detyrimet tatimore të biznesit tuaj gjithashtu nuk preken nga ky projektligj.

Çfarë ndodh me dhomat e tregtisë të qarqeve?

Ato vijojnë punën deri në përfundimin e mandateve ekzistuese dhe më pas shpërbëhen. Ligji nr. 9640, datë 9.11.2006, shfuqizohet në datën e përfundimit të këtyre mandateve.

Kur pritet të hyjë në fuqi ligji?

Nuk ka datë të garantuar. Pas konsultimit, projektligji kalon në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend. Nëse miratohet, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me periudhë tranzitore 2 vjeçare për tarifat.

Projektligje si ky miratohen shpesh pa u vënë re dhe kujtohen vetëm kur vjen tarifa ose gjoba e parë. Ne i ndjekim që nga konsultimi publik dhe ju themi saktë kur dhe si ju prekin, para se të bëhen detyrim.

VIEW PRICES

GDPR

AccountingFor your business.

We take care of accounting and taxes, so you can save time, money, and focus on growing your business.

Request a Quote