TiranaTiranaDurres Monday – Friday 08:30 – 17:00 +355693232349 Monday – Saturday 08 – 18 +355693232349
Tatimi në burim mbi qiranë - udhëzim praktik për bizneset shqiptare

Kur biznesi paguan qira tek një individ, ligji shqiptar i tatimit mbi të ardhurat e ngarkon qiramarrësin me detyrimin që të mbajë në burim 15% të qirasë dhe të derdhë atë çdo muaj tek administrata tatimore. Qiradhënësi individ merr shumën neto. Biznesi deklaron tatimin dhe e paguan atë si pjesë e detyrimeve tatimore.

Ky detyrim nuk varet nga madhësia e biznesit, as nga lloji i pronës. Varet vetëm nga statusi i qiradhënësit. Nëse qiradhënësi është individ, biznesi ka detyrimin. Nëse është shoqëri tregtare, detyrimi nuk lind.

Ky artikull shpjegon kur lind detyrimi, si llogaritet tatimi, çfarë duhet të përmbajë kontrata e qirasë, si bëhet deklarimi çdo muaj dhe çfarë ndodh kur afati humbet.

Legal Framework

Detyrimi për të mbajtur tatim mbi pagesat e qirasë drejtuar individëve rregullohet nga Ligji Nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i cili ka hyrë plotësisht në fuqi nga janari 2024. Ky ligj ka ndryshuar dhe konsoliduar të gjithë kuadrin e tatimit mbi të ardhurat, duke përfshirë edhe detyrimet e agjentëve të mbajtjes së tatimit në burim.

Për të ardhurat nga qiraja aplikohet norma e tatimit të mbajtur në burim prej 15%. Kjo normë aplikohet mbi vlerën bruto të qirasë, pra para çdo zbritjeje.

Çmimet minimale të qirasë për qëllime tatimore janë vendosur me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 469, datë 3.6.2015. Ky vendim përcakton çmimin minimal mujor për çdo lloj prone dhe zonë dhe nuk lejon që kontrata e qirasë të parashikojë vlerë nën këtë minimum.

Kur lind detyrimi

Kur qiramarrësi është biznes dhe qiradhënësi individ, biznesi ka detyrimin të mbajë 15% të qirasë dhe ta derdhjë çdo muaj tek administrata tatimore. Qiradhënësi merr shumën neto.

Ky detyrim ndryshon sipas statusit të palëve të kontratës.

Kur qiradhënësi është shoqëri tregtare, qoftë sh.p.k. ose sh.a., tatimi në burim nuk aplikohet. Shoqëria qiradhënëse lëshon faturë tatimore të rregullt dhe paguan tatimin si pjesë e deklaratës vjetore.

Kur të dyja palët janë individë, as qiramarrësi nuk mban tatim. Qiradhënësi individ i përfshin këto të ardhura në deklaratën e tij individuale vjetore dhe paguan tatimin sipas totalit.

Po nëse prona është e juaja ?

Dy situata duken të ngjashme por trajtohen krejtësisht ndryshe.

Kur jeni i regjistruar si person fizik tregtar dhe biznesin e ushtroni në pronën tuaj, nuk ka transaksion qiraje. I njëjti rregull vlen edhe kur prona i takon një anëtari të familjes tuaj që figuron në të njëjtën certifikatë familjare. Në të dyja rastet nuk lind as qira dhe as detyrim tatimor.

Situata ndryshon thelb kur biznesi është i regjistruar në formën e shoqërisë. Kur prona personale e administratorit ose e ortakut vihet në dispozicion të shoqërisë, detyrimi tatimor lind pavarësisht nëse ka pagesë qiraje apo jo. Edhe kur shoqëria e përdor pronën pa paguar qira, ligji e trajton si transaksion qiraje me vlerë minimale sipas çmimit referues të vendosur me Vendimin e Këshillit të Ministrave. Tatimi mbahet gjithsesi.

Si llogaritet tatimi

Tatimi llogaritet si 15% e vlerës bruto të qirasë të rënë dakord në kontratë.

Vlera e qirasë nuk mund të jetë nën çmimin minimal të vendosur nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 469/2015. Çmimi minimal mujor për çdo m² sipërfaqe llogaritet si 0.3% e çmimit të shitjes për m² të ndërtesës. Kjo vlerë ndryshon sipas llojit të pronës dhe zonës gjeografike.

Për zyra dhe magazina, çmimi minimal mujor për m² është i barabartë me çmimin minimal të apartamenteve të banimit të zonës. Për dyqane mallrash dhe shërbimesh, çmimi minimal është dyfishi. Meqë kontrata nuk mund të shkruajë vlerë nën minimumin, tatimi llogaritet gjithmonë mbi vlerën e kontratës.

Examples

Zyrë 50 m² në Tiranë, qira e kontratës 60,000 LEK muaj.
Tatimi: 60,000 × 15% = 9,000 LEK.
Qiradhënësi merr: 51,000 LEK.

Magazinë 43.6 m². Çmimi minimal sipas Vendimit Nr. 469/2015: 27,900 LEK muaj.
Tatimi: 27,900 × 15% = 4,185 LEK.
Qiradhënësi merr: 23,715 LEK.

Dyqan 30 m² në Tiranë, qira 80,000 LEK muaj.
Tatimi: 80,000 × 15% = 12,000 LEK.
Qiradhënësi merr: 68,000 LEK.

Çfarë duhet të përmbajë kontrata e qirasë

Kontrata e qirasë duhet të identifikojë qartë të dyja palët, të specifikojë adresën e pronës, sipërfaqen në m² dhe vlerën mujore të qirasë. Vlera e qirasë nuk mund të jetë nën minimumin e vendosur me Vendimin Nr. 469/2015.

Seksioni tatimor i kontratës duhet të specifikojë vlerën bruto të qirasë, tatimin e llogaritur si 15% e vlerës bruto, vlerën neto që i kalon qiradhënësit, afatin dhe mënyrën e deklarimit tatimor dhe detyrimet e palëve për dokumentimin e pagesës.

A duhet të jetë e noterizuar?

Kontrata e thjeshtë me shkrim është ligjërisht e vlefshme, kur afati i qirasë nuk kalon një vit. Noterizimi është i detyrueshëm kur afati i qirasë është mbi një vit. Noterët u dërgojnë çdo muaj administratës tatimore listën e kontratave të noterizuara të qirasë. Kontrata e noterizuar krijon automatikisht gjurmë tek Drejtoria Rajonale Tatimore.

Shkarko një shembull të kontratës së qirasë

Si bëhet deklarimi çdo muaj

Biznesi deklaron dhe paguan tatimin e mbajtur mbi qiranë çdo muaj, pa përjashtim. Afati është data 20 e muajit pasardhës. Qiraja e muajit maj deklarohet dhe paguhet deri më 20 qershor.

Deklarimi bëhet nëpërmjet platformës elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Seksioni i deklaratës që mbulon pagesat e qirasë drejtuar individëve kërkon plotësimin e numrit personal të identitetit të qiradhënësit, emrit dhe mbiemrit, datës së pagesës, vlerës bruto të qirasë dhe tatimit të llogaritur.

Nëse keni dy qiradhënës individë, plotësohet nga një rresht analitik për secilin.

Kur nuk ka pagesa qiraje atë muaj

Deklarata dorëzohet edhe kur nuk ka pagesa qiraje atë muaj. Mosdeklarimi trajtohet si paraqitje me vonesë dhe gjeneron gjobë automatike, pavarësisht nga arsyeja.

Kopja e deklaratës për qiradhënësin

Pas dorëzimit të deklaratës, biznesi i dërgon qiradhënësit individ kopjen e formularit. Me ndryshimet e Ligjit Nr. 29/2023, të dhënat e deklaruara integrohen automatikisht edhe në deklaratën vjetore individuale të qiradhënësit. Administrata tatimore sheh tani të dyja anët e transaksionit.

Integrimi funksionon vetëm kur numri personal i identitetit dhe emri i qiradhënësit janë plotësuar saktë. Të dhëna të gabuara prishin lidhjen automatike dhe krijojnë probleme që duhen rregulluar me kërkesë formale.

Për tu theksuar

Qiradhënësi kërkon të paguajë tatimin vetë

Kjo marrëveshje ndodh shpesh, qiradhënësi individ kërkon të marrë qiranë e plotë dhe deklaron se tatimin e rregullon vetë. Marrëveshja mes palëve nuk ka asnjë efekt ndaj administratës tatimore.

Ligji shprehet qartë, biznesi qiramarrës mban përgjegjësinë ligjore për mbajtjen dhe derdhjen e tatimit. Nëse tatimi nuk paguhet, gjoba dhe interesi bien mbi biznesin, jo mbi individin. Marrëveshja private mes palëve nuk e zhvendos këtë përgjegjësi.

Kur qiradhënësi nuk banon në Shqipëri

Nëse qiradhënësi individ ka rezidencë tatimore jashtë Shqipërisë, tatimi mbahet gjithsesi me normë 15%. Por nëse Shqipëria ka marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë me shtetin ku qiradhënësi është rezident tatimor, norma mund të jetë e ndryshme ose zero.

Shqipëria ka marrëveshje të tilla me mbi 40 shtete, ndër të cilat Italia, Gjermania, Greqia, Turqia, Austria dhe Franca. Për të zbatuar normën e reduktuar, qiradhënësi duhet të paraqesë certifikatën zyrtare të rezidencës tatimore nga shteti tjetër. Pa këtë dokument, norma 15% aplikohet pa diskutim.

Every time there is a tax or financial change that affects your business, we notify you directly by email with a practical explanation.

Send me free notifications

Afatet dhe penalitetet

Vonesa ose mosdeklarimi sjell gjobë sipas Ligjit Nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore” dhe interes mbi tatimin e papaguar, duke llogaritur normën zyrtare të interesit për çdo ditë vonesë.

Biznesi që ka nuk ka mbajtur tatim mbi qiranë për 24 muaj me vlerë 4,185 LEK muaj ka akumuluar 100,440 LEK tatim bazë. Me interesin dhe penalitetin e shtuar, totali kalon ndjeshëm 130,000 LEK për një kontratë të vetme qiraje.

Biznesi që rregullon situatën me paraqitje deklaratash plotësuese para kontrollit tatimor paguan tatimin e papaguar dhe interesin, por shpesh pa penalitetin e plotë. Biznesi që e rregullon pas kontrollit gjendet me të gjithë ekspozimin.

Pse ka rëndësi të veproni saktë

Tatimi në burim mbi qiranë është nga ato detyrime mujore që administrata tatimore i verifikon me lehtësi. Kontrata e qirasë ekziston si dokument. Noterët raportojnë çdo muaj. Integrimi i ri me deklaratën vjetore individuale e bën transparente nga të dyja anët.

Kur kontabilisti i jashtëm menaxhon këtë detyrim, deklarata dorëzohet çdo muaj brenda afatit, të dhënat e qiradhënësit plotësohen saktë dhe nuk akumulohen interesa për detyrime që mund të evitoheshin lehtësisht.

Frequently asked questions

A duhet të mbajmë tatim nëse qiradhënësi është biznes?

Jo. Detyrimi lind vetëm kur qiradhënësi është individ. Kur qiradhënësi është biznes (person fizik ose shoqëri tregtare), tatimi në burim mbi qiranë nuk aplikohet.

Çfarë ndodh nëse kemi paguar qiranë pa mbajtur tatim për vite?

Situata mund të rregullohet duke paraqitur deklarata plotësuese dhe duke paguar tatimin e papaguar bashkë me interesin e akumuluar. Veprimtaria para kontrollit tatimor redukton ndjeshëm koston totale.

A mbahet tatim edhe për qiranë e automjeteve?

Po, nëse qiradhënësi i automjetit është individ. Ligji parashikon tatim për çdo qiradhënie drejtuar individit, jo vetëm për prona të paluajtshme.

Nëse qiraja paguhet çdo 6 muaj, si deklarohet?

Tatimi mbahet dhe deklarohet në muajin e pagesës, mbi shumën totale të paguar. Nëse keni paguar qiranë e 6 muajve në janar, tatimi llogaritet mbi shumën e plotë dhe deklarohet brenda datës 20 shkurt.

Qiradhënësi kërkon vërtetim të tatimit të paguar. Si e sigurojmë?

Formulari i deklarimit nuk shërben vetë si vërtetim zyrtar pa certifikimin e autoritetit tatimor kompetent. Certifikimi kërkohet me kërkesë formale pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Si e di qiradhënësi nëse tatimi është paguar saktë?

Me ndryshimet e Ligjit Nr. 29/2023, të dhënat e deklaruara nga biznesi integrohen automatikisht në deklaratën vjetore individuale të qiradhënësit. Qiradhënësi mund ta shikojë direkt në llogarinë e tij elektronike.

E menaxhoni vetë tatimin mbi qiranë çdo muaj?

AlProfit Consult e përfshin deklarimin mujor të tatimit në burim si pjesë e shërbimit të kontabilitetit të jashtëm. Deklarata dorëzohet çdo muaj brenda afatit, me të dhëna të sakta të qiradhënësit dhe pa akumulim interesash.

REQUEST A FREE CONSULTATION

Or view: paketat tona të abonimit

✔ Deklarim mujor i tatimit në burim  ·  ✔ Kontabilitet i jashtëm  ·  ✔ Këshillim tatimor

Or directly at: +355 69 323 2349  ·  [email protected]

GDPR