Pasqyrat financiare të thjeshtuara. Kush i përdor dhe afati 31 korrik

Pikat kryesore
  • Pasqyrat financiare përgatiten sipas ligjit nr. 25/2018 dhe standardeve kombëtare të kontabilitetit.
  • Njësitë mikro dhe ato të vogla përdorin format të thjeshtuara, me më pak zëra dhe shënime.
  • Pasqyrat dorëzohen në QKB deri më 31 korrik, bashkë me vendimin e asamblesë.
  • Deklarata vjetore e tatimit dorëzohet deri më 31 mars, pra para pasqyrave.
  • Formati i thjeshtuar nuk e ul përgjegjësinë për saktësinë e të dhënave.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Kuadri u krahasua me ligjin nr. 25/2018, i ndryshuar. Kush mban kontabilitet, faqja e burimit

Fundi i vitit financiar ka dy afate që ngatërrohen. Deklarata vjetore e tatimit dorëzohet deri më 31 mars. Pasqyrat financiare dhe vendimi i asamblesë dorëzohen në QKB deri më 31 korrik.

Pra pasqyrat nuk janë e njëjta gjë me deklaratën, dhe dorëzimi i njërës nuk e mbyll tjetrën.

Lexo edhe: Kalendari tatimor dhe afatet

Kush përdor formatin e thjeshtuar

Njësitë mikro dhe ato të vogla, sipas kategorizimit të ligjit nr. 25/2018. Formati i tyre ka më pak zëra në bilanc dhe në pasqyrën e të ardhurave, dhe shënime shpjeguese më të shkurtra.

Kategorizimi varet nga totali i aktiveve, nga të ardhurat dhe nga numri mesatar i punonjësve. Kush ka detyrimin për të mbajtur kontabilitet dhe në cilën kategori bie e shpjegon faqja jonë e kontabilitetit të detyrueshëm.

Çfarë përmban dosja e fundvitit

DokumentiPërmbajtja
BilanciAktivet, detyrimet dhe kapitali i vet në datën e raportimit
Pasqyra e të ardhuraveTë ardhurat dhe shpenzimet e periudhës
Shënimet shpjeguesePolitikat kontabël dhe hollësitë që shifrat nuk i tregojnë vetë
Vendimi i asamblesëMiratimi i pasqyrave dhe destinacioni i fitimit

Vendimi i asamblesë ka edhe një detyrim të dytë. Vendimi mbi destinacionin e fitimit depozitohet te organet tatimore deri më 31 korrik, sipas nenit 56 të ligjit nr. 29/2023.

Gabimet që shohim në mbyllje

  • Fitimi kontabël merret drejtpërdrejt si bazë tatimore, pa rregullimet që kërkon ligji.
  • Amortizimi kontabël nuk rakordohet me normat tatimore.
  • Inventari nuk numërohet fizikisht dhe mbetet me gjendje të fryrë nga mallra të prishura.
  • Shënimet shpjeguese kopjohen nga viti i kaluar pa u përditësuar.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Pyetje të shpeshta

Deri kur dorëzohen pasqyrat financiare?

Deri më 31 korrik, në QKB, bashkë me vendimin e asamblesë.

A mjafton deklarata vjetore e tatimit?

Jo. Ajo dorëzohet deri më 31 mars dhe është detyrim i veçantë nga pasqyrat.

Kush mund të përdorë formatin e thjeshtuar?

Njësitë mikro dhe ato të vogla, sipas kategorizimit të ligjit nr. 25/2018.

Formati i thjeshtuar kursen kohë në paraqitje, jo në punë. Shifrat që hyjnë aty duhet të jenë po aq të sakta sa te çdo format tjetër.

Teksti i mëparshëm dhe formati për shkarkim

Fillimi i vitit të ri financiar është moment i rëndësishëm dhe me mjaft impenjime për punonjësit e zyrës së financës. Është finalizimi i një viti financiar dhe kurorëzimi i përgatitjes së pasqyrave financiare.

Edhe pse shpesh, konsiderohet si një proces që kryhet vetëm nga specialistët dhe audituesit ligjorë, çdo ekonomist mund të përgatisë pasqyra financiare. Ajo që nevojitet janë bazat e kontabilitetit financiar, njohuri mbi kuadrin kontabël dhe; në disa raste, kur nevojitet ekspertizë dhe vlerësim në disa raste, eksperiencë në trajtimin e rasteve.

Procesi i pasqyrave financiare, asnjëherë nuk duhet të shihet si plotësimi mekanik i formularëve të pasqyrave financiare dhe shënimeve shpjeguese. Këto pasqyra do të lexohen nga përdoruesit e jashtëm të këtyre pasqyrave, prandaj ato duhet të jenë sa më të kuptueshme.

Për të t’ju ardhur sado pak në ndihmë. duke dhënë një shembull dhe ide të teknikave që mund të ndihmojnë në përgatitjen e pasqyrave financiare, më poshtë do të gjeni formatin e thjeshtuar të pasqyrave financiare të një viti ushtrimor. Ato mund ti vijnë në ndihmë, disa prej praktikuesve të çështjeve të financës; që mund të mos jenë ekonomistë, ashtu si edhe kolegëve të zyrës së financës dhe më gjerë.

Materiali i parë është i përgatitur në formatin Excel, me formula dhe formatim të gatshëm të pasqyrave financiare dhe shënimeve shpjeguese. Ai është rezultat i eksperiencës tonë të disa viteve. Formati i dytë, është ai i pasqyrave financiare të plota, përfshirë edhe shënimet shpjeguese.

Si ta përdorni dhe ku ta shkarkoni

Shpresojmë që ky material do të japë vetëm një ide fillestare të asaj se si mund të jetë një set i thjeshtuar i pasqyrave financiare dhe përshtatjen e këtij materiali në rastin tuaj.

Shkarko:

Nëse doni që mbylljen e vitit ta bëjmë ne, nga rakordimi i llogarive deri te dorëzimi në QKB, flasim për paketën mujore.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR