TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Kufizime të zbritjes së TVSH-së për situata të parregullta, ose në raste shkeljeje.

Në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pavarësisht se personi i tatueshëm është në kushtet e zbatimit të nenit 69 dhe 70 të Ligjit, nuk do të lejohet zbritja e TVSH-së për rastet kur ai disponon faturë të lëshuar nga persona të tretë jo në përputhje, apo në shkelje të dispozitave të Ligjit.

Raste të shkeljeve

  • Personi i tatueshëm blerës pranon një faturë që tregon TVSH-në, e lëshuar nga personi shitës, i cili nuk ka të drejtë të llogarisë TVSH-në sipas këtij Ligji. Në këtë rast blerësi, pavarësisht se e ka paguar faturën, nuk duhet të zbresë TVSH-në e paraqitur në faturë, ndërkohë që shitësi që e ka llogaritur padrejtësisht, duhet t’ia paguajë TVSH-në Administratës Tatimore.
  • Personi i tatueshëm blerës, ka pranuar një faturë, ku çmimi i paguar nuk përkon me furnizimin e mallit ose shërbimit. Në këtë rast, blerësi nuk ka të drejtë të zbresë TVSH- në e shënuar në faturë.
  • Personi i tatueshëm blerës, pranon një faturë që tregon një shumë të TVSH-së, e cila e tejkalon shumën e TVSH-së që duhej të ngarkohej sipas këtij Ligji. Në këtë rast, blerësi pavarësisht nëse e ka paguar, nuk duhet të zbresë shumën e TVSH-së të llogaritur më tepër.
  • Personi i tatueshëm, për të cilin është kryer një furnizim malli ose shërbimi në kushtet kur TVSH-ja e faturuar nuk është paguar për efekt të mashtrimit, nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e shënuar në faturë.

Kujdes!
Në rastet kur personi i tatueshëm, për të cilin është kryer një furnizim malli ose shërbimi dhe që ka dijeni se TVSH-ja për t’u paguar mbi këtë furnizim ose furnizime të mëparshme, nuk është paguar për shkak te mashtrimit, atëherë personi i tatueshëm blerës, është përgjegjës bashkë me furnizuesin, për pagesën e TVSH-së.

Dyshimi mbi të drejtën e zbritjes

Vënia në dyshim e të drejtës së zbritjes, varet nga fakti që të vërtetohet se është kryer një mashtrim në fillim nga furnizuesi i drejtpërdrejtë, si dhe nga fakti që blerësi ishte në dijeni, ose nuk mund të injoronte faktin, që me blerjen e tij, ai merrte pjesë në një mashtrim.

Për t’u siguruar për ekzistencën e një mashtrimi të realizuar nga furnizuesi i drejtpërdrejtë, kryhen një sërë verifikimesh:

  • Së pari, duhet të përcaktohet që furnizuesi i një malli nuk e ka shlyer në mënyrë të parregullt TVSH–në e detyrueshme për furnizimin e mallit për klientin e tij. Për furnizuesin, mashtrimi konsiston në mosderdhjen për llogari të autoritetit tatimor të TVSH- së, faturuar klientit të tij, ndërkohë që është zbritur nga ky i fundit në kuadrin e një skeme mashtruese.
  • Nga ana tjetër, nuk është e nevojshme dhe as e rëndësishme, të provohet nëse blerësi ka nxjerrë/ose jo, fitim nga mashtrimi. Blerësi “ishte në dijeni, ose nuk mund të injoronte” faktin se pjesëmarrja në një mashtrim konsiston në mosderdhjen e TVSH- së.

Vlerësimi i elementëve lidhur me mashtrimin

  • Që blerësi “kishte dijeni”, duhet të ekzistojnë elemente objektive të pakundërshtueshëm, se blerësi kishte dijeni për mashtrimin e bërë nga furnizuesi i tij.
  • Që blerësi “nuk mund të injoronte” duhet të tregohet në mënyrë objektive dhe të pakundërshtueshme se blerësi duhet të kishte dijeni për mashtrimin, pra ku faktet janë të tillë, që blerësi nuk mund të pretendojë se nuk e ka njohur ekzistencën e mashtrimit.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online