TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Ligj Nr. 6/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar”.

LIGJ Nr. 6/2022

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 112/2020, “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

Në ligjin nr. 112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

,,

Në nenin 5 pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Regjistrimi nga subjektet raportuese i të dhënave të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues bëhet në afatet e mëposhtme:

a) në rastet e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, që regjistrohen në regjistrin tregtar, regjistrimi bëhet njëkohësisht me aplikimin për regjistrimin e personit juridik në regjistrin tregtar;

b) në rastet  e refuzimit  të  aplikimit për  regjistrimin fillestar  të  pronarëve përfitues  nga subjektet raportuese, që regjistrohen në regjistrin tregtar me pronësi indirekte, regjistrimi bëhet brenda 40 (dyzet) ditëve kalendarike nga data e refuzimit të aplikimit;

c) në rastet e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, që regjistrohen në regjistrin e organizatave jofitimprurëse, regjistrimi bëhet brenda 40 (dyzet) ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese si person juridik;

ç) në rastin e regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, regjistrimi bëhet brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik.”.

Neni 2

,,

Në nenin 6 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

  1. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. QKB-ja jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga marrja e aplikimit nga subjektet raportuese kryen njërin nga veprimet e mëposhtme:

a) miraton regjistrimin e të dhënave të pronarit përfitues; ose

b) pezullon aplikimin për regjistrim fillestar, ndryshimin apo përditësimin e të dhënave, duke i dhënë subjektit raportues një afat prej 30 (tridhjetë) ditësh kalendarike për plotësimin e të metave që pengojnë regjistrimin; ose

c) refuzon regjistrimin nëse pas verifikimit konstaton se të dhënat që kërkohen të regjistrohen janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme, sipas dispozitave të këtij ligji.”.

2. Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 e 4/2 me këtë përmbajtje:

“4/1. Në rastet e aplikimeve, sipas shkronjës “a” të pikës 3 të nenit 5, nga subjektet raportuese me pronësi direkte, QKB-ja regjistron të dhënat njëkohësisht me regjistrimin e subjektit në regjistrin tregtar.

4/2. Nëse plotësohen të metat që pengojnë regjistrimin brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 4 të këtij neni, QKB-ja është e detyruar të kryejë regjistrimin jo më vonë se 2 (dy) ditë pune nga data e plotësimit të të metave. Nëse të metat nuk janë plotësuar, QKB-ja refuzon regjistrimin jo më vonë se 2 (dy) ditë pune pas përfundimit të afatit të përcaktuar sipas shkronjës “b” të pikës 4 të këtij neni.”.

3. Në fund të pikës 6 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Në rastet e aplikimeve sipas shkronjës “a” të pikës 3 të nenit 5, aplikimi bëhet në sportelin fizik të QKB-së.”.

4. Pika 8 ndryshohet si më poshtë:

“8. Procedurat, rregullat, kriteret dhe shkaqet për ndërmarrjen e veprimit të pezullimit apo refuzimit nga QKB-ja për regjistrimin e të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese miratohen më vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 3

Neni 13 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 13

Kundërvajtjet administrative

  1. Subjektet raportuese dhe personat e autorizuar për të bërë regjistrimin janë përgjegjës sipas ligjeve në fuqi për vërtetësinë e fakteve, të të dhënave të njoftuara dhe të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistrin elektronik.

Shkeljet e mëposhtme përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) mos regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

b) mos regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

c) mos regjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë;

ç) mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar në shkronjën “c” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë;

d) mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “ç” të pikës 3 të nenit 5 të këtij ligji dënohet me gjobë në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë.

3. Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

4. QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese, të cilat kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj tyre, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor, si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga statusi “aktiv” në statusin “të pezulluar” në regjistrin tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues.

5. Mospërmbushja e detyrimeve ligjore të përcaktuara në pikën 1 të nenit 5 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

6. Gjoba, sipas pikës 5 të këtij neni, vendoset nga autoritetet shtetërore inspektuese/verifikuese në fushën tatimore, të përcaktuara në pikën 4 të nenit 9 të ligjit, vendimi i të cilave ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

7. Procedurat, afatet dhe rregullat e përgjithshme të administrimit dhe ndërveprimit përmes Regjistrit të Pronarëve Përfitues, Regjistrit Tregtar dhe Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për rastet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4

Në nenin 15 pika 3 shfuqizohet.

Neni 5 Pas nenit 15 shtohet neni 15/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 15/1

Dispozita tranzitore

  1. QKB-ja, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, brenda datës 30.6.2022, transferon në Regjistrin e Pronarëve Përfitues të dhënat e pronarëve përfitues për subjektet raportuese me pronësi direkte, që kanë qenë të regjistruara në Regjistrin Tregtar përpara datës së krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk kanë përmbushur detyrimin për regjistrimin fillestar të pronarëve të tyre përfitues.
  2. Për subjektet raportuese, të dhënat e të cilëve janë transferuar sipas pikës 1 të këtij neni, detyrimi për regjistrimin fillestar të pronarëve të tyre përfitues quhet i përmbushur në datën e këtij transferimi. Këto subjekte raportuese kanë të drejtë të përditësojnë pranë QKB-së të dhënat e pronarëve të tyre përfitues pa u përballur me kundërvajtje administrative.
  3. Subjektet raportuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar me pronësi indirekte, si dhe subjektet raportuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk kanë përmbushur detyrimin e lidhur me regjistrimin fillestar të pronarëve të tyre përfitues, si dhe me ndryshimet e të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, duhet t’i përmbushin këto detyrime brenda datës 30.6.2022.
  4. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 3 të këtij neni brenda datës 30.6.2022 dënohet me gjobë në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë.
  5. Gjoba vendoset nga titullari i QKB-së, vendimi i të cilit ankimohet drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
  6. QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese, të cilat kryejnë shkeljet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni, nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj tyre, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor, si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga status “aktiv” në statusin “të pezulluar” në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues.
  7. Gjobat e vendosura përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji për mospërmbushjen në kohë të detyrimeve ligjore të lidhura me regjistrimin fillestar, si dhe me ndryshimet e të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, të cilat nuk janë paguar përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen në masën 100 (njëqind) për qind.
  8. Subjektet raportuese, të cilat përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë paguar gjobat që  falen  sipas  parashikimeve  të  mësipërme  dhe  kanë  përmbushur  detyrimet  përkatëse  për regjistrimin  e  pronarëve  të  tyre  përfitues,  kanë  të  drejtë  të  aplikojnë  pranë  QKB-së  për rimbursimin e shumave të paguara.
  9. Këshilli i Ministrave miraton procedurat e rimbursimit të shumave të gjobave të paguara nga subjektet raportuese sipas parashikimeve të pikës 8 të këtij neni.

Neni 6

Aktet nënligjore në zbatim të ligjit

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 30 ditëve pune nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji të miratojë aktet nënligjore për zbatimin e nenit 6, pika 8; nenit 13, pika 7 dhe nenit 15/1, pika 9, të ligjit.

Neni 7

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 27.1.2022.

Shpallur me dekretin nr. 13469, datë 11.2.2022, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Burimi: Qendra e Botimeve Zyrtare

Shkarko më poshtë dhe këtu ligjin e përditësuar.

Keni një Pyetje ?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online