Listëpagesa mujore. Çfarë ndryshoi për biznesin e vogël që nga 2024

Dorëzimi mujor i listëpagesës, afati data 20
Pikat kryesore
  • Që nga janari 2024, biznesi i vogël dorëzon listëpagesën çdo muaj, jo më çdo tremujor.
  • I njëjti afat, data 20 e muajit pasardhës, vlen edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe për tatimin mbi të ardhurat nga punësimi (TAP).
  • Ligji nr. 8438, datë 28.12.1998, i përmendur në njoftimin origjinal, nuk është më në fuqi. Sot baza ligjore është ligji nr. 29/2023, por rregulli praktik i afatit mujor vazhdon të zbatohet pa ndryshim.
  • Mosdorëzimi brenda afatit përbën shkelje tatimore dhe dënohet me masë administrative.
Përditësuar më 18 tetor 2026. Publikuar më 8 shkurt 2024. Baza ligjore e cituar fillimisht nuk vlen më, por afati mujor i dorëzimit mbetet rregulli aktual.

Që nga janari 2024, tatimpaguesit e klasifikuar si biznes i vogël dorëzojnë listëpagesën çdo muaj, jo më në periudha tremujore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e komunikoi këtë ndryshim direkt në llogarinë eFiling të çdo tatimpaguesi. I njëjti afat, data 20 e muajit pasardhës, vlen edhe për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (TAP). Deklarimi i parë sipas këtij rregulli ishte listëpagesa e janarit 2024, me afat deri më 20 shkurt 2024.

Nga puna jonë e përditshme shohim ende biznese që ngatërrojnë këtë me rregullin e vjetër tremujor ose që mendojnë se afati i datës 20 vlen vetëm për listëpagesën, duke harruar se i njëjti afat zbatohet edhe për kontributet dhe TAP-in. Vonesa në njërën prej tyre trajtohet si shkelje tatimore më vete.

Pse ka rëndësi sot

Rregulli i dorëzimit mujor nuk ishte një njoftim i përkohshëm, por mbetet mënyra se si funksionon sot deklarimi i listëpagesës për biznesin e vogël. Siç e kemi konfirmuar edhe te Tatimi mbi pagën në Shqipëri, listëpagesa dorëzohet deri më datën 20 të muajit pasues edhe në 2026. Ndryshon vetëm baza ligjore e cituar, jo afati praktik që biznesi duhet të respektojë çdo muaj.

Më poshtë e keni njoftimin origjinal të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ashtu siç iu shfaq tatimpaguesve në llogarinë eFiling në shkurt 2024.

I nderuar Tatimpagues,

Nëpërmjet këtij mesazhi, Administrata Tatimore ju njofton se sipas ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”, ju do duhet ta deklaroni listpagesën çdo muaj, jo më në periudha 3 mujore!

I njëjti afat, ÇDO MUAJ, vlen edhe për pagesën e Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore si dhe të Tatimit mbi të Ardhurat nga punësimi (TAP).

Afati për dorëzimin e listpagesës dhe kryerjes së pagesës është data 20 e muajit vijues. Deklarimi i parë për ju është listpagesa e muajit janar 2024 me afat deri në 20 Shkurt 2024.
 
KUJDES!

Mosrespektimi i afateve të reja ligjore të deklarimit dhe pagesës përbëjnë shkelje tatimore dhe si të tilla dënohen me masë administrative! Faleminderit

Njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Tatimeve për dorëzimin mujor të listëpagesës, shkurt 2024
Njoftimi origjinal i Tatimeve në eFiling, shkurt 2024.

Burimi: efiling.tatime.gov.al.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR