TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Teprica kreditore e TVSH-së, është diferenca midis TVSH-së së llogaritur për furnizimet e kryera nga tatimpaguesi, me TVSH-në e zbritshme për furnizimet e marra nga ai, gjatë një periudhe tatimore.

Tatimpaguesit që rezultojnë me tepricë kreditore të TVSH-së, mund të kërkojnë të rimbursohen, sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin “Për TVSH-në” dhe procedures në Udhëzimin e Ministrit të Financave.

Lindja e të drejtës për rimbursim të tepricës kreditore të TVSH

Tatimpaguesit i lind e drejta për të kërkuar rimbursimin e TVSH-së, kur :

1. të ketë mbartur tepricën kreditore, për 3 muaj radhazi dhe

2. shuma e tvsh-së e kërkuar për t’u rimbursuar të jetë më e madhe se 400.000 lekë.

Për eksportuesit nuk përbën kusht numri i periudhave tatimore për të cilat ata rezultojnë me tepricë kreditore, por vetëm që kjo tepricë të jetë më e madhe se 400.000 lekë.

Afatet për kryerjen e rimbursimit të TVSH-së

  1. Për tatimpaguesit eksportues, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
  2. Për tatimpaguesit që nuk kategorizohen si eksportues, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

Formulari i kërkeses për rimbursim

Tatimpaguesi duhet të plotësojë në formë elektronike, nëpërmjet llogarisë së tij në sistemin e tatimeve, “Kërkesë për Rimbursim” e shfaqur në nënmenunë “Kontabilitet”. Në vijim duhet të klikojë në linkun “Krijo një kërkesë të Re Rimbursimi” për të vijuar me plotësimin e formatit të kërkuar.

Shënim i AlProfit Consult

Pasi të plotësohet, duhet të printohet dhe ti drejtohet me postë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Verifikimi paraprak i kërkesave për rimbursim

Kërkesa për rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH e paraqitur nga tatimpaguesi i nënshtrohet proçesit të verifikimit paraprak në lidhje me:

  1. Përputhshmërinë e shumës së kërkuar për rimbursim sipas formularit “Kërkesë për rimbursim”, me shumën e TVSH-së së zbritshme që rezulton në llogarinë e tatimpaguesit.
  2. Plotësimin e kritereve ligjore për rimbursim, të cilat lidhen me:
  • Verifikimin, nëse teprica e TVSH-së së zbritshme të kërkuar për rimbursim është më e madhe se 400.000 lekë, për tatimpaguesit eksportues;
  • Verifikimin, nëse rezulton me TVSH të zbritshme për secilën nga tri periudhat e njëpasnjëshme, shumë e cila pas këtyre tri periudhave duhet të jetë më e madhe se 400.000 lekë, për tatimpaguesit e tjerë joeksportues.

Pranimi i kërkesës për rimbursim

Kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret janë plotësuar, kërkesa konsiderohet e pranuar. Për këtë, tatimpaguesi njoftohet zyrtarisht sipas formularit përkatës të miratuar për këtë qëllim, duke njoftuar gjithashtu edhe Degën e Thesarit.

  • Në rastin e pranimit të kërkesës për rimbursim, brenda 5 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës nga administrata, tatimpaguesi do të marrë dokumentin “Njoftim për pranimin e kërkesës për rimbursim të TVSH-së”.
  • Njëkohësisht në këtë dokument tatimpaguesi vihet në dijeni se rimbursimi i TVSH-së, do të kryhet sipas një proçedure të bazuar në analizën e riskut për rimbursim.

Analiza e riskut të kërkesave për rimbursim

Mënyra e trajtimit të kërkesave për rimbursim mund të ndryshojë në varësi të shkallës së riskut dhe vlerës së TVSH-së së kërkuar për rimbursim.

  • Nëse tatimpaguesi është eksportues me risk zero, kërkesa per rimbursim nuk i nënshtrohet analizës së riskut për rimbursim dhe rimbursimi kryhet automatikisht.
  • Nëse tatimpaguesi nuk është eksportues me risk zero, por vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut.
  • Nëse tatimpaguesi nuk është eksportues, atëherë rimbursohet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.
  • Kërkesat për rimbursim, të cilat pas analizës konsiderohen pa risk, miratohen për rimbursim automatik të shumës së kërkuar, duke mos kryer kontroll të tatimpaguesit përpara se të miratohet rimbursimi i TVSH-së.

Mospranimi i kërkeses për rimbursim

Kur nga procesi i verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se nuk janë plotësuar kriteret, kërkesa konsiderohet e parregullt dhe nuk pranohet. Në këtë rast tatimpaguesi njoftohet zyrtarisht sipas formularit përkatës të miratuar për këtë qëllim.

Tatimpaguesi mund të paraqesë një kërkesë të re për rimbursim sipas rregullave të mësipërme, vetëm pasi të ketë rregulluar situatën dhe të ketë eliminuar shkaqet për të cilat nuk iu pranua kërkesa e mëparshme.

Kërkesat për rimbursim që rezultojnë me risk

Nëse kërkesa për rimbursim rezulton me risk për rimbursim, Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT, e dërgon në drejtorinë rajonale ku është regjistruar tatimpaguesi për:

  • kontroll nga zyra ose
  • kontroll në vend para se të rimbursohet.

Procedura e kontrollit kryhet siç është parashikuar në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar.

Afatet e kryerjes së kontrollit

  • Në rastin kur tatimpaguesi i nënshtrohet kontrollit tatimor,afati për përfundimin e raportit të kontrollit nga inspektori/inspektorët është, jo më shumë se 5 ditë kalendarike pas përfundimit të tij.
  • Afati për kundërshtimin e rezultateve të kontrollit tatimor nga tatimpaguesi është jo më shumë se 5 ditë kalendarike pas datës kur vlerësohet se është marrë raporti i kontrollit.

Pagesa e shumës së miratuar për rimbursim

Pas miratimit të shumës së TVSH-së për t’u rimbursuar, plotësohet urdhër-pagesa për rimbursim (UPR) me shumën e TVSH-së që do të rimbursohet dhe i dërgohet degës së thesarit, e cila paguan shumën e rimbursueshme të TVSH-së brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së urdhër-pagesës ngaDrejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT-të.

Për më shumë informacion klikoni në www.tatime.gov.al, drejtohuni në sportelet e shërbimit ndaj tatimpaguesve në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, ose telefononi në numrin pa pagesë 0800 00 02 të Qendrës së Thirrjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Shkarko këtu dhe më poshtë kartelën informative.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online