Rregullimet e zbritjes së TVSH-së. Afati, mallrat kapitale dhe rastet

Pikat kryesore
  • Rregullimi i TVSH-së së zbritur bëhet kur ndryshojnë kushtet mbi të cilat u ushtrua zbritja fillestare.
  • Mallrat kapitale kanë periudhë rregullimi më të gjatë se mallrat e tjera.
  • Rregullimi bëhet brenda afatit të caktuar nga ligji dhe pasqyrohet te deklarata.
  • Ka raste ku rregullimi nuk kërkohet, dhe ligji i përcakton shprehimisht.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Rregullat u krahasuan me ligjin nr. 92/2014, neni 82. Deklarimi dhe librat, faqja e burimit

Rregullimi nuk është gabim i korrigjuar. Është mekanizëm i parashikuar nga ligji për rastet kur përdorimi i mallit ndryshon pas blerjes, për shembull kur një aktiv kalon nga veprimtaria e tatueshme te ajo e përjashtuar.

Te mallrat kapitale kjo ka rëndësi të veçantë, sepse periudha e rregullimit shtrihet në disa vite. Kjo do të thotë se një shitje ose ndryshim përdorimi pas tre vjetësh mund të kërkojë ende rregullim. Trajtimi i aktiveve te tatimi mbi fitimin është te faqja jonë e shpenzimeve të zbritshme.

Parime të përgjithshme mbi rregullimin e TVSH së zbritur

Bazuar në nenin 82 të ligjit Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, duhet të zbatohen disa rregulla sipas së cilave do të kryhen rregullimet e TVSH-së së zbritur. Nëse zbritja e TVSH-se është kryer siç duhet dhe/ose nuk lidhet me mallra të përjashtuara nga e drejta e zbritjes, atëherë zbritja e ushtruar në kushtet e parashikuara në përputhje me ligjin nuk është në kushtet e një rregullimi të TVSH-së së zbritur.

Zbritja e TVSH-së e kryer më parë rregullohet kur është më e lartë apo më e ulët se ajo vlerë për të cilën personi i tatueshëm ka gëzuar të drejtën e zbritjes.

Kështu ligji parashikon se duhet të kryhet një rregullim kur koeficienti i zbritjes së pjesshme të mallit apo shërbimit duhet të modifikohet për shkak të ndryshimit/ zgjerimit të përdorimit të mallit apo kur ndodhin ngjarje, të cilat detyrojnë ndryshimin e përdorimit te mallit ose shërbimit.

Afati i rregullimit

Rregullimet mund të kryhen brenda një afati dhjetë-vjeçar për mallrat kapitale të paluajtshme, pesë-vjeçar për mallrat kapitale të luajtshme duke filluar nga data në të cilën mallrat janë blerë ose prodhuar, me kusht që çmimi i blerjes ose kosto e prodhimit të tyre të jetë mbi 500,000 (pesëqind mijë) lekë pa përfshirë TVSH- në.

Rregullimet e kryera mund të rezultojnë ose me derdhjen e një pjese të TVSH- së së zbritur ose me një zbritje shtesë. Në të dyja rastet ato deklarohen në librin e blerjes dhe në rubrikën përkatëse të Deklaratës së TVSH-së, sipas efektit plus (+) ose (-) në zbritje të TVSH-së.

Kujdes!

Asnjë rregullim nuk mund të kryhet për mallrat me koeficient tatueshmërie të barabartë me zero, pra mallra të cilat që në fillim nuk janë përdorur nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë për realizimin e transaksioneve brenda fushës së zbatimit të TVSH.

Rregullimet e zbritjes për mallrat kapitale

Zbritja fillestare e TVSH-së korrigjohet atëherë kur shfrytëzimi i mallrave kapitale pëson ndryshim që ndikon në të drejtën e personit të tatueshëm për zbritjen e shumës së TVSH-së, që mund të jetë më e vogël apo më e lartë.

Korrigjimi vjetor bëhet vetëm për pjesën e së dhjetës ( p.sh 1/10) e TVSH-së së pasurisë të paluajtshme dhe për pjesën e të pestës (p.sh. 1/5) të TVSH-së të mallrave të tjera kapitale, mbi TVSH-në e mallrave kapitale.

Korrigjimi duhet të bëhet mbi bazat e ndryshimeve të së drejtës së zbritjes për vitet pasuese që ndërlidhen me vitin kur mallrat kapitale janë pranuar(blerë ose prodhuar). Viti kalendarik i papërfunduar do të merret si vit i plotë. Veprimet e rregullimit të zbritjes duhet të pasqyrohen në librin e blerjeve dhe ne kutinë përkatëse të Deklaratës së TVSH-së.

Rast mosrregullimi

Personi i tatueshëm nuk është i detyruar të korrigjoje zbritjen nëse diferenca e TVSH-së së zbritshme për t’u korrigjuar është më e vogël se 20,000 (njëzet mijë) lekë.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR