Pikat kryesore
  • Dividendi i marrë përjashtohet nga të ardhurat e tatueshme kur pjesëmarrja është të paktën 10% dhe mbahet 24 muaj pa ndërprerje.
  • Zbritja e interesit ka kufizime të posaçme, prandaj jo çdo shpenzim interesi njihet.
  • Provigjionet dhe zbritja e borxhit të keq për institucionet financiare ndjekin kushte sipas llojit të kredisë.
  • Kushti i 24 muajve matet në kohë të pandërprerë, jo si shumë periudhash.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Teksti u krahasua me ligjin nr. 29/2023, nenet 29 dhe 58. Dividendi, faqja e burimit

Përjashtimi në pjesëmarrje është rregulli që shmang tatimin e dyfishtë brenda grupit. Kur një shoqëri mban të paktën 10% të një shoqërie tjetër për 24 muaj, dividendi që merr nuk i shtohet fitimit të saj të tatueshëm. Rregullat e shpërndarjes dhe norma 8% janë te faqja jonë e dividendit.

Kufizimi i interesit prek sidomos shoqëritë e financuara nga ortakët ose nga palë të lidhura. Përpara se interesi të merret si shpenzim i njohur, verifikohen kufijtë e ligjit dhe rregullat e shpenzimeve të zbritshme.

Përjashtimi në pjesëmarrje

Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një entiteti rezident, dividendët e marrë përjashtohen nga e ardhura e tatueshme në qoftë se:

a) entiteti marrës ka aksione apo pjesëmarrje prej të paktën 10%, në vlerë ose në numër në kapitalin aksionar ose të drejtat e votimit të entitetit shpërndarës; dhe

b) aksionet ose pjesëmarrja minimale janë mbajtur për një periudhë të pandërprerë prej së paku 24 muajsh.

Pika 1 e këtij neni zbatohet edhe për entitetin jorezident të tatimit mbi të ardhurat e korporatës nëse pjesëmarrja ka të bëjë me veprimtaritë e biznesit të kryera nga një jorezident në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet një entiteti të krijuar në Republikën e Shqipërisë.

Nëse dividendët janë shpërndarë nga entiteti pagues për një entitet marrës, i cili nuk i ka mbajtur ende aksionet apo pjesëmarrjen për një periudhë 24-mujore, por që i plotëson kushtet e pikave 1, shkronja “a”, ose 2 të këtij neni, entiteti marrës mund që përkohësisht të kërkojë përjashtimin e dhënë në këto pika, me kusht që të vendosë për administratën tatimore garanci për shumën e tatimit që do të ishte e pagueshme në mungesë të atij përjashtimi. Administrata tatimore mund të tërheqë garancinë nëse entiteti marrës nuk i mban aksionet apo pjesëmarrjet minimalisht për të paktën 24 muaj. Përjashtimi bëhet i formës së prerë dhe garancia i kthehet marrësit në datën që aksionet ose pjesëmarrja është mbajtur minimalisht për 24 muaj.

Rregullat e kufizimit të interesit

Në masën e lejuar në këtë ligj, interesi është i zbritshëm ndaj të ardhurave nga veprimtaria në vitin tatimor në të cilin është realizuar deri në tridhjetë për qind (30%) të fitimeve të subjektit para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA).

Fitimi para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA) llogaritet duke u shtuar të ardhurave që i nënshtrohen tatimit shumat e rregulluara nga tatimi për interesat e tepërta, si dhe shumat e rregulluara nga tatimi për zhvlerësimin dhe amortizimin. Të ardhurat e përjashtuara nga tatimi përjashtohen edhe nga EBITDA e entitetit.

Për qëllimet e këtij neni, “interesi i tepërt” nënkupton shumën me të cilën interesi i zbritshëm i një entiteti tejkalon të ardhurat e tatueshme nga interesi dhe të ardhurat e tjera të tatueshme ekonomikisht ekuivalente që merr entiteti.

Interesi për të cilin refuzohet zbritja si rezultat i zbatimit të pikës 1 të këtij neni, mbartet për 5 vjetët e ardhshëm.

Ky nen nuk zbatohet për:

  • bankat, institucionet financiare jobankare të kredidhënies, shoqëritë e sigurimit dhe shoqëritë e lizingut;
  • interesat lidhur me kreditë e përdorura për financimin e një projekti afatgjatë të infrastrukturës publike ku operatori i projektit, kostot e huamarrjes, asetet dhe të ardhurat janë të gjitha në Republikën e Shqipërisë.

Rregullat për zbatimin e këtij neni përcaktohen në udhëzimin përkatës të miratuar nga ministri përgjegjës për financat.

Provigjionet dhe zbritja e borxhit të keq për institucionet financiare

Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të institucioneve financiare, të rregulluara nga autoritetet rregullatore, lejohet zbritje për shumat që do të vendosen dhe/ose do të rrisin:

  • provigjionet teknike të detyrueshme të krijuara në zbatim të ligjit në fuqi për veprimtaritë e sigurimit dhe të risigurimit; dhe
  • provigjionet e detyrueshme për bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare jobanka dhe shoqëritë e kursim-kreditit të krijuara në përputhje me standardet e hartuara nga Bordi i Standardeve Kontabël Ndërkombëtare dhe të certifikuara pa vërejtje nga auditues të jashtëm.
  • shpenzimet e bankave për kontributet vjetore dhe të jashtëzakonshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë, janë shpenzime të njohura në përcaktimin e fitimit të tatueshëm.

Zbritja e plotë e borxhit të keq lejohet nëse kushtet e mëposhtme përmbushen në të njëjtën kohë:

  • borxhi i keq, i përfshirë më parë në të ardhurat, hiqet nga kontabiliteti i entitetit;
  • janë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të mbledhur borxhin; dhe
  • provigjionet e krijuara sipas pikës 1 të këtij neni duhet t’i shtohen fitimit të tatueshëm.

Në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq, lidhur me procesin e kredidhënies, njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e këtyre kushteve:

Kushtet sipas llojit të kredisë

  • në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme:
    • 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi ligjor, ose;
    • në momentin e ekzekutimit të pasurisë të luajtshme ose të paluajtshme, cilado qoftë data më e hershme.
  • në rast se kredia nuk është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, 365 ditë pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nga gjykata.

Kur një provigjion i borxhit të keq është aplikuar më parë në një pretendim që është vendosur apo ka marrë zgjidhje, shuma e rikuperuar duhet t’i shtohet fitimit të tatueshëm në vitin që rikuperohet, përveç nëse transferohet në lidhje me një riorganizim biznesi sipas nenit 46 të këtij ligji.

Shkarko ligjin e plotë:

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR