- Amortizimi tatimor llogaritet me norma të caktuara nga ligji, të cilat nuk përputhen domosdoshmërisht me normat kontabël.
- Normat janë 5% për ndërtesat dhe instalimet mbi 15 vjet, 15% për aktivet jo të trupëzuara, 25% për kompjuterat dhe software-in, dhe 20% për aktivet e tjera.
- Inventari vlerësohet sipas rregullave të ligjit, prandaj diferenca me vlerësimin kontabël duhet dokumentuar.
- Humbja mbartet për pesë periudha tatimore pasuese dhe humbet kur pronësia ndryshon mbi 50%.
Ky artikull mban tekstin e ligjit për amortizimin, vlerësimin e inventarit, borxhin e keq dhe mbartjen e humbjeve. Shpjegimin praktik me shembuj e mban faqja jonë e shpenzimeve të zbritshme, ndërsa rregullat e humbjeve janë te faqja e humbjeve të mbartura.
Gabimi që shohim më shpesh është marrja e amortizimit kontabël drejtpërdrejt si shpenzim tatimor. Ligji ka normat e veta dhe metodën lineare, prandaj diferenca mes fitimit kontabël dhe atij tatimor është e pritshme. Ajo nuk është gabim, por duhet dokumentuar në mënyrë që të qëndrojë në një kontroll.
| Kategoria e aktivit | Norma vjetore, metodë lineare |
|---|---|
| Ndërtesat, instalimet dhe ndërtimet që shërbejnë mbi 15 vjet | 5% |
| Aktivet jo të trupëzuara | 15% |
| Kompjuterat, sistemet e informacionit, software-i dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave | 25% |
| Aktivet e tjera | 20% |
Për borxhin e keq, pika që harrohet është dokumentimi. Zbritja nuk njihet vetëm sepse klienti nuk ka paguar. Duhet provuar se janë ndjekur rrugët e arkëtimit dhe se kërkesa është e pambledhshme, përndryshe shpenzimi rikthehet në kontroll.
Amortizimi
1. Për përcaktimin e fitimit të tatueshëm, amortizimi për aktivet fikse të biznesit llogaritet dhe zbritet nga:
a) pronari i aktiveve të biznesit, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në shkronjën “b” të kësaj pike;
b) personi që mbart riskun për humbjen apo dëmtimin e aktiveve, në rastet e aktiveve të dhëna me qira, uzufruktit apo ndonjë forme tjetër të parashikuar me dispozita ligjore.
2. Aktivet financiare dhe aktivet fikse të trupëzuara, që nuk janë subjekt i konsumimit dhe vjetrimit, të tilla si: toka, trualli, veprat e artit, sendet antike, bizhuteritë, metalet dhe gurët e çmuar, nuk amortizohen.
3. Kostot, që lidhen me blerjet, ndërtimin ose përmirësimin e aktiveve fikse që nuk janë subjekt i amortizimit, janë të zbritshme në vitin tatimor në të cilën aktivet fikse janë tjetërsuar, me kusht që të ardhurat nga tjetërsimi janë të përfshira në fitimin e tatueshëm.
4. Amortizimi në vitin e blerjes apo të futjes në përdorim të aktivit dhe në vitin e nxjerrjes jashtë përdorimit përllogaritet në përpjesëtim me periudhën e përdorimit gjatë atij viti.
5. Amortizimi i kostove të blerjes ose ndërtimit, si dhe kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, instalimeve dhe ndërtimeve, që shërbejnë për një periudhë prej më shumë se 15 vjetësh, llogaritet në mënyrë individuale për çdo aktiv me normën e amortizimit 5% të këtyre kostove për vitin tatimor.
Normat e amortizimit sipas kategorive të aktiveve
6. Amortizimi i kostove të aktiveve jo të trupëzuara llogaritet në mënyrë individuale sipas metodës lineare për secilin aktiv në masën 15% të këtyre kostove për vitin tatimor.
7. Amortizimi për kategoritë e mëposhtme të aktiveve llogaritet në mënyrë individuale sipas metodës lineare me përqindje si më poshtë:
a) kompjuterat, sistemet e informacionit, produktet e programeve kompjuterike (software) dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave me 25%;
b) të gjitha aktivet e tjera të veprimtarive të biznesit me 20%.
8. Në çdo kategori të përshkruar në pikën 7, përqindja e amortizimit, e specifikuar në këtë nen, zbatohet mbi bazën e amortizimit të kategorisë përkatëse.
9. Kur një aktiv, siç është përmendur në pikat 5, 6 dhe 7, del jashtë përdorimit gjatë një viti tatimor, vlera kontabël e mbetur për qëllime tatimore është e zbritshme në atë vit, ndërkohë që të ardhurat e mundshme nga nxjerrja jashtë përdorimit të jenë përfshirë në fitimin e tatueshëm.
10. Baza e amortizimit është e barabartë me koston e blerjes ose krijimit të aktivit, duke shtuar koston e rikonstruksionit të aktiveve të kategorisë përkatëse gjatë vitit tatimor.
11. Baza e amortizimit për autoveturat 1+4 të personelit nuk mund të jetë më e lartë se 50% e kostove të blerjes dhe rikonstruksionit, përfshirë TVSH-në. Kostoja e plotë e autoveturës 1+4, e cila amortizohet 50%, nuk mund të jetë më e lartë se 10,000,000 lekë.
Rastet e veçanta të bazës së amortizimit
12. Në rastin kur baza e amortizimit është një shumë negative, kjo shumë i shtohet fitimit të tatueshëm dhe baza e amortizimit do të konsiderohet e barabartë me zero.
13. Në rastin kur baza e amortizimit nuk kalon 10,000 lekë, e gjithë baza e amortizimit do të konsiderohet një shpenzim i zbritshëm.
14. Në rastet e rivlerësimit të aktiveve të biznesit, amortizimi nuk do të lejohet për shumën e rivlerësuar.
Vlerësimi i inventarit
1. Tatimpaguesi duhet vazhdimisht të përdorë metodën e njëjtë kontabël për vlerësimin e inventarit, përfshirë edhe inventarin në proces. Metoda kontabël nuk mund të ndryshohet më shumë se një herë në pesë vite tatimore.
2. Zhvlerësimi dhe rivlerësimi i inventarit, pas njohjes fillestare, sipas përcaktimeve të ligjit për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, nuk njihen për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm. Ky rregull zbatohet edhe për aktivet financiare dhe aktivet jomateriale.
3. Inventari i imët amortizohet në masën 50% në vitin e blerjes së tij dhe në masën 50% në vitin pasardhës.
Zbritjet e borxhit të keq
1. Zbritja lejohet për një pjesë të vlerës nominale të çdo arkëtimi nga një palë e palidhur, që ishte përllogaritur si e ardhur, e cila mbetet e papaguar dhe për të cilën tatimpaguesi beson se borxhi nuk do të jetë tërësisht ose pjesërisht i likuiduar dhe tatimpaguesi ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbledhjen e borxhit të keq, të përcaktuar në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat si më poshtë:
a) deri në 20% të borxhit të keq, kur në fund të vitit tatimor borxhi i keq është i papagueshëm për më shumë se 6 muaj;
b) deri në 40% të borxhit të keq, kur në fund të vitit tatimor borxhi i keq është i papagueshëm për më shumë se 12 muaj;
c) deri në 60% të borxhit të keq, kur në fund të vitit tatimor borxhi i keq është i papagueshëm për më shumë se 24 muaj;
ç) deri në 85% të borxhit të keq, kur në fund të vitit tatimor borxhi i keq është i papagueshëm për më shumë se 36 muaj.
2. Zbritja e plotë e borxhit të keq lejohet nëse kushtet e mëposhtme përmbushen në të njëjtën kohë:
a) borxhi i keq, i përfshirë më parë në të ardhurat, hiqet nga librat kontabël të tatimpaguesit, dhe
b) tatimpaguesi ka ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm ligjorë për mbledhjen e borxhit të keq.
3. Kur një zbritje e një borxhi të keq është aplikuar më parë në një pretendim që është rënë dakord ose jo, shuma e rifituar duhet t’i shtohet fitimit të tatueshëm në vitin e rikuperimit të shumës, përveç rasteve kur mund të jetë transferuar në një proces riorganizimi të biznesit.
4. Ky nen nuk zbatohet për institucionet financiare (përfshirë shoqëritë e sigurimit).
Mbartja e humbjeve
1. Nëse fitimi i tatueshëm rezulton në humbje në një vit tatimor, një humbje e tillë mund të kompensohet me fitimet e tatueshme në pesë vjetët e ardhshëm tatimorë, sipas parimit “humbja e parë më parë se humbja e fundit”.
2. Dispozitat e pikës 1 të këtij neni nuk zbatohen për humbjet e pësuara në vitin tatimor dhe vitet e mëparshme nëse ndodh një ndryshim në pronësi që tejkalon 50% të aksioneve, kuotave ose të drejtave të votës, me kusht që kjo të shoqërohet me një ndryshim të aktivitetit. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim zbatimin e këtij neni.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.
Dërgomë njoftimet falas
