Këshilli i Ministrave miraton ndryshimet në projektligjin “ Për tatimin mbi të ardhurat”

Postim historik, 19 korrik 2020. Ky postim është një lajm ose njoftim nga viti 2020 dhe mund të mos reflektojë më rregullat në fuqi. Për informacionin aktual shihni faqen tonë të burimeve tatimore.
Shënim mbi bazën ligjore, shtator 2026. Kjo faqe i referohet ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, për tatimin mbi të ardhurat, i cili nuk është më në fuqi. Ai është zëvendësuar nga ligji nr. 29/2023. Përmbajtja më poshtë ruhet për referencë, por para se të veproni verifikoni rregullin aktual.

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Qëllimi i këtij projektligj është të ndihmojë në realizimin e reformave të ndërmarra së fundmi nga qeveria në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, si dhe të lehtësojë barrën fiskale për disa kategori biznesi, nëpërmjet zerimit të shkallës tatimore.

Më konkretisht:

  • Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë, është 5% për qind.
  • Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 deri në 5 milionë lekë, është 0 lekë në vit.

Gjithashtu propozohet që tatimpaguesit me qarkullim, deri në 14 milionë lekë të mos tatohen, pra norma e tatim fitimit të jetë në shkallën 0%.

Rritja e pragut të TVSH-së

Ndër të tjera ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë për qëllim harmonizimin dhe me ndryshimet ligjore të propozuara në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, ku parashikohet një rritje e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë qarkullim vjetor që është aktualisht në 10 milionë lekë qarkullim vjetor.

Ministria e Financave vlerëson se efektet në buxhetin e shtetit nga këto ndryshime do të jenë në masën -300 milionë lekë/vit dhe do të përfitojnë rreth 12,257 subjekte.

Qeveria shqiptare në vitet e fundit  ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme për sa i përket tatimit mbi  fitimit dhe tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Burimi: Ministria e Financave.

Për më shumë informacion rreth ndryshimeve të pritshme ligjore, situatën tuaj, apo informacione të tjera mos hezitoni të kontaktoni Kontakto

“P R O J E K T L I GJ PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Ndryshimet nen për nen

Neni 1

Në pikën 1, të nenit 16, “Fusha e veprimit të tatimit mbi fitimin”, bëhen ndryshimet e mëposhtme: 1. Në shkronjën “a”, fjalët “… dhe që janë të regjistruar për TVSH-në …” zëvendësohen me“… me të ardhura mbi 8,000,000 lekë në vit …”. 2. Në shkronjën “c” hiqen fjalët “… kur ky është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar…”.

Neni 2

Pika 1, e nenit 28, “Shkalla tatimore”, ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: • 0% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14,000,000 lekë në vit. • 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14,000,000 lekë në vit.”. Neni 3 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.”

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR