TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Ndryshimet në kufirin e regjistrimit për TVSH-në dhe profesionet e lira

Së fundmi, është publikuar VKM Nr. 576, datë 22.07.2020, për disa ndryshime, në nenin 10/1 dhe 11 të VKM 953, për dispozitat zbatuese të ligjit për TVSh. Ndryshimet konsistojnë në uljen e limitit të qarkullimit për regjistrimin e përgjegjësisë tatimore të TVSh, nga 2 milion Lekë në 10 milion Lekë.

Gjithashtu hiqen edhe përcaktimet e kaluara për detyrimin e regjistrimit në regjimin e TVSh të profesioneve të lira e prodhuesit bujqësor. Interesante është edhe lejimi i regjistrimit vullnetar të regjistrimit në përgjegjësinë e TVSh, me kushtin që qarkullimi i tij të tejkalojë shumën 5  milion Lekë.

Më poshtë paraqiten ndryshimet në VKM 953, datë 29.12.2014, me tekstin e kaluar, përpara ndryshimeve të fundit, dhe ndryshimet në fjalë.

“VENDIM

Nr. 576, datë 22.7.2020

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 953, DATË 29.12.2014, TË

KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.

92/2014, ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E

SHQIPËRISË’”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 10/1 (Ndryshuar)

Afati i paraqitjes së deklaratës dhe regjistrave përmbledhës për kategorinë e personave të tatueshëm me qarkullim vjetor dy deri në pesë milionë lekë.

Në zbatim të nenit 107, të ligjit, personat e tatueshëm, që realizojnë një qarkullim vjetor mbi kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, të përcaktuar në pikën 1, të nenit 11, të këtij vendimi, por jo më shumë se 5 milionë lekë, dorëzojnë deklaratën e TVSH-së mbi baza mujore, brenda datës 14 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik.

Gjithashtu, në zbatim të nenit 109 të ligjit, kjo kategori personash të tatueshëm e shoqëron deklaratën e TVSH-së me regjistrat përmbledhës, përkatësisht librin e blerjes dhe librin e shitjes, mbi baza mujore, brenda datës 10 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik.

Parashikimet e mësipërme nuk zbatohen për personat e tatueshëm, për të cilët kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre. (Fillestar)

Shfuqizohet (Ndryshuar).

Neni 11

Përcaktimi i kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)

1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni. (Fillestar).

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.” (Ndryshuar).

2.Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit.

(Shfuqizohet me efekt nga 1 Janari 2021 me VKM Nr. 576, datë 22.07.2020, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 139, datë 29.07.2020.) (Fillestar).

2. Shfuqizohet (Ndryshuar)

3. Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të

fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit. Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së. (Fillestar).

3. Shfuqizohet (Ndryshuar)

Shënim: Me ngjyrë që kuqe janë shënuar ndryshimet dhe teksti final pas ndryshimeve.

Shkarko këtu VKM 953 të përditësuar.

Burimi: Fletore Zyrtare.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online