TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

P R O J E K T L I G J

Nr._____, Datë ____.____.2022

“PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR . 9920, DATË 19.05.2008 ‘PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

VENDOSI:

Neni 1

Në nenin 5  “Përkufizime”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

– Në nenin 5 shkronjat (g), (h) dhe (j) ndryshohen si më poshtë vijon:

g) “tatimpagues” nënkupton çdo person që është:

  1. subjekt i tatimeve sipas legjislacionit tatimor në fuqi, të listuara në paragrafin 2, shkronja “a” deri “dh” të nenit 4 të këtij ligji;
  2. subjekt i tatimeve, taksave dhe tarifave vendore, të listuara në paragrafin 3 të nenit 4 të këtij ligji;
  3. subjekt i pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas legjislacionit përkatës në fuqi për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore;
  4. agjent i mbajtjes së tatimit në burim në rastet kur parashikohet nga ky ligj, apo ligjet e tjera tatimore.

“ h) “Person i lidhur” nënkupton çdo person që është i lidhur me një person tjetër në një marrëdhënie që ndikon drejtpërdrejt ose tërthorazi në përcaktimin e bazës tatimore, qoftë nëpërmjet menaxhimit, kontrollit apo pronësisë. Në përgjithësi, dy persona janë të lidhur nëse njëri ose të dy personat mund të veprojnë sipas udhëzimeve, kërkesave, sugjerimeve ose vullnetit të personit tjetër ose të një personi të tretë.

Personat e mëposhtëm do të trajtohen si persona të lidhur:

  1. Burri dhe gruaja, parardhës dhe pasardhës, ndërmjet tyre ose ndërmjet njëri-tjetrit.
  2. Një njësi ekonomike në të cilën çdo person zotëron drejtpërdrejt ose tërthorazi të paktën 50 për qind të të drejtave të votimit ose të menaxhimit, të drejtave të shpërndarjes së dividentit ose të drejtave të kapitalit.
  3. Çdo dy ose më shumë njësi ekonomike në të cilën një person tjetër zotëron ose mbart të paktën 50 për qind të të drejtave të votimit ose menaxhimit, të drejtave të shpërndarjes së dividentit ose të drejtave të kapitalit në të dy njësitë ekonomike.

Kur zbatohen nëndarjet (ii), ose (iii) më sipër, zotërimi që i atribuohet një personi nga një person i lidhur nuk mund t’i atribuohet një personi tjetër të lidhur. Dy persona nuk do të konsiderohen të lidhur vetëm sepse njëri prej tyre konsiderohet i punësuar ose klient i personit tjetër, ose të dy konsiderohen të punësuar ose klientë të një personi të tretë, përveç rastit kur një marrëdhënie e tillë ndikon në përcaktimin e bazës tatimore, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte.”

(j) “Ambulant” nënkupton një person tatimpagues, i cili tregton mallra ose shërbime për publikun, por pa pasur një vend biznesi fiks, por ushtron aktivitet në njësi të vetme tregtimi të lëvizshme, apo lejohet të tregtojë në ambiente publike të autorizuara nga strukturat e pushtetit  vendor që administrojnë territorin, dhe që për qëllime të pagesës së tatimeve dhe kontributeve regjistrohen si tatimpagues ambulant në Administratën Tatimore.”

“(k) “person” nënkupton çdo person fizik dhe entitet;

(l) “person fizik” nënkupton çdo individ, individ të vetpunësuar apo individ tregtar.  Ai përfshin të punësuarit, të vetpunësuarit, tregtarët individualë, si dhe çdo person tjetër fizik, i cili ka të ardhura nga çdo burim, të ardhura të marra nga trashëgimitë apo dhurimet, apo fitime nga lojrat e fatit;

(m) “entitet” nënkupton: (i) çdo shoqëri apo çdo strukturë të organizimeve të korporuara apo jo-korporuara (pavarësisht formës) të natyrës fitimprurëse ose jo-fitimprurëse, (ii) organizatat fitimprurëse dhe jofitimprurëse, (iii) ndonjë formë “trusti” të huaj, apo strukture të ngjashme, (iv) ndonjë formë partnershipi apo ndonjë entitet të natyrës personale, (v) çdo formë të joint-venture, (vi) çdo formë kompanie menaxhimi kapitalesh apo asetesh, (vii) çdo formë e shoqërive sipas kodit civil apo ligjit të shoqërive tregtare, (viii) partnership-et pasive apo në ‘fjetje”;  

(n) “individ i vetëpunësuar” nënkupton çdo person fizik i angazhuar në furnizimin e çdo lloj shërbimi, apo i angazhuar në veprimtari të tjera profesionale, të ndryshme nga veprimtaria tregtare;

(o) “individ tregtar” nënkupton çdo person fizik i angazhuar në veprimtari tregtare.”

Neni 2

Neni 8 “Tatimpaguesi rezident dhe jorezident” ndryshon me përmbajtjen si më poshtë vijon:

 “Personat rezidentë dhe jorezidentë marrin kuptimin e tyre si në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.”

Neni 3

Neni 15 “Zyrat tatimore të qeverisjes vendore”, ndryshon si më poshtë vijon;

“Zyrat tatimore të qeverisjes vendore funksionojnë dhe zbatojnë ligjin për sistemin e taksave vendore dhe administrojnë taksat, detyrimet tatimore dhe pagesat publike vendore.”

 Neni 4  

Në nenin 16 “Struktura e administratës tatimore qendrore” pika 3, ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Administrata tatimore qendrore është e organizuar në drejtori dhe njësi të tjera sipas funksioneve të mëposhtme:

a) funksionet bazë dhe operacionale, ku bëjnë pjesë:

i) shërbimi, regjistrimi dhe edukimi i tatimpaguesit;

 ii) menaxhimi i riskut, kontrolli i tatimpaguesve; kontabiliteti dhe statistika;

iii) mbledhja e detyrimeve tatimore të papaguara/zbatimi i masave shtrënguese;

iv) hetimi tatimor; verifikimi në terren;

v) investigimi i brendshëm antikorrupsion, auditi i brendshëm.

b) funksionet mbështetëse, ku bëjnë pjesë: financa dhe buxheti, rimbursimi i tatimeve, shërbimi teknik dhe ligjor, shërbimet mbështetëse, burimet njerëzore, marrëdhëniet me jashtë dhe menaxhimi i projekteve, proceset e biznesit.”

Neni 5

Neni 39, “Regjistri i individëve”, ndryshohet me përmbajtje si më poshtë vijon:

1. Administrata tatimore mban regjistër të veçantë të individëve sipas të dhënave të gjendjes civile,  të cilët kanë fituar zotësi të plotë për të vepruar, për efekt të deklarimit nga ana e tyre të të ardhurave individuale të realizuara.

2. Si numër identifikimi për qëllime tatimore, për tatimpaguesit individ, shërben numri personal i identifikimit, i marrë nga gjendja civile në përputhje me legjislacionin e fushës.

3. Drejtoria e gjendjes civile njofton menjëherë administratën tatimore për çdo ndryshim apo përditësim të të dhënave të individëve.

4. Individët që mbartin detyrimin ligjor të dorëzimit të deklaratës individuale të të ardhurave vjetore, të cilët nuk e përmbushin këtë detyrim, njoftohen nga administrata tatimore me qëllim vetëpërmbushjen.

5. Nëse individi nuk përmbush detyrimin sipas pikës 4, drejtorisë rajonale të juridiksionit, i lind e drejta të kryejë vlerësimin e detyrimeve tatimore përkatëse dhe të regjistrojë individin.

Neni 6 

Në nenin 57 “Dokumentimi dhe mbajtja e llogarive për qëllime tatimore”, pika 1 ndryshon si më poshtë vijon:

1. “Tatimpaguesi mban kontabilitetin, në përputhje me dispozitat në fuqi të legjislacionit për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare si dhe me aktet e nxjerra në zbatim të tij.”

Neni 7

Pas nenit 59, shtohet neni 59/1 dhe neni 59/2 si më poshtë vijon:

“Neni 59/1
Detyrimi për të depozituar paratë (kartëmonedhat dhe monedhat) në llogarinë bankare

1. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që t’i depozitojë në llogarinë e vet bankare ose në llogarinë e tij të hapur në institucione të tjera financiare jobankare, që mund të mbajnë depozita në përputhje me ligjin përkatës, paratë (kartëmonedha dhe monedha) që ka grumbulluar gjatë ditës për furnizimin e mallrave apo të shërbimeve, të cilat tejkalojnë nivelin maksimal të arkës, në përputhje me nenin 59/2, të këtij ligji, ditën e ardhshme të punës, pasi maksimumi i arkës është tejkaluar.

2. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, të cilit i janë bllokuar llogaritë bankare të biznesit për mospagim të detyrimeve, nuk mund të paguajë me para në dorë ose të mbajë para në arkë, por duhet që këto para t’i depozitojë në llogarinë bankare për veprimtarinë e rregullt të biznesit menjëherë ose në ditën e ardhshme të punës.

Neni 59/2
Limiti i arkës

1. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, përveç në rastet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 59/1, të këtij ligji, mund të mbajë para cash (kartëmonedha dhe monedha) në arkën e vet në fillim të çdo dite pune deri në shumën maksimale të arkës. Shuma e parave cash është shuma fillestare e parave (kartëmonedha dhe monedha) që tatimpaguesi mund të ketë në arkën e tij në fillim të ditës së punës ose të ndërrimit të çdo operatori. Shumën maksimale të parave cash e përcakton tatimpaguesi që lëshon faturë, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi i përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

2. Kriteri për përcaktimin e shumës maksimale të arkës së tatimpaguesit, që lëshon faturë, është madhësia e tatimpaguesit që lëshon faturë, në përputhje me legjislacionin tatimor. Bazuar në këtë kriter, tatimpaguesi, që lëshon faturë, mund të caktojë shumën maksimale të parave cash në arkë, si më poshtë vijon:

a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, deri në 2 milionë lekë, deri në 55 000 lekë;

b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, mbi 2 milionë dhe deri në 10 milionë lekë, deri në 250 000 lekë;

c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor, gjatë vitit të kaluar, mbi 10 milionë lekë, deri në 500 000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.

Në rastet kur një tatimpagues fillon veprimtarinë gjatë vitit kalendarik, limiti i arkës është shuma në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, referuar shumës së qarkullimit të parashikuar deri në fund të vitit.

3. Shuma maksimale e arkës përcaktohet për tatimpaguesin, që lëshon faturë, në tërësi dhe brenda kësaj shume tatimpaguesi, që lëshon faturë, mund të përcaktojë maksimumin e parave cash në arkë, për çdo njësi të organizimit ose vendit të ushtrimit të aktivitetit të biznesit.

4. Shuma maksimale cash e arkës, sipas pikës 2, të këtij neni, nuk zbatohet për bankat dhe institucionet e tjera financiare jobankare.

5. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, që kryen transaksione këmbimi monedhe, pavarësisht nga dispozitat e pikave 2 e 3, të këtij neni, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën 1 700 000 lekë.

6. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune dhe para lëshimit të faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike (internetit) të vendosur me administratën tatimore qendrore, që e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave cash në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit. Tatimpaguesi duhet të paraqesë në të njëjtën mënyrë edhe çdo ndryshim të shumës së parave cash në arkë gjatë ditës së punës.”

Neni 8

Në nenin 61 “Detyrimi i palëve të treta për të dhënë informacion” pika 3 ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim:

a) mënyrën, kohën dhe formën në të cilën palëve të treta u kërkohet të paraqesin informacion në administratën tatimore, si dhe përmbajtjen e këtij informacioni;

b) informacionin e caktuar që kërkohet të dorëzohet në rrugë elektronike nga palët e treta, në baza periodike, sipas një formati të standardizuar dhe me përdorimin e teknologjisë së përshtatshme;

c) kategoritë e caktuara të personave, të cilëve u kërkohet të japin automatikisht informacion  në lidhje me transaksionet e tyre financiare me tatimpaguesit dhe/ose të dhënat që ata mbajnë në lidhje me tatimpaguesit, si dhe termat dhe kushtet për dhënien e këtij informacioni.”

Neni 9

Neni 62 “Personat që u kërkohet të japin informacion”, ndryshohet si më poshtë:

“ 1. Administrata tatimore kërkon çdo informacion të nevojshëm për zbatimin e legjislacionit tatimor në fuqi,  nga çdo person, duke përfshirë, por pa u kufizuar në sa vijon:

a. çdo entitet, duke përfshirë informacionin për:

i. dividentët e paguar aksionarëve ose ortakëve;

ii. personat me të cilët personi juridik ka kryer transaksione financiare ose biznesi;

iii. pagesat e bëra për nënkontraktorët;

iv. debitorët dhe kreditorët;

b. bankat dhe institucionet financiare, duke përfshirë informacion mbi:

i. të dhënat e llogarisë bankare dhe gjendjet e hapjes dhe mbylljes së këtyre llogarive brenda një viti tatimor;

ii. pagesat e interesit;

iii. aktive të tjera që ata mbajnë në emër të një personi;

iv. çdo transaksion tjetër financiar të nevojshëm për nevoja kontrolli dhe përcaktimi të detyrimit tatimor;

c.  kompanitë e ndërmjetësimit ose menaxherët e fondeve të investimeve, përfshirë transaksionet e letrave me vlerë ose llogaritë e menaxhimit të aktivit/portofolit;

d.  fondet e pensioneve, në lidhje me planet e pensioneve private;

e.  agjentët e pasurive të paluajtshme, në lidhje me transaksionet e klientëve të tyre;

f. noterët për noterizimin e transaksioneve të shitblerjes së pasurive të paluajtshme ose të luajtshme, ose kontratat e shërbimit;

g.  entitetet rezidente dhe jorezidente, për pagesat e bëra ndaj personave jorezidentë;

h.  institucionet shtetërore dhe punonjësit e administratës shtetërore;

i.  çdo person në transaksione financiare ose biznesi me një tatimpagues;

j.  donatorë, organizata ndërkombëtare, organizata jofitimprurëse, vendase ose të huaja, në lidhje me pagesat e bëra ndaj tatimpaguesve për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve;

k.  tregjet elektronike, ndërfaqet elektronike dhe platformat dixhitale në lidhje me furnitorët, përdoruesit dhe transaksionet e tyre;

l.  bazat e të dhënave dhe regjistrat e të dhënave publike dhe private, përfshirë kadastrën, regjistrin e pronarëve përfitues, regjistrin elektronik të llogarive bankare dhe Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në lidhje me të dhënat e tatimpaguesve që mbahen në to.

Neni 10

Në nenin 70 “E drejta për të nxjerrë njoftimin e vlerësimit tatimor” pika 1 dhe 3 ndryshojnë si më poshtë vijon:

“1) Drejtoritë Rajonale Tatimore, apo strukturat e tjera të autorizuara në Drejtorinë e Përgjithshnme të Tatimeve, që mund të kryejnë të njëjtat funksione me to, autorizohen të nxjerrin njoftim vlerësimi tatimor për tatimpaguesit e regjistruar në administratën tatimore qendrore, përfshirë entitetet, personat fizikë tregtarë, të vetpunesuarit, individët që kanë detyrimin për deklarimin e të ardhurave individuale në rastet kur ndaj tyre është ushtruar kontroll nga strukturat përgjegjëse sipas procedurave të përcaktuara në kreun X të këtij ligji, si dhe ndaj çdo personi tjetër që ka detyrimin për të deklaruar dhe/ose paguar tatime apo taksa sipas legjislacionit në Republikën e Shqipërisë.

3) Strukturat e menaxhimit të taksave dhe tarifave të njësive të vetqeverisjes vendore, nxjerrin njoftim vlerësimi për kategoritë e detyrimeve dhe tatimpaguesve sipas legjislacionit për taksat dhe tarifat vendore.”

Neni 11

Neni 71/2 “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien  e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor” ndryshohet si më poshtë vijon:

“1. Në përllogaritjen e të ardhurave dhe fitimit të tatueshëm, Administrata Tatimore mund të shpërfillë çdo marrëveshje ose seri marrëveshjesh ndërmjet tatimpaguesve, të cilat kanë si qëllim kryesor apo një ndër qëllimet kryesore sigurimin e përfitimeve tatimore. Marrëveshje të tilla, për qëllime tatimore trajtohen duke ju referuar substancës së tyre ekonomike.

2.Për qëllimet e paragrafit 1, “marrëveshje” apo seri marrëveshjesh” nënkupton çdo transaksion, veprim, operacion, marrëveshje, grant, mirëkuptim, premtim, ndërmarrje ose ngjarje. Një marrëveshje mund të përbëhet nga më shumë se një veprim ose pjesë veprimi.

3.Për të përcaktuar nëse një marrëveshjeje ose një sërë marrëveshjesh i mungon thelbi ekonomik, Administrata Tatimore shqyrton nëse ekziston një ose më shumë nga situatat e mëposhtme:

a) karakterizimi ligjor i hapave individualë, nga e cila përbëhet një marrëveshje, nuk është në përputhje me substancën ligjore të marrëveshjes në tërësi;

b) marrëveshja ose seria e marrëveshjeve zbatohet në një mënyrë e cila nuk është në pajtim me një sjellje të rregullt biznesi;

c) marrëveshja ose seria e marrëveshjeve përfshin elementë që kanë efektin e kompensimit ose anulimit të njëra-tjetrës;

d) transaksionet e lidhura janë të natyrës qarkulluese;

e) marrëveshja ose seria e marrëveshjeve çon në një përfitim të konsiderueshëm tatimor, por kjo nuk reflektohet në risqet e biznesit të tatimpaguesit ose në fluksin e tij monetar;

f) marzhi i parashikuar para tatimit është i rëndësishëm në krahasim me shumën e përfitimit tatimor të parashikuar.

4.Për qëllim të paragrafit 1, objektivi i një marrëveshjeje ose seri marrëveshjesh konsiston në shmangien e tatimit kur, pavarësisht të çdo qëllimi subjektiv të tatimpaguesit, ky objektiv vjen në kundërshtim me objektin, arsyetimin dhe qëllimin e dispozitave tatimore që do të duhej të zbatoheshin.

5.Për qëllim të paragrafit 1, një objektiv i caktuar duhet të konsiderohet kritik kur çdo objektiv tjetër që i atribuohet ose mund t’i atribuohet marrëveshjes ose serisë së marrëveshjeve duket i papërfillshëm, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

6.Për të përcaktuar nëse një marrëveshje ose një seri marrëveshjesh ka sjellë një përfitim tatimor në kuptim të paragrafit 1, Administrata Tatimore krahason shumën e tatimit që  detyrohet të paguajë një tatimpagues, duke marrë parasysh marrëveshjen, me shumën që i njëjti tatimpagues do të detyrohej të paguante në të njëjtat rrethana në mungesën e një marrëveshjeje të tillë.

7.Për qëllime të këtij neni, barra e provës i takon administratës tatimore.”

Neni 12

Në nenin 80  “Kontrolli Tatimor”,  pika 5 ndryshohet me përmbajtje si më poshtë:

“5. Për kontrollet e kryera nga administrata tatimore qendrore, autoritetin për të iniciuar kontrollin tatimor e ka Drejtoria Rajonale Tatimore ose njësitë e tjera në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me funksione të njëjta me të. Për kontrolle që kryhen nga struktura të kontrollit në Drejtorinë e Përgjithshme, kompetencën për të iniciuar kontrollin tatimor e ka titullari i institucionit ose i deleguari i tij. Për kontrollet e kryera nga administrata tatimore vendore, njësia tatimore e qeverisjes vendore ka autoritetin për të iniciuar kontroll tatimor.”

Neni 13

Në nenin 83 “Raporti i kontrollit tatimor”, pika 3 ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Një kopje e raportit të kontrollit i jepet për miratim Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore dhe një kopje e raportit i njoftohet tatimpaguesit. Për kontrollet e kryera nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme, raporti i kontrollit miratohet nga titullari i institucionit ose i deleguari i tij.”

Neni 14

Në nenin 84 “Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor”, pika 3 ndryshon si më poshtë:

“3. Një kopje e raportit përfundimtar të kontrollit tatimor dhe shumës së llogaritur, nëse ka, duhet t’i dërgohet me postë tatimpaguesit dhe një kopje i dorëzohet Drejtorisë së kontrollit tatimor që ka kryer kontrollin.”

Neni 15

Në nenin 89 “Njoftimi dhe kërkesa për të paguar” në pikën 2, shtohet fjalia me përmbajtje si më poshtë vijon:

 “Transferimi i shumave të parave nga llogaria e tatimpaguesit, shitja/transferimi i aktiveve ose kapitaleve të shoqërisë në këtë rast kryhet vetëm në bashkëpunim me administratën tatimore”.

Neni 16

Në nenin 101 “Detyrimi për t’u paraqitur”, pika 3 ndryshon si më poshtë:

“3. Administrata tatimore duhet të lëshojë një kërkesë thirrje me shkrim të autorizuar nga titullari i strukturës përgjegjëse të administratës tatimore, për kontrollet e kryera nga strukturat e kontrollit tatimor në administratën tatimore qëndrore, ose nga titullari i njësisë tatimore të qeverisjes vendore, kërkesë që përfshin informacionin e mëposhtëm:

  1. identifikimin e strukturës tatimore qendrore ose vendore që nxjerr kërkesën për thirrje;
  2. emri dhe identifikimi tatimor të personit të thirrur;
  3. vendi, data dhe ora e procedurës së thirrjes;
  4. lënda e thirrjes dhe pozita e personit të thirrur (tatimpagues, personi i tretë ose ekspert); dhe
  5. një listë të librave dhe të dhënave specifike, si dhe dokumentacion tjetër që personi duhet të dorëzojë.”

Neni 17

Në nenin 103, “Procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm”, hiqet pika 5 e tij.

Neni 18

Në nenin 105 “Struktura dhe funksionet e njësive të hetimit tatimor” bëhet ndryshimi si më poshtë vijon:

Në pikën 1, hiqet togfjalëshi: …  “dhe zbatimi”.

Në pikën 2 përmbajtja ndryshon si vijon: 

“2. Strukturat e hetimit tatimor kanë si funksion parësor:

a) mbledhjen dhe analizën  e informacionit tatimor;

b) hetimin tatimor;”

Në pikën 6 hiqet togfjalëshi: ‘’dhe drejtorët e hetimit tatimor në drejtoritë rajonale tatimore.’’

Neni 19

Pas nenit 105/2, shtohet neni 105/3 “Struktura dhe funksionet e Drejtorisë së Verifikimit dhe Koordinimit në Terren” me përmbajtje si më poshtë:

“Neni 105/3

“Struktura dhe funksionet e Drejtorisë së Verifikimit dhe Koordinimit në Terren”

  1. trukturat e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren janë njësi të specializuara zbatimi në administratën tatimore qendrore;
  2. trukturat e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren kanë si funksion parësor:
    1. batimin e masave shtrënguese;

Neni 20

Neni 112 “Mungesa e ekzekutimit të detyrimit për regjistrim” ndryshon si më poshtë:

“Përveç sanksioneve administrative, të parashikuara në ligje të tjera, mosrespektimi i detyrimit për regjistrim apo detyrimit për përditësimin e të dhënave, dënohet për çdo shkelje me gjobë prej 10 000 lekë për personat fizikë dhe 15 000 lekësh për personat juridikë.”

Neni 21

Në nenin 113  “Mosdeklarimi në afat”, pas shkronjës b) shtohet shkronja c) me përmbajtje si më poshtë:

“ c) 3.000 lekë për tatimpaguesit individë”

Neni 22

Neni 114/1 ndryshohet si më poshtë vijon:

“Neni 114/1

“Mospagimi i kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale

“Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetpunësimi, sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, dënohet me gjobë, në masën 10 për qind të shumës së këstit për t’u paguar plus kamatëvonesën e llogaritur për ditët e vonuara, por jo më shumë se 365 ditë.”

Neni 23

Neni 118 “Mosmbajtja e saktë e librave, regjistrave dhe dokumentacionit” ndryshohet si më poshtë vijon:

“Tatimpaguesi, që nuk arrin të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, të kërkuar sipas këtij ligji, detyrohet të paguajë një gjobë me 10 000 lekë, për çdo shkelje, në rastet kur është person fizik që ushtron veprimtari ekonomike tregtare apo si i vetpunësuar dhe 50 000 lekë kur është person juridik.”

Neni 24

Në nenin 119 “Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës”, pika 3, ndryshon  si më poshtë:

“3. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, si rezultat i marrëdhënieve të punësimit, punëdhënësi përvec detyrimit për pagimin e shumës së duhur të detyrimit tatimor dhe kontributet për këtë punonjës, të llogaritur për gjithë periudhën e provuar se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën:

200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur  për tatimpaguesit  entitete juridike.

100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.”  

Neni 25

Neni 121 “Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore”, ndryshon si më poshtë:

“1. Për tatimpaguesit, që mbajnë në ruajtje, përdorin ose transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, aplikohen dënimet si më poshtë:

a) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunësimi, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25.000 lekësh;

b) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunësimi dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 50.000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;

c) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ dënohen me gjobë prej 750.000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;

d) Personi, i cili ushtron veprimtari ekonomike tregtare i paregjistruar, sipas përcaktimeve të nenit 41, të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 50.000 lekësh.

2. Përcaktimi i vlerës së TVSH-së së munguar bëhet nga administrata tatimore në momentin e konstatimit të shkeljes duke vlerësuar mallin e gjetur pa faturë me çmimin e tregut.

3. Për shkeljet e parashikuara në pikat 1 të këtij neni, në rast përsëritje, administrata tatimore, përveç penaliteteve të përcaktuara të përcaktuara në pikën 1, kallëzon penalisht tatimpaguesin në përputhje me përcaktimet e nenit 116, dhe 131 të këtij ligji.”

Neni 26

Në nenin 123 “Shkeljet për moslëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese”, shkronja a) e pikës 3 ndryshon si më poshtë:

“a) gjobë prej 50.000 lekë për tatimpaguesit e tatimit të mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunësimi; 100.000 lekë, për tatimpaguesit e tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunesimi me TVSH-në; 1.500.000 lekë, për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ;”

Neni  27

Në nenin 124 “Shkeljet në procedurën e fiskalizimit të faturave dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, në shkronjat a); b); dhe c) të pikës 1, bëhen ndryshimet si më poshtë:

“a) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunësimi, por që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë, dënohen me gjobë 25 000 lekë.

b) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetpunësimi dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 50 000 lekë;
c) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ, dënohen me gjobë 75 000 lekë.”

Neni 28

Në nenin 127  “Pengimi i kontrollit ose hetimit tatimor” pikat 1 dhe 2 ndryshohen si më poshtë vijon:

“1. Tatimpaguesi që pengon drejtpërdrejt ose tërthorazi një kontroll tatimor ose hetim nga administrata tatimore, i nënshtrohet një gjobe prej 100 000 lekësh për tatimpaguesit e klasifikuar si persona fizikë tregtarë apo të vetpunësuar, dhe 1 000 000 lekë për tatimpaguesit e klasifikuar si entitete, ose individë me pasuri të lartë.

2. Masa e gjobës, e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, miratohet nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore ose njësitë e ngjashme me të, ose nga titullari i institucionit apo i deleguari prej tij për kontrollet e kryera nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dhe nga titullari i njësisë tatimore të qeverisjes vendore për tatimpaguesit që paguajnë taksa dhe tarifa vendore.”

Neni 29

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit ne fletoren zyrtare dhe i sjell efektet nga data 1 janar 2023.

Burimi: https://konsultimipublik.gov.al/

Shkarko:

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online