- Rregulli i ndryshimit të pronësisë prek vetëm tri kategori, shfrytëzuesit e burimeve natyrore, telekomunikacionet dhe institucionet financiare.
- Kur pronësia direkte ose indirekte ndryshon me më shumë se 20%, entiteti trajtohet sikur shiti dhe ribleu pjesën proporcionale të pasurive.
- Rregulli zbatohet vetëm kur qarkullimi mesatar i tre viteve paraardhëse është të paktën 500,000,000 lekë.
- Çdo ndryshim pronësie prej 10% ose më shumë njoftohet te administrata tatimore brenda 45 ditëve.
Ky është një nga nenet më pak të njohura të ligjit të tatimit mbi të ardhurat dhe prek pak subjekte, por ato që i prek i prek rëndë. Nuk është rregull i përgjithshëm për çdo shitje kuotash. Zbatohet vetëm te tri kategoritë e listuara më poshtë dhe vetëm mbi pragun e qarkullimit.
Në gjuhë të thjeshtë, kur pronësia e një subjekti të tillë ndryshon ndjeshëm, ligji e trajton situatën sikur subjekti shiti pjesën proporcionale të pasurive të veta me vlerën e tregut dhe menjëherë i ribleu me të njëjtën vlerë. Nga kjo lind një fitim i tatueshëm, edhe pse asnjë pasuri nuk ka ndërruar duar. Baza e tatueshme dhe mënyra si llogaritet janë te faqja jonë e bazës së tatueshme.
| Elementi | Rregulli |
|---|---|
| Kujt i zbatohet | Shfrytëzuesit e burimeve minerale, hidrokarbure dhe natyrore, telekomunikacionet, institucionet financiare |
| Pragu i ndryshimit | Mbi 20% e kapitalit, kuotave ose të drejtave të votimit |
| Pragu i qarkullimit | Mesatarja e tre viteve paraardhëse të paktën 500,000,000 lekë |
| Njoftimi | Brenda 45 ditëve nga ndryshimi, edhe për ndryshime 10% ose më shumë |
| Përjashtimi | Kur zbatohet një marrëveshje e ratifikuar për shmangien e tatimit të dyfishtë |
Kujdes me afatin 45 ditë. Ai nuk nis nga data e regjistrimit te QKB, por nga momenti kur ka ndodhur ndryshimi i pronësisë. Mosnjoftimi dënohet sipas ligjit nr. 9920/2008 për procedurat tatimore. Për transaksionet me palë të lidhura shihet edhe transferimi i çmimit.
Ky nen zbatohet për entitetet që:
a) zotërojnë të drejta për shfrytëzimin e pasurive minerale, të drejta për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore, përfshirë detin në Republikën e Shqipërisë, si dhe informacionit që u përket këtyre të drejtave, të cilat për qëllime të këtij ligji trajtohen si pasuri e paluajtshme;
b) ushtrojnë veprimtari në fushën e telekomunikacioneve;
c) ushtrojnë veprimtari si institucione financiare.
Nëse gjatë një periudhe tatimore pronësia direkte dhe/ose indirekte e kapitalit aksionar, kuotave ose e të drejtave të votimit të një entiteti të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, ndryshon me më shumë se 20% në vlerë ose numër aksionesh apo kuotash, entiteti trajtohet si të jetë duke shitur një pjesë proporcionale të të gjitha pasurive të tij menjëherë përpara ndryshimit.
Entiteti trajtohet si:
a) përfitues i të ardhurave nga shitja, e barabartë kjo me pjesën proporcionale të vlerës së tregut të aktivit në atë kohë; dhe
b) riblerës i aktivit për të njëjtën vlerë.
Kjo pikë aplikohet në rastet kur entiteti për tre vjetët paraardhës ka realizuar një mesatare qarkullimi prej 500,000,000 (pesëqind milionë) lekësh.
Kur një entitet është subjekt i tatimit mbi të ardhurat e korporatës, sipas këtij ligji, bazuar në pikën 2 të këtij neni, çdo ndryshim pronësie i aksioneve ose interesave të ngjashëm që shkaktuan ndryshimin, është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat.
Njoftimi i administratës brenda 45 ditëve
Një entitet, i cili është subjekt i një ndryshimi të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, njofton autoritetet tatimore me detajet e ndryshimit brenda 45 ditëve nga koha kur ka ndodhur ndryshimi.
Entiteti njofton administratën tatimore për një ndryshim pronësie të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 10% ose më shumë të kapitalit të saj ose të të drejtave të votës. Ndryshimi i pronësisë duhet të jetë objekt i nënndarjes “ii” të shkronjës “e” të nenit 4 të këtij ligji. Njoftimi duhet të kryhet brenda 45 ditëve nga ndryshimi i pronësisë. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur zbatohet pika 4 e këtij neni.
Në rast të mosnjoftimit të autoriteteve tatimore, entiteti dënohet sipas penaliteteve të përcaktuara në ligjin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
Parashikimet e këtij neni zbatohen në çdo rast, përveç kur ndryshimi i pronësisë në kapitalin aksionar, kuotat ose të drejtat e votimit të një entiteti, u nënshtrohet dispozitave të marrëveshjeve të ratifikuara për shmangien e tatimit të dyfishtë në fuqi.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.
Dërgomë njoftimet falas
