TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Trajtimi i furnizimit të shërbimit të mallrave nën regjimin e përpunimit aktiv (punët fason).

Bazuar në nenin 57 të ligjit 92/2014 Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH trajtohen si furnizime me shkallë zero të TVSH-së furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave jo-shqiptare të kryera nga eksportuesi, të klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv (punët fason) shërbime, të cilat i shtojnë vlerën mallit të përpunuar të destinuara për t’u ri-eksportuar janë furnizime me shkallë zero% të TVSH- së.

Sigurohet trajtimi me shkallën e TVSH-së 0 % për shërbimin e përpunimit të mallrave jo- shqiptare në regjim përpunimi aktiv në faturën e lëshuar nga operatori eksportues, faturë e cila i bashkëngjitet deklaratës doganore të ri-eksportit të këtyre mallrave.

Në zbatim të shkronjës “ç” të nenit 57 të ligjit, në rastin kur furnizimi i shërbimit të përpunimit të mallrave joshqiptarë të destinuara për t’u rieksportuar, kryhet nga një nënkontraktor, i cili e kryen këtë shërbim për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv që e ka kontraktuar (shoqëria eksportuese) e cila i nënshtrohet regjimit të përpunimit aktiv, ky furnizim shërbimi përpunimi është i tatueshëm me shkallën e TVSH-së 0%.

Nënkontraktori është një person i tatueshëm i pajisur me autorizimin përkatës prej autoritetit doganor.

Për kryerjen korrekte të procedurës për dokumentimin e shërbimit të përpunimit për këto mallra, si dhe për dokumentimin e lëvizjes së mallrave jo-shqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv, për qëllime tatimore duhet të zbatohet procedura e mëposhtme:

  • Furnizimi i shërbimit për përpunimin e mallrave joshqiptare, të destinuara për t’u rieksportuar të kryer nga nënkontraktorët e pajisur me autorizimin përkatës prej autoritetit doganor, për llogari të
    shoqërive të përpunimit aktiv, është furnizim shërbimi i tatueshëm me TVSH 0%.
  • Aktivitetet e klasifikuara nën regjimin e përpunimit aktiv, konsiderohen tërësisht të destinuara për ri-eksport.
  • Kushtet e ekzistencës së kësaj natyre operacionesh janë:
    • Përpunuesi (nënkontraktori) asnjëherë nuk duhet të bëhet pronar i materialeve të sjella nga porositësi (shoqëria e përpunimit aktiv)
    • Materialet e sjella nga porositësi tek përpunuesi, duhet të trupëzohen tërësisht në produktin e fabrikuar.
    • Materialet e sjella nga porositësi në formën e lëndës së parë duhet t’i kthehen atij fizikisht nga përpunuesi në formën e gjysmëproduktit ose produktit të gatshëm, me përjashtim të mbetjeve teknologjike gjatë procesit të prodhimit dhe në përputhje me kartat teknologjike të prodhimit. Kjo kërkon si domosdoshmëri, që këto materiale të jenë të identifikuara me dokumentacionin përkatës tek përpunuesi për gjatë gjithë kohës së përpunimit.
    • Nëse rezulton që sasia e gjysmëproduktit ose produktit të gatshëm është më e vogël nga sa duhej të ishte kundrejt materialeve të përdorura në përpunim, diferenca konsiderohet si shitje e kryer nga përpunuesi dhe është furnizim i tatueshëm me TVSH 20%. Për këtë qëllim shkëmbehet informacion për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Detyrime të veçanta

Midis porositësit (kontraktori kryesor i vendosur nën regjimin e përpunimit aktiv) dhe përpunuesit (nënkontraktori) të jetë lidhur një kontratë në përputhje me Kodin Civil.

Përpunuesit duhet të mbajnë një regjistër të veçantë, ku përshkruhet realizimi i punimeve për llogari të porositësit. Në këtë regjistër duhet të shënohet identiteti i porositësit, pra emri tregtar, NIPT, emri/mbiemri i administratorit, statusi juridik i tij, adresa e selisë. Për çdo operacion hyrje dhe dalje, shënohet:

  • Lloji dhe sasia e materialeve objekt i përpunimit dhe data e hyrjes. Lëvizja e mallit do të dokumentohet me faturë shoqërimi.
  • Lloji dhe sasia e gjysmë produktit ose produktit të fabrikuar, si dhe data e daljes.
  • Në regjistër duhet të evidentohet edhe malli gjendje tek përpunuesi. Për këtë hartohet inventari mujor.
  • Lëvizja e çdo sasie gjysmëprodukti ose produkti të gatshëm nga përpunuesi (nënkontraktori) tek porositësi (kontraktori), shoqërohet me faturë tatimore me TVSH 0% për vlerën e shërbimit të kryer.

Për zbatimin e këtyre rregullave çdo person i tatueshëm nënkontraktor, menjëherë me marrjen e autorizimit të autoritetit doganor, paraqet një kërkesë në Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse. Kërkesës i bashkëngjitet një kopje e autorizimit të lëshuar nga autoriteti doganor, i cili e njeh nënkontraktorin si të tillë, si dhe një kopje të kontratës së lidhur me kontraktorin (shoqërinë e përpunimit aktiv).

Drejtoria Rajonale Tatimore lëshon për nënkontraktorin, autorizimin, “Për përfshirjen në operacione të përpunimit aktiv”, jo më vonë se 30 ditë nga data e lëshimit të autorizimit nga ana e autoritetit doganor. Vlefshmëria e këtij autorizimi është e njëjtë me atë të lëshuar nga autoriteti doganor. Për çdo ndryshim nënkontraktori është i detyruar të njoftojë autoritetin tatimor përkatës.

Të gjitha autorizimet e lëshuara evidentohen nga Drejtoria Rajonale Tatimore në një regjistër të veçantë ku shënohet emri i personit të tatueshëm (nënkontraktorit), NIPT, adresa, lloji i veprimtarisë, kontraktori për të cilin punon, data e lëshimit të autorizimit dhe afati i vlefshmërisë. Furnizimet e shërbimit në kuadër të regjimit të përpunimit aktiv nuk kryhen nga nënkontraktorë të paautorizuar nga autoritetet doganore dhe tatimore përkatëse.

Në përputhje me përcaktimet e ligjit dhe të këtij udhëzimi për të drejtën e zbritjes së TVSH-së, nënkontraktori person i tatueshëm ka të drejtë të zbresë TVSH-në për shpenzime të ndryshme të bëra me TVSH të lejuara në kushte të regjimit që aplikon, të cilat i shërbejnë furnizimit të
shërbimeve të tatueshme të përpunimit të këtyre mallrave për llogari të shoqërisë së përpunimit aktiv. Shoqëria e përpunimit aktiv që rieksporton këto mallra nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e ngarkuar në faturën e marrë prej saj, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave
joshqiptare, të kryera në kuadër të regjimit prej 1 janar 2019, pasi furnizimi është i tatueshëm me 0 % dhe jo më 20%

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online