- Librat e shitjes dhe të blerjes dorëzohen deri më datën 11 të muajit pasues, rregull në fuqi nga 1 janari 2026.
- Deklarata dhe pagesa e TVSH-së mbeten deri më datën 14.
- Librat gjenerohen nga sistemi i fiskalizimit dhe nuk rideklarohen manualisht.
- Faturat e ardhura me vonesë nga furnitorët trajtohen sipas periudhës që u takon, jo sipas ditës së marrjes.
- Mosdeklarimi në afat kushton 10,000 lekë për tatimpaguesit e TVSH-së dhe të tatimit mbi fitimin.
Librat e shitjes dhe të blerjes nuk janë më tabela që plotësohen me dorë. Ato ndërtohen nga faturat e fiskalizuara dhe dorëzohen nëpërmjet sistemit.
Prandaj pyetja që dëgjojmë më shpesh, nëse duhen deklaruar sërish, ka përgjigje të shkurtër. Jo. Rideklarimi manual krijon dyfishim dhe diferenca që pastaj duhen korrigjuar.
Lexo edhe: Çfarë është fatura elektronike
Afatet mujore
| Afati | Çfarë dorëzohet |
|---|---|
| Data 11 e muajit pasues | Libri i shitjes dhe libri i blerjes |
| Data 14 e muajit pasues | Deklarata dhe pagesa e TVSH-së |
| Data 20 e muajit pasues | Listëpagesa, kontributet dhe tatimi i mbajtur në burim |
Ndarja e dy afateve, 11 dhe 14, ka një arsye praktike. Librat mbyllen më parë, që deklarata e TVSH-së të ndërtohet mbi të dhëna të qëndrueshme.
Faturat që vijnë me vonesë
Fatura e lëshuar nga furnitori në muajin e kaluar, por e marrë sot, nuk hyn te muaji i marrjes. Ajo i takon periudhës së lëshimit dhe trajtohet sipas rregullave të zbritjes.
Kjo është pika ku krijohen diferencat mes librave tanë dhe librave të furnitorit. Kriteret e zbritjes dhe periudha në të cilën ushtrohet janë te artikulli ynë për kriteret formale të zbritjes.
Gabimet më të shpeshta
- Rideklarimi manual i librave që sistemi i ka gjeneruar tashmë.
- Mbajtja e faturave në sirtar dhe regjistrimi i tyre në një periudhë tjetër.
- Mospërputhja mes faturave të fiskalizuara dhe atyre të regjistruara në kontabilitet.
- Dorëzimi i librave në ditën e fundit, kur një gabim teknik nuk ka më kohë për korrigjim.
Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.
Dërgomë njoftimet falasPyetje të shpeshta
Deri kur dorëzohen librat?
Deri më datën 11 të muajit pasues, rregull në fuqi nga 1 janari 2026.
A duhen deklaruar sërish faturat e fiskalizuara?
Jo. Ato hyjnë vetë te librat. Rideklarimi manual krijon dyfishim.
Ku regjistrohet një faturë e marrë me vonesë?
Në periudhën që i takon sipas rregullave të zbritjes, jo në ditën kur ju arriti.
Sa kushton dorëzimi me vonesë?
10,000 lekë për tatimpaguesit e TVSH-së dhe të tatimit mbi fitimin, 5,000 lekë për të tjerët.
Mbyllja e muajit bëhet e qetë vetëm kur faturat hyjnë ditë për ditë. Çdo zgjidhje tjetër thjesht e shtyn punën te data 11.
Pyetjet dhe përgjigjet origjinale të administratës tatimore
Pyetje: Kam mbyllur (dorëzuar) librat e shitjes dhe të blerjes në formatin Excel manualisht nga sistemi E-filing. Tani që duhet të dorëzohen nga portali Self-Care, çfarë duhet të bëj? T’i deklaroj përsëri në Fiskalizim?
Lexo edhe: Legjislacioni tatimor.
Përgjigje: Në sistemin e deklarimit elektronik e-Filing, do të shfaqen dy versione të deklarimit të librave, një version për dorëzimin manual sipas formatit Excel dhe një version të dorëzimit automatik nga portali SelfCare. Ju duhet të verifikoni nëse këto versione nuk kanë ndryshime, dhe nëse ka, duhet të kryeni saktësimet përkatëse dhe të ringarkoni librat në formatin Excel në e-Filing.
Pyetje: Kam mbyllur librat në SelfCare. Kur shfaqen në e-Filing?
Përgjigje: Librat shfaqen ditën e nesërme të ditës së mbylljes (dorëzimit) të tyre.
Pyetje: Çfarë ndodh nëse unë nuk i mbyll (dorëzoj) librat në SelfCare?
Përgjigje: Në datën 11, librat do të mbyllen (dorëzohen) automatikisht nga sistemi i Fiskalizimit. Më pas ju keni mundësinë të verifikoni dhe korrigjoni librat, nëse do të jetë e nevojshme, në e-Filing.
Pyetje: Nëse nuk kam fatura shitje ose blerje gjatë muajit, si veprohet me deklarimin e librave në SelfCare?
Përgjigje: Librat mbyllen pa aktivitet automatikisht nga SelfCare, dhe më pas transferohen drejt e-Filing.
Faturat e vonuara nga subjektet utilitare
Pyetje: Kam mbyllur librat e shitjes dhe blerjes në portalin qendror të faturave, bashkë me sistemimet përkatëse, përpara datës 10 të muajit pasardhës. Ndërkohë më vjen një faturë blerje nga subjekte utilitare (FSHU, Ujësjellës, internet etj.) pasi unë kam mbyllur librat. Si duhet të veproj në këtë rast për deklarimin e kësaj fature të padeklaruar?
Përgjigje: Në SelfCare do të shfaqet fatura e lëshuar pasi është bërë mbyllja e librave. Ju duhet të kryeni ndryshimin e librit të blerjes në sistemin e-Filing, duke ringarkuar të përditësuar në formatin Excel.
Pyetje: Gjatë muajit kam patur importe mallrash, për të cilat ka qenë e pamundur fiskalizimi i tyre. Tek libri i blerjeve nuk shfaqet deklarata e importit, si duhet ta deklaroj tani që librat deklarohen automatikisht nga SelfCare? Jo të gjitha importet mund të fiskalizohen ose të fiskalizohen në afat?
Përgjigje: Ju duhet të kryeni procesin e mbylljes së librave në SelfCare, dhe më pas në llogarinë e tuaj në e-Filing keni mundësi të korigjoni manualisht librin e blerjes, duke përfshirë të dhënat e deklaratave të importit që nuk keni mundur t’i fiskalizoni dhe më pas e ringarkoni në formatin Excel.
Pyetje: Disa fatura të fiskalizuara shfaqen të transaksionet, por jo të pasqyra mujore?
Përgjigje: Problematika shfaqej pasi tatimpaguesit lëshonin fatura me gabime. Nga data 22 Shkurt 2023, kjo problematikë është zgjidhur, pasi kemi vendosur kufizime në sistem për të eleminuar lëshimin e faturave me këtë lloj gabimi.
Afati i deklarimit të librave
Pyetje: Nuk mund të saktësohen të gjitha librat më datë 10, pasi vetëm atëherë mund të shfaqen të gjitha faturat (përveç atyre të datës 10) pasi është ngarkesë e madhe, për zyrat e kontabilitetit?
Përgjigje: Afati i deklarimit të librave nuk ka ndryshuar, është data 10 e muajit pasardhës, përcaktuar në Udhëzimin nr.6 datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar. Nëpërmjet këtij procesi, të gjithë tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, përfshirë edhe zyrat e kontabilitetit, iu është thjeshtuar procesi i deklarimit manualisht të librave. Për saktësimin dhe verifikimin e mospërputhjeve të mundshme, është i vlefshëm afati nga data 11 deri në 14, i cili përkon edhe me deklarimin dhe pagesën e TVSH-së. Plotësimi i deklaratës së TVSH-së do të vijojë të kryhet manualisht nëpërmjet e-Filing.
Pyetje: Jam një tatimpagues pa TVSH. Çfarë duhet të bëj për të deklaruar librat e shitjes dhe të blerjes?
Përgjigje: Tatimpaguesit që nuk janë subjekt i TVSH-së, pra nuk janë të regjistruar për përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, nuk kanë detyrimin e deklarimit të librave dhe dorëzimin e deklaratës së TVSH-së. Librat e këtyre tatimpaguesve nuk transferohen nga portali Selfcare drejt e-Filing.

