TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Tatimi mbi të ardhurat e korporatës: Dispozita specifike të tatimit mbi të ardhurat e korporatës: transferimi i çmimeve (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Transferimi i çmimeve

Në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij, një entitet që merr pjesë në një ose më shumë transaksione të kontrolluara duhet të përcaktojë nëse kushtet e një transaksioni të kontrolluar janë në përputhje me parimin e tregut. Kur kushtet e vendosura apo të diktuara në një a më shumë transaksione të kontrolluara, të kryera nga një entitet, nuk janë në përputhje me parimin e tregut, atëherë fitimet e tatueshme të atij entiteti mund të rriten në atë masë që të jenë në përputhje me parimin e tregut.

Termi “transaksion i kontrolluar” nënkupton:

  • çdo transaksion midis personave të lidhur kur:
    • njëra nga palët në transaksion është rezidente dhe tjetra jorezidente;
    • njëra nga palët në transaksion është jorezidente, e cila ka një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë, të cilës i atribuohet transaksioni, dhe pala tjetër është një tjetër palë jorezidente;
    • njëra nga palët në transaksion është një rezidente dhe pala tjetër është një rezidente, e cila ka një seli të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, së cilës i atribuohet transaksioni;
  • çdo marrëdhënie biznesi ndërmjet një jorezidenti dhe një selie të përhershme në Republikën e Shqipërisë të atij jorezidenti;
  • çdo marrëdhënie biznesi ndërmjet një rezidenti dhe selisë së përhershme të tij jashtë Republikës së Shqipërisë;
  • çdo transaksion midis një rezidenti apo një jorezidenti që ka një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë, së cilës i atribuohet transaksioni, me një rezident të një juridiksioni të listuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Kushtet e një transaksioni përfshijnë, por nuk kufizohen në treguesit financiarë të matur në zbatimin e metodës së duhur të transferimit të çmimit.

Krahasueshmëria

Një transaksion i pakontrolluar është i krahasueshëm me një transaksion të kontrolluar në rastet:

a) kur nuk ka diferenca të rëndësishme midis tyre që mund të ndikojnë materialisht treguesit financiarë që po kontrollohen, sipas metodës së përshtatshme të transferimit të çmimit; ose

b) kur ekzistojnë të tilla diferenca dhe një rregullim i arsyeshëm i bëhet treguesit financiar përkatës të transaksionit të pakontrolluar, me qëllim eliminimin e efekteve të këtyre diferencave në krahasim.

Për të përcaktuar nëse dy apo më shumë transaksione janë të krahasueshme, merren në konsideratë, në masën që ato janë ekonomikisht të përshtatshme për faktet dhe rrethanat e transaksionit, këta faktorë:

  • karakteristikat e pronës, mallit apo shërbimeve të transferuara;
  • funksionet e marra përsipër nga secila palë në lidhje me transaksionet, duke marrë në konsideratë asetet e përdorura dhe risqet e marra;
  • kushtet kontraktuale të transaksioneve;
  • rrethanat ekonomike në të cilat ndodhin transaksionet; dhe
  • strategjitë e biznesit të ndjekura nga palët në lidhje me transaksionet.

Metodat e transferimit të çmimit

Përputhshmëria me parimin e tregut e një transaksioni të kontrolluar përcaktohet duke zbatuar metodën më të përshtatshme të transferimit të çmimit, sipas rrethanave të rastit, sipas përcaktimeve të bëra me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat. Përveç sa parashikohet në pikën 2 të këtij neni, metoda më e përshtatshme e transferimit të çmimit zgjidhet midis metodave që vijojnë:

a)metoda e çmimit të pakontrolluar të krahasueshëm, e cila konsiston në krahasimin e çmimit të vendosur për mallra apo shërbime të transferuara në një transaksion të kontrolluar me çmimin e vendosur për mallra apo shërbime të transferuara në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm;

b) metoda e çmimit të rishitjes, e cila konsiston në krahasimin e marzhit të rishitjes, që një blerës mallrash në një transaksion të kontrolluar fiton nga rishitja e asaj prone në një transaksion të pakontrolluar, me marzhin e rishitjes që fitohet në transaksione shitblerjesh të pakontrolluara të krahasueshme;

c) metoda kosto plus, e cila konsiston në krahasimin e rritjes (marzhit të fitimit) mbi kostot direkte dhe indirekte në furnizimin e mallrave e shërbimeve në një transaksion të kontrolluar me rritjen, marzhin e fitimit të këtyre kostove direkte dhe indirekte në furnizimin e mallrave dhe shërbimeve në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm;

ç) metoda e marzhit neto të transaksionit, e cila konsiston në krahasimin e marzhit neto të fitimit ndaj një baze të përshtatshme, p.sh., kostot, shitjet, asetet, që një palë arrin në një transaksion të kontrolluar, me marzhin neto të fitimit ndaj së njëjtës bazë të arritur në transaksione të pakontrolluara të krahasueshme;

d) metoda e ndarjes së fitimit të transaksionit, sipas së cilës çdo personi të lidhur që merr pjesë në një transaksion të kontrolluar i alokohet pjesa e fitimit të përbashkët/humbjes që rrjedh nga ky transaksion që një person i pavarur do të fitonte nga pjesëmarrja në një transaksion të pakontrolluar të krahasueshëm.

Tatimpaguesi mund të aplikojë një metodë të transferimit të çmimit të ndryshme nga metodat e mësipërme, kur ai provon se asnjë nga metodat e miratuara nuk mund të përdoret në mënyrë të arsyeshme për të përcaktuar përputhshmërinë me parimin e tregut për transaksionet e kontrolluara dhe kjo metodë tjetër jep një rezultat në përputhje me parimin e tregut. Tatimpaguesi që përdor një metodë të ndryshme nga metodat e miratuara, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, ka barrën e provës për të demonstruar se kërkesat janë përmbushur.

Për të përcaktuar përputhshmërinë me parimin e tregut për një transaksion të kontrolluar, nuk kërkohet të aplikohet më shumë se një metodë.

Kur një tatimpagues ka përdorur një metodë të transferimit të çmimit për të vendosur shpërblimin e transaksioneve të tij të kontrolluara dhe kjo metodë e transferimit të çmimit është në përputhje me dispozitat e këtij neni, atëherë kontrolli i administratës tatimore mbi faktin nëse kushtet e transaksioneve të kontrolluara të tatimpaguesit janë në përputhje me parimin e tregut bazohet në metodën e transferimit të çmimit të aplikuar nga tatimpaguesi.

Vlerësimi i transaksioneve të kontrolluara të kombinuara

Nëse një tatimpagues kryen, në rrethana të njëjta ose të ngjashme, dy ose më shumë transaksione të kontrolluara, që janë ekonomikisht të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën ose që përbëjnë një vazhdimësi/kombinim të caktuar, në mënyrë të tillë që ato nuk mund të analizohen veçmas në mënyrë të besueshme, këto transaksione mund të kombinohen:

  • për të kryer analizën e krahasueshmërisë, të përcaktuar në nenin 33 të këtij ligji; dhe
  • për të zbatuar metodat e transferimit të çmimit, të përcaktuara në nenin 34 të këtij ligji.

Diapazoni i treguesve të tregut

Diapazon tregu është një grup treguesish financiarë përkatës, ku përfshihen çmimet, marzhet apo pjesët e fitimit, të nxjerra nga zbatimi i metodës më të përshtatshme të transferimit të çmimit për një numër transaksionesh të pakontrolluara, ku secili është pothuajse njëlloj i krahasueshëm me transaksionin e kontrolluar, bazuar në një analizë krahasueshmërie të kryer në përputhje me nenin 33 të këtij ligji.

Një transaksion i kontrolluar ose një grup transaksionesh nuk është subjekt i rregullimeve sipas pikës 1 të nenit 32 të këtij ligji, kur treguesi financiar përkatës, që rrjedh nga transaksioni/transaksionet i/e kontrolluar/a që po testohet/testohen sipas metodës më të përshtatshme të transferimit të çmimit, është brenda diapazonit të tregut.

Kur treguesi financiar përkatës, i cili rrjedh nga transaksione të kontrolluara, del jashtë diapazonit të tregut, administrata tatimore mund ta rregullojë atë sipas pikës 1 të nenit 32 të këtij ligji, dhe çdo rregullim i tillë do të jetë në medianën e diapazonit të tregut, përveç rasteve kur administrata tatimore apo tatimpaguesi mund të vërtetojnë se rrethanat në atë rast garantojnë rregullimin në një pikë të ndryshme të gamës së tregut, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

Kërkesat për dokumentacion

Një tatimpagues duhet të paraqesë informacion dhe analiza të mjaftueshme për të vërtetuar se kushtet e transaksioneve të tij të kontrolluara janë në përputhje me parimet e tregut. Dokumentacioni i transferimit të çmimit duhet t’i vihet në dispozicion administratës tatimore, me kërkesë të saj, brenda 45 ditëve nga marrja e kërkesës së administratës tatimore. Përmbajtja dhe forma e dokumentacionit të transferimit të çmimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Tatimpaguesit e përfshirë në transaksione të kontrolluara mbi një vlerë të përcaktuar duhet të paraqesin një njoftim apo formular vjetor për transaksionet e kontrolluara. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim kufirin apo vlerën e sipërpërmendur, formatin dhe afatin kohor për paraqitjen e informacionit mbi transaksionet e kontrolluara.

Rregullimet korresponduese

Kur në kushtet e transaksioneve të kontrolluara bëhet një rregullim nga një administratë tatimore e një vendi tjetër dhe ky rregullim rezulton në taksimin në atë vend të fitimeve për të cilat tatimpaguesi është tatuar tashmë në Republikën e Shqipërisë, dhe vendi që propozon rregullimin ka një marrëveshje me Republikën e Shqipërisë apo Këshillin e Ministrave për eliminimin e tatimit të dyfishtë, atëherë në këto kushte administrata tatimore e Republikës së Shqipërisë pas marrjes së një kërkese nga tatimpaguesi shqiptar do të kontrollojë përputhshmërinë e atij rregullimi me parimet e tregut, siç përcaktohet në nenin 44 të këtij ligji. Nëse administrata tatimore arrin në përfundimin që rregullimi është në përputhje me parimet e tregut, ajo bën rregullimet e duhura në vlerën e tatimit që i është ngarkuar tatimpaguesit shqiptar.

Procedura për paraqitjen e kërkesës për një rregullim korrespondues sipas këtij neni, përcaktohet në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

Marrëveshjet e çmimit në avancë

Marrëveshja e çmimit në avancë është një marrëveshje procedurale ndërmjet një ose më shumë tatimpaguesve dhe një ose më shumë administratave tatimore, me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të mundshme të transferimit të çmimeve në avancë, duke përcaktuar para transaksioneve të kontrolluara një grup kriteresh të duhura për përcaktimin e përputhshmërisë së këtyre transaksioneve me parimet e tregut.

Një tatimpagues mund të kërkojë që administrata tatimore të hyjë në një marrëveshje çmimi në avancë për të përcaktuar një grup të përshtatshëm kriteresh për përputhshmërinë me parimin e tregut për transaksionet e ardhshme të kontrolluara për një periudhë kohore të përcaktuar.

Kur administrata tatimore hyn në një marrëveshje çmimi në avancë me një tatimpagues, asnjë rregullim i transferimit të çmimit nuk bëhet sipas pikës 1 të nenit 32 të këtij ligji për transaksionet e kontrolluara që janë brenda fushës së marrëveshjes, për aq kohë sa afatet dhe kushtet e vendosura nga marrëveshja e çmimit në avancë janë plotësuar.

Ngarkohet ministri përgjegjës për financat për miratimin e udhëzimit në lidhje me marrëveshjet e çmimit në avancë.

Shkarko këtu ligjin e plotë:

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online