TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Tatimi mbi të ardhurat personale: baza tatimore e të ardhurave personale dhe dispozita të llogaritjes së llogaritjes së tatimit: (ndryshimet ligjore pas Janar 2024)

Baza tatimore vjetore

Baza tatimore vjetore përbëhet nga:

a) të ardhurat vjetore të tatueshme të punësimit;

b) të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit;

c) të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve.

Baza tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas këtij ligji. Nëse diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero.

Shuma e tatimit mbi të ardhurat e pagueshme nga një person për një vit tatimor është totali i shumave të pagueshme sipas këtij kreu për secilën deklaratë tatimore.

Zbritjet nga baza tatimore

Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe/ose biznesi mund të zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore:

a) një shumë prej 600 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë prej 50.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë;

b) një shumë prej 420 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000 lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në 60.000 lekë;

c) një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë;

d) një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh.

Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100 000 lekë.

Kërkesa për zbritje

Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Procedurat e detajuara për zbatimin e këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet deklaratës së statusit personal, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore, në vlerën prej 1/12 e shumës së përmendur në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 22 të këtij ligji.

Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor. Tatimpaguesi, i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj.

Zbritjet e tjera përveç zbritjeve personale në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 22 të këtij ligji, mund të kërkohen vetëm nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.

Norma tatimore

Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Baza tatimore vjetoreNorma vjetore
0 – 2 040 000 lekë 13%
Mbi 2 040 000 lekë 23%
Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi

Të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit tatohen me normat progresive të mëposhtme:

Baza tatimore vjetoreNorma tatimore
0 – 14 000 000 lekë 15%
Mbi 14 000 000 lekë 23%
Tatimi mbi të ardhurat nga biznesi

Të ardhurat nga investimi tatohen me normat e mëposhtme:

a) të ardhurat nga dividentët 8%;

b) çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%.

Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online