Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të pikës 2, të nenit 70, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat’’, ministri i Financave,
UDHËZON:
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i kritereve dhe i procedurave për zbatimin e dispozitave të ligjit nr. 29/2023, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”.
1. Objekti dhe qëllimi i ligjit
- Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton kuadrin ligjor për tatimin mbi të ardhurat , si dhe rregullat që zbatohen në lidhje me detyrimet tatimore nga personat fizikë dhe entitetet sipas përkufizimeve të përcaktuara në ligj.
- Për të gjitha kategoritë e të ardhurave direkte, ku përfshihen kategoritë e të ardhurave personale dhe e të ardhurave të korporatës, ligji përcakton bazën e tatimit, normat tatimore, përjashtimet, procedurat dhe afatet e deklarimit dhe pagesës, si dhe çdo procedurë apo detyrim tjetër të nevojshëm për administrimin e detyrimeve tatimore mbi të ardhurat.
- Gjithashtu, ky ligj, përcakton rregullat për llogaritjen, deklarimin dhe mënyrën e pagesës së tatimit për të ardhurat nga trashëgimitë, dhurimet dhe fitimet nga lojërat e fatit.
2. Fusha e zbatimit
3. Në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave rezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave mbarëbotërore të tyre, pra i të ardhurave të realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe atyre të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Për të ardhurat e realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kreditohet tatimi i huaj i paguar, deri në masën e detyrimit të pagueshëm në Shqipëri që u atribuohen atyre të ardhurave të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
4. Si parim i përgjithshëm, në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave jorezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave me burim në Shqipëri, por edhe i të ardhurave të tyre të tatueshme në mbarë botën që i atribuohen një selie të përhershme në Shqipëri, apo edhe të ardhurave të tyre të tatueshme nga të gjitha burimet por që kanë një burim në Shqipëri, sipas nenit 4, “Burimi i të ardhurave”, në një vit të caktuar tatimor.
5. Ndërkohë, në zbatim të marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e tjera dhe të cilat janë në fuqi, përcaktohen të ardhurat dhe normat e tatimit në lidhje me pjesën e tatimit që duhet të paguhet në Shqipëri, si dhe metodat e eliminimit të tatimit të dyfishtë nëpërmjet mekanizmit të përjashtimit të tatimit të mbajtur në burim apo kreditimit të tatimit të paguar në Shqipëri.
3. Përkufizimet
- Termat e përdorur në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, kanë kuptimin që i është dhënë në nenin 3 të ligjit.
- Nëse për ndonjë term të përdorur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, legjislacionet e fushave të caktuara kanë përkufizim të ndryshëm, për nevoja të llogaritjes dhe pagesës së tatimit dhe të interpretimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të përdoren përkufizimet e dhëna në këtë ligj.
- Termat e përdorur në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, kanë kuptimin që i është dhënë në nenin 3 të ligjit.
- Nëse për ndonjë term të përdorur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, legjislacionet e fushave të caktuara kanë përkufizim të ndryshëm, për nevoja të llogaritjes dhe pagesës së tatimit dhe të interpretimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të përdoren përkufizimet e dhëna në këtë ligj.
4. Burimi i të ardhurave
- Në zbatim të parimit të “rezidencës”, personat rezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin entitete (persona juridikë) apo persona fizikë (individë, të vetëpunësuar, tregtarë) paguajnë në Shqipëri tatim për të ardhurat e realizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, personat jorezidentë tatimorë qofshin entitete (persona juridikë) apo persona fizikë (individë, të vetëpunësuar, tregtarë), në zbatim të parimit të “burimit të të ardhurave”, paguajnë në Shqipëri tatim vetëm për të ardhurat e realizuara me burim në Republikën e Shqipërisë.
- Në këtë kuptim, nisur nga parimi i burimit të të ardhurave, përcaktimi i llojeve të të ardhurave që mund të realizohen të Shqipëri, dhe që janë objekt i tatimit në Shqipëri, është i rëndësishëm me qëllim planifikimin tatimor nga rezidentët dhe jorezidentët tatimor.
- Neni 4 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ka përcaktuar një listë joshteruese të grupeve të të ardhurave të cilat rrjedhin/krijohen nga një burim në Republikën e Shqipërisë. Pra, të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë, që mund të jenë objekt i tatimit mbi të ardhurat, nuk kufizohen vetëm në grupin e të ardhurave të listuara në paragrafët “a” deri “k” të këtij neni, por mund të jenë dhe të ardhura në kategori të tjera të ardhurash me burim në Shqipëri. Në çdo rast, për kualifikimin e një të ardhure si pjesë e një kategorie të caktuar, analizohet natyra e saj dhe vlerësohet nëse është e ardhur e tatueshme.
- Të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë mund të identifikohen nisur nga pagesat që bëjnë personat rezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë apo jorezidentë tatimorë në Shqipëri, pavarësisht nga detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur.
- Të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë mund të identifikohen, gjithashtu, edhe nisur nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësi detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur. Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve.
- Të ardhurat në lidhje me punësimin dhe marrëdhëniet kontraktuale përfshijnë të ardhurat që paguhen nga një apo më shumë punëdhënës rezident tatimor në Shqipëri apo jorezident tatimor në Shqipëri.
- Në rastet kur pagesat në lidhje me punësimin janë kryer nga një punëdhënës jorezident, dhe puna nuk është kryer në Shqipëri, punëmarrësi zbaton klauzolat e marrëveshjes në fuqi për eliminimin e tatimit të dyfishtë, nëse Shqipëria ka me atë vend, dhe në rast se nuk ka Marrëveshje të tillë në fuqi, dhe plotëson kushtet e individit rezident tatimor shqiptar, deklaron të ardhurat me burim jashtë territorit të Shqipërisë si të ardhura nga punësimi, dhe njëkohësisht krediton tatimin e huaj të paguar sipas dispozitave dhe kufizimeve të këtij ligji.
- Në rastet kur pagesat në lidhje me punësimin e një individi janë kryer nga një punëdhënës jorezident, dhe puna është kryer në Shqipëri, punëmarrësi i cili plotëson kushtet e individit rezident tatimor në Shqipëri, deklaron të ardhurat nga kjo marrëdhënie punësimi, dhe njëkohësisht llogarit dhe paguan tatimin mbi të ardhurat nga punësimi sipas dispozitave të këtij ligji. Në rast se ka një Marrëveshje në fuqi për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e marrëveshjes.
- Të ardhurat sipas paragrafit “c”, të cilat janë pagesa të një punëdhënësi rezident në lidhje me punësimin e një individi, edhe nëse puna kryhet jashtë Republikës së Shqipërisë, përfshijnë rastet kur një i punësuar i një punëdhënësi rezident shqiptar, ngarkohet të ushtrojë marrëdhënie punësimi në emër të punëdhënësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Tatimi mbahet në listëpagesë nga punëdhënësi rezident tatimor në Shqipëri. Në rast se ka një Marrëveshje në fuqi për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e marrëveshjes. Nëse në bazë të marrëveshjeve përkatëse të ardhurat nga punësimi tatohen vetëm në shtetin tjetër, punëdhënësi shqiptar i paraqit punëmarrësit në listëpagesë, por nuk përllogarit tatim mbi të ardhurat nga punësimi nëpërmjet listëpagesës.
- Të ardhurat e parashikuara në paragrafin “dh” të nenit 4, parashikojnë si burim të ardhurash të tatueshme ato lloje të ardhurash që gjenerohen nga pasuria e paluajtshme dhe të drejtat mbi to, pasuria minerare mbi dhe nën tokësore e Republikës së Shqipërisë, përfshirë të drejtat për shfrytëzimin e tyre, si dhe të ardhurat që mund të gjenerohen nga pasuria e luajtshme e ndodhur në Republikën e Shqipërisë.
Ky paragraf sqaron se të ardhurat, që rrjedhin nga të drejtat për shfrytëzimin e resurseve dhe të të mirave natyrore shqiptare, konsiderohen me burim në Shqipëri, janë të tatueshme në Shqipëri dhe do të trajtohen në të njëjtën mënyrë si të ardhurat e tjera nga pasuria e paluajtshme. Këto të drejta, në veçanti përfshijnë licencat dhe marrëveshjet që lejojnë nxjerrjen e mineraleve, apo të naftës dhe gazit. Gjithashtu, të ardhurat që sigurohen nga informacionet dhe të dhënat, që kanë të bëjnë me këto të drejta, janë objekt i parashikimeve të paragrafit “dh”. Shembull. Informacioni sizmik, informacione të tjera teknike dhe analiza që mund të disponohen në lidhje me ekzistencën e burimeve natyrore, p.sh., naftës, gazit, kromit etj., informacione të cilat transferohen te palët e treta.
- Paragrafi “e’, trajton si të ardhura me burim në Shqipëri, të ardhurat nga tjetërsimi i të drejtave objekt i paragrafit “dh” të këtij neni. Nënpika “i” e paragrafit “e” mbulon veçanërisht përfitimet nga shitja e drejtpërdrejtë e të drejtave për të shfrytëzuar burimet natyrore, apo informacionit që u përket të drejtave të tilla. Nënpika “ii” e paragrafit “e” mbulon shitjet indirekte të aksioneve, të drejtave dhe informacionit të mbuluara nga paragrafi “dh”. Ajo bazohet në parimet e nenit 13(4) të modelit të tatimit mbi të ardhurat të Konventave të OECD së dhe të OKB-së. Fitimet nga shitja e aksioneve (ose interesave të ngjashëm) që rrjedhin nga pasuria, të drejtat ose informacionet e përmendura në paragrafin “dh” trajtohen si me burim në Shqipëri. Megjithatë, duhet që këtyre aksioneve të paktën 50 për qind e vlerës kontabël të tyre t’iu burojë nga pasuria, të drejtat ose informacioni në fjalë. Këto parashikime janë të rëndësishme kryesisht për shitblerjet e aksioneve ndërmjet personave jorezidentë në Shqipëri, në lidhje me pasuri dhe të drejta të vendosura në Shqipëri, ndërkohë që, rezidentët tatimorë në Shqipëri tatohen për të gjithë të ardhurën në baza mbarëbotërore.
- Të ardhurat nga dividenti sipas germës “ë” të nenit 4 të ligjit nuk përfshijnë transferimin e fitimit pas tatimit të “selive të përhershme” të regjistruara në Republikën e Shqipërisë (degë të shoqërive jorezidente). Por në rast se një entitet jorezident shqiptar, ka krijuar në Republikën e Shqipërisë, njëkohësisht edhe një seli të përhershme (degë) edhe një entitet juridik sipas legjislacionit shqiptar, të cilat, nëpërmjet mekanizmit të transferimit të çmimit apo alokimit të të ardhurave dhe shpenzimeve te “selia e përhershme”, fitimi pas tatimit të së cilës nuk tatohet në Shqipëri, synojnë të minimizojnë fitimin e entitetit juridik të krijuar dhe të shmangin detyrimet tatimore, zbatohen dispozitat e nenit 71/2 të ligjit nr. 9920, datë 19.5 2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim alokimin e drejtë të shpenzimeve, të ardhurave, fitimit neto, tatimit dhe fitimit pas tatimit që është subjekt i shpërndarjes si divident, duke rikarakterizuar transaksionet ndërmjet personit juridik jorezident, selisë së përhershme në Shqipëri (degës) dhe personit juridik të krijuar në Shqipëri.
- Të ardhurat e listuara në nenin 4, paragrafët “a” deri “k” janë kategori të ardhurash, të cilat potencialisht mund të jenë të tatueshme në Shqipëri për llogaritjen e detyrimit tatimor, ndërkohë që llojet konkrete të të ardhurave të tatueshme sipas kategorive (të ardhura nga punësimi, biznesi, kapitali, trashëgimitë, dhurimet, lojërat e fatit) dhe normat përkatëse tatimore, janë përcaktuar në mënyrë eksplicite në nenet, kapitujt dhe pjesët e tjera të ligjit.
5. Selia e përhershme
Parashikimet në lidhje me “selinë e përhershme” ndjekin modelin e parashikimit dhe janë të ngjashme me përcaktimin e këtij koncepti, sipas “Modelit të Konventës Tatimore mbi të Ardhurat dhe Kapitalin”, botim i UN-së dhe OECD-së. Kjo për faktin sepse Shqipëria zbaton parimet e këtyre modeleve të konventave në negocimet me vendet e tjera, në lidhje me marrëveshjet bilaterale për eliminimin e tatimit të dyfishtë.
Saktësia në përkufizimin e konceptit të “selisë së përhershme” është e rëndësishme, pasi përcakton të drejtën e Shqipërisë për të tatuar fitimet me burim në Shqipëri të një sipërmarrje të një shteti tjetër.
Neni 2 i ligjit përcakton se personat jorezidentë janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat në Shqipëri
Për totalin e të ardhurave të tyre të tatueshme në mbarë botën, kur ky total të ardhurash i atribuohet një selie të përhershme që tatimpaguesi jorezident ka krijuar në Republikën e Shqipërisë; dhe
Në masën që nuk përfshihen në shkronjën “a”, më sipër, të ardhurat e tyre të tatueshme nga të gjitha burimet, që kanë një burim në Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 4 të këtij ligji, në një vit të caktuar tatimor.
Mënyra e tatimit të të ardhurave të jorezidentëve.
Personi jorezident krijon seli të përhershme në Shqipëri. Në rast se personi jorezident krijon seli të përhershme në Shqipëri në përputhje me nenin 5 të ligjit, ai person ka detyrimin ta regjistrojë selinë e përhershme në formën e degës se shoqërisë së huaj pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Kjo seli e përhershme e regjistruar si degë zbaton dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera tatimore, në lidhje me mbajtjen e dokumentacionit, llogaritjen e të ardhurave, shpenzimeve, fitimit të tatueshëm dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat e korporatës. Të ardhurat, që i atribuohen kësaj selie të përhershme janë të ardhurat e mundshme të listuara në nenin 4 “Burimi i të ardhurave” të këtij ligji. Shpenzimet e degës përfshijnë shpenzimet operacionale dhe ato të amortizimit të aktiveve të ndodhura në Shqipëri, por pa ndonjë transferim të shpenzimeve të mëmës, apo kuota shpërndarjeje të shpenzimeve të përgjithshme administrative. Fitimi mbas tatimit i degës, mund të transferohet tek entiteti jorezident që ka krijuar selinë e përhershme në Shqipëri. Detyrimi i jorezidentit për ta regjistruar “selinë e përhershme” lind në momentin më të parë që jorezidenti parashikon se plotëson kriterin e krijimit të “selisë së përhershme”, mundësisht para fillimit të veprimtarisë ekonomike në Shqipëri.
Personi jorezident nuk krijon seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë, por merr të ardhura të paguara nga një rezident shqiptar, apo jorezident, për punë dhe shërbime të kryera në favor të rezidentit shqiptar. Sipas shkronjës “f”, paragrafi 2, i nenit 5, “Selia e përhershme”, konsiderohet se një jorezident, nuk ka krijuar “seli e përhershme”, në Shqipëri nga kryerja e shërbimeve, përfshirë shërbimet e konsulencës të ofruara nëpërmjet punonjësve të tij ose individëve të tjerë, vetëm nëse këto aktivitete vazhdojnë (për të njëjtin person ose një person të lidhur) në Republikën e Shqipërisë për një periudhë ose periudha në total prej më pak se gjashtë muajsh gjatë çdo periudhe dymbëdhjetëmujore. Në rastet kur për shërbime të përfituara nga një rezident tatimor shqiptar “B”, ky i fundit nuk bën ndonjë pagesë, por transaksioni i pagesës së këtij shërbimi të përfituar bëhet nga një jorezident tatimor shqiptar “A” për një jorezident tjetër tatimor “C”, vlera e këtij shërbimi do të konsiderohet financim i përkohshëm për rezidentin tatimor shqiptar “B” dhe më pas një pagesë (kompensim) nga rezidenti tatimor shqiptar “B” për jorezidentin “A”. Transaksionet duhet të mbështeten në kontrata, fatura dhe pagesa të verifikueshme.
Lidhur me zbatimin e sa më sipër, në rastet kur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendit të rezidencës se tatimpaguesit, i cili furnizon me shërbime dhe merr pagesa nga rezidentë tatimorë shqiptarë, ka në fuqi marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, do të zbatohen klauzolat e parashikuara në këto marrëveshje. Nëse në Marrëveshje nuk ka klauzola në lidhje me ndarjen e së drejtës të taksimit të ndonjë kategorie të ardhurash, zbatohet parimi i përgjithshëm i taksimit të një jorezidenti duke mbajtur tatimin në burim.
6. Viti tatimor
Për efekte të deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore, viti tatimor është i njëjtë më vitin kalendarik dhe fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor.
7. Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale
- Tatimpagues i tatimit mbi të ardhurat personale kosiderohet çdo person fizik ku përfshihen individët, personat fizikë tregtarë, dhe të vetëpunësuarit, të cilët deklarojnë dhe paguajnë “Tatim mbi të ardhurat personale”.
- Tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga personat fizikë qofshin individë, tregtarë apo të vetëpunësuar përfshin:
- Tatimin mbi të ardhurat nga punësimi të individëve;
- Tatimin mbi të ardhurat nga biznesi i individëve tregtarë dhe të vetëpunësuar;
- Tatimin mbi të ardhurat nga investimi.
- Personat fizikë janë, gjithashtu, subjekt i tatimit mbi të ardhurat nga dhuratat, trashëgimia dhe lojërat e fatit, pavarësisht se këto kategori të ardhurash trajtohen në kreun VI të ligjit.
8. Rezidenca e personave fizikë
- Përcaktimi nëse një person fizik (individ, tregtar apo i vetëpunësuar) plotëson kushtet e rezidentit tatimor në Republikën e Shqipërisë, është i rëndësishëm për të llogaritur detyrimet e tij tatimore mbi baza mbarëbotërore, pra për të ardhurat e realizuara brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.
- Një person fizik, konsiderohet rezident tatimor shqiptar, nëse plotëson edhe vetëm një nga kushtet e listuara në shkronjat “a” deri “d” të nenit 8 të ligjit.
- Ka një vendbanim të qëndrueshëm nënkupton se ka një banesë në pronësi, të dhuruar, të trashëguar, me qira për të paktën 6 muaj etj., në të cilën jeton. Konsiderohet se vendbanimi i qëndrueshëm është një shtëpi e përhershme, domethënë, individi duhet ta ketë përshtatur dhe mbajtur atë për përdorim të përhershëm dhe jo thjesht si një vend ku qëndrimi synohet të jetë me kohëzgjatje të shkurtër për më pak se 6 muaj. Nëse individi ka një banesë të përhershme në dy apo më shumë shtete (në Shqipëri dhe në një vend tjetër p.sh. Itali) konsiderohet rezident për qëllime tatimore në vendin ku ka qendrën e interesave jetikë. Pra ku ka familjen, apo ka interesat jetësorë dhe ekonomikë.
- Konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, individi i cili qëndron në Shqipëri gjatë një viti tatimor, në vazhdim ose me ndërprerje, në total, më tepër se 183 ditë, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ka interesat jetikë. Në llogaritjen e kohës së qëndrimit në Shqipëri përfshihen ditët e prezencës fizike, pra jo vetëm ditët e punës por edhe ditët e mbërritjes, largimit, pushimet. P.sh. nëse një individ vjen në Shqipëri në datën 30 mars të vitit 2022 dhe qëndron deri më 10 tetor të vitit 2022 ai do të konsiderohet rezident në Shqipëri, pasi brenda vitit tatimor ka shpenzuar me shumë se 183 ditë në Shqipëri.
- Germa “c” e nenit 8 të ligjit përcakton rezidencën e funksionarit konsullor, diplomatik ose të ngjashëm, të caktuar me punë nga shteti në ambasada, konsullata apo në organizma ndërkombëtarë jashtë vendit, të cilët konsiderohen rezidentë tatimorë shqiptarë edhe pse jetojnë me vite jashtë Shqipërisë.
- Tregtari dhe/ose i vetëpunësuari konsiderohen rezident tatimor shqiptar, kur plotësojnë kushtin e paragrafit “ç” të nenit 8 të ligjit.
- Ka qendrën e interesave jetikë në Republikën e Shqipërisë, nënkupton lidhje të rëndësishme personale në Shqipëri (ka familjen, fëmijët e mitur, bashkëshortin/bashkëshorten, bashkëjetuesin/bashkëjetuesen) apo edhe lidhje ekonomike në Shqipëri (ka biznese, menaxhon pasuri, ka investime etj. të kësaj natyre).
- Në rast se rezidenca e një personi fizik nuk është e mundur të përcaktohet sipas kritereve të mësipërme, referimi mund të bëhet në dispozitat e Konventave apo të Marrëveshjeve Ndërkombëtare të pranuara dhe nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.
9. Dokumentacioni
- Tatimpaguesit e tatimit mbi të ardhurat personale mbajnë dokumentacionin dhe të dhënat sipas kërkesave të këtij ligji. Ata mbajnë, gjithashtu, dokumentacion dhe të dhëna në përputhje me legjislacionin e kontabilitetit (ligji “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare) dhe standardet kombëtare të kontabilitetit.
- Tatimpaguesit të cilët dorëzojnë deklaratën e të ardhurave, duhet të justifikojnë çdo të ardhur të deklaruar me dokumentacionin përkatës.
- Pavarësisht detyrimeve që kanë sipas ligjit për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, personat fizikë të vetëpunësuar dhe tregtarët, për qëllime tatimore janë të detyruar të mbajnë dhe tregojnë regjistrimet në lidhje me veprimtarinë e tyre. Këto të dhëna përfshijnë regjistrimet e shitjeve dhe blerjeve në sistemin e fiskalizimit, përfshirë librat e gjeneruara nga ky sistem për shitblerjet me faturë, si dhe shitjet me para në dorë nëpërmjet regjistruesit elektronik. Personat fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuar pasqyrojnë, gjithashtu, veprimtarinë e tyre në libra të thjeshtë sipas aneksit nr. 1 të këtij udhëzimi.
- Individët, të cilët deklarojnë të ardhurat nga punësimi, duhet të disponojnë:
- kontratën e punës apo të shërbimit;
- dokumentacionin e pagesave ku pasqyrohet edhe tatimi i mbajtur në burim (përmbledhëse vjetore e listëpagesës të lëshuar nga punëdhënësi);
- çdo dokument ligjor që vërteton shpenzimet për të cilat do të pretendohet zbritja nga baza tatimore (neni 22, paragrafi 1(ç) dhe 2), përfshirë certifikatën familjare, dokumentet për fëmijët në ngarkim të tij, dhe personave të tjerë që mund të ketë nën kujdestarinë e tij.
- Në rastet kur tatimpaguesi pretendon kreditimin e tatimit të huaj, ai duhet të disponojë dokumentet në lidhje me ndonjë tatim të huaj të paguar, i cili lejohet të zbritet nga tatimi i pagueshëm në Shqipëri, përfshirë por pa u kufizuar në: prova të qarta të deklaratës tatimore të të ardhurave në vendin tjetër, dokumentin e pagesës së tatimit të huaj apo dokumente të tjera origjinale të autoriteteve të huaja kompetente që vërtetojnë pagesën e tatimeve në atë vend dhe që mund të kreditohen nga tatimi i pagueshëm në Shqipëri.
10. Të ardhurat personale të tatueshme
- Të ardhura personale të tatueshme sipas ligjit, konsiderohen të ardhurat nga punësimi sipas nenit 12, të ardhurat nga biznesi sipas nenit 13 dhe të ardhurat nga investimet (të ardhurat nga kapitali) të listuara në nenin 15 të ligjit.
- Të ardhurat personale janë të tatueshme pavarësisht faktit se paguhen në mjete monetare (lekë apo monedha të huaja) apo në natyrë. Në rastet kur të ardhurat personale janë realizuar në natyrë, ato vlerësohen me vlerën e tregut, konvertohen në lekë me kursin e ditës së blerjes, krijimit apo pagesës së tyre, duke llogaritur në këtë mënyrë bazën e tatimit mbi të cilën aplikohet tatimi sipas ligjit dhe detyrimi tatimor përkatës. Për përcaktimin e vlerës së tregut zbatohen metodat dhe praktika të njohura si, p.sh. përcaktimi i çmimit të mallit apo i shërbimit të marrë në natyrë duke iu referuar çmimeve për produktet të njëjta apo të ngjashme në treg. Si parim dhe kriter në vlerësimin e këtyre përfitimeve, duhet pasur parasysh që vlera e tatueshme si e ardhur nga punësimi për punëmarrësin, të mos jetë më e vogël se vlera e shpenzimit për personelin që përbën shpenzim të zbritshëm për punëdhënësin.
- Llojet dhe kategoritë e të ardhurave në natyrë, por pa u kufizuar vetëm në to mund të përfshijnë:
- pagesat në lidhje me shërbimet e kryera apo mallrat e furnizuara për të punësuarin, të vetëpunësuarit apo tregtarin jo në para, por në aktive të tjera të ndryshme nga paratë;
- aktivet (mallra, inventar etj.) të dhuruara të punësuarit nga punëdhënësi;
- qira të paguara të punëmarrësit nga punëdhënësi;
- pagesa për trajtime estetike, operacione plastike etj. të kësaj natyre;
- pagesa për trajtime mjekësore, kur nuk është parashikuar ndryshe në këtë ligj dhe udhëzim;
- pagesa për udhëtime private, akomodim privat pushime etj. të kësaj natyre, të paguara në favor të të punësuarit nga punëdhënësi, por që nuk lidhen me marrëdhëniet e punës dhe me realizimin e detyrave (shërbimet jashtë qendrës së punës, transporti, dietat, akomodimi);
- aktive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të përfituara nga punëmarrësi, si automjete, motomjete, mjete detare, shtëpi, truall, tokë.
- Të ardhurat e paguara në natyrë duhet të shoqërohen me dokumentacionin justifikues që provon shpenzimin e bërë në lidhje me aktivin/shërbimin e paguar, si:
- Faturat elektronike të paguara për trajtime estetike, mjekësore, udhëtime, akomodim, aktive të blera dhe të dhëna si shpërblim në natyrë.
- Kontrata qiraje dhe dokumentacion pagesash për qira të paguar jo nga përfituesi i saj, jo më pak se nivelet e përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për nivelet minimale të qirasë.
- Kostoja e argumentuar mallrash apo inventari të dhuruara punëmarrësit.
- Vlera e tregut e mallrave/shërbimeve të dhëna në këmbim të mallrave/shërbimeve të tjera të marra.
- Nuk konsiderohen përfitime në natyrë për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale, mallra të dhëna punëmarrësit dhe pagesa të bëra për llogari të tij, si vijon:
- Në rastet kur punëdhënësi, për nevoja punë, pajis punëmarrësin me pajisje telefonike, kompjuter/laptop/tablet pune por që ngelen pjesë e inventarit të punëdhënësit, apo paguan për ta shpenzime telefonike, internet në funksion të detyrave të tyre si të punësuar, nuk konsiderohen përfitime në natyrë të punëmarrësit, dhe alokohen si shpenzime biznesi.
- Në rastet e punëmarrësve të huaj, shpenzime të tilla si shpenzimet e lëvizjes dhe transferimit së një punonjësi të huaj, shpenzimet për aplikim vize etj. të kësaj natyre, do të konsiderohen shpenzime biznesi dhe jo përfitime personale. Shpenzime të kësaj natyre do të konsiderohen si përfitime personale vetëm nëse janë të parashikuara si të tilla në kontratat paraprake apo kontratat e punësimit me këtë kategori individësh, dhe në këtë situatë do të konsiderohen shpenzime të zbritshme për punëdhënësin.
11. Kategoritë e të ardhurave personale që nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale
Në paragrafët “a” deri “f” të nenit 11, listohen kategoritë e të ardhurave personale, të cilat janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, si më poshtë:
- Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nënkuptojnë çdo të ardhur individuale që buron nga pagesat e bëra nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Kujdesit Shëndetësor. Pagesat e bëra nga fondi i sigurimeve shoqërore përfshijnë çdo lloj pagese për pension pleqërie, invaliditeti, kompensimi etj. Edhe pagesat e bëra nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor, pavarësisht natyrës së tyre, janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi për individët përfitues të tyre;
- Ndihmat ekonomike nga buxhetet publike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës në fuqi përfshijnë pagesa të tilla të dhëna nga pushteti qendror dhe ai lokal;
- Të ardhurat e përjashtuara mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Marrëveshje të tilla duhet të kenë përcaktuar në mënyrë të qartë subjektet e përjashtuara nga tatimi. Zakonisht, marrëveshje të tilla parashikojnë përjashtime për stafet e huaja (individë jorezidentë shqiptarë), ndërkohë që individët rezidentë shqiptarë përgjithësisht i nënshtrohen legjislacionit të brendshëm tatimor dhe nuk përfitojnë nga marrëveshje të tilla të ratifikuara. Përjashtimet që mund të jenë parashikuar në dokumente të cilat nuk janë ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pra që nuk prevalojnë mbi legjislacionin e brendshëm, nuk zbatohen;
- Kompensimet financiare të paguara për pronarët e pronave, si shpërblim për shpronësimet e bëra nga shteti për interesa publikë, paguar nga buxheti qendror apo buxhetet lokale, si dhe kompensimet financiare që u jepen ish-pronarëve nga shteti për shpronësimet e pronës para vitit 1991;
- Kompensimet financiare të paguara ish-të dënuarve politikë dhe pasardhësve të tyre, dhe të përfituara sipas legjislacionit përkatës në fuqi;
- Shpërblimet dhe çmimet e dhëna sportistëve, artistëve, studiuesve, shkencëtarëve etj., qoftë nga institucionet shtetërore apo organet e qeverisjes vendore, për rezultate dhe arritje në shkencë, sport, kulturë. Përjashtimi nga llogaritja dhe pagesa e tatimit për këto të ardhura, nuk i përjashton përfituesit nga detyrimi për dorëzimin e deklaratës vjetore të të ardhurave sipas kushteve të ligjit.
- Bursat e nxënësve dhe të studentëve të akorduara nga qeveria qendrore apo ajo lokale për nxënës dhe për studentë me rezultate të larta, sipas akteve përkatëse të fushës;
- Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore. Termi “dëmshpërblim” nuk përfshin përfitimet në formë pagash nga individët e larguar nga puna, për të cilët vendimi i gjykatës kërkon pagesën e pagave të papaguara. Këto përfitime do të tatohen sikur pagat të ishin marrë çdo muaj për periudhën që mbulon vendimi i gjykatës.
- Të ardhurat nga mbështetja me grante dhe subvencione në bujqësi dhe blegtori me fonde të buxhetit të shtetit ose me burime të tjera.
12. Të ardhurat nga punësimi
- Çdo përfitim i individit që ka lidhje me marrëdhëniet e punësimit, konsiderohet e ardhur nga punësimi dhe tatohet si e tillë, pavarësisht nëse është apo emërtohet pagë, rrogë, shpërblim, bonus, shtesë, kompensim etj. Parimi kryesor që një e ardhur të konsiderohet si e ardhur nga punësimi është që individi tatimpagues duhet të ndjekë udhëzimet e paguesit të të ardhurave, pra punëdhënësit, apo personit (edhe ky në rolin e punëdhënësit) që i ka caktuar një detyrë/funksion, në mënyrë që të marrë pagën/rrogën/shpërblimin/bonusin/kompensimin apo shtesën, apo elemente të tjera të ngjashme me këto. Brenda konceptit të të ardhurave nga punësimi janë paga bazë, për kohë punë apo sasi prodhimi, çdo shtesë mbi pagën bazë e përhershme, si shtesat për pozicion, vjetërsi, vështirësi, largësi vendbanimi, natyrë të veçantë pune apo shërbimi, si dhe shtesa të tjera page e shpërblimi të tjera. Po kështu, edhe të ardhurat që merr individi në formë shpërblimi nga fondi i veçantë, apo nga fonde të tjera të krijuara me akte të ndryshme ligjore apo statutore të shoqërive, si paga e 13-të, apo pagesa të ndryshme të kësaj natyre, konsiderohen të ardhura nga punësimi dhe konsolidohen në bazë mujore për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor.
- Edhe nëse pagesat bëhen për marrëdhënie punësimi apo detyrash që do të konkretizohen në të ardhmen, apo për marrëdhënie punësimi apo detyrash që kanë ndodhur në të kaluarën, përfituesi konsiderohet se ka marrë të ardhura nga punësimi dhe do të tatohet në bazë të rregullave të tatimit të të ardhurave nga punësimi në momentin e deklarimit të listëpagesës për këto të ardhura nga punëdhënësi.
- Natyrën e të ardhurave nga punësimi kanë edhe shpërblimet e drejtorëve, shpërblimet si anëtar i bordit të drejtorëve ose i organit ligjor të një shoqërie, si dhe shpërblimet për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues nga të punësuarit e vetë entitetit pagues.
- Në rastet kur pagesa të tilla, të cilat mund të jenë periodike, mujore/tremujore/vjetore, sipas rastit, merren në vendin e punësimit të vazhdueshëm të individit, paguesi i tyre, pra agjenti i listëpagesës konsolidon të gjitha të ardhurat në bazë mujore dhe mban tatimin sipas normave ligjore në fuqi.
- Në rastet kur pagesa të tilla, të cilat mund të jenë periodike, mujore/tremujore/vjetore, sipas rastit, merren jo në vendin e punësimit, por në një entitet të ndryshëm me të cilin individi përfitues nuk ka marrëdhënie punësimi, entiteti pagues mban tatimin 15%, sipas përcaktimit në nenin 65, paragrafi 1, germa “b” e ligjit.
- Edhe në rastet e transferimit apo të huazimit të punonjësve nga një entitet, të ardhurat individuale të përfituara nga punonjësit do të trajtohen si të ardhura nga punësimi dhe do të tatohen si të tilla. Nëse ortaku në një shoqëri bazuar në Kodin e Punës konsiderohet i punësuar dhe merr pagë periodike mujore, këto të ardhura konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe tatohen në listëpagesë sipas tarifave progresive. Nëse ortaku për ndonjë shërbim apo punë merr të ardhura të cilat nuk kanë natyrën e të ardhurës nga punësimi paguan tatim 15% mbi të ardhurën bruto, përveç rasteve kur merr të ardhurat nga dividendi apo ndarjet e fitimit, të cilat tatohen sipas normës së parashikuar në ligj.
- Germa “ç”, e paragrafit 1, të nenit 12 është “klauzolë antishmangie” dhe synon të mbrojë bazën e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, nëpërmjet kalimit të tatimpaguesit nga statusi “i punësuar” në statusin “i vetëpunësuar”, me qëllimin e vetëm të përfitimit të avantazheve fiskale duke aplikuar norma më favorizuese tatimi.
- Nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën. Për qëllime të zbatimit të kësaj pike, llogaritja e detyrimit tatimor, sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari që plotëson këto kritere, në deklaratën tatimore vjetore të tij. Në rastet kur të ardhurat që përfitohen sipas këtij paragrafi, paguhen rregullisht çdo muaj, llogaritja e tatimit nga vetë i punësuari bëhet në bazë mujore. Nëse kontratat ndërmjet të vetëpunësuarit dhe të porositësit të shërbimit janë vjetore, por pagesa bëhet me këste, p.sh. dy apo tri herë në vit, e ardhura e përfituar shtrihet për të gjitha periudhat tatimore të cilave u takon (muajt) dhe tatimi llogaritet sipas shumës së të ardhurës së çdo muaji. Ndërkohë për efekt të deklarimit të të ardhurave nga biznesi, kjo e ardhur do të deklarohet zero në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi, duke qenë se kjo e ardhur konsiderohet e ardhur nga punësimi. Rregulla sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm, apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.
- Në rastet kur i vetëpunësuari, rezident tatimor me seli të përhershme në Shqipëri, siguron 100 për qind të shërbimeve vetëm për persona jorezidentë, të cilët nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri në formën, degës apo zyrës së përfaqësimit, germa “ç” e paragrafit 1 të nenit 12 nuk zbatohet. Në këto raste, i vetëpunësuari llogarit dhe paguan tatimin sipas nenit 24, paragrafi 2 i ligjit.
- Të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës, humbjes së vendit të punës ose ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit. Nëse një punëmarrës, për shkaqet e mësipërme dhe bazuar në detyrimet e punëmarrësit sipas kushteve të kontratës, merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit për shkurtimin e vendit të punës, apo mbylljes së vendit të punës, apo ndërprerjes së tyre për shkaqe nga më të ndryshmet, të ardhurat e paguara do të konsiderohen:
- të ardhura të muajit kur paguhen dhe do tatohen sipas normave tatimore të tatimit mbi pagat nëse pagesa e këtij bonusi bëhet çdo muaj,
- tatohen sipas germës “b”, të paragrafit 1, të nenit 65, me 15% të shumës së përfituar, nëse paguhen në një shumë të vetme, pasi konsiderohet kompensim dhe jo e ardhur nga punësimi.
- Nisur nga parimi që të ardhurat nga punësimi tatohen në vendin e punësimit, edhe në rastet kur fuqia punëtore ofrohet nga një agjenci punësimi e cila nuk është rezidente tatimore shqiptare, si p.sh. rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.
Shembull. Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro. Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj. Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit.
- Nuk konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe nuk janë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat, përfitimet e mëposhtme të të punësuarve:
- Vlera e ushqimeve të konsumuara, pijeve (jo alkolike), pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi, dhe që janë të disponueshme për të gjithë të punësuarit në kushte të ngjashme dhe që krijojnë kushte më të mira pune për të punësuarit. Përfitimet e të punësuarve, sipas këtij paragrafi, konsiderohen jashtë bazës së tatimit, vetëm të rastet kur ofrohen si të tilla në natyrë nga punëdhënësi, qoftë për mallra apo shërbime, pra: i. ose kur ato organizohen dhe ofrohen nga vetë punëdhënësi, p.sh. ushqimi dhe pijet joalkoolike në mensën e entitetit, kabineti i mjekut apo dentistit në entitet; ii. ose kur punëdhënësi i merr këto shërbime nga të tretët dhe punonjësit e tij marrin ushqim në një restorant të kontraktuar, apo kryejnë ekzaminime apo vizita mjekësore në një klinike (pa përfshirë pagesat për trajtime estetike, operacione plastike etj. të kësaj natyre). Në rastet kur punëdhënësi jep pagesa në mjete monetare të konsideruara si pagesa për trajtim ushqimor, mjekësor, blerje pajisjesh, si uniforma etj., pagesa të tilla të përfituara të mjete monetare nga punëmarrësi do të konsiderohen pjesë e të ardhurave personale të tij nga paga dhe do të tatohen si të tilla.
- Rimbursimet nga punëdhënësi i shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe dietave. Përfitime të tilla duhet të justifikohen me dokumentacion, për të provuar se pagesa të tilla si përfitime të punëmarrësit, janë pjesë e përmbushjes së detyrave të tyre sipas kontratës, dhe janë kryer si pjesë e veprimtarisë ekonomike dhe për qëllime të menaxhimit të entitetit. Dokumentacioni justifikues duhet të përfshijë edhe:
- Autorizimin me shkrim të nivelit përkatës të menaxhimit për shërbimet për nevoja të punës. Menaxhimentit, duke treguar dhe arsyetuar qëllimin e udhëtimit për nevoja të punës, të lidhur me funksionet që kryen përfituesi;
- Faturat e paguara si dokumente justifikuese, biletat e transportit, faturat e akomodimit apo dokumente të tjera justifikuese, të lëshuara në emër të shoqërisë ku individi është i punësuar, për sa lidhet me shpenzime të akomodimit dhe udhëtimit.
- Kompensimet në formë ndihme për punonjësit në rastet e sëmundjeve, fatkeqësive apo vështirësive të jetesës që kanë, por brenda parashikimeve në legjislacionin përkatës në fuqi kur ka përcaktime të tilla. Pagesa dhe përfitime të tilla duhet të argumentohen me dokumentacion (p.sh. ndihmë në rastin e vdekjes së familjarëve, pagesa për mjekime etj.), por shuma totale e përfitimit nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore nga punësimi të punonjësit përfitues të shpërblimit/shpërblimeve.
- Në rastet kur punëdhënësit sigurojnë të punësuarit në shoqëritë e sigurimit në lidhje me jetën, shëndetin dhe aksidentet në punë, pagesa të tilla në formën e kontributit për sigurimin e jetës, shëndetit dhe aksidenteve në punë, të bëra nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit nuk konsiderohen pjesë e pagës mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagë.
- Në zbatim të konventave apo të marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara dhe nënshkruara nga Republika e Shqipërisë apo qeveria shqiptare, individët të cilët megjithëse mund të plotësojnë kriterin e rezidentit tatimor shqiptar, por që gëzojnë statusin diplomatik dhe janë pjesë e misioneve të huaja diplomatike apo organizmave dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat që rrjedhin nga pagat dhe kompensimet për marrëdhëniet e punës së tyre, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
- Në rastet kur një individ, merr të ardhura në formën e pagave, kompensimeve, dëmshpërblimeve etj., por që lidhen me punësimin e tij të kaluar dhe pagesa bëhet në një shumë të vetme apo në disa këste, të ardhurat e përfituara trajtohen;
- Nëse vendimi i Gjykatës shoqërohet me detyrimin e punëdhënësit, që krahas pagës, t’u paguajë punëmarrësit edhe kontributet e sigurimeve, të ardhurat e përfituara trajtohen si të ardhura nga punësimi të viteve për të cilat janë paguar dhe tatimi llogaritet si i tillë.
- Nëse vendimi i Gjykatës i trajton si të ardhura në formën e kompensimit apo dëmshpërblimit, pa detyrimin për pagesën e kontributeve sipas muajve dhe viteve të kaluara, tatimi mbi të ardhurat llogaritet 15 % mbi pagesën bruto të përfituar nga punëmarrësi.
Shembull 1. Nëse një individ është larguar nga puna nga punëdhënësi në datën 1 janar 2024, por për shkak të ndjekjes gjyqësore të çështjes ka një vendim të formës së prerë të datës 31 dhjetor 2029 për pagimin e pagave nga data e largimit nga puna deri në datën e vendimit të gjykatës (vendim i shoqëruar apo jo me detyrimin e kthimit në vendin e punës), punëdhënësi i llogarit individit tatimin mbi pagën për çdo muaj, nga data e largimit deri në datën e vendimit, pavarësisht mënyrës së pagesës që aplikohet, në një shumë të vetme, apo në këste. Në këto raste, kur për shkak të zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si rezultat i pasqyrimit të pagave në listëpagesa shtesë për periudha të kaluara, gjobat dhe interesat që gjenerohen nga sistemi, hiqen nga administrata tatimore, pasi, së pari sistemi është dizenjuar për të llogaritur gjoba dhe interesa konform dispozitave ligjore për deklarim dhe pagesë të vonuar në situata normale të deklarimit dhe pagesës, ndërkohë që rastet në fjalë nuk lidhen me shkelje të tatimpaguesit punëdhënës por me zbatim të vendimit të gjykatës.
Shembull 2. Nëse një individ është larguar nga puna nga punëdhënësi në datën 1 janar 2024, por për shkak të ndjekjes gjyqësore të çështjes ka një vendim të formës së prerë të datës 31 dhjetor 2029 për pagimin e një dëmshpërblimi nga data e largimit nga puna deri në datën e vendimit të gjykatës, apo për një periudhë disavjeçare apo disamujore (vendim i shoqëruar apo jo me detyrimin e kthimit në vendin e punës), punëdhënësi i llogarit individit tatimin mbi këtë dëmshpërblim në masën 15 % mbi çdo pagesë që merret, qoftë në mënyrë të menjëhershme, qoftë me këste.
13. Të ardhurat nga biznesi
- Në kuptim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ardhurat nga biznesi i personave fizikë ku përfshihen tregtarët dhe të vetëpunësuarit, përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat e listuara në germat “a” deri “gj” të nenit 13 të ligjit. Të ardhura të tilla do të trajtohen si të ardhura biznesi, nëse më parë nuk janë trajtuar si të ardhura nga punësimi, p.sh. nëse jemi në kushtet e germës “ç” të paragrafit 1 të nenit 12, apo të germës “b”, paragrafi 1 i nenit 65:
- Të ardhurat e një personi fizik tregtar apo i vetëpunësuar nga çdo aktivitet biznesi i tij, i çfarëdolloji apo natyre;
- Të ardhurat që personi fizik tregtar apo personi fizik i vetëpunësuar merr në formën e interesit, dividentit, ndarjes së fitimit, apo çdo honorari, por vetëm për rastet kur këto të ardhura janë pjesë e biznesit që ushtron personi fizik tregtar apo i vetëpunësuar dhe jo pjesë e investimeve individuale të tij. Shembull. Nëse një tatimpagues i vetëpunësuar merr interesa nga llogaritë e tij të biznesit, apo ndonjë ndarje fitimi nga kuota që mund të ketë në një biznes tjetër, kuotë kjo që ka pasur si burim financimi aktivet e biznesit të të vetëpunësuarit dhe jo llogari individuale të tij, këto kategori të ardhurash do të trajtohen si të ardhura të biznesit;
- Të ardhurat nga shitja e titujve, të cilat janë efektivisht të lidhura dhe pjesë e biznesit të tij;
- Të ardhurat nga dhënia me qira e një biznesi, pavarësisht se qiradhënia i përfshin të gjitha apo një pjesë të aktiveve të trupëzuara apo të patrupëzuara. Shembull. Një tatimpagues, person fizik tregtar, apartamentin e tij në katin e parë e ka shndërruar në dyqan, e ka regjistruar në Agjencinë e Kadastrës si të tillë dhe e ka futur si kontribut, pjesë të aktiveve të biznesit që ushtron. Nëse ky tregtar, një pjesë të dyqanit e jep me qira për një tregtar apo të vetëpunësuar tjetër, të ardhurat nga qiraja do të konsiderohen pjesë e të ardhurave të Biznesit të tij. Por nëse ai jep me qira një apartament tjetër që ka në pronësi si individ, të ardhurat që siguron nga kjo qiradhënie konsiderohen të ardhura individuale nga qiradhënia, tatohen sit ë tilla dhe nuk kanë lidhje me biznesin e tregtarit;
- Të ardhurat nga shitja e çdo lloj aktivi dhe detyrimi të biznesit, përfshirë edhe shitjen e të gjithë biznesit. Nëse aktivet janë regjistruar si pjesë e biznesit, të ardhurat nga shitja e tyre do të jenë të ardhura biznesore. Nëse shitet i gjithë biznesi, përfshire aktivet e trupëzuara, por edhe ato të patrupëzuara, e gjithë shuma e arkëtuar nga shitja është e ardhur e tatueshme biznesore, pavarësisht se shuma e arkëtuar mund të jetë më e lartë (për shkak të listës së klientëve, emrit të mirë, pozicionit etj.) se vlera e aktiveve të shitura në kuadrin e biznesit.
- Fitimi kapital i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në një riorganizim biznesi, siç përcaktohet në nenin 46 “Rregullat e zbatueshme mbi riorganizimet e biznesit” të këtij ligji;
- Dhuratat, grantet apo subvencionet e marra nga një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, të cilat jepen për biznesin e tij dhe pavarësisht kush është dhuruesi apo subvencionuesi. Të hyra të tilla në llogaritë e biznesit, konsiderohen të ardhura biznesore për efekt tatimi. Nëse financimet e veprimtarisë ekonomike të personit fizik qoftë tregtar apo i vetëpunësuar, bëhen nga individi i regjistruar si person fizik që zotëron këtë biznes, shuma e deklaruar si e financuar në formën e huas nga pronari duhet të argumentohet si burim nga të ardhura personale të individit, të cilat janë taksuar më parë në nivel biznesi person fizik apo në nivel dividenti nga ndonjë person juridik, apo të taksuara si të ardhura personale nga paga, interesit, qiratë, e drejta e autorit etj. të ardhura të tatuara më parë. Nëse këto financime të biznesit në formën e huas nga pronari paraqiten në pasqyrat financiare të subjektit, veprimtaria e subjektit dhe huaja e pronarit duhet të jetë subjekt i kontrollit të thelluar të veprimtarisë se personit fizik por edhe të individit që është regjistruar si person fizik, në lidhje me të ardhurat, shpenzimet, çmimet e shitjes dhe çdo element tjetër i rëndësishëm që impakton bazën e TVSH-së, të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm.
- Çdo lloj tarife shërbimi që faturon personi fizik për të tretë në kuadrin e biznesit të tij.
- Fitimet kapitale nga rivlerësimi i aktiveve të biznesit kur këto aktive janë dhënë si kontribut në natyrë në kapitalin e një kompanie, qoftë në themelimin e saj apo rritjen e kapitalit;
- Nëse aktivi është i rivlerësuar sipas dispozitave të ligjeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, dhe tatimi në lidhje me këto rivlerësime është paguar, personi fizik nuk e llogarit shumën e rivlerësuar të asetit si të ardhur nga biznesi, por njëkohësisht nuk e llogarit atë si shpenzim biznesi/nuk e amortizon në koston e mallrave dhe shërbimeve të shitura. Ndërkohë, nëse ky aktiv i rivlerësuar do shitet, fitimi kapital nga shitja e aktivit do të llogaritet si diferencë ndërmjet çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Në rastet kur rivlerësimi i aktivit është bërë jo në zbatim të ndonjë ligji specifik për rivlerësimin e pasurisë, por nga vetë subjekti, vlera e rivlerësuar nuk merret në konsideratë as si e ardhura as si shpenzim biznesi dhe njëkohësisht nuk merret në konsideratë si vlerë referuese edhe për llogaritjen e fitimit kapital në rastin e shitjes.
- Nëse aseti është rivlerësuar para futjes si aktiv i biznesit, dhe ky rivlerësim nuk është bërë në kuadrin e ligjeve të miratuara në lidhje me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, shuma e rivlerësuar pasqyrohet si e ardhur biznesi dhe njëkohësisht amortizohet çdo vit në shpenzimet e biznesit. Shembull. Nëse vlera fillestare e një magazine ku do të zhvillohet veprimtaria ekonomike e personit fizik është 1 milion lekë dhe personi fizik, para futjes së magazinës si aset biznesi e rivlerëson në 5 milionë lekë, diferenca 5-1=4 milionë lekë do të konsiderohet si e ardhur biznesi, dhe njëkohësisht do të amortizohet si shpenzim biznesi. E ardhura dhe shpenzimi për vlerën e rivlerësuar 4 milionë lekë që do të pasqyrohen në llogaritë e të ardhurave dhe shpenzimeve duhet të jenë në shuma të barabarta çdo vit, përkatësisht 5% e bazës së llogaritjes, pra e njehsuar me normën vjetore të amortizimit të këtij aseti.
- Të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale, si dhe të ardhurat nga transaksionet me mjete virtuale të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin e tatimpaguesit.
- Të ardhurat vjetore të tatueshme nga biznesi, përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit, pakësuar me shpenzimet përkatëse të dokumentuara dhe të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit dhe shpenzimet e zbritshme të llogariten në përputhje me kreun 4 të këtij ligji.
14. Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar
- Për nevoja të deklarimit të të ardhurave tatimore nga biznesi, tatimpaguesi që ka statusin e personit fizik, tregtar apo i vetëpunësuar mund të përdorë:
- Formën e plotë të deklarimit, ku ai duhet të evidentojë çdo shpenzim të zbritshëm biznesi dhe t’i deklarojë ato sipas kërkesave të ligjit, duke llogaritur të ardhurat bruto nga shitja e mallrave dhe shërbimeve, shpenzimet e zbritshme, të ardhurën neto nga biznesi të tatueshme dhe tatimin mbi të ardhurat të llogaritur. Në këtë rast, tatimpaguesi do të mbajë regjistrime të plota në lidhje me shpenzimet e kryera dhe të pasqyruara në faturat elektronike të lëshuara nga furnizuesit e mallrave dhe të shërbimeve, regjistrime mbi llogaritjet e amortizimit të aseteve sipas grupeve nëse ka, regjistrime për interesa të paguar dhe shpenzime të tjera të zbritshme. Ndërkohë të ardhurat bruto nga biznesi duhet të pasqyrohen nëpërmjet faturave elektronike për shitjet biznes me biznes dhe faturave të fiskalizuara për shitjet biznes me konsumator.
- Me dëshirën e tij, tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat nga biznesi, por i cili ka realizuar qarkullim, pra të ardhura bruto nga biznesi sipas përcaktimeve për të ardhurat në nenin 13 të ligjit, jo më shumë se 10.000.000 lekë për vitin tatimor, mund të zgjedhë të zbatojë formën e shkurtuar të deklarimit të të ardhurave të tatueshme, sipas nenit 14 të ligjit, duke pasqyruar si shpenzime, të cilat zbriten nga e ardhura, shumën e supozuar në % të qarkullimit (të ardhurës bruto), sipas paragrafit 1 të nenit 14 për çdo kategori biznesi. Ndërkohë, të ardhurat bruto nga biznesi duhet të argumentohen dhe pasqyrohen nëpërmjet faturave elektronike për shitjet biznes me biznes dhe faturave të pajisjeve fiskale për shitjet biznes me konsumator. Në qoftë se veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit nuk përfshin një vit të plotë, për efekt të vlerësimit nëse subjekti mund të zgjedhë apo jo të zbatojë regjimin e veçantë për deklarimin e shpenzimeve në një shumë të vetme të supozuar, konvertohet e ardhura bruto e periudhës në të ardhur vjetore. Për të bërë konvertimin, totalin e të ardhurës për vitin tatimor e pjesëtojmë me numrin e muajve që ka ushtruar veprimtarinë tatimpaguesi gjatë këtij viti tatimor dhe më pas e shumëzojmë me 12. Në rast se e ardhura e konvertuar në të ardhura bruto vjetore, rezulton deri në 10.000.000 lekë, atëherë tatimpaguesi ka të drejtën të zgjedhë të zbatojë metodën e supozuar të shpenzimeve në një shumë të vetme si përqindje e të ardhurave bruto të periudhës. Pavarësisht se tatimpaguesi mund të zgjedhë metodën e supozuar të shpenzimeve, ai është i detyruar të zbatojë detyrimet që ka në kuadrin e legjislacionit të fiskalizimit për pranimin e faturave të blerjes së mallrave dhe shërbimeve nga furnizuesit e tij me mallra dhe shërbime, dokumentimin e çdo shpenzimi tjetër biznesi, si dhe të evidentojë shitjet e mallrave dhe shërbimeve bazuar në kërkesat e këtij ligji. Gjithashtu, ai është i detyruar të respektojë afatet e ruajtjes së dokumentacionit tatimor, si për blerjet, ashtu edhe për shitjet, sipas dispozitave ligjore në fuqi, si dhe çdo detyrim tjetër ligjor në lidhje me dhënien e informacionit dhe të dhënave për nevoja verifikimi dhe kontrolli tatimor, sipas procedurave dhe detyrimeve të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tyre.
- Deklarimi i të ardhurave të tatueshme qoftë me metodën e evidentimit të plotë të shpenzimeve, qoftë me metodën e supozuar të tyre, bëhet nëpërmjet deklaratës së të ardhurave që është pjesë e këtij udhëzimi.
- Personi fizik, tregtar apo i vetëpunësuar, mund të zgjedhë metodën sipas regjimit të veçantë me nivel shpenzimesh të supozuara, ose të zbatojë zbritjen e shpenzimeve bazuar në dokumentacion dhe fatura, me kusht që kalimi nga një metodë në tjetrën të mos ndodhë më shpesh se njëherë në tre vjet. Pra nëse një person fizik zgjedh të përdorë regjimin e veçantë, ai do ta përdorë atë për të paktën 3 periudha tatimore. Në rast se në fund të periudhës 3-vjeçare, personi fizik tregtar/i vetëpunësuar zgjedh të mbajë dokumentacionin për evidentimin e shpenzimeve, ai bën njoftim pranë drejtorisë rajonale ku është i regjistruar për ndryshimin e regjimit të mbajtjes së dokumenteve të nevojshme për efekt të njohjes së shpenzimeve tatimore.
- Tatimpaguesi, i cili ka zbritur shpenzimet në një shumë të vetme sipas regjimit të veçantë, nuk lejohet të kërkojë zbritje apo kompensim tjetër përveç kompensimit personal, sipas nenit 22 “Zbritjet nga baza tatimore” të këtij ligji.
15. Të ardhurat nga investimet
- Të ardhurat nga investimet për individët janë të ndryshme nga të ardhurat e tyre nga punësimi apo nga të ardhurat e biznesit në rastet kur individi është person fizik tregtar apo i vetëpunësuar.
- Në kategorinë e të ardhurave nga investimet, apo të ardhurave nga kapitali pasiv bëjnë pjesë të ardhura të tilla si: të ardhurat nga interesat e depozitave të kursimit, llogarive rrjedhëse, llogarive me afat apo pa afat, të ardhurat nga interesat e bonove të thesarit apo obligacioneve, të ardhurat nga dividendët apo ndarjet e fitimit, të ardhurat nga honoraret, fitimet kapitale nga tjetërsimi i kuotave të kapitalit në shoqëri, apo letrave me vlerë të tilla si aksione, fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës, kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat, fitimi kapital nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme, të ardhurat nga qiraja e pasurive të paluajtshme, të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale apo edhe të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale.
- Të tilla të ardhura të listuara në pikën 15.2 më lart, konsiderohet si të ardhura të individit, por nëse ndonjë nga këto të ardhura, siç është shpjeguar edhe në paragrafin 1 të nenit 13, është pjesë e biznesit të tregtarit apo të vetëpunësuarit, ajo trajtohet si pjesë e të ardhurave të biznesit.
- Të ardhura të përjashtuara të investimeve do të konsiderohen, të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të luajtshme, përveç tjetërsimit të automjeteve, aeroplanëve dhe anijeve në qoftë se ato shiten brenda më pak se 12 muajve nga blerja, të ardhurat nga transferimi i së drejtës së pronësisë së tokës bujqësore nga një fermer i regjistruar për një person fizik ose entitet, i cili kryen një aktivitet bujqësor, si dhe në rastet kur pasardhësi ligjor trashëgimtar e mban tokën për të njëjtin qëllim dhe aktivitet. Përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat edhe të ardhurat nga investimi në Eurobonde të emetuara nga qeveria e shqipërisë, kur investitori është individ jorezident shqiptar.
- Në rastet e shitjes së kuotave apo pjesëve të kapitalit në një shoqëri, çmimi i shitjes duhet të marrë në konsideratë vlerën e mbetur të aktiveve, si dhe çdo aktiv tjetër qarkullues në mallra apo mjete monetare. Çmimi i shitjes së kuotave duhet të përfaqësojë vlerën e drejtë të tregut të aktiveve që përfaqësojnë këtë kuotë. Shembull. Çmimi i shitjes së 100% të kuotës së një shoqërie, e cila ka në bilancin e vet një total prej 100 milionë lekësh aktivë, 30 milionë lekë detyrime ndaj të tretëve (banka, furnitorë) dhe 70 milionë lekë kapital (kapital fillestar, rezerva, fitim të pashpërndarë), në kushtet kur vlera në kontabilitet e këtyre aktiveve përfaqëson vlerën e tregut të tyre, kuota që shitet duhet të vlerësohet në 100-30=70 milionë lekë. Nëse është e nevojshme, në këto raste, vlerësimi i aktiveve që transferohen bëhet edhe nga ekspertët e autorizuar. Njëkohësisht, përfituesi i kuotave duhet të vërtetojë se shuma e parave të përdorura për blerjen e tyre janë fonde për të cilat janë paguar tatimet, sipas legjislacionit shqiptar (të ardhura të tatuara më parë si pagë, dividend, interes, e drejtë autori, shërbim teknik për të cilin është mbajtur tatimi etj.), ose transferta nga jashtë nëpërmjet sistemit bankar, ku përfituesi i kuotave duhet të vërtetojë origjinën dhe burimin e tyre. Qendra Kombëtare e Biznesit, zbaton procedurat e kërkuara nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, në lidhje me regjistrimin e ndryshimeve në kapitalin e shoqërive.
16. Të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e letrave me vlerë dhe mjeteve virtuale
- Të ardhurat e krijuara nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare, janë të ardhura të tatueshme dhe konsiderohen si të ardhura nga investimet. Baza tatimore në këtë rast është diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes të këtyre aseteve të tjetërsuara.
- Çdo shpenzim që lidhet drejtpërdrejt me blerjen dhe shitjen e titujve apo instrumenteve financiare, si për shembull shpenzimi i brokerimit etj., për qëllime të llogaritjes së bazës tatimore, nuk shtohet apo zbritet përkatësisht.
Shembull. Një klient ka blerë aksionin e shoqërisë X në treg të rregulluar/Bursë, apo në një platformë shumëpalëshe tregtimi ose në një platformë të organizuar tregtimi me çmimin 10,000 lekë/aksion. Pavarësisht se klienti (individi) duhet të paguajë edhe komisionin e brokerimit që mund të jetë 1% e vlerës së transaksionit, për efekt tatimor, çdo shpenzim as nuk shtohet, as nuk zbritet përkatësisht. Nëse ky klient e shet këtë aksion me çmim 12,000 lekë, pavarësisht komisionit të brokerimit, baza tatimore në këtë rast është diferenca 12,000–10,000=2,000 lekë/aksion. Tatimi që duhet të paguajë individi X, është 300 lekë (2,000 * 15%).
- Për titujt apo instrumentet financiare të listuara në bursë, çmimet e blerjes dhe të shitjes përcaktohen nga dokumentet e mëposhtme të tregtimit në datën e transaksionit, si:
- Dokumenti bankar që vërteton pagesën në blerje, apo të ardhurat në rast shitje;
- Konfirmimi i tregtimit nga shoqëria komisionere, e cila ka ekzekutuar urdhrin për llogari të klientit.
- Nëse të ardhurat e tatueshme nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare rezultojnë me humbje në një vit tatimor, një humbje e tillë mund të kompensohet me të ardhura të tatueshme të investimeve nga tjetërsimi i titujve apo instrumenteve financiare të tjera në të njëjtin vit tatimor.
Shembull. Individi X, gjatë një periudhe tatimore ka humbur 10,000 lekë si rezultat i tjetërsimit së aksionit A, por ndërkohë brenda së njëjtës periudhë ka realizuar edhe një të ardhur të tatueshme prej 15,000 lekësh nga tjetërsimi i obligacionit B. Humbja nga shitblerja e aksionit e A kompensohet me të ardhurat e tatueshme nga shitblerja e obligacionit B. Si rrjedhojë, e ardhura e tatueshme (baza tatimore) nga tjetërsimi i këtyre titujve do të jetë vlera 5,000 lekë (15,000-10,000). Tatimi që duhet të paguajë individi X në këtë rast, është 750 lekë (5,000 * 15%).
- Të ardhurat e krijuara nga tjetërsimi i mjeteve virtuale përcaktohen si diferencë midis vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të këtyre mjeteve. Nëse të ardhurat e tatueshme të investimit nga tjetërsimi i mjeteve virtuale rezultojnë me humbje në një vit tatimor, të ardhurat e tatueshme të investimit konsiderohen të jenë zero, pra nuk kompensohet me të ardhura të tatueshme që rezultojnë nga tjetërsimi i mjeteve të tjera virtuale.
- Për mjetet virtuale të listuara në platforma tregtimi, çmimet e blerjes dhe të shitjes përcaktohen nga dokumentet e mëposhtme të tregtimit në datën e transaksionit, si:
- Dokumentet bankare, dokumentet nga platformat e tregtimit të mjeteve virtuale ose dokumentet nga portofoli digjital përkatës, që vërtetojnë kryerjen e pagesës për blerjen e mjetit virtual ose marrjen e të ardhurave nga shitja e mjetit virtual.
- Dokumentet nga platforma e tregtimit ose nga kujdestari i portofolit të palëve të treta, që vërteton pronësinë e mjetit virtual në rast blerje ose pakësimin e portofolit të mjetit virtual në rast shitjeje.
- Në rastin e përfitimit të mjetit virtual përmes procesit të nxjerrjes (mining) gjatë një periudhe tatimore, tatimpaguesi e deklaron këtë aset në deklaratën vjetore të të ardhurave personale, duke e vlerësuar me çmimin e tregut në ditën e përfitimit të mjetit virtual në portofolin digjital. Kjo vlerë do të konsiderohet si e ardhur e tatueshme. Në rastin e përfitimit të mjeteve virtuale përmes procesit të nxjerrjes (mining) për qëllime biznesi, tatimpaguesi kontabilizon prodhimin e mjetit virtual me çmimin e tregut, ndërkohë llogarit edhe shpenzimet e lidhura me nxjerrjen e mjetit virtual. Diferenca mes të ardhurave nga mjetet virtuale (kontabilizuar me çmim tregu) dhe shpenzimeve për përfitimin e tyre, do të konsiderohet e ardhur e tatueshme.
- Në rastin e titujve apo instrumenteve financiare të fituara me trashëgimi ose dhurim, çmimi i blerjes për qëllime tatimore është vlera e tatueshme e titujve apo e instrumenteve financiare të dhuruara ose të trashëguara në momentin e përfitimit.
17. Të ardhurat e tatueshme nga investimi për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme
- Procedurat e llogaritjes së të ardhurave, kostove dhe fitimeve, sipas rasteve dhe nënrasteve, në lidhje me fitimet kapitale që lidhen me tjetërsimin e pasurive të paluajtshme nga individët, sqarohen në udhëzimin e ministrit përgjegjës për Financat dhe drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
- Në rastin e pasurisë së paluajtshme që është fituar me trashëgimi ose dhurim, ose heqje dorë nga pronësia, çmimi i blerjes për qëllime tatimore është vlera e tatueshme e pasurisë të dhuruar ose trashëguar në momentin e marrjes e përcaktuar sipas praktikave në fuqi. Kjo vlerë zbatohet në rastet kur transaksioni pasues mbas trashëgimisë/dhurimit/heqjes dorë, në thelb ka përsëri natyrë dhurimi/trashëgimie/heqje dorë, dhe ka një akt të ligjshëm trashëgimie/dhurimi/heqje dore për përfituesit ligjorë, sipas neneve 361 dhe 363 të Kodit Civil. Në çdo rast apo formë tjetërsimi ndryshe sa më lart, çmimi i blerjes do të jetë i barabartë me shumën që ka paguar përfituesi në atë transaksion, dhe nëse nuk ka paguar për shkak të përjashtimit ligjor nga tatimi, ajo shumë do të jetë zero.
18. Të ardhurat vjetore të tatueshme nga investimi
- Të ardhurat vjetore të tatueshme nga investimi duhet të përfshijnë çdo të ardhur të tillë sipas përcaktimit në nenin 15 të ligjit dhe konsiderohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të tatueshme nga investimi.
19. Rregullat për entitetet e huaja të kontrolluara
- Në nenin 19 të ligjit përcaktohen rregullat për tatimin e një personi fizik i cili ka një interes në një entitet të huaj të kontrolluar (EHK).
Kur një person fizik ka një interes në një entitet të huaj të kontrolluar, fitimet e të cilit nuk i nënshtrohen tatimit ose janë të përjashtuara nga tatimi në Shqipëri, çdo fitim i pashpërndarë, i cili rrjedh nga “të ardhurat pasive”, duhet të përfshihet në të ardhurat e tatueshme nga investimi i personit fizik.
Mund të ndodhë të krijohet një strukturë offshore nga tatimpaguesit për të shmangur pagesën e tatimit brenda vendit. Në vend të kryerjes së investimeve të drejtpërdrejta, personat fizik ia dërgojnë kapitalin një subjekti me seli jashtë Shqipërisë në një vend me shkallë të ulëta tatimore (apo shkallë tatimore 0), që bën më pas investimet. Në format veçanërisht agresive të këtyre organizimeve, një pjesë e kapitalit ose i gjithë kapitali u jepet hua bizneseve që kontrollohen nga tatimpaguesi, i cili ushtron aktivitet në Shqipëri. Interesi mbi huan zbritet pastaj nga fitimi i tatueshëm i biznesit në Shqipëri. Të ardhurat nga këto investime i merr subjekti i huaj për t’ua nënshtruar një shkalle tatimore të ulët ose zero. Nëse tatimpaguesit i duhen të ardhurat, mund të marrë masa për t’i përdorur mjetet monetare në një formë të patatueshme. Neni 19 e heq avantazhin e këtyre organizimeve, duke ia nënshtruar tatimit të menjëhershëm të ardhurat e marra nga një strukturë offshore.
- Për të përcaktuar nëse zbatohen rregullat e EHK-së, duhet të marren në konsideratë dy çështje:
- nëse një njësi ekonomike e huaj është e llojit që do të konsiderohej EHK, sipas paragrafit 2 të nenit 19; dhe
- nëse të ardhurat pasive kalojnë 30% të fitimit total të EHK-së.
- Çdo entitet i huaj konsiderohet entitet i huaj i kontrolluar kur plotësohen kushtet e mëposhtme:
- personi fizik, ose së bashku me personat e lidhur, ka një pjesëmarrje direkte ose indirekte jashtë Shqipërisë prej më shumë se 50 për qind të të drejtave të votës, ose zotëron direkt ose indirekt më shumë se 50 për qind të kapitalit, ose gëzon të drejtën të marrë më shumë se 50 për qind të fitimit të atij entiteti; dhe
- tatimi aktual i paguar mbi fitimin e tij nga entiteti është më pak se 50 për qind e tatimit që do t’i ngarkohej entitetit, në rast se do të kishte qenë një entitet rezident në Shqipëri.
- Hapi i parë për të përcaktuar EHK-në, sipas paragrafit “a” më sipër, është të identifikohet nëse personi fizik ka kontroll direkt apo indirekt të së drejtës së votës, të kapitalit apo fitimit të EHK-së dhe më pas të identifikojë nivelin e kontrollit të përcaktuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) e ndjek në nivel operativ identifikimin e personit fizik që ka kontroll të EHK-së. DPT-ja përdor në mënyrë efektive informacionin mbi llogaritë financiare të siguruara nëpërmjet shkëmbimit automatik të informacionit. Këto shkëmbime mbështeten në standardin e përbashkët të raportimit dhe do të sigurojnë informacion për llogaritë financiare të kontrolluara nga tatimpaguesit shqiptarë, për organizimet e mbuluara nga neni 19, i cili përdor standardin 50 për qind.
DPT-ja duhet të krahasojë deklarimet e bëra në deklaratën individuale të të ardhurave me të dhënat e siguruara nëpërmjet CRS-së.
- Hapi i dytë është krahasimi i tatimit të paguar nga EHK-ja dhe tatimit që do të ishte paguar nëse shoqëria do të ishte rezidente në Shqipëri. Për këtë qëllim, personi rezident paraqet dokumentet justifikuese për tatimin e paguar nga EHK-ja, ku specifikohet edhe norma tatimore.
Shembulli i mëposhtëm paraqet krahasimin e tatimit të paguar nga EHK-ja me tatimin e pagueshëm në Shqipëri.
Nga shembulli i mësipërm rezulton se tatimi i paguar nga EHK-ja është më pak se 50% e tatimit që do t’i ngarkohej shoqërisë nëse do të ishte rezidente në Shqipëri.
Nga testi i bërë për shembullin rezulton se përmbushet kushti i përcaktuar në paragrafin “b”, pika 2, të nenit 19, të ligjit.
- Me përfundimin e analizës për të përcaktuar nëse do të zbatohen rregullat e EHK-së, kryhet analiza e të ardhurave pasive. Të ardhurat pasive do të konsiderohen:
- interesat ose çdo e ardhur e realizuar nga aktivet financiare;
- honoraret ose çdo e ardhur tjetër e realizuar nga pronësia intelektuale;
- dividendët dhe të ardhurat nga shitja e letrave me vlerë;
- të ardhurat nga qiraja financiare.
Çdo fitim i pashpërndarë, i cili rrjedh nga këto të ardhura pasive, duhet të përfshihet në të ardhurat e tatueshme nga investimi i personit fizik që ka një interes në një EHK. Të tilla të ardhura do të deklarohen nga personi fizik nëpërmjet deklaratës individuale të të ardhurave.
Në vazhdim të shembullit të mësipërm duke supozuar që shuma e të ardhurave pasive është në vlerën 30 000 lekë, pra e ardhura pasive e kalon 30% (50% e 60 000 lekë), të fitimit total të EHK-së, atëherë jemi në kushtet e zbatimit të dispozitave të nenit 19 të ligjit. Shuma 30 000 lekë do të deklarohet nëpërmjet deklaratës individuale të të ardhurave.
Këto të ardhura do të tatohen sipas shkallës tatimore të përcaktuara në paragrafin 3 të nenit 24.
- Kur entiteti i shpërndan fitimet personit fizik dhe ato fitime të shpërndara përfshihen në të ardhura të tatueshme të personit fizik, shumat e të ardhurave të përfshira më parë në bazën tatimore, sipas këtij neni zbriten nga baza tatimore për llogaritjen e shumës së tatimit që u takon fitimeve të shpërndara.
- Kur EHK-ja ka paguar tatimin në shtetin e rezidencës ose vendbanimit mbi të ardhurat e përfshira në bazën tatimore të personit fizik sipas këtij neni, ky tatim mund të kreditohet kundrejt detyrimit të përgjithshëm tatimor. Kredia tatimore do të llogaritet sipas nenit 25, “Kreditimi i tatimit të huaj”.
20. Tatimi i pensioneve private
- Në kuptim të ligjit për fondet e pensionit privat, një individ mund të jetë anëtar i fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, i krijuar nga një apo disa punëdhënës ku pjesëmarrja është e kufizuar vetëm për punëmarrësit, apo i fondit të pensionit me pjesëmarrje të hapur i krijuar nga shoqëria administruese ku pjesëmarrës mund të jetë çdo individ. Bazuar në nenin 20 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, kontributi mujor i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat, pavarësisht formës së tij (me pjesëmarrje të mbyllur apo të hapur) deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi, zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Dokumenti justifikues është kontrata që anëtari i fondit ka me shoqërinë administruese të fondit të pensionit privat.
Në rastin kur kontributi në fondin e pensionit privat, është me burim nga marrëdhënia e punësimit, ai i zbritet të ardhurës personale të tatueshme, përpara përllogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale nga agjenti i mbajtjes së tatimit në burim.
- Gjatë periudhës së administrimit të fondit të pensionit privat nga shoqëria administruese, kthimi nga investimi dhe fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me aktivet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohet tatimit.
- Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.
- Tërheqja e parakohshme e aktiveve nga fondi i pensionit tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale për vlerën e plotë të aktiveve të tërhequra para kohe, përfshirë kontributet. Tërheqja e parakohshme është tërheqja e vlerës së aktiveve nga llogaria individuale e fondit të pensionit, përpara plotësimit të kushteve për të përfituar pagesën e pensionit privat, në përputhje me përcaktimet e ligjit për fondet e pensionit privat.
- Kur anëtari i fondit të pensionit plotëson kushtet për përfitimin e pensionit privat, sipas zgjedhjes, ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aktiveve në llogarinë e vet të fondit të pensionit ose pagesa periodike në formë pensioni që i përgjigjen kësaj vlere, të zgjatura në kohë jo më pak se afati i parashikuar në ligjin për fondet e pensionit privat.
Nëse anëtari i fondit zgjedh të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aktiveve të tij në një fond pensioni privat përpara afatit të parashikuar për marrjen e tyre në mënyrë periodike mujore, siç përcaktohet në ligjin për fondet e pensionit privat, vlera e plotë e aktiveve të tërhequra përfshirë edhe kontributet, tatohet me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale.
Nëse anëtari i fondit zgjedh të marrë pagesa periodike mujore në formë pensioni, siç përcaktohet në ligjin për fondet e pensionit privat, këto të ardhura tatohen vetëm për kthimin nga investimi, me normën në fuqi të tatimit. Kthimi nga investimi, i cili është rezultati që merret nga investimi i aktiveve dhe fitimi i kapitalit, llogaritet për efekt tatimor nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat, duke përdorur metodën e çmimit mesatar të blerjes së kuotave.
Tatimi për kthimin nga investimi mbahet nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat dhe derdhet në llogari të buxhetit të shtetit në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
Shembull. Anëtari X i fondit të pensionit privat, ka kryer pagesa në data të caktuara në formën e kontributit, që përkthehen në kuota pensioni në fondin e pensionit privat, sipas tabelës së mëposhtme.
Data e blerjes | Numri i kuotave | Çmimi (lek) | Vlera e blerjes (lek) |
5 janar 2023 | 45 | 100 | 4,500 |
3 shkurt 2023 | 55 | 120 | 6,600 |
2 mars 2023 | 150 | 130 | 19,500 |
15 prill 2023 | 150 | 140 | 21,000 |
TOTAL | 400 | 51,600 |
Çmimi mesatar i blerjes së kuotave është vlera totale e blerjes së kuotave përmbi numrin e tyre (51,600/400=129 lekë).
Anëtarit, më 5 qershor 2023 (pasi ka plotësuar kërkesat ligjore për përfitimin e pensionit), sipas kontratës me shoqërinë administruese për marrjen e pensionit në mënyrë periodike, do t’i shlyhen 10 kuota nga llogaria e tij në fondin e pensionit privat, me çmim për njësi prej 170 lekësh. Vlera totale e këtyre kuotave në momentin e shlyerjes është 1,700 lekë (10 kuota *170 lekë/njësi). Vlera e blerjes së këtyre kuotave është prodhimi i numrit të kuotave me çmimin mesatar të blerjes së tyre, e barabartë me 1,290 lekë (10 kuota*129 lekë/njësi). Kthimi nga investimi (fitimi nga shitja e kuotave) për anëtarin X, i llogaritur nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat, është diferenca midis vlerës së kuotave në momentin e shlyerjes dhe vlerës së blerjes së tyre (1,700 lekë–1,290 lekë=410 lekë), ndërsa tatimi për kthimin nga investimi, i llogaritur me normën aktuale në fuqi është 61.5 lekë. Në datën 5 korrik 2023, anëtarit do t’i shlyhen dhe 10 kuota të tjera, por tashmë çmimi i shitjes së kuotave ka ndryshuar (është rritur) në 172 lekë për kuotë. Kthimi nga investimi në këtë rast do të jetë (1,720-1,290=430 lekë), ndërsa tatimi për kthimin nga investimi është 64.5 lekë.
- Për anëtarët e fondit të pensionit, të cilët kanë investuar në fond kursimet e tyre individuale të taksuara më parë, tatimit për kthimin nga investimi me normën në fuqi i bëhet zbritje 10% e detyrimit të tatimit për t’u paguar.
21. Baza tatimore vjetore
- Për efekt të përcaktimit të bazës tatimore vjetore të të ardhurave të individit, merren në konsideratë të tria kategoritë e të ardhurave: të ardhurat vjetore të tatueshme të punësimit, të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit dhe të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve. Kjo bazë tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas ligjit.
- Për tri kategoritë e të ardhurave personale, të cilat përbëjnë bazën e tatueshme, normat tatimore aplikohen veçmas për çdo kategori, sipas përcaktimeve në ligj:
- të ardhurat nga punësimi tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%;
- të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15% dhe 23%;
- të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8% dividendëd dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi
22. Zbritjet nga baza tatimore
- Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore:
- një shumë prej 600 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë prej 50.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë;
- një shumë prej 420 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000 lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në 60.000 lekë;
- një shumë prej 360 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë;
- një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh në vit .
- Kërkesën për zbritjet personale, tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, mund ta kërkojë nëpërmjet deklaratës përkatëse, nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor.
- Tatimpaguesi i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 22.1, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Agjenti tatimor i listëpagesës është i detyruar të marrë në konsideratë në baza mujore zbritjet dhe llogarit në listëpagesë tatimin mbi të ardhurat për të punësuarin që ka nënshkruar deklaratën mbi statusin personal me këtë agjent tatimor të listëpagesës. Punëmarrësi nuk mund të nënshkruajë deklaratën për statusin personal me më shumë se një agjent tatimor të listëpagesës për të njëjtën periudhë kalendarike mujore.
- Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me kompensimin për fëmijën në ngarkim të tij bëhet vetëm një herë nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave apo deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi.
Shembull
Individi “A” punon me kohë të plotë si financier në kompaninë “XX” dhe ka pagë bruto 70,000 lekë/muaj ose 840,000 lekë/vit. Ndërkohë, punon dhe në një zyrë kontabël me kohë të pjesshme me një pagë 40,000 lekë/muaj ose 480,000 lekë/vit.
Llogaritja e zbritjes nga baza tatimore:
Individi “A” zgjedh të nënshkruajë Deklaratën e Statusit Personal me zyrën kontabël. Zyra kontabël mban tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe është i detyruar të marrë në konsideratë në terma mujorë zbritjen nga baza tatimore. Konkretisht e ardhura tatimore e individit “A” nga zyra kontabël është 40,000 lekë/muaj. Ligji parashikon se për pagat deri në 50.000 lekë/muaj, aplikohet një zbritje deri në 50.000 lekë/muaj. Në rastin konkret punëmarrësi ka një pagë prej 40,000 lekësh/muaj në zyrën kontabël, ku pasi i aplikojmë zbritjen tatimore, baza e tatueshme mbetet zero dhe në këtë rast punëmarrësi rezulton me detyrime 0 lekë ndaj tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për të ardhurat mujore që merr në zyrën kontabël.
Kompania “XX”, referuar paragrafit 1, të nenit 65 dhe paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit aplikon një tatim progresiv 13% dhe 23% mbi pagën dhe nuk aplikon zbritje nga baza tatimore.
Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi i më pak se 1.200.000 lekë mund të zbresë përveç shumave individuale sipas paragrafit më sipër, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë;
Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
23. Kërkesa për zbritje
- Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Ai duhet të paraqesë dokumente justifikues, të tilla si: certifikatën e gjendjes familjare, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.
- Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet Deklaratës së Statusit Personal, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor të listëpagesës në bazë mujore, të shumës së përmendur në nenin 22 paragrafi 1/a, b, c. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor. Tatimpaguesi, i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Zbritjet e tjera përveç zbritjeve personale në përputhje me nenin 22, paragrafi 1/a, b, c, mund të kërkohen vetëm nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
24. Norma tatimore
- Për të ardhurat nga punësimi, normat tatimore progresive që zbatohen janë 13% dhe 23%. Reduktimi i ngarkesës tatimore për të punësuarit me të ardhura të ulëta, nuk bëhet nëpërmjet aplikimit të tarifës 0% për një segment të caktuar page, por duke reduktuar bazën e tatimit (pagën bruto) me një shumë të caktuar të parashikuar në nenin 22 të ligjit. Konkretisht, pasi aplikohen zbritjet tatimore, sipas nenit 22, për të ardhurat vjetore nga punësimi deri në 2,040,000 lekë (në terma mujorë deri në 170,000 lekë), aplikohet një normë tatimore prej 13%. Për pjesën e të ardhurat vjetore nga punësimi mbi 2,040,000 lekë (në terma mujorë mbi 170,000 lekë) aplikohet një normë tatimore prej 23%.
- Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:
- 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;
- 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit.
- Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi zbret nga e ardhura bruto çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitimin e tatueshëm vjetor në masën 12.000.000 lekë, tatimi që do të paguajë do të jetë 12.000.000 x 15% = 1.800.000 lekë.
- Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar, sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitimin e tatueshëm 20.000.000 lekë, tatimi që do të paguajë do të jetë: 14.000.000 x 15% + 6.000.000 x 23 % = 2.100.000 + 1.380.000 = 3.480.000 lekë. Pra, tatimi që do të paguajë tatimpaguesi, për një fitim të tatueshëm prej 20,000,000 lekësh do të jetë 3.480.000 lekë.
- Të ardhurat nga investimi tatohen përkatësisht 8% të ardhurat nga dividentët/ndarjet e fitimit dhe 15% çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi. Përveçse kur parashikohet ndryshe në ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.
- Shembuj të llogaritjes së tatimit:
Individi “A” punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit. Individi “B” (bashkëshorti i individit “A”) ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ka të ardhura neto (fitim të tatueshëm) 3,250,000 lekë/vit. Ndërkohë individi “A” ka një depozitë me afat nga e cila merr interesa në shumën 20,000 lekë/vit, ndërsa individi “B” ka disa aksione në kompaninë “XX”, e cila për këtë vit ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit. Individët “A” dhe “B” kanë dhe tre fëmijë, përkatësisht 13, 15 dhe 19 vjeç.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi:
Individi “A” ka të ardhura nga punësimi në shumën 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit, pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 60,000 lekësh në muaj dhe zbritja nga baza tatimore që individi “A” përfiton, referuar paragrafit 1 të nenit 22 të ligjit është 30,000 lekë/muaj. Gjithashtu individi “A” ka dy fëmijë nën moshën 18 vjeç, për të cilët përfitohet një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për fëmijë, pra 96,000 lekë në total megjithatë, duke qenë bashkëshorti ka të ardhura më të larta, do të jetë individi “B” ai që do ta kërkojë këtë kompensim nga baza tatimore, si dhe zbritjet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që individi “A” do të paguajë do të jetë:
Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekësh/vit zvogëlohen me zbritjet e parashikuara sipas këtij ligji. 2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit
E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet:
2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 358,000 lekë në/vit tatimi që individi “A” paguan për të ardhurat nga punësimi.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi:
Individi “B” ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Referuar paragrafit 1 të nenit 22, të ardhurat e tij janë mbi 600,000 lekë/vit, prandaj zbritja nga baza tatimore që ai përfiton është 360,000 lekë. Individi “B”, si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç. Ndërkohë, individi “B” nuk i përfiton zbritjet nga baza tatimore të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 1,200,000 lekë.
Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas këtij ligji.
3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,794,000 lekë/vit
E ardhura neto vjetore (fitimi i tatueshëm), pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet, është më e vogël se 14,000,000 lekë/vit, dhe kjo e ardhur tatohet si më poshtë:
2,794,000 lekë/vit * 15% = 419,100 lekë/vit tatimi që individi “B” paguan për të ardhurat nga biznesi.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi:
Të ardhurat nga depozita me afat e individit “A” dhe të ardhurat nga dividendët që individi “B” ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi.
Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “A”, për interesat e përfituar nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë
Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “B”, për dividendët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë
25. Kreditimi i tatimit të huaj
- Neni 25 ka të bëjë me kreditimin e tatimit që tatimpagues rezidentë të tatimit mbi të ardhurat personale në Republikën e Shqipërisë kanë paguar në vende të tjera (jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë) për të ardhurat që ata kanë realizuar në ato vende. Por ky reduktim nuk do të kalojë nivelin e tatimit që do të aplikohej mbi ato të ardhura, sikur ato të realizoheshin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në bazë të legjislacionit fiskal shqiptar.
- Shuma e tatimit të huaj të paguar në vendet e tjera vërtetohet nga dokumentacioni justifikues përfshirë deklaratën dhe pagesën e tatimit në atë vend, apo dokumentin e lëshuar nga autoriteti i huaj tatimor në të cilin janë realizuar të ardhurat. Dokumentacioni justifikues duhet të përmbajë informacionet identifikuese të tatimpaguesit rezident, natyrën e të ardhurës së përfituar, shumën bruto të të ardhurës dhe tatimin e mbajtur në shtetit tjetër, si dhe vitin tatimor në të cilin të ardhurat janë realizuar.
- Nëse tatimpaguesi ka realizuar të ardhura me burime nga vende të huaja në më shumë se një shtet, atëherë kreditimi i tatimit të huaj llogaritet veçmas për secilin shtet bazuar në dokumentin e lëshuar nga autoriteti tatimor i huaj.
- Kreditimi i tatimit të huaj llogaritet veçmas për secilën nga të ardhurat e përfshira në bazën tatimore, si dhe për të ardhurat vjetore nga investimi.
Nëse një individ rezident shqiptar, ka realizuar në vitin 2023 të ardhura personale p.sh. nga qiradhënia në Itali, dhe ka paguar atje tatim, ai duhet ta kreditojë tatimin e lejueshëm të paguar në Itali në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) të vitit 2023, e cila dorëzohet në vitin 2024.
Shembull. Individi “A.V” zotëron një pronë në Bari të cilën e jep me qira. Të ardhurat vjetore bruto të siguruara në vitin 2023 nga qiradhënia e kësaj prone janë 12.000 euro. Njëkohësisht ai ka paguar atje tatimin për 2.400 euro, ose 20 % të të ardhurës bruto.
Meqenëse individi “A.V.” ka detyrimin e deklarimit të të ardhurave personale në Shqipëri, pasi të ardhurat e tij në vitin 2023 janë mbi 1.200.000 lekë, ai do të pasqyrojë në DIVA edhe të ardhurat e realizuara në Itali për 12.000 euro, por njëkohësisht do të kreditojë tatimin e paguar atje për 12.000 x 15 % = 1.800 euro, pasi ky është tatimi i kreditueshëm në Shqipëri (ndërkohë që në Itali ka paguar 2400 – 1800 = +600 euro tatim më shumë.
E njëjta situatë do të ishte edhe me të ardhurat që realizojnë jashtë Shqipërisë, në kuadrin e biznesit të tyre, edhe personat fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuarit. Edhe ata mund të kreditojnë tatimin e paguar jashtë Shqipërisë për një të ardhur të vitit 2024, por deri në nivelin e tatueshën të asaj të ardhure në Shqipëri, në deklaratën përkatëse tatimore të vitit 2024, e cila dorëzohet deri në 31 mars 2025
26. Llogaritja e tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat personale
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet bazuar në të ardhurat e tatueshme, në përputhje me nenin 24 të ligjit sipas normave tatimore të përcaktuara për secilën kategori të ardhurash.
Nga tatimi i llogaritur zbriten tatimet e paguara nga tatimpaguesi më parë siç janë: tatim i paguar në vendin e huaj, tatimi i mbajtur në burim, tatim i mbajtur në burim për të ardhurat nga marrëdhëniet e punës nga agjenti i tatimit të listëpagesës dhe parapagimet sipas nenit 63 të ligjit.
Nëse nga llogaritja e tatimit të pagueshëm (sipas paragrafit të mësipërm) diferenca del negative, tatimpaguesi i të ardhurave personale mund të kërkojë tatimin e paguar më tepër dhe administrata tatimore do t’i kthejë atij shumën e mbipaguar jo më vonë se 60 ditë nga aplikimi i kërkesës. Kërkesa bëhet nëpërmjet llogarisë së tatimpaguesit në sistemin e-Cats. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit që vërteton tatimin e paguar tatimi i mbajtur në burim, tatim i mbajtur në burim për të ardhurat nga marrëdhëniet e punës nga agjenti i tatimit të listëpagesës dhe parapagimet, miraton kërkesën për rimbursim. Jo më vonë se se 60 ditë nga aplikimi i kërkesës administrata rimburson shumën e tatimit të paguar më tepër.
Në rast se tatimpaguesi nuk kërkon kthimin e tatimit të paguar tepër mbi të ardhurat personale, kjo shumë konsiderohet pagesë në avancë për tatimin mbi të ardhurat personale të periudhës tatimore vijuese.
TATIMI MBI TË ARDHURAT E KORPORATËS (TATIMI MBI FITIMIN KORPORATIV)
27. Tatimpaguesit për tatimin mbi të ardhurat e korporatave
Tatimit mbi të ardhurat e korporatave i nënshtrohen:
- Entitetet e krijuar sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, apo ligjeve të veçanta, i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatave (“tatimpagues i tatimit mbi fitimin korporativ”).
- Shoqëritë e thjeshta sipas parashikimeve në Kodin Civil.
- Çdo entitet tjetër, përfshirë entitetet jorezidente, të cilat krijojnë seli të përhershme në Shqipëri, në formën e degës apo çdo forme tjetër, dhe të cilës i atribuohen fitimet me burim në Shqipëri dhe që nuk janë parashikuar në shkronjat “a” deri “d” të paragrafit 1 të nenit 27 të ligjit.
- Entitetet të cilat trajtohen sipas një regjimi të veçantë tatimor si p.sh. operatorët që i nënshtrohen sistemit fiskal për hidrokarburet. Të tillë janë. për shembull. personat që kryejnë operacione hidrokarbure të autorizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për hidrokarburet. Fitimi i tatueshëm i këtyre personave llogaritet dhe tatohet sipas dispozitave dhe përparësive që parashikon ligji i posaçëm për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur.
- Entitetet e përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës sipas paragrafit 2 të nenit 27 të ligjit, të cilat detyrohen të dorëzojnë në organet tatimore deklaratën tatimore dhe pasqyrat e raportimit financiar, në të njëjtat afate si entitetet që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatës, janë:
- Fondacionet ose institucionet financiare jobankare të krijuara ose transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave, që synojnë mbështetjen e politikave zhvilluese të qeverisë nëpërmjet dhënies së kredive;
- Entitetet që ushtrojnë vetëm veprimtari të karakterit fetar, humanitar, bamirës, shkencor apo edukativ, studimor, pasuria apo fitimi i të cilëve nuk përdoret për përfitimin e organizuesve apo të anëtarëve të tyre dhe brenda limiteve të aktivitetit jotregtar të ushtruar prej tyre;
- organizatat e punës apo dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë, pasuria apo fitimi i të cilave nuk përdoret për përfitimin e një individi apo të një anëtari të tyre;
- Entitetet e parashikuara në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi;
- Shtëpitë filmike të prodhimit kinematografik, të licencuara dhe të subvencionuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
28. Rezidenca
- Përkufizimi i konceptit të rezidencës së entitetit është i rëndësishëm për të përcaktuar dhe ndarë të drejtën tatimore. Entitetet e krijuara sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, apo sipas ndonjë legjislacioni të huaj, dhe që krijojnë seli të përhershme në Shqipëri, janë subjekt i tatimeve sipas këtij Ligji.
- Gjithashtu, nëse një entitet i krijuar apo jo sipas legjislacionit shqiptar, menaxhimin dhe kontrollin e punëve i ushtron në Republikën e Shqipërisë, në çdo kohë gjatë vitit tatimor, konsiderohet rezident tatimor shqiptar për qëllime tatimore.
- Menaxhimi dhe kontrolli i punëve të një entiteti konsiderohet se ushtrohet në Republikën e Shqipërisë, nëse:
Plotësohen të paktën dy nga tri kushtet e mëposhtme:
- vendimet në lidhje me drejtimin dhe ekzekutimin e biznesit të përditshëm të entitetit merren në Republikën e Shqipërisë;
- të paktën 50 për qind e anëtarëve të bordit ose drejtuesve të entitetit janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë;
- të paktën 50 për qind e kapitalit ose e të drejtave të votës së entitetit zotërohen, direkt ose indirekt, nga persona rezidentë në Republikën e Shqipërisë.
29. Përjashtimi në pjesëmarrje
- Për rastet kur entitetet të cilat janë subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ sipas ligjit, kanë/zotërojnë pjesëmarrje, kuota apo aksione në entitete të tjera, dividenti apo shpërndarja e fitimit nga këto entitete të tjera dhe i marrë si e ardhur nga entiteti që ka kuota pjesëmarrjeje trajtohet si më poshtë:
- E ardhura e marrë si divident apo ndarje fitimi nuk i bashkohet fitimit mbi të cilin llogaritet tatimi mbi fitimin, nëse plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte:
- entiteti marrës ka aksione apo pjesëmarrje prej të paktën 10%, në vlerë ose në numër, në kapitalin aksionar, ose të drejtat e votimit të entitetit shpërndarës;
- aksionet ose pjesëmarrja minimale janë mbajtur për një periudhë të pandërprerë prej së paku 24 muajsh.
- Në të gjitha rastet e tjera, e ardhura e marrë si divident apo ndarje fitimi i bashkohet fitimit mbi të cilin llogaritet tatimi mbi fitimin.
- Rregullat sipas paragrafëve “a” dhe “b” më sipër, zbatohen edhe për entitetet jorezidente shqiptare të tatimit mbi të ardhurat e korporatës, nëse pjesëmarrja ka të bëjë me veprimtaritë e biznesit të kryera nga një jorezident në Shqipëri, nëpërmjet një entiteti të tij të krijuar në Republikën e Shqipërisë.
- Garancia e përmendur në paragrafin 3 të nenit, nënkupton garanci të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri, e cila garanton në çdo kohë që me kërkesën e administratës tatimore, të kalojë në llogarinë e kësaj të fundit shumën e garancisë.
- Shembull
Në deklarimin e të ardhurave të tatueshme nga korporata për vitin tatimor 2024 kemi shoqëritë B, C dhe D, të cilat ndër aktivet e tjera, zotërojnë dhe kapital aksionar në shoqërinë A, si më poshtë: 1. Shoqëria B, e cila që nga 1 Korrik 2020, zotëron 50% të kapitalit aksionar ose të së drejtës së votës të shoqërisë A.
- Shoqëria C, e cila që nga 15 nëntori 2023 zotëron 41% të kapitalit aksionar ose të së drejtës së votës së shoqërisë A.
- Shoqëria D, e cila që nga 10 shtatori 2022 zotëron 9% të kapitalit aksionar ose të së drejtës së votës së shoqërisë A.
Pozicioni në pagimin e tatimit mbi fitimin korporativ për secilën shoqëri, llogaritja e rezultatit tatimor duke pasur parasysh kushtet e nenit 29 të ligjit do të jetë:
1. Për shoqërinë A | |
1.1 Fitimi i tatueshëm | 1.000.000 lekë |
1.2 Tatimi mbi të ardhurat e korporatës (15%) | 150.000 lekë |
1.3 Dividend për t’u shpërndarë | 850.000 lekë |
2. Për shoqërinë B | ||
2.1 | Fitimi i tatueshëm i shoqërisë “B” (pa të ardhurat nga dividendi i marrë nga investimi në shoqërinë A) | 800.000 lekë |
2.2 | Dividendi i marrë nga investimi në kapitalin aksionar të shoqërisë A është i përjashtuar nga fitimi i tatueshëm i shoqërisë B, kjo pasi plotësohet kushtet e parashikuara në pikën 1, të nenit 29 të ligjit për sa lidhet me përjashtimin në pjesëmarrje (850.000 lekë x 50% = 425.000 lekë). Njëkohësisht, duke plotësuar kriteret e parashikuara në germën “b” të pikës 1 të nenit 29. | i përjashtuar |
2.3 | Tatimi mbi të ardhurat e korporatës 15% (800.000 lekë x15%) | 120.000 lekë |
2.4 | Dividend për t’u shpërndarë (800.000 lekë – 120.000 lekë + 425.000 lekë) | 1.105.000 lekë |
2.5 | Tatimi mbi dividentin për aksionarët (8% x 1.105.000 lekë) | 88.400 lekë |
3. Për shoqërinë C | ||
3.1 | Fitimi i tatueshëm i shoqërisë C (pa të ardhurat nga dividendi i marrë nga investimi në shoqërinë A) | 900.000 lekë |
3.2 | Dividendi i marrë nga investimi në kapitalin aksionar të shoqërisë A nuk është i përjashtuar në pjesëmarrje, pasi vërtet zotëron të paktën 10% të kapitalit aksionar të shoqërisë A, por këtë kapital aksionar e zotëron për një periudhë më të shkurtër se 24 muaj dhe njëkohësisht nuk ka vendosur për administratën tatimore një garanci për shumën e tatimit që do të ishte e pagueshme në mungesë të përjashtimit. Pra nuk plotësohet kriteri i parashikuar në germën “b”, pika 1, e nenit 29, si dhe nuk janë plotësuar parashikimet e pikës 3 të nenit 29. Dividendi që i takon kompanisë C është 850.000 lekë x 41% = 348.500 lekë.Tatimi i mbajtur në burim nga kompania A për këtë dividend të shpërndarë 348.500 lekë * 8% = 27,880 lekë. | 348.500 lekë |
3.3 | Tatimi i pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës 15% (1.248.500 lekë x 15%) | 187.275 lekë |
3.4 | Tatimi i pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës, bazuar në nenin 40 të ligjit reduktohet me: a) kreditimin e tatimit të huaj sipas nenit 42 të këtij ligji; b) tatimin e mbajtur në burim sipas kreut V të këtij ligji; c) paradhëniet për tatimin mbi të ardhurat e korporatave të paguara gjatë vitit tatimor. Duke qenë se kemi tatim të mbajtur në burim për dividendin e shpërndarë nga shoqëria A, do të kemi reduktim të tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës në masën 8% * 348,500 lekë | (27.880 lekë) |
3.5 | Tatimi mbi të ardhurat e korporatës për t’u paguar 187.275 lekë – 27.880 lekë | 159.395 lekë |
3.6 | Divident për t’u shpërndarë [1.248.500 lekë – (159.395 lekë + 27.880 lekë)] | 1.061.225 lekë |
3.7 | Tatimi mbi dividentin për aksionarët (8% x 1.061.225 lekë) | 84.898 lekë |
4. Për shoqërinë D | ||
4.1 | Fitimi i tatueshëm i shoqërisë D (pa të ardhurat nga dividendi i marrë nga investimi në shoqërinë A) | 600.000 lekë |
4.2 | Dividendi i marrë nga investimi në kapitalin aksionar të shoqërisë A nuk është i përjashtuar në pjesëmarrje pasi zotëron më pak se 10% të kapitalit aksionar të shoqërisë A. Pra nuk plotësohet kriteri i parashikuar në germën “a”, pika 1 e nenit 29. Dividendi që i takon kompanisë D është 850.000 lekë x 9% = 76.500 lekë.Tatimi i mbajtur në burim nga kompania A për këtë dividend të shpërndarë 76.500 lekë * 08% = 6.120 lekë. | 76.500 lekë |
4.3 | Tatimi i pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës 15% (676.500 lekë x 15%) | 101.475 lekë |
4.4 | Tatimi i pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës, bazuar në nenin 40 të ligjit reduktohet me: a) kreditimin e tatimit të huaj sipas nenit 42 të këtij ligji; b) tatimin e mbajtur në burim sipas kreut V të këtij ligji; c) paradhëniet për tatimin mbi të ardhurat e korporatave të paguara gjatë vitit tatimor. Duke qenë se kemi tatim të mbajtur në burim për dividendin e shpërndarë nga Shoqëria “A”, do të kemi reduktim të tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat e korporatës në masën 8% * 76,500 lekë | (6.120) |
Tatimi mbi të ardhurat e korporatës për t’u paguar 101.475 lekë – 6.120 lekë | 95.355 lekë | |
4.5 | Divident për t’u shpërndarë [676.500 lekë – (95.355 lekë + 6.120 lekë)] | 575.025 lekë |
4.6 | Tatimi mbi dividentin për aksionarët (8% x 575.025 lekë) | 46.002 lekë |
30. Rregullat e kufizimit të interesit
- Për qëllime të zbatimit të rregullës së kufizimit të interesit, konsiderohet shpenzim i zbritshëm interesi deri në tridhjetë për qind (30%) të fitimeve të subjektit para interesit, tatimit, zhvlerësimit dhe amortizimit (EBITDA) të vitit tatimor.
- EBITDA do të llogaritet duke i shtuar të ardhurave që i nënshtrohen tatimit, shumat e rregulluara nga tatimi për interesat e tepërt, si dhe shumat e rregulluara nga tatimi për zhvlerësimin dhe amortizimin. Të ardhurat e përjashtuara nga tatimi do të përjashtohen nga EBITDA e entitetit.
- “Interesi i tepërt”, ndryshe kostoja e tejkaluar e huamarrjes lind kur shpenzimet e interesit të një entiteti janë më të madha se të ardhurat e tatueshme nga interesi dhe të ardhurat e tjera të tatueshme ekonomikisht ekuivalente që merr entiteti.
- Llogaritja e kostove të zbritshme të tejkalimit të huamarrjes dhe bartja.
Hapi i parë, llogaritja e EBITDA = fitimi i tatueshmëm + tatime + shpenzimet e interesit + amortizimi dhe zhvlerësimet.
Hapi i dytë është llogaritja e shpenzimit të lejuar të interesit të tepërt, i cili llogaritet sipas formulës:
Teprica e shpenzimeve neto të interest = shpenzimet e zbritshme të interesit – të ardhurat e tatueshme nga interesi.
Në shpenzimet e zbritshme të interesit mbahen në konsideratë parashikimet e nenit 50, paragrafi 1, germa “dh”.
Shembull
Të dhënat financiare për shoqëritë A dhe B jepen në tabelën e mëposhtme;
Shoqëria A (në lek) | Shoqëria B (në lek) | |
=EBITDA | = 100 milionë | = 100 milionë |
× përqindja maksimale e interesit ndaj EBITDA të njohur si shpenzim i zbritshëm | ×30% | ×30% |
= maksimumi i lejuar si shpenzime të zdritshme shprehur në vlerë | =30 milionë | =30 milionë |
Teprica e shpenzimeve neto të interesit | +10 milionë | +40 milionë |
Shpenzimet neto të interesave të pazbritshëm të periudhës (përcaktohet shuma më e vogël ndërmjet zërave “teprica e shpenzimeve neto të interesit” dhe “maksimumi i lejuar si shpenzime të zbritshme shprehur në vlerë”) | 0 | 10 milionë |
- Shoqëria A ka tepricë të shpenzimeve neto të interesit prej 10 milionë lekësh dhe EBITDA prej 100 milionësh lekë. Kjo tepricë e shpenzimeve neto të interesit rezulton nga interesat e kredive/huamarrjeve/financimeve, që shoqëria A ka me palët të treta. Për shkak se shoqëria A ka një raport interesi neto/EBITDA nën 30%, ajo mund të zbresë të gjithë shpenzimet neto të interesit.
- Shoqëria B ka tepricë të shpenzimeve neto të interesit prej 40 milionë lekësh dhe EBITDA prej 100 milionë lekësh. Kjo tepricë e shpenzimeve neto të interesit rezulton nga interesat e kredive/huamarrjeve/financimeve, që shoqëria B ka me palët e treta. Për shkak se shoqëria B ka një raport interesi neto/ EBITDA mbi 30%, ajo nuk mund të zbresë të gjithë shpenzimet neto të interesit. Shoqëria B në këtë rast lejohet të zbresë 30 milionë lekë shpenzime neto interesi dhe 10 milionë lekë nuk lejohen të zbriten, por mbarten në periudhat e ardhshme tatimore.
- Interesi për të cilin refuzohet zbritja mbartet për 5 vitet e ardhshme. Tatimpaguesit për këtë qëllime mban evidenca të interesit të mbartur sipas viteve të cilat ato i përkasin. Bartja e interesit të tepërt bëhet sipas metodës FIFO.
- Rregulla e përcaktuar në këtë paragraf nuk zbatohet për:
- bankat, institucionet financiare jobankare të kredidhënies, shoqëritë e sigurimit dhe shoqëritë e lizingut;
- interesat lidhur me kreditë e përdorura për financimin e një projekti afatgjatë të infrastrukturës publike me kushtin që operatori i projektit, kostot e huamarrjes (interesat e kredisë), asetet e biznesit dhe të ardhurat ndodhen dhe gjenerohen në Republikën e Shqipërisë.
31. Provigjionet dhe zbritja borxhit të keq për institucionet financiare
- Për institucionet financiare, veprimtaria e të cilave rregullohet nga autoritetet rregullatore, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, lejohet zbritje për shumat që do të vendosen dhe/ose rrisin, por duke u kufizuar në:
- Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, në provigjionet teknike të detyrueshme të krijuara në zbatim të ligjit në fuqi për veprimtaritë e sigurimit dhe të risigurimit; dhe
- Për veprimtarinë e bankave tregtare, të institucioneve të tjera financiare jobanka dhe shoqëritë e kursim kreditit provigjionet të krijuara në përputhje me standardet e hartuara nga Bordi i Standardeve Kontabël Ndërkombëtarë dhe të certifikuara pa vëretje nga auditues të jashtëm.
- Shpenzimet e bankave për kontributet vjetore dhe të jashtëzakonshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë, janë shpenzime të njohura në përcaktimin e fitimit të tatueshëm.
- Zbritja e plotë e borxhit të keq lejohet nëse kushtet e mëposhtme përmbushen në mënyrë kumulative:
- Entiteti ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të mbledhur borxhin. Duhet që të jenë zbatuar parashikimet e neneve të kontratave të huadhënies/sigurimit, në lidhje me kushtet dhe penalitetet në rastet e moskthimit të huas/interesave. Në çdo rast, vendimi gjyqësor i formës së prerë është i domosdoshëm;
- Për shkak të pamundësisë së mbledhjes së tij, edhe pse janë konsumuar të gjitha mjetet ligjore siç parashikohet në paragrafin “a” më sipër, borxhi i keq hiqet nga kontabiliteti i entitetit kërkues;
- Në çdo rast, provigjionet e krijuara sipas paragrafit 1 më sipër, duhet t’i shtohet fitimit të tatueshëm.
- Në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq, lidhur me procesin e kredidhënies, njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e këtyre kushteve:
- në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme:
- 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi ligjor; ose
- në momentin e ekzekutimit të pasurisë të luajtshme ose të paluajtshme, cilado qoftë data më e hershme;
- në rast se kredia nuk është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, 365 ditë pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nga gjykata.
- në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme:
- Nëse më parë është krijuar një provigjion i borxhit të keq për një rast të caktuar, por ky rast ka marrë zgjidhje, shuma e arkëtuar/rikuperuar duhet t’i shtohet fitimit të tatueshëm në vitin që rikuperohet, përveç se kur transferohet në lidhje me një riorganizim biznesi sipas nenit 46, “Rregullat e zbatueshme mbi riorganizimet e biznesit”, të këtij ligji.
32–39. Xenet 32–39 procedurat në lidhje me:
- transferimin e çmimeve;
- krahasueshmërinë e transaksioneve;
- metodat e transferimit të çmimit;
- vlerësimin e transaksioneve të kontrolluara të kombinuara;
- diapazonin e treguesve të tregut;
- kërkesat për dokumentacion;
- rregullat korresponduese; dhe
- marrëveshjet e çmimit në avancë.
Sqarohen në udhëzimin specifik të ministrit përgjegjës për Financat në lidhje me taksimin ndërkombëtar.
40. Të ardhurat dhe llogaritja e tatimit të pagueshëm mbi të ardhurat e korporatave
- Tatimi mbi fitimin korporativ deklarohet nga tatimpaguesit në bazë vjetore. Për veprimtarinë ekonomike të ushtruar në një vit të plotë tatimor, 1 janar deri 31 dhjetor, deklarimi i fitimit të tatueshëm bëhet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
- Në rastet kur tatimpaguesi mbyll veprimtarinë ekonomike gjatë vitit, deklarimi i fitimit të tatueshëm mund të bëhet në çdo periudhë të vitit, por jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës dhe përfshin veprimtarinë ekonomike të periudhës para deklarimit. Në rastet kur veprimtaria fillon në një muaj të caktuar të vitit dhe mbyllet po në atë vit, zbatohet parimi i paragrafit të mësipërm për deklarimin e fitimit të tatueshëm.
- Për llogaritjen e detyrimit të tatimit mbi fitimin, zbatohet norma e tatimit në fuqi. Tatimi i fitimit i llogaritur sipas dispozitave të ligjit, “Për tatimin mbi të ardhurat”, është i detyrueshëm për t’u paguar. Detyrimi i tatimit mbi fitimin që duhet të paguhet reduktohet me:
- Tatimin e huaj të paguar, por brenda kritereve dhe kufizimeve të nenit 42, “Kreditimi i tatimit të huaj për tatimin mbi të ardhurat nga korporatat”;
- Ndonjë tatim që ka paguar entiteti sipas kreut 5 të ligjit, dhe i cili i bazuar në paragrafin 1 të nenit 58, është mbajtur në burim nga paguesi i të ardhurave. Shembull. Nëse entiteti A ka marrë pagesë nga entiteti B, në lidhje me një të drejtë autori të dhënë, dhe entiteti B nga pagesa sipas kontratës për 1.000.000 lekë, ka mbajtur tatimin në burim 15%, pra 150.000 lekë, kjo shumë e paguar si tatim, është e kreditueshme nga detyrimi i tatimit mbi fitimin korporativ për entitetin A;
- Parapagimet e tatimit mbi fitimin të bëra nga entiteti, sipas parashikimeve të nenit përkatës të ligjit.
- Shuma e detyrimit tatimor të tatimit mbi fitimin korporativ që rezulton pasi nga tatimi mbi fitimin e llogaritur zbriten pagesat e mësipërme, përben shumën që duhet paguar të detyrimit. Nëse diferenca e llogaritur në pikën 40.3 është negative, tatimpaguesi mund të kërkojë tatimin e tepërt dhe administrata tatimore do t’ia kthejë këtë shumë tatimpaguesit jo më vonë se 60 ditë nga data e aplikimit, por pa qenë nevoja e inicimit të ndonjë kontrolli tatimor. Në rast se tatimpaguesi nuk e kërkon tatimin mbi të ardhurat e korporatave të paguar tepër, ky tatim konsiderohet si një pagesë paradhënie për tatimin mbi të ardhurat e korporatave të vitit tatimor pasardhës.
41. Norma tatimore
- Norma standarde e tatimit mbi të ardhurat e korporatës në Shqipëri është 15%.
- Normat e ndryshme nga norma standarde që mund të aplikohen në mënyrë të vazhdueshme apo përkohësisht për sektorë dhe industri të caktuara, duhet të jenë të përcaktuara në këtë ligj apo ligje të tjera që parashikojnë trajtime fiskale, si p.sh.: ligji “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve”; ligji “Për zonat e Zhvillimit teknologjik” etj.
42. Kreditimi i tatimit të huaj për tatimin mbi të ardhurat nga korporatat
- Entitetet rezidente në Republikën e Shqipërisë, gëzojnë të drejtën e kreditimit të tatimit të huaj të paguar, dhe që lidhen me seli të përhershme që këto entitete mund të kenë krijuar në juridiksione tatimore të tjera jashtë Shqipërisë, dhe të cilave duhet t’u atribuohen fitimet e realizuara në këto vende.
- Shembull
Gjatë vitit 2024, një entitet rezident shqiptar, ushtron veprimtari ekonomike në Shqipëri, por ka krijuar një seli të përhershme si degë edhe në Itali. Nga veprimtaria në Itali dhe Shqipëri, entiteti ka realizuar fitim neto, si më poshtë:
- nga veprimtaria në Shqipëri: 30.000.000 lekë;
- nga veprimtaria në Itali: 16.000.000 lekë.
Ky entitet, duke qenë rezident tatimor shqiptar, i nënshtrohet tatimit në Shqipëri mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Pra detyrimi tatimor në Shqipëri do të jetë:
- fitimi në total: 30.000.000 lekë + 16.000.000 lekë = 46.000.000 lekë;
- tatimi mbi fitimin korporativ: 46.000.000 x 15% = 6.900.000 lekë.
Në lidhje me fitimin e realizuar në Itali, fitim i cili i atribuohet selisë së përhershme të krijuar në Itali dhe që normalisht tatohet në Itali, ky entitet ka detyrimin e pagimit në Itali të tatimit mbi të ardhurat e korporatës si jorezident, por që ka krijuar një seli të përhershme. Supozojmë që norma e tatimit në Itali është 36% mbi fitimin e tatueshëm. Pra, tatimi i paguar në Itali do të jetë:
16.000.000 x 36% = 5.760.000 lekë
Tatimpaguesi i ka përcjellë administratës tatimore dokumentacionin e plotë që vërteton pagesën e këtij tatimi në Itali. Ndërkohë, entiteti shqiptar bën reduktimin e tatimit, si më poshtë:
Reduktohet shuma më e vogël ndërmjet “tatimit mbi të ardhurat e korporatës që duhej të paguhej sikur të ardhurat e realizuara në Itali të realizoheshin në Shqipëri” dhe “tatimit mbi të ardhurat e korporatës të paguar në Itali për të ardhurat e realizuara në Itali”:
- Tatimi mbi të ardhurat e korporatës që duhej të paguhej sikur të ardhurat e realizuara në Itali të realizoheshin në Shqipëri llogaritjet si në vijim:
16.000.000 x 15% = 2.400.000 lekë
- Tatimit mbi të ardhurat e korporatës të paguar në Itali për të ardhurat e realizuara në Itali, siç dhe është llogaritur më lart është në shumën 5.760.000 lekë.
Për sa më lart, shuma e tatimit të kreditueshëm do të jetë vlera më e vogël ndërmjet tatimit të llogaritur sipas germave “a” dhe “b”. Në rastin konkret, tatimi i kreditueshëm është 2.400.000 lekë. Për këtë shumë do të bëhet reduktimi i tatimit të pagueshëm në Shqipëri, si më poshtë:
6.900.000 lekë – 2.400.000 lekë = 4.500.000 lekë, do të jetë detyrimi përfundimtar i tatim mbi të ardhurat e korporatës i pagueshëm në Shqipëri.
- Shembull
Supozojmë se një entitet rezident shqiptar gjatë vitit 2024 ka ushtruar veprimtari ekonomike në Shqipëri, por ka krijuar një seli të përhershme si degë për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në Maqedoninë e Veriut. Nga veprimtaria nënë Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, entiteti ka realizuar
fitim të tatueshëm si më poshtë:
- fitimi i realizuar në Shqipëri: 10.000.000 lekë;
- fitimi i realizuar në Maqedoninë e Veriut: 6.000.000 lekë. Detyrimi i tatimit mbi fitimin korporativ që duhet të deklarohet:
10.000.000 + 6.000.000 = 16.000.000 x 15%=2.400.000 lekë
Norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat e korporatës, në Maqedoninë e Veriut është 10%. Pra, për fitimin e tatueshëm të realizuar në këtë vend, entiteti ka paguar tatimin si më poshtë:
6.000.000 x 10% = 600.000 lekë.
Tatimpaguesi i ka përcjellë administratës tatimore dokumentacionin e plotë që vërteton pagesën e këtij tatimi në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, entiteti shqiptar bën reduktimin e tatimit, si më poshtë:
Reduktohet shuma më e vogël ndërmjet “tatimi mbi të ardhurat e korporatës që duhej të paguhej sikur të ardhurat e realizuara në Maqedoninë e Veriut të realizoheshin në Shqipëri” dhe “tatimit mbi të ardhurat e korporatës të paguar në Maqedoninë e Veriut për të ardhurat e realizuara në këtë shtet”.
- Tatimi mbi të ardhurat e korporatës që duhej të paguhej sikur të ardhurat e realizuara në Maqedoninë e Veriut të realizoheshin në Shqipëri llogaritet si në vijim:
6.000.000 x 15% = 900.000 lekë.
- Tatimit mbi të ardhurat e korporatës të paguar në Maqedoninë e Veriut për të ardhurat e realizuara në këtë shtet, siç dhe është llogaritur më lart është në shumën 600.000 lekë.
Për sa më lart, shuma e tatimit të kreditueshëm, do të jetë vlera më e vogël ndërmjet tatimit të llogaritur sipas germave “a” dhe “b”. Në rastin konkret, tatimi i kreditueshëm është 600.000 lekë. Për këtë shumë do të bëhet reduktimi i tatimit të pagueshëm në Shqipëri, si më poshtë:
2.400.000 lekë – 600.000 lekë = 1.800.000 lekë, do të jetë detyrimi përfundimtar për t’u paguar i tatim mbi të ardhurat e korporatës që entiteti do paguajë në Shqipëri.
- Kreditimi (reduktimi) i tatimit mbi fitimin korporativ i paguar jashtë Shqipërisë, për fitimet e realizuara jo në Shqipëri, në asnjë rast, nuk duhet të kalojë tatimin e pagueshëm në Shqipëri, por mund të jetë më i vogël ose i barabartë me tatimin e pagueshëm në Shqipëri, nëse ato fitime do të realizoheshin në Shqipëri.
- Shuma e tatimit të huaj të paguar, pa u kufizuar vetëm në to, vërtetohet me dokumentacionin përkatës:
- kopje të deklaratës tatimore të dorëzuar në vendin ku ka krijuar selinë e përhershme;
- dokumentacionin justifikues bankar të pagesës së detyrimit për tatimin mbi fitimin korporativ/tatimit mbi të ardhurat personale në vendin përkatës.
- Për kategori të tjera të ardhurash si: të ardhurat nga interesat, honorare, dividentë etj. të kësaj natyre, të cilat janë përfituar nga një entitet rezident shqiptar si pagesa nga një shoqëri jorezidente, dhe shoqëria jorezidente që ka bërë pagesat, bazuar në legjislacionin e brendshëm të atij shteti, ka mbajtur dhe paguar tatim në burim në vendin e saj të rezidencës, me qëllim kreditimin e tatimit të huaj të paguar, entiteti rezident shqiptar paraqet dokumentacionin që vërtetojnë pagesat e tatimit. Kjo procedurë duhet të zbatohet në ato raste kur të ardhura të tilla janë të tatueshme në Shqipëri sipas normës përkatëse të tatimit.
43. Fitimi i tatueshëm
- Në parim, fitimi i tatueshëm përfshin çdo të ardhur të tatueshme, duke i zbritur shpenzimet e zbritshme. Fitimi i tatueshëm përcaktohet në bazë të rezultatit kontabël neto të paraqitur në pasqyrat financiare vjetore, të cilat përgatiten në përputhje me ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Ky rezultat përcaktohet si dhe duke zbatuar të gjitha kufizimet e parashikuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
- Plotësimi i deklaratës se fitimit të tatueshëm, niset nga të dhënat, regjistrimet dhe pasqyrat që mban tatimpaguesi, në zbatim të detyrimeve që ka bazuar në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, si dhe nga aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Baza e fillimit për llogaritjen e fitimit të tatueshëm dhe plotësimin e deklaratës përkatëse, janë të ardhurat sipas grupeve, shpenzimet sipas grupeve dhe më pas rezultati para tatimit mbi fitimin, i paraqitur në pasqyrën e të ardhurave dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
- Në çdo rast, për llogari të deklaratës së tatimit mbi fitimin korporativ, merren në konsideratë si prioritare përcaktimet në legjislacionin tatimor, si dhe standardet e kontabilitetit apo ligji “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” nëse nuk bien në kundërshtim me ndonjë nen të caktuar të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
- Fitimet e tatueshme të personave që kryejnë operacione hidrokarbure të autorizuara në përputhje me legjislacionin në fuqi për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), përcaktohet sipas rregullave dhe përparësive të parashikuara në ligjin e posaçëm për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve.
44. Parimi i tregut
Procedurat dhe standardet që zbatohen për të garantuar që transaksionet ndërmjet palëve të lidhura, të jenë në përputhje me parimin e tregut, përcaktohen në udhëzimin specifik të ministrit përgjegjës për financat.
45. Kontratat afatgjata
- Kontratat afatgjata përfshijnë zakonisht veprimtari ekonomike në fushën e realizimit të një projekti për të cilin ndërmjet porositësit dhe sipërmarrësit lidhen kontrata furnizimi me mallra apo shërbime për një periudhë mbi 12 muaj dhe që kryesisht realizohen në fushën e ndërtimeve, montimeve, prodhimit të komponentëve të investimit apo shërbimeve të lidhura me këto kontrata:
- Për këto lloj kontratash, duhet që të harmonizohen periudha tatimore kur alokohen shpenzimet e kryera për realizimin e të ardhurave të marra. Shpenzimet në kontrata të tilla duhet të njihen në periudhën kur kryhen. Ndërkohë, të ardhurat që lidhen me një kontratë afatgjatë dhe që duhet të njihen dhe të pasqyrohen në Deklaratën e fitimit të tatueshëm, i korrespondojnë pjesës së kontratës së përfunduar në vitin tatimor përkatës.
- Përqindja e përfundimit përcaktohet në dy mënyra, në vartësi të metodës që zgjedh tatimpaguesi:
- ose duke iu referuar raportit të kostove të atij viti me shpenzimet e përgjithshme të vlerësuara dhe të preventivuara;
- ose duke iu referuar standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit.
- Shpenzimet e zbritshme tatimore që lidhen me kontratat afatgjata merren parasysh në vitin tatimor në të cilën ato kryhen, në përputhje me standardet e kontabilitetit.
46. Rregullat e zbatueshme mbi riorganizimet e biznesit
- Fitimi kapital nuk tatohet në momentin e riorganizimeve të biznesit të tilla si bashkimet, ndarjet, ndarjet e pjesshme, shkëmbimi i aksioneve dhe transferimet e degëve të veprimtarisë. Kjo lejon zhvillim dhe rritje pa probleme të ndërmarrjeve.
- Në lidhje me aktivet që transferohen, në rastet e riorganizimit të biznesit, nuk duhet të llogariten fitime të supozuara kapitale, objekt i tatimi. Këtu bëjnë përjashtim pagesa në para e cila tejkalon pagesën e cilësuar në të holla.
47. Tatimi i llogaritur për transferimin e aktiveve të biznesit
- Neni 47 siguron edhe që fitimi kapital të tatohet kur aktivet e biznesit kalohen jashtë vendit. Kjo përfshin kalimin e aktiveve një subjekti të lidhur të huaj ose kalimin tërësisht të subjektit jashtë vendit (ndërrimi i rezidencës tatimore duke kaluar në një vend tjetër). Kur një shoqëri kalon rezidencën në një vend tjetër, aktivet e biznesit të saj trajtohen sikur të jenë shitur kundrejt vlerës që kanë në tregun e hapur më datën e ndërrimit të rezidencës. Kjo siguron që fitimi kapital në Shqipëri të tatohet kur aktivet kalojnë jashtë vendit dhe nuk janë më në kontroll të autoriteteve tatimore shqiptare. Fitimi kapital që realizohet nëpërmjet një kalimi të tillë aktivesh ose nëpërmjet kalimit të rezidencës së shoqërisë tatohet me shkallën normale prej 15 për qind.
- Transferimi i aktiveve të biznesit konsiderohet i tatueshëm në rastet e mëposhtme:
- një tatimpagues rezident transferon aktivet e biznesit nga zyra qendrore e tij vendëse në një seli të përhershme jashtë vendit dhe Republika e Shqipërisë nuk ka më të drejtë të tatojë aktivet e transferuara të biznesit për shkak të transferimit;
- një tatimpagues rezident transferon rezidencën e tij tatimore në një vend tjetër, me përjashtim të atyre aktiveve të biznesit që mbeten efektivisht të lidhura me një seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë.
- Baza e tatueshme që do t’i nënshtrohet tatimit është shuma e barabartë me vlerën e tregut të aktiveve të transferuara të biznesit minus vlerën e tyre për qëllime tatimore, në momentin e daljes së aktiveve të biznesit.
48. Shpenzimet e zbritshme
- Për qëllime të llogaritjes së tatimit mbi fitimin korporativ, shpenzimet e biznesit, konsiderohen të zbritshme nga të ardhurat, nëse plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Nuk janë subjekt i kufizimeve të parashikuara në nenin 50 të këtij ligji;
- Janë shpenzime reale të kryera në interes të drejtpërdrejtë të veprimtarisë ekonomike;
- Janë shpenzime të lidhura me drejtimin e nevojshëm dhe normal të veprimtarisë së tatimpaguesit;
- Janë shpenzime të kryera me qëllim realizimin dhe garantimin e fitimit, ruajtjen e aktiveve dhe kapitalit si burim për gjenerimin e të ardhurave, apo shpenzime për të siguruar në kohën e duhur riformimin apo zëvendësimin e kapitalit, si shpenzimet e amortizimit;
- Të jenë përballuar apo që do të përballohen nga aktivet e tatimpaguesit;
- Të jenë pasqyruar në kontabilitetin e tatimpaguesit me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe si p.sh. amortizimi i llogaritur sipas nenit 51, interesi që do të mbartet si rrjedhojë e kalimit të limitit të EBITDA apo dhe shpenzimet për shërbime teknike që nuk janë paguar.
- Të provohen nga tatimpaguesit me dokumentacionin e nevojshëm ligjor:
- Faturë elektronike që përmbush kriteret e përcakturara në ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, për TVSH-në dhe procedurat tatimore, në lidhje me transaksionet biznes me biznes.
- Dokument i njohur ligjor për rastet kur bëhen pagesa në formën e tarifave të shërbimit në interes të biznesit, për ente publike apo organizma të tjerë juridikë të njohur nga Republika e Shqipërisë.
- Janë shpenzime biznesi të kryera por që nuk faturohen nëpërmjet sistemit të fiskalizimit të tilla si, por pa u kufizuar në, interesat apo komisionet bankare që i ngarkohen tatimpaguesit apo ndonjë shpenzim tjetër biznesi i cili nuk faturohet nëpërmjet fiskalizimit.
- Një shpenzim i konsideruar nga tatimpaguesi si i zbritshëm, pretendohet si i tillë nisur nga fakti se është i pasqyruar në një faturë të rregullt elektronike nga pikëpamja formale, nuk çon automatikisht në konsiderimin e tij si i zbritshëm, pasi, shpenzimi duhet të jetë transaksion real i kryer dhe që përfaqëson një furnizim real malli apo shërbimi, pra nuk është një transaksion fiktiv për të cilin është lëshuar një faturë elektronike.
49. Shpenzime të zbritshme për tokën që shkëmbehet për ndërtim
- Për sektorin e ndërtimit, metodologjia për njohjen e të ardhurave nga shitja dhe shpenzimeve të veprimtarisë, si dhe konsiderimi i pjesës përfituese të pronarëve të truallit dhe vetë kostove të truallit, janë përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Sipërmarrjet që operojnë në ndërtimin dhe/ose shitjen e ndërtesave për qëllime strehimi, veprimtari prodhuese, tregtare ose veprimtari të shërbimit, pasqyrojnë si të ardhura: të ardhurat nga veprimtaria e sipërmarrjes, nëse janë vetëm sipërmarrës në ndërtim, të ardhurat nga shitja, apo dhënia me qira e objekteve nëse janë njëkohësisht ndërtues dhe posedues të objekteve të ndërtimit. Për përcaktimin e të ardhurave nga procesi i ndërtimit dhe nga shitja, merren në konsideratë:
- kostot dhe fitimi i deklaruar në situacionet e punimeve për sipërmarrësit;
- kontratat e shitjes së pasurive të paluajtshme dhe çmimet e reflektuara në to;
- të dhëna të deklaruara nga agjencitë imobilare, kompanitë ndërtuese apo investuese në lidhje me çmimet e shitjes së produkteve të ndërtimit, të cilat mund të përdoren në kuadrin e metodave alternative të vlerësimit;
- çmimet referuese në fuqi për m2 të produktit të ndërtimit sipas destinacionit të përdorimit dhe sipas akteve nënligjore në fuqi; në rastet kur çmimet e kontratave janë mbi çmimet referuese, merren në konsideratë të parat.
- çmimet referuese të qiradhënies sipas akteve nënligjore në fuqi; në rastet kur çmimet e kontratave janë mbi çmimet referuese, merren në konsideratë të parat.
- Shpenzimet në sektorin e ndërtimit përfshijnë shpenzimet e situacionuara të procesit të ndërtimit, si dhe shpenzimet e tjera të zbritshme që bëhen gjatë fazave të projektimit, zbatimit dhe shitjes së produktit të ndërtimit.
50. Shpenzimet jo të zbritshme dhe kufizimi i zbritjes
- Shpenzimet e biznesit të listuara në nenin 50 të ligjit nuk zbriten nga fitimi i tatueshëm:
- Kostot e blerjes, kostot e përmirësimit dhe shpenzime të tjera të bëra në funksion të përmirësimit të tokës, truallit apo shesheve të ndërtimit nuk janë shpenzime të zbritshme të biznesit. Këto kosto nuk janë të zbritshme nga të ardhurat, qoftë si kosto të vitit kur ndodhin, qoftë si kosto të amortizueshme për disa periudha në ato raste kur trualli apo sheshi i ndërtimit mbahet nga entiteti si aktiv i veprimtarisë, apo kur ai përdoret si truall mbi të cilin ndërtohen apo vendosen aktive të tjera të entitetit, si ndërtesa, instalime, makineri etj. Trajtimi tatimor i kostos së blerjes, përmirësimit dhe shpenzimeve të tjera, në funksion të përmirësimit të truallit apo shesheve të ndërtimit që disponohen nga entitetet të cilat ndërtojnë dhe shesin sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij ligji.
- Kostot e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të amortizueshme. Kosto të tilla përfshijnë shpenzimet fillestare të blerjes dhe ato që kryhen brenda një viti dhe që kanë për qëllim përmirësimin e kapacitetit përfitues të ardhshëm të aktiveve. Për të përcaktuar nëse gjatë një viti, shpenzimet në lidhje me kostot e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të amortizueshme do të konsiderohen si rritje e vlerës së aktivit (kapitalizim) apo shpenzimi zakonshëm mirëmbajtje, tatimpaguesi zbaton rregullat e parashikuara në Standardet Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Kontabilitetit për këtë qëllim.
- Amortizimi i aktiveve afatgjata shpërndahet si shpenzim i periudhave vjetore, bazuar në normat e amortizimit, vitet dhe rregullat e tjera të nenit 51 të ligjit. Asnjë aktiv afatgjatë nuk konsiderohet shpenzim i menjëhershëm i zbritshëm në vitin e blerjes apo të krijimit, përveçse kur në ligj përcaktohet ndryshe;
- Zmadhimi i kapitalit themeltar të shoqërisë apo kapitalit kontribues në një partneritet prek llogaritë e bilancit duke reflektuar rritjen e kontributit në aktive dhe të kapitalit/kontributit në pasiv dhe nuk prek llogaritë e shpenzimeve;
- Dividendët e llogaritur/shpërndarë për aksionarët ose ortakët, si dhe dividendët e entiteteve të tjera sipas ligjit, sepse janë elemente që llogariten pasi janë deklaruar të ardhurat, shpenzimet, fitimi dhe tatimi mbi fitimin korporativ;
- Interesat e paguar nga tatimpaguesi, të cilat tejkalojnë normën mesatare të interesit 12-mujor të kredisë vjetore të interesit të tregut të vendosur nga bankat komerciale, siç publikohet zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë. Çdo entitet merr në konsideratë normën e interesit të botuar në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë (https://www.bankofalbania.org/Statistikat/Statistikat_ Monetare_Financiare_dhe_Bankare/Agregatet_Monetare.html), në muajin në të cilin merret kredia. Nga ky rregull përjashtohen interesat e paguar për kreditë e dhëna nga institucionet e licencuara të mikrokredisë, të cilat konsiderohen totalisht të zbritshme.
- Dënimet administrative përfshirë gjobat, kamatëvonesat apo dënimet e tjera që tatimpaguesi i paguan një autoriteti për shkelje të legjislacionit të fushës, si dhe kushtet penale apo dënimet që një tatimpagues paguan apo duhet të paguajë për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale me tatimpagues të tjerë.
- Krijimi i rezervave dhe fondeve të tjerë speciale, si dhe krijimi apo rritja e provigjioneve. Rezervat ligjore dhe rezervat e tjera krijohen nga fitimi pas tatimit. Provigjonet për rreziqe që mund të krijojë tatimpaguesi gjatë veprimtarisë ekonomike, nuk alokohen në shpenzimet e zbritshme, dhe në rastet kur tatimpaguesi i ka krijuar provigjionet për rreziqe dhe i ka pasqyruar si shpenzime jo të zbritshme, i rimerr ato, të ardhurat nga rimarrja nuk pasqyrohen si të ardhura të tatueshme. Përjashtohen nga rregulla e mësipërme rastet e parashikuara në ligj që lidhen me veprimtaritë e sigurimit dhe risigurimit, si dhe me veprimtaritë e institucioneve bankare apo institucioneve të tjera financiare.
- Tatimi mbi fitimin korporativ, TVSH-ja e kreditueshme, si dhe akciza e llogaritur nga subjektet që llogarisin akcizë.
- Në rastet kur tatimpaguesit janë subjekt i TVSH-së dhe kanë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve, TVSH-ja e paguar nuk është pjesë e kostot së mallrave dhe shërbimeve të blera dhe nuk pasqyrohet si shpenzim. Nëse tatimpaguesi nuk gëzon të drejtën e kredititit të TVSH-së të paguar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve, vlera e mallit apo e shërbimit të blerë, përfshirë TVSH-në konsiderohet shpenzim i zbritshëm.
- Tatimpaguesit që prodhojnë mallra të tatueshme me akcizë si prodhuesit e karburanteve, pijeve alkoolike, birrës etj., akcizën e llogaritur nuk e kanë pjesë të kostos së mallit të shitur dhe nuk e pasqyrojnë si shpenzim. Tatimpaguesit që importojnë mallra të tatueshme me akcizë, akcizën e paguar në import për mallrat e importuara, e kanë pjesë të kostos së mallit të blerë, kosto të cilën e transferojnë në çmimin e mallrave për shitje. Çdo tatimpagues tjetër, i cili, për nevoja të biznesit blen mallra me akcizë, të llogaritur nga prodhuesi vendës apo të paguar në import, kostoja e mallit të blerë, përfshirë akcizën si pjesë të tij, është shpenzim i zbritshëm.
- Në rastet kur një tatimpagues, në rolin e agjentit tatimor, mban tatimin në burim për përfituesin e të ardhurave që ka furnizuar shërbimin, konsideron shpenzim të zbritshëm shumën bruto të faturës së paguar, ndërkohë që tatimi i mbajtur për furnizuesin e shërbimit nuk është shpenzim i zbritshëm;
- Shpenzimet pritje-përcjelljeje që tejkalojnë kufirin 0,3 për qind të të ardhurave vjetore për të gjithë tatimpaguesit .
Shpenzimet që tejkalojnë kufirin 3% të shpenzimeve të dokumentuara, të kryera për pjesëmarrje, prezantim në panaire apo ekspozita jashtë vendit, për tatimpaguesit eksportues, përjashtuar prodhuesit me material porositësi, të cilët në 3 vitet e fundit kanë realizuar mbi 70 për qind të të ardhurave nga eksporti.
Në shpenzimet e përfaqësimit përfshihen shpenzime të dokumentuara me karakter të përgjithshëm që një shoqëri bën për prezantimin e produkteve apo shërbimeve të saj në marrëdhëniet me partnerët e biznesit apo klientët, jashtë apo brenda vendit, të tilla si shpenzimet për organizimin e takimeve të biznesit, pjesëmarrjen në panaire, prezantimin e projekteve apo produkteve të reja, përurimin e investimeve të kryera etj. të kësaj natyre.
- Shpenzimet e kryera si konsum personal nga aksionarët, ortakët, administratorët dhe familjarët e tyre. Shpenzime të tilla personale nuk përballohen nga mjetet dhe aktivet e tjera të tatimpaguesit. Shembuj. Ushqimi, akomodimi, karburanti, udhëtimet private, pagesa qereje, pagesa blerjeje shtëpie, pagesa argëtimi, pagesa për kujdes shëndetësor apo estetik, pagesa pajtimi telefonik privat e të tjera të kësaj natyre, pagesa për dëfrim, pagesa për akomodim, qira apo shpenzime të tjera të punonjësve jo pjesë e listëpagesës së tatimpguesit, pavarësisht termave të kontratës me furnizuesin e mallrave apo shërbimeve ku janë të punësuar këta punonjës, si dhe çdo pagesë apo shpenzim tjetër që ka natyrë konsumi personal dhe që nuk është shpenzim i lidhur dhe që ndikon në rritjen apo ruajtjen e të ardhurave dhe fitimit të tatimpaguesit.
- Shpenzimet të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore. Kufizimi i dietave. Përfitimet e punonjësve të cilët, për nevoja pune të tatimpaguesi, dërgohen me shërbim jashtë vendit efektiv të punës kufizohen në:
- Akomodimi brenda vendi, deri 6.000 lekë dita;
- Akomodimi jashtë vendit, deri 150 euro dita;
- Pagesa e dietës për ushqim për shërbimet brenda vendit, deri 4.000 lekë dita dhe 2.000 lekë pjesa jo e plotë e ditës;
- Pagesa e dietës për ushqim për shërbimet jashtë vendit, deri 80 euro dita dhe 40 euro pjesa jo e plotë e ditës;
- Pagesa për udhëtim brenda vendi, jo më tepër se çmimi i biletave interurban të miratuara për transportin publik;
- Pagesa për udhëtim jashtë vendit, paraqitet fatura dhe pagesa e biletës së transportit ajror, detar, hekurudhor, automobilistik, transporti nga/për në aeroport me çdo mjet. Në rastet kur lëvizjet bëhen me automjet, konsiderohen shpenzime të zbritshme konsumi i karburantit sipas dokumenteve të blerjes, dokumentacioni i pagesave të toll-eve etj. të kësaj natyre.
- Dhuratat dhe donacionet që mund të bëjë tatimpaguesi, me përjashtim të dhuratave në formë simbolike, por brenda kufijve të lejuar në paragrafin “j” të pikës 50.1 të këtij udhëzimi.
- Faturat e shpenzimeve për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit të faturuara nga jorezidentë dhe të deklaruara, sipas legjislacionit në fuqi, në qoftë se këto fatura nuk paguhen nga tatimpaguesi dhe tatimi i mbajtur në burim nuk transferohet në llogarinë e të ardhurave të buxhetit të shtetit brenda afatit të dorëzimit të deklaratës tatimore vjetore. Në rast se shpenzime të tilla paguhen më vonë, ato janë të zbritshme në vitin tatimor, kur ato paguhen, por jo kur paguhen më vonë se muaji dhjetor i vitit pasardhës të vitit të lëshimit të faturës.
- Shpenzimet për pagat, shpërblimet dhe forma të tjera të të ardhurave personale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës, të paguara të punësuarve, duke përfshirë administratorët dhe që nuk janë bërë nëpërmjet sistemit bankar ose institucioneve të parasë elektronike.
- Shpenzimet që lidhen me shumat e paguara në CASH dhe që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga dispozitat e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
- Shpenzimet e sigurimit të jetës dhe shëndetit të punonjësve të tatimpaguesit që tejkalojnë 5% të pagave bruto të tyre për vitin tatimor. Shpenzime të tilla brenda kufirit të lejuar dokumentohen me kontratën ndërmjet tatimpaguesit dhe kompanisë së sigurimeve, si dhe me policat e sigurimit për çdo punonjës.
- Shpenzimet për bursat që jepen për nxënësit dhe studentët e institucionit arsimor publik dhe privat ndryshe nga ato të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave .
- Shpenzimet për kontributet e bëra nga punëdhënësi në emër të punonjësve të tij në një plan pensioni privat, që tejkalojnë kufizimet e paragrafit 5 të nenit 20 të ligjit. Shpenzime të tilla brenda kufirit të lejuar dokumentohen me kontratën ndërmjet tatimpaguesit dhe Fondit Privat të Pensioneve, si dhe me pagesat e bëra për çdo punonjës në bazë të skemës.
- Shpenzimet të cilat janë të lidhura me gjenerimin e të ardhurave, por të cilat nuk janë përfshirë në fitimin e tatueshëm të këtij viti. Shpenzime të tilla duhet të konsiderohen si shpenzime të parapaguara dhe do të alokohen në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve në atë periudhë kur janë deklaruar të ardhurat e gjeneruara si rezultat i këtyre shpenzimeve.
- Mitdhëniet dhe ryshfetet të cilat mund të jenë pasqyruar në dokumentacionin e tatimpaguesit, pavarësisht adresimit sipas Kodit Penal.
- Shpenzimet e kryera për veprimtari sponsorizuese që tejkalojnë kufijtë e mëposhtëm:
- deri në masën 5 për qind të fitimit para tatimit për botuesit e shtypit dhe botimet e veprave letrare, shkencore, enciklopedike, si dhe për veprimtaritë kulturore apo artistike;
- deri në masën 5 për qind të fitimit para tatimit për veprimtaritë sportive; shumat e sponsorizuara, brenda kufirit të mësipërm për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. Mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme nuk lejohet. Kjo zbritje lejohet pas lëshimit të “Autorizimit të sponsorizimit” nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve. Paragrafi “ii” zbatohet vetëm për entitetet sponsorizuese, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë,
- deri në masën 3 për qind të fitimit para tatimit për sponsorizimet e veprimtarive të tjera që nuk përfshihen në paragrafët “i” dhe “ii” më sipër;
Për tatimpaguesit, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, shumat e sponsorizuara për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive, të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, të cilat janë brenda kufirit 5% të fitimit para tatimit për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, këto sponsorizime janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. Mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme nuk lejohet.
Shembull
Një tatimpagues ka rezultuar me fitim të tatueshëm 1.000.000.000 lekë.
Shpenzimet e sponsorizimit për atë vit financiar janë 40.000.000 lekë, pra 4% të fitimit para tatimit e cila është më pak se norma e lejuar e sponsorizimit prej 5% e fitimit para tatimit. Për llogaritjen e tatimit mbi fitimin, shuma e sponsorizuar 40.000.000 lekë do të njihet si shpenzim i zbritshëm sa trefishi i saj, pra 120.000.000 lekë. Tatim mbi fitimin korporativ i llogaritur për t’u paguar është 132.000.000 lekë (1.000.000.000 – 120.000.000 lekë)
*15%.
Për të përfituar njohjen si shpenzime të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar, tatimpaguesi duhet të disponojë “Autorizimin e sponsorizimit” të lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve. Për lëshimin e autorizimit nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve zbatohet procedura e mëposhtme:
Autorizimi i sponsorizimit jepet për sponsorizimet që kryhen për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës dhe çdo ekip sportiv duhet të vërtetojë se është pjesë e federatave sportive të njohura sipas legjislacionit në fuqi për sportin, në mënyrë që të mund të jetë subjekt i një sponsorizimi të tillë nga tatimpaguesit.
Dokumentacioni që paraqet tatimpaguesi sponsorizues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për t’u pajisur me autorizimin e sponsorizimit përmban:
Për përfituesin e sponsorizimit duhet të ofrohet dokumentacion që vërteton se:
- ai merr pjesë ose ka të drejtë të konkurrojë në nivel amator ose profesionist sipas përcaktimit në ligjin nr. 79/2017, datë 27.4.2017, “Për sportin”, dhe që është pjesë e federative sportive;
- ushtron veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi për sportet, prej të paktën 1 viti;
- nuk ka detyrime tatimore të papaguara;
- nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e evazionit fiskal, mospagimit të detyrimeve tatimore apo falsifikimit të dokumenteve;
- ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
- nuk është objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme;
- nuk është pezulluar me vendim gjykate. Për tatimpaguesin sponsorizues paraqitet:
- një deklaratë në të cilën angazhohet të japë sponsorizim për ekipin sportiv pjesë e federatës sportive që kërkon mbështetje financiare;
- kontrata e sponsorizmit midis sponsorizuesit dhe përfituesit;
- dokumentacioni bankar ku vërtetohet shuma e sponsorizimit të transferuar në llogarinë bankare të të sponsorizuarit.
Dokumentacion shtesë që shoqëron kërkesën e tatimpaguesit sponsorizues dhe të subjektit të sponsorizuar:
- Sponsorizuesi dhe i sponsorizuari paraqesin një program mbi zhvillimin e sportit në të cilin parashikohen: nevojat për sponsorizim, përdorimi i fondeve të sponsorizimit gjatë vitit (duke evidentuar fondet që do të përdoren për zhvillimin, përmirësimin dhe rinovimin e infrastrukturës sportive evidentimin e talenteve dhe nevojat për trajnim, mbulimin e shpenzimeve që rrjedhin nga organizimi i garave sportive), si dhe përfitimet që parashikohen të vijnë nga ky sponsorizim.
- Deklaratën e të sponsorizuarit dhe sponsorizuesit, me anë të së cilës garantojnë vërtetësinë e të dhënave të dokumenteve dhe deklarimeve të paraqitura në aplikim;
- Autorizimin me shkrim nga sponsorizuesi dhe i sponsorizuari, që pranojnë autoritetin e organit tatimor për të kryer të gjitha verifikimet dhe kontrollet e nevojshme dhe në çdo kohë me qëllim garantimin e ligjit dhe të rregullave të përcaktuara në legjislacionin tatimor dhe atë mbi sponsorizimet;
- Vetëdeklarimet se sponsorizuesi dhe i sponsorizuari nuk janë në një situatë apo rrethanë të konfliktit të interesit.
Dokumentacioni dhe/ose vërtetimet e kërkuara më sipër paraqiten në format origjinal ose kopje të noterizuara provuese të dokumentacionit të kërkuar.
Dhënia e Autorizimit të Sponsorizimit
Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve shqyrton dokumentacionin e paraqitur brenda 30 ditëve nga paraqitja e të dhënave të plota të kërkuara. Pas shqyrtimit të dokumentacionit ai vendos miratimin apo refuzimin e Autorizimit të Sponsorizimit.
Aplikimi për marrjen e Autorizimit të Sponsorizimit refuzohet nëse:
- Vërtetohet se aplikuesit nuk plotësojnë të gjithë kërkesat sipas procedurës së përcaktuar në këtë udhëzim; ose
- Nga verifikimet dhe kontrollet të cilat mund të kryhen në çdo kohë te sponsorizuesi dhe i sponsorizuari, vërtetohet se palët kanë paraqitur informacione, të dhëna apo dokumentacione të pavërteta apo të deformuara në lidhje me kërkesat e procedurës.
Njohja si shpenzim i zbritshëm zbatohet pas lëshimit të “Autorizimit të sponsorizimit” nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, procedurë e cila nuk duhet të zgjasë më shumë se 30 ditë kalendarike nga momenti i aplikimit.
- humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, tranzitimit, magazinimit, tregtimit, tej rregullave të përcaktuara në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore që janë në fuqi.
- Për mallrat mbi të cilat aplikohet akciza, firot, humbjet, dëmtimet dhe skarcot gjatë procesit të prodhimit, magazinimit, transportit dhe tregtimit, llogariten sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore të legjislacionit në fuqi për akcizat.
- Për industritë prodhuese, që përdorin lëndë djegëse në procesin teknologjik, normativat e lëndëve të para djegëse përcaktohen sipas VKM-së nr. 612, datë 5.9.2012, “Për dispozitat zbatuese të ligjit ‘Për akcizat’, të ndryshuar”.
- Për duhanin, firot dhe humbjet në procesin e përpunim-manipulimit për llogariten sipas dispozitave të VKM-së nr. 687, datë 18.6.2009, “Për përcaktimin e nivelit të firove të lejuara gjatë procesit të përpunim-manipulimit të duhanit”.
- Për humbjet dhe firot në procesin e prodhimit, për të cilat nuk ka akte të veçanta ligjore dhe nënligjore, sasia dhe vlera e lejuar e tyre do të llogariten duke u bazuar në të dhënat e kartës apo skemës teknologjike të procesit të prodhimit në lidhje me këto firo apo dëmtime.
- Me përjashtim të mallrave të akcizës, të cilat mbulohen nga VKM-ja nr. 612, datë 5.9.2012, “Për dispozitat zbatuese të ligjit ‘Për akcizat’, të ndryshuar”, për mallrat e tjerë do të njihen firo gjatë transportit apo magazinimit vetëm nëse ka akte ligjore/nënligjore në fuqi, të cilat përcaktojnë nivele firosh gjatë transportit.
- Për energjinë elektrike, humbje gjatë shpërndarjes do të konsiderohet përqindja e humbjeve e përcaktuar në VKM-në nr. 171, datë 25.2.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike”.
Tatimpaguesit të cilët pretendojnë se kanë firo apo humbje ligjore në procesin e tyre teknologjik, duhet të kenë të depozituar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, të dhënat dhe dokumentacionin argumentues, për: i. kartën teknologjike të linjës, impiantit etj.; ii. përshkrimin e procesit të prodhimit; iii. planimetrinë e objektit; iv. normativat e konsumit të lëndës së parë dhe të orëve të punës për njësi produkti të gatshëm (karta teknologjike e prodhimit); v. lëndët e përdorura në procesin e prodhimit dhe fazat ku përdoret.
Nëse është i kërkueshëm nga autoriteti kompetent sipas legjislacionit që zbaton, kartat teknologjike, duhet të jetë e konfirmuara/certifikuara nga një institucion i njohur, që ka aftësinë teknike të konfirmimit të kartave teknologjike, si: Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Instituti i Materialeve të Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, Drejtoria e Patentave dhe Markave, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, inspektorati shtetëror përgjegjës, si dhe çdo institucion tjetër që mbikëqyr fusha të caktuara të veprimtarisë dhe miraton/mbikëqyr karta të ndryshme teknologjike.
Administrata tatimore, në kontrollet e thelluara që ushtron, analizon kartat apo skemat teknologjike të procesit të prodhimit, që shoqërojnë makineritë apo linjat përkatëse nga prodhuesi i tyre, si dhe kryejnë verifikimet lidhur me nivelin e humbjeve të pësuara gjatë procesit të prodhimit/përpunimit.
- Çdo shpenzim i pretenduar, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi, apo që dokumenti nuk përfaqëson një transaksion real të kryer nga ai, sipas parimit që përmbajtja prevalon mbi formën referuar ligjit në fuqi për procedurat tatimore.
- Por në rastet kur megjithëse një shpenzim i pretenduar si i zbritshëm, justifikohet me faturë të lëshuar nga një shitës mallrash apo shërbimesh, ai do të konsiderohet shpenzim fiktiv jo i zbritshëm nëse jemi në kushtet e mëposhtme:
- Tatimpaguesi shitës nuk ushtron faktikisht dhe realisht veprimtari ekonomike me mallra dhe shërbime të cilat janë faturuar për blerësin;
- Jemi në kushtet e një skemë mashtrimi “Carusel” të tregtimit të TVSH-së nëpërmjet faturave. Procedurat, faktet dhe rrethanat e zbatimit të këtij paragrafi, detajohen në manualet procedurale të kontrollit tatimor.
51. Amortizimi
- Për amortizimin e aktiveve afatgjata të biznesit, përdoret metoda lineare për të gjitha kategoritë. Aktivet afatgjata të së cilës kategori amortizohen individualisht.
- Baza mbi të cilën llogaritet amortizimi për çdo grup, është kostoja e blerjes ose krijimit të aktivit, duke shtuar koston e rikonstruksionit të tij gjatë vitit tatimor. Kostot e rikonstruksionit të aktivit në një vit, përcaktohen sipas Standardeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare të kontabilitetit, në mënyrë që të regjistrohen si shtesë e vlerës së aktivit dhe të amortizohen në vite.
- Nëse një aktiv del jashtë përdorimit gjatë një viti tatimor, vlera kontabël e mbetur për qëllime tatimore është e zbritshme në atë vit, me kusht që të ardhurat e mundshme nga nxjerrja jashtë përdorimit të jenë përfshirë në fitimin e tatueshëm. Nxjerrja jashtë përdorimit nënkupton shitjen e tij, qoftë si aktiv, qoftë për skrap, apo edhe hedhjen si mbeturinë nëse lloji i aktivit është i tillë që nuk ka asnjë vlerë përdorimi qoftë edhe si mbeturinë apo skrap. Tatimpaguesi duhet të argumentojë se ka qenë e pamundur të rikuperohet ndonjë shumë nga aktivi i hedhur si mbeturinë.
- Rivlerësimet e çdo kategorie të aktiveve afatgjata të biznesit, të kryera nga ai në zbatim të standardeve dhe parimeve të kontabilitetit, apo në zbatim të ndonjë ligji në fuqi për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, nuk merren në konsideratë për efekt të bazës mbi të cilin llogaritet amortizimi.
- Për ato aktive të blera para hyrjes në fuqi të ligjit, për të cilat metoda e amortimit ka ndryshuar, amortizimi duke filluar nga 1 janar 2024, do të aplikohet metoda e re e amortizimit.
Shembull. Kompania A ka blere një ndërtesë në vlerën 1.000.000 lekë në datë 1 janar 2022. Në zbatim të ligjit ka llogaritur amortizimin për vitet 2022 dhe 2023 duke zbatuar metodën e amortizimit me vlerë të mbetur, si më poshtë:
Viti (I) | Vlera e aktivit mbi të cilën llogaritet amortizimi (II) | Norma e amortizimit (III) | Vlera e amortizuar (IV = II * III) | Vlera e paamortizuar e aktivit në fund të vitit raportues (V = II – IV) |
2022 | 1.000.000 lekë | 5% | 50.000 lekë | 950.000 lekë |
2023 | 950.000 lekë | 5% | 47.500 lekë | 902.500 lekë |
2024 | 902.500 lekë | 5% | 45.125 lekë | 857.375 lekë |
2025 | 902.500 lekë | 5% | 45.125 lekë | 812.250 lekë |
2026 | 902.500 lekë | 5% | 45.125 lekë | 767.125 lekë |
2027 | ……………. | …. | …………… | ……………. |
Si shkak i ndryshimit të metodës së amotrizimit, nga amortizim me vlerë të mbetur, në amortizim sipas vlerës lineare për vitin 2024 dhe në vazhdim, amortizimi do të llogaritet sipas tabelës më sipër deri në momentin që vlera kontabël e paamortizuar e asetit të jetë 0 lekë.
52. Vlerësimi i inventarit
- Për vlerësimin e inventarëve, përfshirë edhe inventarin në proces, tatimpaguesi mund të përdorë cilëndo nga metodat e vlerësimit të parashikuara nga legjislacioni i kontabilitetit. Por metoda që ai përdor për vlerësimin e tij duhet të jetë e vazhdueshme për jo më pak se 5 vjet.
- Zhvlerësimet apo rivlerësimet e mundshme të inventarëve, aktiveve financiare dhe atyre jomateriale, pas njohjes fillestare të tyre, sipas rregullave të kontabilitetit, nuk njihen për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm. Ky rregull zbatohet edhe për aktivet financiare dhe aktivet jomateriale. Pra për aktive të tilla, rivlerësimet në plus apo në minus nuk do të jenë të tatueshme dhe nuk do jenë as të zbritshme.
- Inventari i imët (p.sh., llogaria 32 në kontabilitet) amortizohet në masën 50% në vitin e blerjes së tij dhe në masën 50% në vitin pasardhës. Në inventarin e imët përfshihen materialet për konsum apo për shfrytëzim sipas përcaktimeve të udhëzimit të ministrit përgjegjës për Financat,
“Për procedurat e përgatitjes, paraqitjes dhe raportimit të pasqyrave financiare vjetore në njësitë e qeverisjes së përgjithshme”.
53. Zbritjet e borxhit të keq
- Me përjashtim të institucioneve financiare, përfshirë edhe shoqëritë e sigurimit, nëse një e ardhur me burim shitjen e mallrave apo të shërbimeve, është regjistruar në kontabilitet si e tillë, por nuk bëhet i mundur arkëtimi i parave, tatimpaguesi e trajton si borxh të keq, sipas përcaktimeve të nenit 53 të ligjit. Nëse debitori është palë e lidhur sipas përkufizimit në këtë ligj, zbritja e borxhit të keq nuk lejohet. Zbritja lejohet nëse tatimpaguesi beson se borxhi nuk do të jetë tërësisht ose pjesërisht i likuiduar, ndërkohë që ai ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbledhjen e borxhit. Tatimpaguesi ka barrën e provës që të bindë administratën tatimore se ai i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për mbledhjen e borxhit, përfshirë por pa u kufizuar edhe angazhimin me kontratë të shoqërive private të mbledhjes së borxheve apo masa dhe informacion tjetër që argumenton fshirjen e borxhit për t’u mbledhur.
- Tatimpaguesi e zbret plotësisht shumën e këtij borxhi nëse verifikohet se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për arkëtimin e borxhit, por ka qenë i pasuksesshëm, dhe duke mos pasur asnjë shpresë arkëtimi, e ka fshirë si detyrim-borxh nga librat e tij kontabël. Ndërmarrja e të gjitha veprimeve të mundshme ligjore nënkupton rezultatet e procesit gjyqësor, rezultatet e angazhimit të përmbaruesve privatë.
54. Mbartja e humbjeve
- Humbjet nga veprimtaria ekonomike, që rezultojnë në një vit të caktuar tatimor, mund të mbarten, pra të kompensohen me fitimet e pesë viteve të ardhshme tatimore. Humbjet e deklaruara nga tatimpaguesi, të cilat administrata tatimore i ka audituar dhe i ka konkluduar se nuk mund të mbarten, nuk duhet të mbarten nga tatimpaguesi. Akti administrative për moslejimin e mbartjes së humbjeve mund të pranohet nga vetë tatimpaguesi, në të kundërt kërkohet një vendim i strukturave të Apelimit Administrativ dhe/ose Gjyqësor.
Shembull 1
milion lek
Nr. | Vitet | Fitimi/ humbja tatimore | Humbja e lejuar për mbartje nga periudhat e mëparshme | Humbja e mbartur | Fitimi/humbja e vitit pas mbartjes së humbjeve të kaluara | Fitimi i tatueshëm |
1 | 2024 | -10 | -10 | 0 | ||
2 | 2025 | 1 | -10 (2024) | -1 | -9 | 0 |
3 | 2026 | 2 | -9 (2024) | -2 | -7 | 0 |
4 | 2027 | 1 | -7 (2024) | -1 | -6 | 0 |
5 | 2028 | 3 | -6 (2024) | -3 | -3 | 0 |
6 | 2029 | 2 | -3 (2024) | -2 | -1 | 0 |
7 | 2030 | 6 | 0 | 0 | 6 | 6 |
Në vitin 2030, humbja e mbetur nga viti 2024 prej -1 milion lekësh (10-1-2-1-3-2) nuk mbartet pasi kanë kaluar 5 vjet nga lejimi i mbartjes së humbjes së ndodhur në vitin 2024. Në vitin 2030, fitimi tatimor 6 milionë lekë do tatohet sipas normës tatimore në fuqi.
Shembull 2
milion lek
Nr. | Vitet | Fitimi/humbja tatimore | Humbja e lejuar për mbartje nga periudhat e mëparshme | Humbja e mbartur | Fitimi/humbja e vitit pas mbartjes së humbjeve të kaluara | Fitim i tatueshëm |
1 | 2024 | -10 | 0 | -10 | 0 | |
2 | 2025 | 1 | -10 (2024) | -1 (2024) | -9 | 0 |
3 | 2026 | 2 | -9(2024) | -2 (2024) | -7 | 0 |
4 | 2027 | 1 | -7 (2024) | -1 (2024) | -6 | 0 |
5 | 2028 | 2 | -6 (2024) | -2 (2024) | -4 | 0 |
6 | 2029 | -2 | -4 (2024) | 0 | -6 | 0 |
7 | 2030 | 8 | -2 (2029) | -2 (2029) | 6 | 6 |
Çdo humbje mund të mbartet dhe të zvogëlojë fitimet tatimore të 5 viteve të ardhshme, duke u evidentuar veçmas humbja e çdo viti, me parimin “humbja me e hershme mbartet përpara humbjes së mëvonshme”. Nëse një humbje nuk arrin të mbartet me fitimet e 5 viteve në vijim, mbartja e humbjeve ndërpritet.
- Nëse tatimpaguesi deklaron humbje tatimore në një vit, por që mund të ketë edhe humbje të lejuara për të mbartur nga vitet e kaluara, dhe në këtë vit ndodh një ndryshim direkt apo indirekt në pronësi që tejkalon 50% të aksioneve, kuotave ose të drejtave të votës, nuk lejohet mbartja e humbjes së rezultuar në këtë vit apo e drejta e mbartjes së humbjeve të viteve të kaluara. Ky kufizim zbatohet në rastet kur ndryshimi i pronësisë shoqërohet me ndryshim të llojit të veprimtarisë që ushtronte dhe do të ushtrojë tatimpaguesi:
Shembull 1
Një tatimpagues që ushtron veprimtari në prodhimin e tubove plastike, ka filluar investimet për këtë veprimtari ekonomike në vitin 2023. Veprimtaria ekonomike në vitin 2024 rezulton me humbje -4 milionë lekë, ndërkohë që ka humbje të mbartur nga viti 2023 për -10 milionë lekë. Në vitin 2024 ndodh një ndryshim në pronësinë e kësaj sipërmarrje, ndryshim i cili tejkalon 50% të aksioneve, kuotave ose të drejtave të votës. Por kjo sipërmarrje, në vitin 2024, si dhe në vitet në vijim, vazhdon të operojë në prodhimin e tubove plastike, rrjedhimisht, bazuar në paragrafin 2, të nenit 54, të ligjit, tatimpaguesi do të vazhdojë të mbartë humbjet e vitit 2024 dhe ato të vitit 2023, sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 54, ku humbjet e vitit 2024 do të mbarten deri në 5 vitet e ardhshme tatimore, ndërsa humbjet e vitit 2023 do të mbarten deri në 3 vitet e ardhshme tatimore (sipas dispozitave të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998), sipas parimit “humbja e parë, më parë se humbja e fundit”.
Shembull 2
Një tatimpagues që ushtron veprimtari në prodhimin e tubove plastike, ka filluar investimet për këtë veprimtari ekonomike në vitin 2024. Veprimtaria ekonomike në vitin 2025 rezulton me humbje -4 milionë lekë, ndërkohë që ka humbje të mbartur nga viti 2024 për -10 milionë lekë. Në vitin 2025 ndodh një ndryshim në pronësinë e kësaj sipërmarrje, ndryshim i cili tejkalon 50% të aksioneve, kuotave ose të drejtave të votës. Por kjo sipërmarrje, në vitin 2025 vendos që ta shesë linjën e prodhimit të tubove plastike dhe ta përdorë godinën ku zhvillohej kjo veprimtari për tregtim me shumicë të artikujve industrialë. Në këtë rast bazuar në paragrafin 2, të nenit 54, të ligjit, tatimpaguesi nuk ka të drejtë të vazhdojë të mbartë humbjet e vitit 2025 dhe ato të vitit 2024, sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 54.
Shembull 3
Një tatimpagues që ushtron veprimtari në prodhimin e tubove plastike, ka filluar investimet për këtë veprimtari ekonomike në vitin 2024. Veprimtaria ekonomike në vitin 2025 rezulton me humbje -4 milionë lekë, ndërkohë që ka humbje të mbartur nga viti 2024 për -10 milionë lekë. Në vitin 2025 ndodh një ndryshim në pronësinë e kësaj sipërmarrje, ndryshim i cili tejkalon 50% të aksioneve, kuotave ose të drejtave të votës. Por kjo sipërmarrje, në vitin 2025 vendos që ta shesë linjën e prodhimit të tubove plastike dhe ta përdorë truallin për ndërtime. Në këtë rast bazuar në paragrafin 2, të nenit 54, të ligjit, tatimpaguesi nuk ka të drejtë të vazhdojë të mbartë humbjet e vitit 2025 dhe ato të vitit 2024, sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 54.
Humbjet që mund të transferohen nëse jemi në kushtet e riorganizimit të biznesit sipas dispozitave të këtij ligji dhe legjislacionit të fushës, kufizimet e paragrafit të dytë të nenit 54 nuk zbatohen. Në këto raste, humbjet e mbartura mund të përdoren nga shoqëria përthithëse, dhe të përdoren për të reduktuar fitimet e tatueshme gjatë periudhave tatimore të mbetura për vitet e ardhshme sipas paragrafit 1 të nenit 54 të ligjit.
Shembull
Nëse një tatimpagues ka mbartur humbjen e vitit 2024 në fitimet e viteve 2025 dhe 2026, ndërkohë që në vitin 2027 biznesi i këtij tatimpaguesi riorganizohet, humbja ende e pambartur e vitit 2024, mund të mbartet në kushtet e reja të riorganizimit edhe në fitimet e viteve 2027 deri 2029.
55. Tatimi i ndryshimit të pronësisë për sektorë të veçantë
- Neni 55 zbatohet për entitetet që:
- zotërojnë të drejta për shfrytëzimin e pasurive në Republikën e Shqipërisë
- ushtrojnë veprimtari në fushën e telekomunikacioneve;
- ushtrojnë veprimtari si institucione financiare.
Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në fushat e sipërcituara, autorizohen/licencohen nga autoritetet përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë.
Fitimet nga shitjet/transferimet indirekte të aseteve të vendosura në Shqipëri, apo të kuotave të kapitalit të lidhura me këto asete, të përfshira në paragrafin 1, të nenit 55, të ligjit, janë subjekt i tatimit mbi fitimin kapital në Shqipëri. Shitje indirekte ndodh kur një shoqëri zotëron një aktiv/pasuri në Shqipëri, të cilën një pale e tretë dëshiron të blejë. Sidoqoftë, shoqëria nuk ia shet palës së tretë aktivin, por pala e tretë blen aksionet e shoqërisë që zotëron aktivin, dhe në këtë mënyrë blen “indirekt” aktivin. Aksionet e blera mund të jenë të shoqërisë që zotëron aktivin në Shqipëri, apo edhe të shoqërive të tjera që kanë aksione në mënyrë direkte ose indirekte në shoqërinë që zotëron aktivin në Shqipëri. Zakonisht ka një zinxhir shoqërish të ndërthurura ndërmjet asetit/pasurisë së vendosur në Shqipëri dhe pronarit përfundimtar indirekt, ndërkohë që shitja mund të ndodhë në cilëndo nga lidhjet në zinxhirin e aksionarëve.
- Personi juridik që mban aktivin në Shqipëri konsiderohet si përfitues i të ardhurave nga shitja e aksioneve/kuotave/të drejtave, të ardhura këto të barabarta me vlerën e tregut të pjesës së aktivit të trajtuar si të transferuar. Vlera e tregut e një aktivi është ajo që pala e tretë do të marrë parasysh gjatë negocimit të kushteve të shitjes së aksioneve që shkakton ndryshimin e pronësisë. Njohja e kushteve të shitjes së aksioneve ndihmon në përcaktimin e vlerës së tregut të një aktivi të trajtuar si të shitur. Gjithashtu, metoda të tjera relevante të përcaktimit të vlerës së tregut mund të përdoren. Shuma e të ardhurave të trajtuara si të marra nga shitja do të zvogëlohet më pas nga kostoja/vlera në blerje proporcionale e aktivit, duke përcaktuar fitimin ose humbjen për shitjen e vlerësuar të aktivit. Fitimi i rezultuar do të përfshihet në llogaritjen e të ardhurave të personit që mbante aktivin në vitin në të cilin ndodh transferimi i aktivit. Ndërsa humbja që mund të rezultojë nga kjo diferencë, do të jetë e zbritshme, por nëse kjo humbje, kontribuon në një humbje të përgjithshme për vitin, atëherë ajo mund të anulohet. Pra në rastet kur transferimi përfshin kuota kapitali të lidhura me asete që ndodhen në Republikën e Shqipërisë, fitimi nga transferimi i kuotave llogaritet si diferencë ndërmjet çmimit të shitjes së kuotave dhe çmimit të blerjes së tyre.
- Neni 55 zbatohet në të gjitha rastet nëse personi juridik është rezident ose jorezident në Shqipëri dhe nëse pasuritë i atribuohen aseteve të një selie të përhershme në Shqipëri, por me kusht që për tri vitet paraardhëse mesatarja e qarkullimit të realizuar të jetë mbi 500,000,000 (pesëqind milionë) lekë. Tatimi mbi çdo fitim që rezulton nga transferimi i aseteve aplikohet për të gjitha pasuritë pavarësisht nga vlera e tyre, pavarësisht nëse ato janë të luajtshme ose të paluajtshme.
- Me qëllim shmangien e tatimit të dyfishtë, kur një person juridik paguan tatimin mbi të ardhurat e korporatës, për shkak të një transferimi të parashikuar sipas pikës 2, atëherë shitja e aksioneve që shkaktoi ndryshimin e pronësisë (transferimin e supozuar) është i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin.
Shembull 1
Një shoqëri shqiptare është tërësisht në pronësi të një shoqërie të vendosur në ishujt Kayman, e cila është tërësisht në pronësi të një personi rezident të një vendi tjetër. Shoqëria shqiptare posedon pasuri të paluajtshme me një vlerë tregu më të larte se kostoja e saj. Një palë e tretë dëshiron të blejë pronën e paluajtshme, jo drejtpërsëdrejti, por duke blerë aksione në shoqërinë e regjistruar në ishujt Kayman. (Supozohet se më shumë se 50% të vlerës së aksioneve në shoqërinë e ishujve Kajman i atribuohet pasurisë së paluajtshme, në Shqipëri.) Pra, shoqëria shqiptare do të pësojë një ndryshim të pronësisë dhe kështu do të trajtohet si të transferojë pronën e paluajtshme për vlerën e tregut dhe më pas rimarrëse e saj. Transaksioni do të rezultojë në një fitim që është i tatueshëm për shoqërinë shqiptare. Neni 55 përjashton nga tatimi mbi fitimin shitjen e aksioneve në shoqërinë e ishujve Kayman, me kusht që shitja të tatohet në shoqërinë rezidente shqiptare.
- Një person juridik që pëson një ndryshim të pronësisë duhet të njoftojë autoritetin tatimor brenda 45 ditëve nga ndryshimi. Njoftimi duhet të përmbajë detajet e ndryshimit, si palët e përfshira në transaksionet që shkaktojnë ndryshimin, ashtu edhe marrëdhëniet e tyre me personin juridik në fjalë. Gjithashtu, njoftimi përfshin edhe kushtet e transaksionit, përfshirë të ardhurat e shitjeve dhe mënyrën se si këto të ardhura janë llogaritur.
- Pika 5 e nenit 55 shtrin kërkesën e njoftimit të paragrafit 4 përtej ndryshimeve të pronësisë, për të cilat zbatohet rregulla e transferimit të supozuar sipas pikës 2 (ndryshim pronësie me më shumë se 20 %). Kjo është efektivisht një kërkesë njoftimi për shitjet indirekte, ato ku realizohet fitimi nga shitja e aksioneve, i cili kërkohet të tatohet. Si e tillë, kërkesa për njoftim aplikohet vetëm për transferimet indirekte të aktivit.
Shembull 2
Supozohet se një shoqëri shqiptare është tërësisht në pronësi të një shoqërie e vendosur në ishujt Kayman, që është tërësisht në pronësi të një personi rezident në një vend tjetër. Shoqëria shqiptare posedon pasuri të paluajtshme me një vlerë tregu më të lartë se kostoja e saj. Një palë e tretë dëshiron të blejë pronën e paluajtshme të vendosur në Shqipëri, jo drejtpërdrejt, por duke blerë 15% të aksioneve në shoqërinë e ishujve Kayman. Supozojmë që më shumë se 50% e vlerës së aksioneve në shoqërinë e ishujve të Kajmanit i atribuohet pasurisë së paluajtshme të vendosur në Shqipëri.
Ndryshimi i pronësisë së shoqërisë shqiptare është më pak se 20%, pra rregulla e përcaktuar në paragrafin 2, të nenit 55, nuk zbatohet. Megjithatë, fitimi i realizuar nga transferimi i aksioneve ka burimin në Shqipëri, prandaj kërkohet që shoqëria shqiptare të njoftojë autoritetin tatimor për shitjen e 15% të aksioneve në shoqërinë mëmë të ishujve Kayman.
- Detyrimi për njoftim nuk zbatohet nëse shitja e aksioneve rezulton në më pak se 10% ndryshim në pronësinë e shoqërisë shqiptare. Kufiri prej 10% presupozon që shoqëria shqiptare mund të mos jetë në dijeni të transaksionit të shitjes. Megjithatë, edhe pse nuk pa pasur detyrim për njoftim, nëse ndryshimi është nën 10%, shitja e aksioneve mbetet e tatueshme në Shqipëri, me kusht që aksionet të marrin më shumë se 50% të vlerës së tyre nga pasuria e paluajtshme në Shqipëri.
56. Agjenti i mbajtjes së tatimit në bu/im
- Agjenti i mbajtjes se tatimit në burim detyrohet:
- Të mbajë tatimin kur bën ndonjë nga pagesat e listuara në nenin 58, “Të ardhurat dhe pagesat, objekt i mbajtjes së tatimit në burim”, të këtij ligji;
- Të transferojë shumën e saktë të tatimit, në afatin e kërkuar të tatimit të mbajtur, në llogarinë e autoritetit kompetent tatimor;
- Të dorëzojë deklaratën e detajuar “Deklarata e tatimit të mbajtur në burim”, ku identifikohet çdo përfitues i të ardhurave, qoftë individ, person fizik tregtar, i vetëpunësuar apo entitet, qofshin këta rezidentë apo jorezidentë, duke treguar edhe tatimin përkatës që i është mbajtur në burim;
- Të mbajë regjistrime të pagesave të bëra, tatimit të llogaritur për t’u transferuar në buxhet, dhe t’ia vendosë në dispozicion çdo dokument autoritetit tatimor kur i kërkohet, me qëllim verifikimin e saktësisë së llogaritjes, mbajtjes dhe/ose pagesës së tatimit.
- Agjentit i mbajtjes së tatimit në burim ka detyrimin për të kërkuar dhe ruajtur certifikatën e rezidencës së përfituesit të të ardhurave, si dokument suportues për saktësinë e deklaratës tatimore të tatimit të mbajtur në burim.
- Data e pagesës së të ardhurave që janë subjekt të mbajtjes së tatimit në burim, nënkupton datën në të cilën është bërë pagesa.
- Për pagesën e dividentit të deklaruar, tatimi i të cilit duhet të mbahet në burim, dhe që nuk është paguar, tatimi duhet të mbahet dhe të transferohet maksimalisht në fund të muajit të tretë pas muajit në të cilin organi statutor i entitetit ka vendosur mbi shpërndarjen e fitimit përkatës. Nëse organi kompetent i entiteti ka vendosur të shpërndajë divident në mbledhjen e datës 31 maj 2024, tatimi mbi dividentin duhet të transferohet në llogarinë e të ardhurave të buxhetit jo më vonë se 31 gusht 2024.
- Agjenti i mbajtjes së tatimit në burim është përgjegjës për pagesën e tatimit në emër të një tatimpaguesi tjetër njëlloj si të ishte detyrimi i tyre tatimor. Agjenti i mbajtjes së tatimit detyrohet të deklarojë dhe paguajë tatimin e mbajtur në llogarinë e të ardhurave të organeve tatimore, deri në datën 20-të të muajit që pason muajin e pagesës ose mbajtjes së tatimit në rastin e dividendëve.
- Edhe punëdhënësit (agjenti i listëpagesës) konsiderohet agjent i mbajtjes së tatimit në burim në lidhje me detyrimet që ka për mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
57. Deklarata e tatimit të mbajtur në burim
- Deklarata e tatimit në burim është sipas modelit në aneksin nr. 5, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
- Deklarata përmban çdo të dhënë identifikuese për paguesin dhe përfituesin e të ardhurës, qoftë ky entitet, përfshirë edhe entitetet jofitimprurëse apo që nuk janë subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ, person fizik tregtar, i vetëpunësuar apo individ.
58. Të ardhurat dhe pagesat objekt i tatimit të mbajtur në burim
- Kategoritë e të ardhurave sipas paragrafit 1, të nenit 58, të ardhura për të cilat ligji përcakton se tatimi për përfituesin e të ardhurës mbahet në burim nga paguesi i të ardhurës në momentin e pagesës, përfshijnë rastet kur pagesa bëhet në favor të një tatimpaguesi rezident shqiptar, ose një selie të përhershme në Shqipëri.
Për kategoritë e të ardhurave sipas germave “a” deri “d”, të paragrafit 1, në nenin 58, mbajtja e tatimit në burim bëhet pavarësisht nëse përfituesi i të ardhurës (rezident shqiptar, apo seli e përhershme në Shqipëri) është individ, person fizik tregtar, i vetëpunësuar, apo entitet, por duke respektuar përjashtimet nga mbajtja e tatimit në burim sipas paragrafit 3 të këtij neni.
- Tatimi në burim mbahet në të gjitha rastet kur bëhen pagesa që hyjnë në konceptin e honorareve sipas germës “c” (të drejta autori, pagesa licence, marke, të drejtë përdorimi etj. të kësaj natyre). Tatimi mbi pagesat e honorareve mbahet pavarësisht se përfituesi i të ardhurës është entitet, individ, i vetëpunësuar apo tregtar.
- Tatimi në burim mbahet në të gjitha rastet kur bëhen pagesa në lidhje me të ardhurat nga lojërat e fatit. Zakonisht, fituesit e lojërave të fatit janë individë të cilët, tatimin e mbajtur në burim për të ardhurat nga lojërat e fatit, e kanë tatim përfundimtar. Në këtë rast organizatorët e lojërave të fatit të përcaktuara në ligjin për lojërat e fatit, janë agjentët e mbajtjes së tatimit në burim dhe si të tillë mbajnë tatimin për çdo pagese që i jepet fituesit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit dhe pavarësisht shumave të luajtura më parë nga lojtari.
Organizatorët e lojërave të fatit evidentojnë për çdo lojtar shumën respektive të fituar, si dhe tatimin e mbajtur në burim referuar kësaj shume. Administrata tatimore kontrollon saktësinë e deklarimit dhe të mbajtjes së tatimit në burim.
- Tatimi në burim mbahet edhe kur bëhen pagesa në lidhje me qiratë, por vetëm kur qiradhënësi, përfitues i të ardhurës, është individ dhe qiramarrësi është ose entitet, ose i vetëpunësuar, ose tregtar, ose ent shtetëror, OJF, projekt, program, pra kur qiramarrësi është person i pajisur me Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit dhe bën pagesa qiraje në favor të një individi përfitues, bazuar në kontratën e qirasë dhe njëkohësisht dorëzon çdo muaj deklaratën e tatimit të mbajtur në burim.
- Në mënyrë të përmbledhur, tatimi në lidhje me qiratë mbahet/nuk mbahet në burim nga qiramarrësi në vartësi të statusit të paguesit dhe përfituesit, si më poshtë:
- Në rastet kur qiramarrësi është: i. entitet subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ; ii. tregtar subjekt i tatimit mbi të ardhurat; iii. i vetëpunesuar subjekt i tatimit mbi të ardhurat; iv. entitet, jo subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ dhe:
- qiradhënësi është entitet subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ – nuk mbahet tatim;
- qiradhënësi është i vetëpunësuar apo tregtar subjekt i tatimit mbi të ardhurat – nuk mbahet tatim;
- qiradhënësi është individ – mbahet tatim;
- qiradhënësi është entitet jo subjekt i tatimit mbi të ardhurat – nuk mbahet tatim;
- Në rastet kur qiramarrësi është individ dhe:
- qiradhënësi është entitet subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ – nuk mbahet tatim;
- qiradhënësi është i vetëpunësuar apo tregtar subjekt i tatimit mbi të ardhurat – nuk mbahet tatim;
- qiradhënësi është individ – nuk mbahet tatim;
- qiradhënësi është entitet jo subjekt i tatimit mbi të ardhurat – nuk mbahet tatim.
- Për rastet kur personat e pajisur me NUIS: entitetet subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ, të vetëpunësuarit dhe tregtarët subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe entitetet që nuk janë subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ si entet publike, OJF-të etj., bëjnë pagesa qiraje për individë, ato, gjithmonë, mbajnë tatimin në burim i cili është tatim përfundimtar i paguar nga individi qiradhënës. Personat e pajisur me NUIS, kanë detyrimin e dorëzimit të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim dhe pjesë e kësaj deklarate është edhe tatimi mbi qiratë.
- Për rastet kur pagues i qirasë është një individ, ai nuk mban tatim nëse përfituesi i të ardhurës është i pajisur me NUIS (entitet, tregtar, i vetëpunësuar, por edhe ent shtetëror apo OJF), pasi paguesi përdor sistemin e autofaturimit dhe të pasqyrimit të pagesës së qirasë si shpenzim. Edhe nëse përfituesi është individ, pra kemi të bëjmë me marrëdhënie individ me individ, nuk mbahet tatim në burim. Duke mos pasur detyrimin për të mbajtur tatim në burim, pavarësisht nga statusi i qiramarrësit, në këtë rast, individi përfitues i qirasë, vetëdeklaron të ardhurën dhe paguan detyrimin tatimor sipas procedurave të deklarimit dhe pagesës që zbatohen për këto raste.
- Në mënyrë të përmbledhur, tatimi në lidhje me qiratë mbahet/nuk mbahet në burim nga qiramarrësi në vartësi të statusit të paguesit dhe përfituesit, si më poshtë:
- Për rastet kur ndonjë entitet të marrë ndonjë shërbim nga një individ rezident, apo jorezident, i cili nuk është i pajisur me NUIS, pra nuk është i vetëpunësuar, mbajtja e tatimit në lidhje me pagesën që ai përfiton sqarohet në nenin 65, paragrafi 1, germa “b” e ligjit.
- Rastet kur nuk mbahet tatimi në burim në lidhje me paragrafin 1 të nenit 58 të ligjit, janë listuar në paragrafin 3 të po këtij neni dhe përfshijnë:
- Të ardhurat sipas kategorive “a” deri “d” të paragrafit 1 të nenit 58, dhe që mund t’u paguhen personave të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat. Përjashtimi për këtë kategori bëhet pasi personat e përjashtuar nga tatimi mbi fitimin korporativ, edhe nëse realizojnë ndonjë fitim, nuk e destinojnë atë për shpërndarje në përfitim të themeluesve, sikurse është rasti i organizatave jofitimprurëse.
- Për dividendëd, të ardhurat nga dividendëd që shpërndahen sipas kushteve të përcaktuara në nenin 29, “Përjashtimi në pjesëmarrje” të këtij ligji. Pra, nëse një entitet zotëron më shumë se 10% të kapitalit, aksioneve apo të drejtave të votës në entitetin tjetër.
- Për interesat:
- të ardhurat nga interesat nga emetimi i Eurobondit prej qeverisë shqiptare, të paguara entiteteve jorezidente, pa një seli të përhershme në Shqipëri, si dhe fitimet kapitale që mund të realizohen nga tregtimi i tyre po nga kjo kategori personash
- të ardhurat nga interesat që u paguhen bankave dhe institucioneve të tjera financiare.
- Kategoritë e të ardhurave sipas germave “a” deri “e” të paragrafit 2, në nenin 58, të ardhura për të cilat ligji përcakton se tatimi për përfituesin e të ardhurës mbahet në burim nga paguesi i të ardhurës në momentin e pagesës, përfshijnë rastet kur pagesa bëhet në favor të një tatimpaguesi person fizik jorezident, ose një entitet jorezident pa një seli të përhershme në Shqipëri.
- Dividendët, interesat dhe honoraret. Për këto kategori të ardhurash, tatimi mbahet në burim nga paguesi. Në rast se përfituesi i të ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar Marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, e cila është në fuqi, zbatohen klauzolat e marrëveshjes në lidhje me ndarjen e së drejtës së taksimit. Nëse përfituesi i të ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë nuk ka Marrëveshje të tillë në fuqi, në çdo rast zbatohet legjislacioni i brendshëm dhe mbahet tatimi në Shqipëri.
- Fitimet nga lojërat e fatit, mbahet tatimi në Shqipëri.
- Shërbimet që i atribuohen një selie të përhershme në Shqipëri sipas nenit 4 të këtij ligji. Në rast se përfituesi i të ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, e cila është në fuqi, zbatohen klauzolat e marrëveshjes në lidhje me afatin e përcaktuar në marrëveshje, në lidhje me ndarjen e së drejtës se taksimit. Nëse përfituesi i të ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë nuk ka Marrëveshje të tillë në fuqi, në çdo rast zbatohet legjislacioni i brendshëm dhe mbahet tatimi në Shqipëri.
- Shërbimet e sigurimit mbahet tatimi në Shqipëri.
- Të ardhurat nga pjesëmarrjet në bordet drejtuese dhe këshillat ose trupa drejtues të tjerë. Të ardhura të tilla konsiderohen me burim në Shqipëri, lidhen me menaxhimin e veprimtarive që e kanë selinë e përhershme në Shqipëri, rrjedhimisht tatohen në Shqipëri, pavarësisht faktit se ndonjë takim i bordit, këshillit etj., zhvillohet në Shqipëri, online apo në ndonjë vend tjetër.
- të ardhurat nga shërbimet e ndërtimit, instalimit, montimit ose punë mbikëqyrëse të lidhura me to. Në rast se përfituesi i së ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë, e cila është në fuqi, zbatohen klauzolat e marrëveshjes në lidhje me afatin e përcaktuar në marrëveshje, në lidhje me ndarjen e së drejtës së taksimit për shërbimet e ndërtimit, instalimit, montimit. Nëse përfituesi i të ardhurës është rezident në një shtet me të cilin Republika e Shqipërisë nuk ka marrëveshje të tillë në fuqi, në çdo rast zbatohet legjislacioni i brendshëm dhe mbahet tatimi në Shqipëri.
- të ardhurat nga performanca e aktorëve, muzikantëve ose sportistëve, përfshirë të ardhurat nga personat që punësojnë artistë ose sportistë ose veprojnë si ndërmjetës në organizimin e shfaqjeve apo të performancave, mbahet tatimi në Shqipëri. Të ardhura të tilla zakonisht taksohen në vendin ku zhvillohet shfaqja, eventi, aktiviteti, edhe në rastet kur ka marrëveshje në fuqi.
59. Norma e mbajtjes së tatimit në burim
- Për pagesat në lidhje me dividendëd dhe shpërndarjet e fitimit të miratuar nga organet drejtuese të entitetit, paguesi i të ardhurës mban tatimin në burim sipas normës ligjore 8%.
- Për çdo kategori tjetër të ardhurash të listuara në paragrafin 1 dhe 2 të nenit 58, norma e zbatueshme e tatimit në burim është 15%.
60. Tatimi i trashëgimisë, dhuratave dhe fitimeve nga lojërat e fatit
Të ardhurat nga dhuratat, trashëgimitë dhe lojërat e fatit të përfituara në Republikën e Shqipërisë nga rezident dhe jorezidentët, tatohen me normën 15% pa zbritur ndonjë kosto të tyre. Nuk tatohen
të ardhurat nga dhuratat dhe trashëgimitë e parashikuara në paragrafin 7 të nenit 60 të ligjit.
Për efekt të llogaritjes së të ardhurave nga dhuratat dhe trashëgimia, sendet e dhuruara apo të trashëguara vlerësohen në momentin e dhurimit me vlerë nominale ose vlerën e tregut, cila prej tyre është vlera më e madhe. Nëse disponohet një vlerë nominale për sendin e dhuruar apo të trashëguar, ajo krahasohet me vlerën e tregut të këtij sendi dhe cilado prej tyre është më e lartë, përbën bazën apo të ardhurën mbi të cilën aplikohet norma e tatimit 15%. Rregullat e vlerësimit për vlerën e sendeve të dhuruara apo të trashëguara, bazohen në praktikat e njohura nëpërmjet vlerësuesve të njohur apo akteve zyrtare në fuqi, në lidhje me metodologjinë e përcaktimit të vlerës së sendeve.
Shembuj
- Vlera e një pikture, automjeti retro, unazë me gur të çmuar, set antik pajisjesh etj. të kësaj natyre, të dhuruara/trashëguara, mund të përcaktohet nga ekspertë të licencuar të fushës;
- Vlera e një banese të dhuruar/trashëguar, mund të përcaktohen ose me ekspertë të licencuar të fushës, ose duke përdorur aktet ligjore/nënligjore në fuqi për vlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Të ardhurat nga trashëgimia, dhuratat dhe lojërat e fatit deklarohen nëpërmjet deklaratës tatimore vjetore të të ardhurave personale, në përputhje me nenin 60.
Administrata tatimore verifikon tërësinë dhe saktësinë e deklaratave të përgjegjësisë tatimore, sipas nenit 60. Kjo do të përfshijë marrjen dhe vënien në përdorim të informacionit nga një sërë burimesh të palëve të treta:
- Për trashëgimitë pasurore në Shqipëri, detaje lidhur me vlerën dhe destinacionin e trashëgimive. Për këtë qëllim noterët do të duhet të depozitojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të dhëna lidhur me aktet e trashëgimisë dhe dhurimit siç janë: të dhënat e përfituesve dhe vlerat apo pasuritë e përfituara.
- Të dhëna nga bankat lidhur me transfertat hyrëse, apo dalëse të llogarive në vend, që mund të tregojnë indicie për dhuratat, trashëgimitë apo fitimet e lojërave të fatit.
- Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për të marrë të dhëna të raportuara sipas rregulloreve të antipastrimit të parave.
- Informacion nga Banka Qendrore lidhur me transfertat ndërkufitare, që mund të përfaqësojnë dhurata, trashëgimi, apo fitimet nga lojërat e fatit, të ardhura nga jashtë vendit.
- Informacion nga Kadastra lidhur me transferimin e pronës që nuk duket se ka rezultuar nga shitja komerciale.
- Të dhëna lidhur me llogaritë financiare të huaja të marra përmes shkëmbimit automatik të informacionit.
- Të dhëna lidhur me fitimet nga lojërat e fatit të marra nga operatorët në industrinë e basteve, përmes deklaratave të tatimit në burim.
Administrata tatimore për të përfituar këto informacione sipas rastit mund të vendosë protokolle komunikimi për të marrë raportimet e sipërcituara, duke përfshirë këtu edhe bazën e tyre ligjore, frekuencën e raportimit, të dhënat përkatëse.
Neni 60 përcakton taksimin e jorezidentëve lidhur me burimin shqiptar të dhuratave, trashëgimive dhe fitimeve në lojërat e fatit. Në mënyrë që të sigurohet edhe përmbushja e këtyre detyrimeve, duhet të përfshihen edhe burimet e informacionit nga palët e treta:
- Për trashëgimitë nga pronat në Shqipëri, detajet e vlerave dhe destinacioni i tyre (trashëgimive).
- Informacion nga Banka Qendrore lidhur me transfertat ndërkufitare që mund të përfaqësojnë dhurata, trashëgimi, apo fitime nga lojërat e fatit që po transferohen jashtë shtetit.
- Informacion nga Kadastra lidhur me transferimet e pronave që nuk duket se ka rezultuar nga shitja komerciale.
- Të dhëna lidhur me fitimet nga lojërat e fatit të marra nga operatorët në industrinë e basteve. Do të duhet të merren në konsideratë edhe se si duhen trajtuar kërkesat për raportime lidhur me transaksionet me jorezidentët.
61. Deklarata tatimore vjetore
- Deklarata tatimore vjetore e të ardhurës/fitimit të tatueshëm dorëzohet në administratën tatimore nga:
- entitetet të cilat deklarojnë dhe paguajnë tatim mbi fitimin korporativ;
- personat fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuarit, në lidhje me veprimtarinë ekonomike që ushtrojnë;
- individët të cilët janë të detyruar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale sipas dispozitave të këtij ligji.
- Deklaratat tatimore vjetore e të ardhurave personale/biznesore, dorëzohet në administratën tatimore nga çdo person që ka detyrimin për dorëzimin e deklaratës.
- Deklaratat tatimore vjetore, përfshijnë: i. deklaratën tatimore vjetore të fitimit të tatueshëm për entitetet tatimi mbi fitimin korporativ; ii. deklaratën tatimore vjetore e të ardhurave personale për individin; dhe iii. deklaratën tatimore vjetore të të ardhurave biznesore për personat fizikë tregtarë dhe të vetëpunësuarit, të cilat dorëzohen në organin tatimor jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës të vitit tatimor, për të cilin dorëzohet deklarata.
- Trashëgimtarët ligjorë të personit janë përgjegjës për plotësimin e deklaratës, në rast se tatimpaguesi ka vdekur. Kjo deklaratë duhet të përfshijë të ardhurat e përgjithshme të krijuara deri në datën e vdekjes.
- Në rast se tatimpaguesi ndryshon rezidencën tatimore, ai duhet të bëjë deklaratë tatimore për çdo të ardhur të krijuar deri në datën e ndryshimit të rezidencës. Shembull. Nëse një individ rezident shqiptar, i cili ka detyrimin për të deklaruar të ardhurat, largohet nga Shqipëria më 31 korrik 2024, ai ka detyrimin e deklarimit të të ardhurave për periudhën e rezidencës në Shqipëri janar–korrik 2024.
- Deklarimi nga tatimpaguesit realizohet sipas përcaktimeve në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore për zbatimin e tij. Dorëzimi i deklaratës bëhet në rrugë elektronike, sipas formularëve përkatës të deklarimit, bashkëngjitur këtij udhëzimi:
- Deklarata vjetore e tatimit mbi të ardhurat e korporatës, e cila dorëzohet nga subjektet që paguajnë tatim mbi fitimin korporativ;
- Deklarata vjetore e tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, e cila dorëzohet nga personat fizikë tregtarë dhe personat fizikë të vetëpunësuar;
- Deklarata vjetore e tatimit mbi të ardhurat personale, e cila dorëzohet nga individët sipas dispozitave të nenit 67 të ligjit.
Tatimpaguesit të cilët janë të detyruar të mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” paraqesin pranë administratës tatimore deklaratën tatimore, ndërsa pasqyrat e raportimit financiar i paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, sipas parashikimeve dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin e fushës, si dhe në sistemin e-Tax. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit shkëmbejnë informacionin që disponojnë në rrugë elektronike, duke mundësuar që administrata tatimore të ketë akses në pasqyrat e raportimit financiar të depozituara nga tatimpaguesi. Bazuar më ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, administrata tatimore ka të drejtën të kërkojë çdo informacion të parashikuar nga ky ligj, ndërkohë që tatimpaguesit kanë detyrimin që t’i japin administratës tatimore informacionin e kërkuar. Pagesa detyrimeve tatimore sipas deklaratës, paguhet në llogaritë e autorizuara nga thesari i buxhetit të shtetit.
62. Kërkesat për dokumentacion
- Tatimpaguesit subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ dhe i tatimit mbi të ardhurat nga biznesi (tregtarët dhe të vetëpunësuarit) llogarisin bazën e tatimit (fitimin neto) duke zbritur nga të ardhurat bruto të tatueshme, shpenzimet e zbritshme. Të dhënat pasqyrohen të plota në deklaratënpërkatëse, duke plotësuar çdo rubrikë të saj.
- Për efekt të njohjes si shpenzim i zbritshëm, tatimpaguesi duhet të disponojë një faturë, siç përcaktohet në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”:
- Faturë elektronike për shitjet biznes me biznes, të lëshuar nga subjektet rezidente të detyruara për lëshimin e faturave;
- Autofaturë në kuptim të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”;
- Faturë importi sipas procedurave doganore;
- Faturë të lëshuar nga personi jorezident për shërbime;
- Dokument të njohur për pagesa tarifash e të tjera të kësaj natyre të bëra për institucione si ente shtetërore, entitete me status diplomatik si ambasada etj.
63. Parapagimet
- Llogaritja e kësteve të parapagimit gjatë vitit tatimor për tatimin mbi fitimin korporativ Tatimpaguesi subjekt i tatimit mbi fitimin korporativ, gjatë vitit tatimor, parapaguan këstet mujore/tremujore të tatimit mbi fitimin:
- brenda datës 31 mars, për muajt janar, shkurt, mars;
- brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj, qershor;
- brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht, shtator; dhe
- brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.
Bazuar në të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës, të dorëzuar nga tatimpaguesi, deklaratë që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit vijues, administrata tatimore llogarit këstet mujore dhe ato tremujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ për periudhën prill–dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar–mars të vitit të ardhshëm. Këstet e parapagimeve i njoftohen tatimpaguesit në rrugë elektronike në llogarinë e tij brenda datës 10 prill të vitit vijues.
Këstet e llogaritura të parapagimeve paguhen nga tatimpaguesi në fund të çdo 3-mujori, por mund të paguhen edhe në bazë mujore, brenda datës 15 të çdo muaji. Kur këstet e parapagimeve paguhen në bazë tremujore, kësti i çdo tremujori llogaritet si shumë e kësteve të çdo muaji të tremujorit përkatës.
- Llogaritja e kësteve të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ:
- Në rastet kur tatimpaguesi ka më shumë se një periudhë tatimore të mëparshme që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten si më poshtë:
Shembull për llogaritjen e parapagimeve për vitin aktual 2023 e në vijim:
Tatimi mbi fitimin i vitit 2022 ka qenë 1,200,000 lekë, ndërkohë që tatimi mbi fitimin për vitin 2021 ka qenë 1.080.000 lekë. Këstet mujore/tremujore të parapagimeve për vitin 2023 do të jenë:
- Pra për 3-mujorin e parë të vitit 2023, kësti i parapagimeve është përcaktuar në prill të vitit paraardhës 2022, bazuar në deklaratën e fitimit të tatueshëm të vitit 2021. Konkretisht: për periudhën janar–mars 2023: 1,080,000/12 muaj = 90,000 lekë/muaj. Totali i parapagimit për 3- mujorin janar–mars 2023 do të jetë 90,000 x 3 muaj = 270,000 lekë.
- Për periudhën prill–dhjetor 2023: 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujorin prill–dhjetor 2023 do të jetë 100,000 x 9 muaj = 900,000 lekë, ose 300,000 lekë për çdo 3-mujor ose 100,000 lekë çdo muaj.
- Për periudhën janar–mars 2024: 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës 2024 është 100,000 x 3 muaj = 300,000 lekë, ose 100,000 lekë çdo muaj.
- Në rastet kur tatimpaguesi ka më pak se një periudhë tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten, si më poshtë:
Shembull
Të dhënat: Veprimtaria ekonomike ka filluar në datën 1 prill 2022. Tatimpaguesi ka deklaruar se tatimi mbi fitimin i vlerësuar prej tij për periudhën prill–dhjetor 2022 dhe janar–mars 2023 mund të jetë 100.000 lekë çdo muaj.
Sipas bilancit të depozituar për veprimtarinë ekonomike të vitit 2022, tatimi mbi fitimin për periudhën prill–dhjetor rezulton 1.350.000 lekë.
Llogaritja e parapagimeve të tatimit mbi fitimin për periudhat në vijim:
- Për periudhën janar–mars 2023 është marrë në konsideratë vetëvlerësimi i tatimpaguesit në prill 2022 dhe parapagimet e kësaj periudhe do të jenë 100,000 lekë çdo muaj ose 300.000 lekë për 3- mujorin e parë 2023;
- Për periudhën prill–dhjetor 2023: Fitimi i deklaruar për vitin 2022 ka qenë 1.350.000 lekë: 9 muaj = 150.000 lekë në muaj. Pra për periudhën prill–dhjetor 2023 parapagimet e tatimit mbi fitimin do jenë 150.000 lekë çdo muaj ose 150.000 x 3 = 450.000 lekë çdo tremujor, ose 1,350.000 lekë si 9- mujor;
- Për periudhën janar–mars 2024 parapagimet do të jenë 150,000 lekë çdo muaj ose 150,000 x 3 = 450,000 lekë si 3-mujor.
- Në rastet kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë në vitin vijues, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese të tatimpaguesit për shumën e vlerësuar të fitimit dhe tatimit mbi fitimin, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit, por pa marrë në konsideratë muajin e parë të regjistrimit. Kjo formulë llogaritjeje do të shërbejë edhe për përcaktimin e kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Për 9-mujorin në vijim prill–dhjetor të vitit pasardhës, këstet mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten duke marrë në konsideratë të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës.
Shembull
Tatimpaguesi regjistrohet në datën 10 gusht 2023 dhe deklaron se tatimi mbi fitimin e tij për periudhën e mbetur të vitit 2023 do të jetë 800.000 lekë.
Këstet e tij mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin llogariten:
- Për secilin nga muajt e periudhës shtator–dhjetor 2023: 800.000: 4 = 200.000 lekë/muaj;
- Për secilin nga muajt e tremujorit të parë janar–mars 2024: 200.000 lekë/muaj, ose 200,000 lekë/muaj x 3 muaj = 600.000 lekë për 3-mujorin e parë 2024.
E njëjta metodologji do të përdoret për llogaritjen e kësteve mujore/tremujore të parapagimeve të tatimit edhe në rastet kur periudhat paraardhëse tatimore kanë rezultuar me humbje.
- Korrigjimi në ulje i kësteve mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin korporativ.
Tatimpaguesi, në çdo muaj gjatë periudhës tatimore mund të kërkojë dhe të provojë para organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse. Në këto raste organi tatimor, bazuar në argumentet, dokumentacionin dhe të evidencat e tatimpaguesit, zvogëlojnë shumat e llogaritura të parapagimeve.
Argumentet që mund të parashtrojë tatimpaguesi për të kërkuar reduktimin/heqjen e kësteve të llogaritura të parapagimit janë:
- Kur shitjet e deklaruara në 3 muajt e fundit, para kërkesës për reduktim të kësteve janë ulur me mbi 20% krahasuar me shitjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve bëhet në proporcion me reduktimin e shitjeve të mallrave dhe të shërbimeve.
- Kur blerjet e deklaruara në 3-mujorin e fundit, janë ulur me mbi 30% krahasuar me blerjet mesatare mujore të 12-mujorit të fundit para këtij 3-mujori. Reduktimi i kësteve për parapagimet bëhet në proporcion me reduktimin e blerjeve të mallrave dhe të shërbimeve.
- Kur ka mungesa në vijim të kontratave të shitjes së mallrave apo të shërbimeve, kontratave të
punimeve etj., të cilat do ta reduktojnë në mënyrë domethënëse veprimtarinë dhe të ardhurat e tatimpaguesit për muajt e mbetur të vitit vijues, për të cilin kërkohet reduktimi i kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin.
- Kur përfundojnë kontrata mbi bazën e të cilave janë realizuar të ardhurat në vitet e mëparshme, kanë përfunduar objektet apo punët e tjera publike të kontraktuara.
- Kur kanë ndodhur fatkeqësi apo dëme në veprimtarinë e tatimpaguesit gjatë vitit vijues dhe që do të çojnë në reduktimin e ndjeshëm të veprimtarisë ekonomike.
- Kur mbyllen linja, veprimtari të caktuara, shkurtohet ndjeshëm forca e punës etj., si rezultat i tkurrjes së veprimtarisë.
Në rastet kur kanë ndryshuar kushtet mbi bazën e të cilave këstet e parapagesave janë reduktuar, administrata tatimore i rishikon ato në rritje.
- Korrigjimi në rritje i kësteve mujore të parapagimeve të tatimit mbi fitimin korporativ.
Në rastet kur, bazuar në të dhënat e deklaruara për 9-mujorin e vitit në vijim, rezulton se tatimpaguesi i ka rritur të ardhurat mesatare mujore nga shitja e mallrave dhe e shërbimeve me më shumë se 10% krahasuar me të ardhurat mesatare mujore të vitit të kaluar, administrata tatimore mund të rregullojnë në rritje parapagimet e tremujorit të fundit të vitit. Rritja e kësteve të parapagimit nuk mund të jetë më shumë se 75% në përputhje me përqindjen e rritjes së të ardhurave të rezultuara nga krahasimi i vitit korrent me vitin e kaluar.
Shembull
Të ardhurat bruto mesatare mujore 2022 kanë qenë 100.000 lekë.
Të ardhurat bruto mesatare mujore janar–shtator 2023 janë 130.000 lekë. Rritja mesatare mujore e të ardhurave është 30%.
Rritja e kësteve të parapagimeve për periudhën tetor–dhjetor do të rriten jo më shumë se 22,5% (30 % x 75 %) e kësteve të parapagimit të llogaritura në fillim të vitit.
Tatimpaguesi:
- mund ta pranojë vlerësimin e administratës tatimore;
- mund ta rishikojë në rritje, tej vlerësimit të administratës tatimore dhe të kërkojë rritje me të lartë të parapagesave; ose
- mund të kundërshtojë rritjen e parapagesave të bërë nga administrata tatimore, sipas procedurave të paparashikuara të apelimit tatimor.
Në rastet kur tatimpaguesi gjykon vetë se tatimi mbi fitimin i vlerësuar prej tij për vitin vijues, do të jetë mbi 10% më i lartë se këstet mujore të parapagesave të llogaritura sipas ligjit, ai duhet të paraqesë një deklaratë vlerësimi të tatimit mbi fitimin për vitin ushtrimor jo më vonë se data 10 shtator. Mbi këtë bazë administrata tatimore korrigjon në rritje këstet për muajt tetor-dhjetor të vitit vijues.
Shembull
- Këstet e llogaritura për muajt janar–mars: 300,000 lekë (100,000 lekë/muaj).
- Këstet e llogaritura për muajt prill–shtator: 1,200,000 lekë (200,000 lekë/muaj).
– Këstet janar-shtator: 300,000 + 1,200,000 = 1,500,000 lekë.
- Këstet e llogaritura paraprakisht për muajt: tetor–nëntor–dhjetor: 600,000 lekë (3×200,000).
- Këstet për të gjithë vitin ushtrimor: 2,100,000 lekë (300.000 lekë + 1.200.000 lekë + 600.000 lekë).
Tatimi mbi fitimin i vlerësuar nga vetë tatimpaguesi që vetëdeklarohet deri në 10 shtator është 2,700,000 lekë, pra është mbi 10 për qind më i lartë se këstet mujore të parapagimeve të llogaritura [(2,700,000 lekë – 2,100,000 lekë)/2,100,000 lekë = 28%]. Në këto kushte, vlerësohet një këst shtesë për muajt tetor–dhjetor prej 200.000 lekësh në çdo muaj (2,700,000 lekë – 2,100,000 lekë = 600,000 lekë => 600.000 lekë/3 muaj = 200,000 lekë/muaj). Në total shuma e këstit të parapagimit për 3-
mujorin tetor–dhjetor do të jetë 600.000 lekë + 600.000 lekë = 1,200,000 lekë për këtë 3-mujor.
Nëse si rezultat i auditimit nëpërmjet kontrollit të thelluar dhe vlerësimit tatimor, konstatohet se fitimi i tatimpaguesit në vitin paraardhës është deklaruar më i ulët se ai që rezulton nga auditimi, administrata tatimore mund të rrisë këstet e parapagimeve të llogaritura më parë për vitin vijues dhe 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Rritja e kësteve të parapagimit bëhet në raport me shumën e rritur të fitimit si rezultat i rivlerësimit krahasuar me fitimin e deklaruar.
Administrata tatimore njofton tatimpaguesin për rritjen e kësteve të parapagimeve, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Llogaritja e kësteve të parapagimit gjatë vitit tatimor për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe nga vetëpunësimi.
Tatimpaguesi subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, gjatë vitit tatimor, parapaguan këstet tremujore, të tatimit mbi të ardhurat personale:
- brenda datës 31 mars, për muajt janar, shkurt mars;
- brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj qershor;
- brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht shtator; dhe
- brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.
Bazuar në të dhënat e deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, të vitit paraardhës, të dorëzuar nga tatimpaguesi, deklaratë që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit vijues, administrata tatimore llogarit këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhën prill–dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar–mars të vitit të ardhshëm. Këstet e parapagimeve i njoftohen tatimpaguesit në rrugë elektronike në llogarinë e tij brenda datës 20 prill të vitit vijues.
- Llogaritja e kësteve të parapagimeve
- Në rastet kur tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, ka më shumë se dy periudha tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi, llogariten si më poshtë:
Shembull për llogaritjen e parapagimeve për vitin aktual 2023 e në vijim:
Tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i vitit 2022 ka qenë 120,000 lekë, ndërsa për vitin 2021 ky tatim ka qenë 108,000 lekë. Këstet tremujore të parapagimeve do të jenë:
- Për periudhën janar–mars 2023: 108,000/12 muaj = 9,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin janar–mars 2023 do të jetë 9,000 x 3 muaj = 27,000 lekë për këtë 3-mujor.
- Për periudhën prill–dhjetor 2023: 120,000/12 muaj = 10,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujorin prill–dhjetor 2023 do të jetë 10,000 x 9 muaj = 90,000 lekë , ose 30,000 lekë për çdo 3-mujor.
- Për periudhën janar–mars 2024: 120,000/12 muaj = 10,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës 10,000 x 3 muaj = 30,000 lekë. Pra për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës, kësti i parapagimeve është përcaktuar në prill të vitit paraardhës, bazuar në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi dhe vetëpunësimi të vitit 2022.
- Në rastet kur tatimpaguesi ka më pak se një periudhë tatimore që e ka filluar veprimtarinë ekonomike, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten, si më poshtë.
- Për periudhën prill–dhjetor 2023: 120,000/12 muaj = 10,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujorin prill–dhjetor 2023 do të jetë 10,000 x 9 muaj = 90,000 lekë , ose 30,000 lekë për çdo 3-mujor.
Shembull
Të dhënat
Veprimtaria ekonomike ka filluar në datën 1 prill 2022. Tatimpaguesi ka deklaruar se tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i vlerësuar prej tij për periudhën prill–dhjetor 2022 mund të jetë 10.000 lekë çdo muaj.
Sipas bilancit të depozituar për veprimtarinë ekonomike të vitit 2022, tatimi mbi të ardhurat
personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhën prill–dhjetor ka rezultuar 135,000 lekë.
Llogaritja e parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për periudhat në vijim:
- Për periudhën janar–mars 2023 do të merret në konsideratë vetëvlerësimi i tatimpaguesit në prill 2022 dhe parapagimi i kësaj periudhe do të jetë 30,000 lekë për 3-mujorin e parë 2023.
- Për periudhën prill–dhjetor 2023: tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i deklaruar për vitin 2022 ka qenë 135,000 lekë: 9 muaj = 15,000 lekë në muaj. Pra për periudhën prill- dhjetor 2023 parapagimet e tatimit mbi fitimin do të jenë 15,000 lekë x 3 muaj = 45,000 lekë çdo 3- mujor.
- Për periudhën janar–mars 2024 parapagimet do të jenë 15,000 lekë x 3 muaj = 45,000 lekë për këtë 3-mujor.
- Në rastet kur tatimpaguesi e fillon veprimtarinë në vitin vijues, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten duke u bazuar në deklaratën parashikuese të tatimpaguesit për shumën e vlerësuar të të ardhurës personale nga biznesi/vetëpunësimi, dhe tatimit mbi këtë të ardhur, pjesëtuar me numrin e muajve të mbetur deri në fund të vitit, por pa marrë në konsideratë muajin e parë të regjistrimit. Kjo formulë llogaritjeje do të shërbejë edhe për përcaktimin e këstit të parapagimit të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi për 3-mujorin e parë të vitit pasardhës. Për 9-mujorin në vijim prill-dhjetor të vitit pasardhës, këstet tremujore të parapagimeve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi llogariten duke marrë në konsideratë të dhënat e deklaratës së të ardhurave personale të tatueshme të vitit paraardhës.
Shembull
Tatimpaguesi regjistrohet në datën 10 shtator 2023 dhe deklaron se tatimi mbi të ardhurat personale nga biznesi/vetëpunësimi i tij për periudhën e mbetur të vitit 2023 do të jetë 60.000 lekë.
Këstet e tij tremujore të parapagimeve të tatimit llogariten:
- Për tremujorin e fundit tetor–dhjetor 2023: 60,000 lekë,
- Për tremujorin e parë 2024: 60.000 lekë.
E njëjta metodologji do të përdoret për llogaritjen e kësteve mujore/tremujore të parapagimeve të tatimit mbi edhe në rastet kur periudhat paraardhëse tatimore kane rezultuar me humbje.
6. Korrigjimi i kësteve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi.
Korrigjimi në ulje i kësteve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi mund të kërkohet në çdo kohë nga tatimpaguesi, ndërsa korrigjimi në rritje i tyre mund të bëhet vetëm për 3-mujorin e fundit të vitit.
Për korrigjimin e kësteve të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetëpunësimi, zbatohen parimet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 më lart, të parashikuara për tatimin mbi fitimin korporativ.
64. Deklarata plotësuese tatimore
- Në rastin kur tatimpaguesi konstaton se tatimi i pagueshëm në deklaratën e tij të fundit të të ardhurave duhet të ishte më i lartë ose humbja tatimore më e ulët, ai është i detyruar të dorëzojë një deklaratë tatimore shtesë dhe të paguajë diferencën midis tatimit të deklaruar më parë të pagueshëm dhe tatimit suplementar të pagueshëm, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
- Në rastin kur tatimpaguesi konstaton se tatimi i pagueshëm në deklaratën e tij të fundit të të ardhurave duhet të ishte më i ulët ose humbja tatimore më e lartë, ai është i detyruar të dorëzojë një deklaratë tatimore shtesë sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
65. Agjenti tatimor i listëpagesës
Punëdhënësi konsiderohet “agjent tatimor”, në lidhje me detyrimin tatimor të të punësuarve, detyrim i cili lidhet me të ardhurat nga punësimi i tyre. Punëdhënësi në rolin e “agjentit tatimor” ka detyrimet e parashikuara në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe ligjin “Për procedurat tatimore” dhe është përgjegjës për llogaritjen e detyrimit tatimor, mbajtjen e detyrimit nga pagesa dhe transferimin e këtij detyrimi në llogaritë e të ardhurave të buxhetit të shtetit. Brenda datës 20 të muajit pasardhës, krahas pagesës së detyrimit, punëdhënësi njëkohësisht dorëzon çdo muaj listëpagesën ku janë të pasqyruara të gjithë elementet e pagës bruto, zbritjet e bazës tatimore për llogaritjen e kontributeve, bazës tatimore për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe pagën neto të përfituar nga punëmarrësi.
Punëdhënësi, në rolin e agjentit tatimor të listëpagesës, mban tatimin nga paga sipas parashikimeve të nenit 24 “Normat tatimore” të ligjit. Zbritja nga baza e tatimit (nga paga bruto) e parashikuar në paragrafin 1, të nenit 22, “Zbritjet nga baza tatimore”, lejohet të bëhet nga punëdhënësi, nëse punëmarrësi tatimpagues i tatimit mbi pagën, ka nënshkruar deklaratën mbi statusin personal me këtë punëdhënës, sipas nenit 66, “Deklarata mbi statusin personal”, të ligjit.
Nëse punëmarrësi hyn në marrëdhënie punësimi edhe me punëmarrës të tjerë, ai nuk ka të drejtë të përfitojë “Zbritje nga baza tatimore” te këta punëdhënës të tjerë. Punëdhënësit e tjerë do të aplikojnë shkallën progresive të tatimit sipas nenit 24 të ligjit.
Punëmarrësi që është në marrëdhënie punësimi me më tepër se një punëdhënës, dorëzon deklaratën mbi statusin personal, sipas nenit 66, “Deklarata mbi statusin personal”, te punëdhënësi kryesor ku konsumon kohën më të madhe të punës apo ku ka nivelin më të lartë të pagës.
Punëmarrësit e punësuar në më shumë se një punëdhënës, bazuar në nenin 67, “Deklarata vjetore e të ardhurave personale”, paragrafi “1/b”, kanë detyrimin për të të dorëzuar deklaratën vjetore tatimore personale, ku llogarisin edhe detyrimin tatimor përfundimtar nga punësimi në më shumë se një punëdhënës, apo edhe të ardhurat e mundshme nga burime të tjera.
Shembull 1
Punëmarrësi K.P. është i punësuar në subjektin “Alpha”, dhe ka kontratë punësimi me pagë bruto mujore 100.000 lekë. Njëkohësisht K.P. në darkë punon me orar të reduktuar te subjekti “Beta”, me të cilin ka kontratë punësimi me pagë bruto mujore 50.000 lekë.
Punëmarrësi K.P. dorëzon te punëdhënësi “Alpha” “Deklaratën mbi statusin personal” dhe mbi këtë bazë, subjekti i llogarit në listëpagesë detyrimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga paga
100.000 – 30.000 = 70.000 x 13 % = 9.100 lekë tatim.
Punëmarrësi K.P. nuk duhet të dorëzojë te punëdhënësi i dytë “Beta” “Deklaratën mbi statusin personal”. Punëdhënësi “Beta” i llogarit në listëpagesë detyrimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga paga 50.000 x 13 % = 6.500 lekë tatim.
Në fund të vitit, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, individi K.P, bazuar në nenin 67 të ligjit, është i detyruar të dorëzojë “Deklaratën vjetore e të ardhurave personale”, ku do rillogarisë detyrimin tatimor të tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, pasi ka qenë i dypunësuar”.
- Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 100.000 + 50.000 = 150.000 lekë.
- Tatimi i pagueshëm për të ardhurat e realizuara 150.000 – 30.000 = 120.000 x 13 % = 15.600 lekë.
- Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: 9.100+6.500= 15600 lekë në muaj.
- Tatimi i mbipaguar apo për t’u paguar: zero.
Shembull 2
Nëse të ardhurat e individit K.P., i cili do të punonte me kohë të pjesshme te të dyja subjektet, do të ishin 25.000 lekë te punëdhënësi i parë dhe 25.000 lekë te punëdhënësi i dytë.
- Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 25.000 lekë + 25.000 lekë = 50.000 lekë.
- Tatimi i pagueshtëm mujor për të ardhurat e realizuara 50.000 – 50.000 = 0 => 0 x 13 % = 0 lekë.
- Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: i. 25.000 lekë – 25.000 = 0 => 0 x 13% = 0 lekë tatim; dhe ii. 25.000 x 13 % = 3.250 lekë tatim. Gjithsej tatimi i paguar 3.250 lekë.
- Tatimi i mbipaguar: 3.250 lekë – 0 lekë = 3.250 lekë në muaj ose 39.000 lekë në vit, të cilat i kthehen të punësuarit.
Shembull 3
Nëse të ardhurat mujore të individit K.P. do të ishin 200.000 lekë te punëdhënësi i parë dhe
180.000 lekë te punëdhënësi i dytë.
- Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 200.000 + 180.000 = 380.000 lekë.
- Tatimi i pagueshtëm për të ardhurat e realizuara 380.000 – 30.000 = 350.000 lekë në muaj. (170.000 x 13 %) + (180.000 x 23 %) = 22.100 + 41.400 = 63.500 lekë tatim mujor.
- Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: i. 200.000 lekë – 30.000 = 170.000 x 13 % = 22100 lekë tatim; dhe ii. 170.000 x 13 % + 10.000 x 23% = 24.400 lekë tatim. Gjithsej tatimi i paguar 46.500 lekë tatim.
– Tatimi mujor shtesë për t’u paguar: 63.500 – 46.500 = 17.000 lekë në muaj ose 204.000 lekë në vit, të cilat i punësuari duhet t’i paguajë brenda datës 31 mars të vitit pasardhës sipas “Deklaratës vjetore të të ardhurave personale”.
Për t’u trajtuar si të ardhura nga punësimi dhe në mënyrë që detyrimi tatimor të llogaritet sipas tarifave progresive 13 % dhe 23 % të parashikuara në ligj, duhet që punëdhënësi të jetë përgjegjës edhe për llogaritjen e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Pagesat e tjera të bëra nga një subjekt.
Nëse një punëmarrës bën pagesa për një individ, i cili në kuptim të Kodit të Punës, nuk është në marrëdhënie punësimi me të, por ofron ndonjë shërbim teknik jo të vazhdueshëm, apo pagesa bëhet për pjesëmarrje në organe drejtuese, këshilluese etj. të subjektit, zbatohet norma e tatimit 15% mbi pagesën bruto të bërë. Shembuj:
- pagesa për anëtarë të këshillave mbikëqyrës, apo organeve të tjera drejtuese, të cilët nuk janë njëkohësisht të punësuar të subjektit pagues por kanë funksione apo janë të punësuar në subjekte të tjerë;
- pagesa jo të vazhdueshme në kuptimin e marrëdhënieve të punësimit, për ndonjë shërbim teknik rastësor, për ndonjë konsultë, studim etj., të ofruara nga individë ekspertë të fushës, të cilët mund të jenë në marrëdhënie punësimi me subjekte të tjera;
- pagesa për mësimdhënie, kurse, trajnime nga individë jashtë subjektit, të cilët në kuptim të Kodit të Punës nuk hyjnë në marrëdhënie punësimi me subjektin dhe të cilët janë të angazhuar qoftë si të punësuar në subjekte të tjerë, apo mund të jenë individë të tillë (p.sh. pensionistë) që nuk kryejnë veprimtari të tillë të vazhdueshme.
Nëse pagesat, të cilat nuk janë të lidhura me marrëdhënie punësimi, të tilla si ato të përmendura në paragrafët “b” dhe “c” më sipër bëhen për persona fizikë të vetëpunësuar, të pajisur me NIPT, nuk mbahet tatim.
Punëdhënësi mban regjistrime në lidhje me të ardhurat nga punësimi të paguara punëmarrësit, si dhe të tatimit të mbajtur. Listëpagesa sipas aneksit nr. 2 bashkëngjitur, e cila është njëkohësisht edhe “Deklaratë e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësorë dhe e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi”, dorëzohet në formën, mënyrën dhe afatet e parashikuara nga legjislacioni tatimor dhe ai i sigurimeve shoqërore në fuqi.
Agjentët tatimorë të listëpagesës janë përgjegjës për pagimin e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, me të njëjtën përgjegjësi sikur ai të ishte borxhi i tyre tatimor.
66. Deklarata mbi statusin personal
- Çdo punëmarrës nënshkruan një deklaratë në lidhje me statusin personal të tij para fillimit të pagesës së të ardhurave nga paga.
- Për subjektet e regjistruar dhe që zhvillojnë veprimtari ekonomike, deklarata do të kërkohet me hyrjen në fuqi të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” Pra, listëpagesa e muajit janar 2024, e cili duhet të deklarohet deri në 20 shkurt 2024, duhet të ketë të pasqyruar zbritjet nga baza e tatimit për ato raste kur punëmarrësit e kanë dorëzuar deklaratën e statusit personal.
- Për subjektet që regjistrohen rishtazi, deklarata mbi statusin personal do të merret në momentin e fillimit të marrëdhënieve të punësimit të individëve.
- Një punëmarrës nuk mund të nënshkruajë deklaratën për statusin personal me më shumë se një agjent tatimor të listëpagesës për të njëjtën periudhë kalendarike mujore. Nëse punëmarrësi i cili mund të jetë i punësuar në dy subjekte, ka dorëzuar deklaratën te punëdhënësi A por jo te punëdhënësi B, por në fund të muajit i shkëput marrëdhëniet e punësimit me punëdhënësin A, dhe do të jetë i punësuar vetëm te punëdhënësi B, ka të drejtë që për efekt të vazhdimit të përfitimit të zbritjeve sipas paragrafit 1 të nenit 22, të dorëzojë deklaratën për statusin personal te punëdhënësi B. Çdo përfitim i padrejtë i zbritjeve nga baza e tatimit përbën shkelje të legjislacionit tatimor dhe dënohet sipas parashikimeve në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Agjenti i listëpagesës, i cili merr deklaratën e statusit personal nga punëmarrësi, kërkon njëkohësisht nga ai edhe një deklaratë që nuk është i dypunësuar ose që nuk ka paraqitur deklaratë të statusit personal te punëdhënësi i dytë.
- Deklarata mbi statusin personal përfshin të gjitha informacionet e nevojshme për të pretenduar zbritje nga e ardhura e tatueshme sipas nenit 22, paragrafi 1, “Zbritjet nga baza tatimore”.
- Për përfitimin e zbritjeve sipas germave “a”, “b” dhe “c” të paragrafit 1, të nenit 22, punëmarrësi duhet të depozitojë kontratën e punësimit ku është përcaktuar paga bruto e tij.
- Për përfitimin e zbritjeve, sipas germës “a”, të paragrafit 2, të nenit 22, punëmarrësi duhet të depozitojë kontratën me institucionin arsimor ku studiojnë fëmijët, si dhe transfertat apo pagesat bankare të kësteve të shkollimit.
- Zbritjet e parashikuara në paragrafin 1, të nenit 22, “Zbritjet nga baza tatimore”, aplikohen për:
- Punëmarrësit, baza tatimore (paga bruto) e të cilëve reduktohet me këto zbritje;
- Personave fizikë të vetëpunësuar dhe tregtarë me të ardhura nga biznesi, e ardhura neto e të cilëve reduktohet me këto zbritje.
- Zbritjet e parashikuara në paragrafin 1 të nenit 22, “Zbritjet nga baza tatimore”, nuk aplikohen mbi:
- pagën referuese për efekt të kontributeve të llogaritur nga personat fizikë tregtarë, të vetëpunësuarit; dhe
- pagën referuese për efekt të kontributeve të personave të papaguar të familjes së punësuar te personat fizikë tregtarë dhe te të vetëpunësuarit.
- Formulari i deklaratës mbi statusin personal që plotësohet nga punëmarrësi është sipas modelit në aneksin nr. 7 bashkëngjitur këtij udhëzimi.
67. Deklarata vjetore e të ardhurave personale
Janë të detyruar të dorëzojnë deklaratë individuale vjetore të të ardhurave personale individët të cilët:
- kanë realizuar të ardhura bruto më shumë se 1 200 000 lekë në vit nga të gjitha burimet; ose
- kur janë në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që marrin nga punëdhënësit;
- kanë realizuar më shumë se 50 000 lekë nga çdo kategori tjetër të ardhure, por të cilat nuk i nënshtrohen mbajtjes së tatimit përfundimtar në burim. Të ardhura të tilla mund të jenë:
- Të ardhurat nga qiradhënia, kur qiramarrës është një individ i paregjistruar si tatimpagues tregtar, i vetëpunësuar apo entitet;
- Të ardhura të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë taksuar apo jo;
- Të ardhura të tjera të çfarëdoshme, për të cilat paguesi nuk ka mbajtur ndonjë tatim në burim, megjithëse mund të këtë pasur detyrimin ligjor për mbajtjen e tatimit në burim, sipas përcaktimeve të kapitullit 5 të ligjit. Mosmbajtja e tatimit në burim nga paguesi i ndonjë të ardhure nuk e çliron personin përfitues nga përgjegjësia e mospagimit të detyrimit tatimor, pasi ai ka detyrimin për pagimin e tatimit, ndërkohë që paguesi i të ardhurës dënohet sipas dispozitave për agjentin tatimor.
- Për qëllime deklarimi të deklaratës vjetore të të ardhurave personale:
- Për personat rezidentë shqiptarë, Numri personal i kartës së identitetit/numri unik i identifikimit të subjektit, shërben si numër i identifikimit tatimor.
- Për personat jorezidentë shqiptarë, numri personal i kartës së identitetit/numri unik i identifikimit të subjektit, të lëshuara nga vendet ku këta persona janë rezidentë, shërben si numër i identifikimit tatimor në Shqipëri.
68. Deklarimi dhe pagesa nga entitete jorezidentë specifikë
- Neni 68 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” përcakton deklaratë dhe procedurë pagesash të veçantë për jorezidentët, të cilët sipas nenit 27 të ligjit, janë subjekt i tatimit mbi fitimin, por për të cilët procedura e rregullat e parashikueklarimi dhe pagesa nga persona jorezidentë specifikë”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Pika 2 e nenit 68 përjashton këtë kategori nga sistemi i kësteve tatimore dhe sistemi i kreditimit të tatimit të huaj. Tatimi për këtë kategori deklarohet dhe paguhet në të njëjtën kohë kur paraqitet deklarata e tatim fitimit.
- Ky udhëzim botohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi nga data 1.1.2024.
Shkarko ligjin e plotë https://alprofitconsult.al/wp-content/uploads/2023/09/LIGJ-NR.-29-2023-PER-TATIMIN-MBI-TE-ARDHURAT.pdf