TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Agjenti i Listëpagesës dhe Deklarata mbi Statusin Personal: Çfarë duhet të dini?

Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një njoftim zyrtar mbi ndryshimet në listëpagesë dhe mënyrën e deklarimit të statusit personal të punonjësve. Këto ndryshime janë në zbatim të Ligjit nr. 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”.

A ka ndryshuar tatimi që duhet të paguani?

Nuk ka ndryshim në tatimin e pagueshëm për të ardhurat nga paga, në të gjitha nivelet. Tatimi i pagueshëm nga janari 2025 është identik me tatimin e pagueshëm për çdo nivel page si ai që ishte në muajin dhjetor 2024.

Qëllimi i ligjit të ri është unifikimi dhe modernizimi i mënyrës se si individët realizojnë të ardhura dhe për këtë duhet të paguajnë tatimin mbi këto të ardhura. Në ligj parashikohet pagesa e plotë e tatimit nga individët, për të ardhurat nga punësimi, personi fizik (i vetëpunësuar ose tregtar) dhe investimi.

Për të ndihmuar bizneset dhe punëmarrësit në përllogaritjen e saktë të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, AlProfit Consult ka përgatitur një dokument në Excel që ndihmon në simulimin e tatimit të pagueshëm bazuar në të dhënat individuale të punëmarrësve. Këtë material e gjeni bashkëlidhur në këtë shkrim.

Ky mjet lejon të vendosen të dhënat e pagave, zbritjeve dhe faktorëve të tjerë tatimorë për të marrë një pasqyrë të saktë të detyrimeve tatimore. Nëse keni nevojë për ndihmë në përdorimin e tij, mund të kontaktoni ekipin e AlProfit Consult.

Çfarë është Deklarata mbi Statusin Personal?

Deklarata mbi Statusin Personal është një dokument i detyrueshëm që duhet të plotësohet dhe firmoset nga punëmarrësi dhe punëdhënësi përpara se të aplikohet ndonjë zbritje tatimore nga paga bruto.

Një punëmarrës nuk mund të paraqesë këtë deklaratë në më shumë se një punëdhënës në të njëjtën periudhë kalendarike. Punëdhënësi që merr deklaratën do të aplikojë zbritjet tatimore, ndërsa të tjerët do të mbajnë tatimin mbi të ardhurat mbi pagën bruto, pa përfshirë zbritjet.

Deklarata e statusit personal është një dokument që duhet të firmoset nga punëdhënësi dhe punëmarrësi për të pasur të drejtën punëdhënësi të bëjë llogaritjet tatimore dhe të zbatojë zbritjet e lejuara nga ligji.

Disa pyetje të rëndësishme:

A duhet të plotësojnë deklaratën punonjësit që kanë qenë të punësuar më parë? Po, ata duhet ta plotësojnë këtë deklaratë vetëm një herë në këtë moment.

Si ndikon deklarata për ata që kanë më shumë se një punëdhënës? Vetëm një punëdhënës do të mund të zbatojë zbritjet tatimore, ndërsa të tjerët do të llogarisin tatimin mbi pagën bruto.

Çfarë ndodh nëse të ardhurat përfshijnë shpërblime apo përfitime të tjera? Nëse një punëmarrës merr shpërblime ose përfitime jo mujore, mbajtësi i listëpagesës duhet t’i llogarisë dhe t’i zbresë mbi baza mujore.

A duhet të vetëpunësuarit të plotësojnë këtë deklaratë? Jo, të vetëpunësuarit përjashtohen nga ky detyrim.

Cilat janë zbritjet e mundshme dhe si aplikohen?

Zbritjet nga baza tatimore përfshijnë:

  • 50,000 lekë në muaj, për të ardhurat deri në 50,000 lekë.
  • 35,000 lekë në muaj, për të ardhurat mbi 50,000 deri në 60,000 lekë.
  • 30,000 lekë në muaj, për të ardhurat mbi 60,000 lekë.
  • 48,000 lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim (nën 18 vjeç), që mund të kërkohet nga njëri prej prindërve me të ardhura më të larta.
  • Shpenzimet për arsimin e fëmijëve deri në 100,000 lekë në vit, për individët me të ardhura nën 1,200,000 lekë në vit.

Zbritjet për fëmijë në ngarkim dhe për edukim përfitohen duke plotësuar Deklaratën Individuale.

Tatimi mbi pensionet vullnetare

Shuma që zbritet nga paga për fondet e pensionit vullnetar (bazuar në nenin 20 të Ligjit 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” i ndryshuar), vlera e kontributit mujor zbritet nga të ardhurat personale të të punësuarit për efekt të llogaritjes dhe mbajtjes së tatimit. Kjo zbritje nuk mund të tejkalojë vlerën e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi (aktualisht paga minimale e miratuar është 40,000 lekë).

Shembuj konkretë të përllogaritjes së tatimit

Shembull 1: Rasti i dypunësimit kur tatimi i pagueshëm është i barabartë dhe nuk lindin detyrime.

Punëmarrësi K.P. është i punësuar në subjektin “Alpha”, dhe ka kontratë punësimi me pagë bruto mujore 100.000 lekë. Njëkohësisht K.P. në darkë punon me orar të reduktuar te subjekti “Beta”, me të cilin ka kontratë punësimi me pagë bruto mujore 50.000 lekë.

Punëmarrësi K.P. dorëzon te punëdhënësi “Alpha” “Deklaratën mbi statusin personal” dhe mbi këtë bazë, subjekti i llogarit në listëpagesë detyrimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga paga 100.000 – 30.000 = 70.000 x 13 % = 9.100 lekë tatim.

Punëmarrësi K.P. nuk duhet të dorëzojë te punëdhënësi i dytë “Beta” “Deklaratën mbi statusin personal”. Punëdhënësi “Beta” i llogarit në listëpagesë detyrimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga paga 50.000 x 13 % = 6.500 lekë tatim.

Në fund të vitit, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, individi K.P, bazuar në nenin 67 të ligjit, është i detyruar të dorëzojë “Deklaratën vjetore e të ardhurave personale”, ku do rillogarisë detyrimin tatimor të tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, pasi ka qenë i dypunësuar”.

  • Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 100.000 + 50.000 = 150.000 lekë.
  • Tatimi i pagueshëm për të ardhurat e realizuara 150.000 – 30.000 = 120.000 x 13 % = 15.600 lekë.
  • Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: 9.100+6.500= 15.600 lekë në muaj.
  • Tatimi i mbipaguar apo për t’u paguar: zero.

Shembull 2: Rasti i dypunësimit kur pagesa e tatimit është më e lartë dhe lind një e drejtë tatimore

Nëse të ardhurat e individit K.P., i cili do të punonte me kohë të pjesshme te të dyja subjektet, do të ishin 25.000 lekë te punëdhënësi i parë dhe 25.000 lekë te punëdhënësi i dytë.

  • Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 25.000 lekë + 25.000 lekë = 50.000 lekë.
  • Tatimi i pagueshtëm mujor për të ardhurat e realizuara 50.000 – 50.000 = 0 => 0 x 13 % = 0 lekë.

Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: i. 25.000 lekë – 25.000 = 0 => 0 x 13% = 0 lekë tatim; dhe ii. 25.000 x 13 % = 3.250 lekë tatim. Gjithsej tatimi i paguar 3.250 lekë.

Tatimi i mbipaguar: 3.250 lekë – 0 lekë = 3.250 lekë në muaj ose 39.000 lekë në vit, të cilat i kthehen të punësuarit.

Shembull 3: Rasti kur tatimi i pagueshëm vjetor është më i lartë nga pagesa e tatimit dhe ind një detyrim tatimor

Nëse të ardhurat mujore të individit K.P. do të ishin 200.000 lekë te punëdhënësi i parë dhe 180.000 lekë te punëdhënësi i dytë.

  • Të ardhurat mujore nga paga të realizuara: 200.000 + 180.000 = 380.000 lekë.
  • Tatimi i pagueshtëm për të ardhurat e realizuara 380.000 – 30.000 = 350.000 lekë në muaj.
  • (170.000 x 13 %) + (180.000 x 23 %) = 22.100 + 41.400 = 63.500 lekë tatim mujor.
  • Tatimi mbi baza mujore i paguar gjatë vitit: i. 200.000 lekë – 30.000 = 170.000 x 13 % = 22.100 lekë tatim; dhe ii. 170.000 x 13 % + 10.000 x 23% = 24.400 lekë tatim. Gjithsej tatimi i paguar 46.500 lekë tatim.
  • Tatimi mujor shtesë për t’u paguar: 63.500 – 46.500 = 17.000 lekë në muaj ose 204.000 lekë në vit, të cilat i punësuari duhet t’i paguajë brenda datës 31 mars të vitit pasardhës sipas “Deklaratës vjetore të të ardhurave personale”.

Për t’u trajtuar si të ardhura nga punësimi dhe në mënyrë që detyrimi tatimor të llogaritet sipas tarifave progresive 13 % dhe 23 % të parashikuara në ligj, duhet që punëdhënësi të jetë përgjegjës edhe për llogaritjen e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Shembull 4: Rast tjetër

Individi “A” punon me kohë të plotë si financier në kompaninë “XX” dhe ka pagë bruto 70,000 lekë/muaj ose 840,000 lekë/vit. Ndërkohë, punon dhe në një zyrë kontabël me kohë të pjesshme me një pagë 40,000 lekë/muaj ose 480,000 lekë/vit.

Llogaritja e zbritjes nga baza tatimore:

Individi “A” zgjedh të nënshkruajë Deklaratën e Statusit Personal me zyrën kontabël. Zyra kontabël mban tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe është i detyruar të marrë në konsideratë në terma mujorë zbritjen nga baza tatimore. Konkretisht e ardhura tatimore e individit “A” nga zyra kontabël është 40,000 lekë/muaj. Ligji parashikon se për pagat deri në 50.000 lekë/muaj, aplikohet një zbritje deri në 50.000 lekë/muaj. Në rastin konkret punëmarrësi ka një pagë prej 40,000 lekësh/muaj në zyrën kontabël, ku pasi i aplikojmë zbritjen tatimore, baza e tatueshme mbetet zero dhe në këtë rast punëmarrësi rezulton me detyrime 0 lekë ndaj tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për të ardhurat mujore që merr në zyrën kontabël.

Kompania “XX”, referuar paragrafit 1, të nenit 65 dhe paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit aplikon një tatim progresiv 13% dhe 23% mbi pagën dhe nuk aplikon zbritje nga baza tatimore.

Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi i më pak se 1.200.000 lekë mund të zbresë përveç shumave individuale sipas paragrafit më sipër, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë;

Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.

Shembull 5: Mënyra e llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi, biznesi dhe investimet

Individi “A” punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit. Individi “B” (bashkëshorti i individit “A”) ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ka të ardhura neto (fitim të tatueshëm) 3,250,000 lekë/vit. Ndërkohë individi “A” ka një depozitë me afat nga e cila merr interesa në shumën 20,000 lekë/vit, ndërsa individi “B” ka disa aksione në kompaninë “XX”, e cila për këtë vit ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit. Individët “A” dhe “B” kanë dhe tre fëmijë, përkatësisht 13, 15 dhe 19 vjeç.

a) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi:

Individi “A” ka të ardhura nga punësimi në shumën 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit, pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 60,000 lekësh në muaj dhe zbritja nga baza tatimore që individi “A” përfiton, referuar paragrafit 1 të nenit 22 të ligjit është 30,000 lekë/muaj. Gjithashtu individi “A” ka dy fëmijë nën moshën 18 vjeç, për të cilët përfitohet një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për fëmijë, pra 96,000 lekë në total megjithatë, duke qenë bashkëshorti ka të ardhura më të larta, do të jetë individi “B” ai që do ta kërkojë këtë kompensim nga baza tatimore, si dhe zbritjet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që individi “A” do të paguajë do të jetë:

Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekësh/vit zvogëlohen me zbritjet e parashikuara sipas këtij ligji. 2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet:

2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 348,000 lekë në/vit tatimi që individi “A” paguan për të ardhurat nga punësimi.

b) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi:

Individi “B” ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Referuar paragrafit 1 të nenit 22, të ardhurat e tij janë mbi 600,000 lekë/vit, prandaj zbritja nga baza tatimore që ai përfiton është 360,000 lekë. Individi “B”, si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç. Ndërkohë, individi “B” nuk i përfiton zbritjet nga baza tatimore të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 1,200,000 lekë.

Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas këtij ligji.

3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,794,000 lekë/vit

E ardhura neto vjetore (fitimi i tatueshëm), pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet, është më e vogël se 14,000,000 lekë/vit, dhe kjo e ardhur tatohet si më poshtë:

222,794,000 lekë/vit * 15% = 419,100 lekë/vit tatimi që individi “B” paguan për të ardhurat nga biznesi.

c) Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi:

Të ardhurat nga depozita me afat e individit “A” dhe të ardhurat nga dividendët që individi “B” ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi. Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “A”, për interesat e përfituar nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë . Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “B”, për dividendët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë

Përfundim

Ndryshimet e reja kërkojnë që punëmarrësit dhe punëdhënësit të respektojnë deklaratën e statusit personal për të përfituar zbritjet nga baza tatimore. Kjo do të sigurojë një përllogaritje të drejtë të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.

Këto kërkesa nuk do të ndikojnë në pagesën e tatimit mbi të ardhurat nga paga që ju paguani aktualisht apo shumën e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore që ju paguani.

Shkarkoni:

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Keni një Pyetje?

Mos hezitoni të kontaktoni me ne. Ne jemi një skuadër ekspertësh dhe do të jemi të lumtur që të flasim me ju.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online