Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit se është publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 35, datë 21 Mars 2019, udhëzimi nr. 10, datë 15.03.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Disa prej ndryshimeve kryesore në udhëzim, janë si më poshtë vijojnë:
- Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore;
- Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.
- Për çdo vend tjetër të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga vendi kryesor i ushtrimit të aktivitetit, personi fizik, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm me qëllim identifikimin vendndodhjes të veprimtarisë së re;
- Njoftimi nga ana e administratës tatimore, kur arrin në përfundimin se një detyrim tatimor nuk është paguar plotësisht, mund të bëhet edhe me forma të tjera të dërgimit të njoftimit, përveç postës dhe rrugës elektronike, duke përfshirë edhe dorëzimin dorazi të njoftimit kundrejt konfirmimit të marrjes së tij prej tatimpaguesit.
- Parashikohen penalitete si për shitësin ashtu edhe për blerësin nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”;
- Thjeshtëzimi i procedurës së çregjistrimit të tatimpaguesve/subjekteve të regjistruar në QKB dhe pranë Administratës Tatimore;
- Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit;
- Në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30 (tridhjetë) për qind.
- Sqarim i parimit antishmangie si një nga metodat alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor;
Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve në vijmësi do të njohë tatimpaguesit me të gjitha ndryshimet në këtë udhëzim, në mënyrë të detajuar.