REKOMANDIM
MBI
CILËSINË E RAPORTIT TË DREJTIMIT TË BRENDSHËM
TË NJËSIVE EKONOMIKE
PËR KODIN E DREJTIMIT TË BRENDSHËM
‘pajtueshmëri ose shpjegim’
(Dhjetor 2020)
Ky udhëzim ka transpozuar Rekomandimin e Komisionit Europian (1 COMMISSION RECOMMENDATION of 9 April 2014 on the quality of corporate governance reporting (‘comply or explain’) (Text with EEA relevance) (2014/208/EU) (2014/208/EU))
SEKSIONI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij dokumenti është të sigurojë udhëzime për organizmat përgjegjëse për kodet kombëtare të drejtimit, për njësitë ekonomike dhe palët e tjera të interesuara. Udhëzimi synon të përmirësojë cilësinë e përgjithshme të raportit të drejtimit të brendshëm të publikuar nga njësitë ekonomike me interes publik në përputhje me nenin 19 të ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe veçanërisht, cilësinë e shpjegimeve të dhëna nga njësitë ekonomike në rastet kur janë shmangur nga rekomandimet e Kodit përkatës të drejtimit të brendshëm.
2. Rekomandohet që, kur është e zbatueshme, raporti i drejtimit të brendshëm të njësisë ekonomike me interes publik të bëjë një dallim të qartë midis pjesëve të kodit të drejtimit të brendshëm nga të cilat njësia ekonomike nuk mund të shmanget, pjesët që aplikohen në bazë të parimit ‘pajtueshmëri ose shpjegim’ dhe atyre që aplikohen thjesht në baza vullnetare.
2 Në Shqipëri ësht miratuar KODI I DREJTIMIT TË BRENDSHËM TË SHOQËRIVE AKSIONARE JO TË REGJISTRUARA NË BURSË; http://cgi-albania.org/corporate-governance-code
SEKSIONI II
CILËSIA E RAPORTIT TË DREJTIMIT TË BRENDSHËM TË NJËSISË EKONOMIKE
3. Neni 19 i ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” kërkon që njësitë ekonomike me interes publik, në raportin e drejtimit të brendshëm të njësisë së tyre, të japin informacion në lidhje me aspektet specifike të rregullave apo kodit për drejtimin e brendshëm, objekt i të cilit është njësia ekonomike.
4. Për të përmirësuar më tej transparencën për aksionarët, investitorët dhe palët e tjera të interesuara, përveç informacionit mbi çështjet e përmendura në pikën 3, njësitë ekonomike duhet të përshkruajnë se si kanë zbatuar rekomandimet përkatëse të kodit të drejtimit të njësisë ekonomike në çështjet më të rëndësishme për aksionarët.
5. Informacioni i përmendur në pikat 3 dhe 4 duhet të jetë mjaft i qartë, i saktë dhe gjithëpërfshirës për t’u mundësuar aksionarëve, investitorëve dhe palëve të tjera të interesuara të arrijnë një kuptim të mirë të mënyrës sipas të cilës drejtohet njësia ekonomike. Për më tepër, informacioni duhet t’i referohet karakteristikave dhe situatës specifike të njësisë ekonomike, të tilla si madhësia, struktura ose pronësia ose ndonjë veçori tjetër e rëndësishme.
6. Për të siguruar një akses më të lehtë për aksionarët, investitorët dhe palët e tjera të interesuara, njësitë ekonomike duhet, në mënyrë të vazhdueshme, informacionin e përmendur në pikat 3 dhe 4, ta vënë në dispozicion të publikut duke e publikuar në faqet e tyre të internetit dhe të përfshijnë në raportin e tyre të ecurisë së veprimtarisë një referencë të faqes së internetit edhe nëse ato e ofrojnë këtë informacion në mënyra të tjera si parashikohet në ligjin e kontabilitetit.
SEKSIONI III
CILËSIA E SHPJEGIMEVE NË RASTIN E NJË SHMANGIE NGA KODI
7. Neni 19 i ligjit 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” kërkon që njësitë ekonomike me interes publik të japin shpjegime në rastet kur janë shmangur nga rekomandimet e kodit të cilin zbatojnë në mënyrë të detyrueshme ose të cilin ato vullnetarisht kanë vendosur të aplikojnë.
8. Për qëllimin e pikës 7, njësia ekonomike duhet të tregojë qartë se nga cilat rekomandime specifike është shmangur dhe për secilën nga shmangiet nga rekomandimi individual duhet të:
(a) shpjegojë në çfarë mënyre njësia ekonomike është shmangur nga një rekomandim;
(b) përshkruajë arsyet e shmangies;
(c) përshkruajë se si u mor vendimi brenda njësisë ekonomike për t’u shmangur nga rekomandimi;
(ç) shpjegojë, kur shmangia është e kufizuar në kohë, se kur njësia ekonomike parashikon të jetë në përputhje me një rekomandim të veçantë;
(d) përshkruajë, kur është e aplikueshme, masën e marrë në kushtet e papajtueshmërisë dhe shpjegojë se si ajo masë arrin objektivin themelor të rekomandimit specifik ose kodit në tërësi, ose të sqarojë se si kontribuon në mirë-drejtimin e brendshëm të njësisë ekonomike.
9. Informacioni i përmendur në paragrafin 8 duhet të jetë mjaft i qartë, i saktë dhe gjithëpërfshirës për t’u mundësuar mbajtësve të aksioneve, investitorëve dhe palëve të tjera të interesuara të vlerësojnë pasojat që vijnë nga shmangia nga një rekomandim i veçantë. Ai gjithashtu duhet t’i referohet karakteristikave specifike dhe situatës së njësisë ekonomike, të tilla si madhësia, struktura ose pronësia ose ndonjë veçori tjetër përkatëse.
10. Shpjegimet për shmangiet duhet të paraqiten qartë në raportin e drejtimit të njësisë ekonomike në mënyrë që ato të gjenden lehtësisht nga aksionarët, investitorët dhe palët e tjera të interesuara. Kjo mund të bëhet, për shembull për shpjegimet, duke ndjekur të njëjtin rend të rekomandimeve si në kodin përkatës ose duke grupuar të gjitha shpjegimet për shmangie në të njëjtin seksion të raportit të drejtimit të brendshëm, për sa kohë që metoda e përdorur shpjegohet qartë.
SEKSIONI IV
DISPOZITA TË FUNDIT
11. Për të motivuar njësitë ekonomike me interes publik që të respektojnë kodin përkatës të drejtimit të njësisë ekonomike ose të shpjegojnë më mirë shmangiet prej tij, monitorimi duhet të bëhet në nivel kombëtar, brenda kuadrit të monitorimit të pasqyrave financiare.
12. Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, tërheq vëmendjen e organizmave përgjegjëse për kodet e drejtimit të brendshëm, njësive ekonomike me interes publik dhe palëve të tjera të interesuara.
Burimi: Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (KKK).
Shkarko këtu Rekomandimet
Jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe gjejmë gjithmonë kohë për t’ju përgjigjur çdo pyetje tuaj. Ndihuni të lirshëm të telefononi ose të shkruani në çdo moment për çështje që ne mund t’ju ndihmojmë. KONTAKTO ME NE