TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Premte 08:30 – 17:00 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349
Ilustrim: Marrëveshja e Paqes Fiskale (Ligji Nr. 84/2025) – udhëzues praktik për sipërmarrësit

Çfarë është Marrëveshja e Paqes Fiskale dhe si funksionon?

Marrëveshja e Paqes Fiskale është një marrëveshje vullnetare njëvjeçare midis tatimpaguesit dhe administratës tatimore, ku të dy palët bien dakord paraprakisht për fitimin e tatueshëm të biznesit për vitin pasardhës dhe për tatimin që do të paguhet mbi të. Thënë thjesht, ju dhe tatimet paracaktoni që në fillim të vitit se sa do të jetë fitimi mbi të cilin do paguani tatimin, duke eliminuar surprizat e një kontrolli të mundshëm tatimor gjatë atij viti. Kjo paqe ka afat fillestar 1 vjeçar, me mundësi rinovimi edhe për dy vite të tjera, pra maksimumi 3 vite radhazi. Pas kësaj periudhe pilot, skema do të rishikohet sepse ligji aktual ka efekt deri në vitin 2028.

Si funksionon në praktikë? Administrata tatimore merr fitimin tuaj të tatueshëm të vitit të kaluar dhe e rrit me +18%. Kjo do të jetë baza e fitimit të dakordësuar për vitin pasardhës. Mbi këtë fitim të paracaktuar ju do të paguani tatimin normal të fitimit 15%. Nëse në fund të vitit rezulton se keni fituar më shumëse kjo bazë (+18%), për pjesën mbi atë kufi do të paguani tatim me normë të ulët 5%. Ky është një shpërblim për suksesin tuaj, shteti ju takson vetëm 5% për fitimin shtesë mbi pritshmëritë e rëna dakord, në vend të normës standarde 15%. Nga ana tjetër, nëse fitoni më pak se sa ishte rënë dakord, sërish do të paguani tatimin për fitimin minimal të marrëveshjes. Pra shteti e ka siguruar tatimin e vet mbi +18% edhe në një vit jo të mbarë.

Kjo është arsyeja pse quhet paqe, edhe nëse biznesi juaj has vështirësi dhe fitimi ulet, ju paguani tatim sipas marrëveshjes, ndërsa administrata tatimore mban premtimin të mos ju shqetësojë me kontrolle.

Me fjalë të tjera, Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk zëvendëson sistemin e vetëdeklarimit që bizneset ndjekin normalisht, por krijon një dritare alternative për ata që zgjedhin këtë rrugë. Gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, nuk do të kryhen kontrolle tatimore në terren për fitimin e atij viti, me përjashtim të rasteve të mashtrimit të rëndë (p.sh. skema mashtruese të TVSH-së apo fshehje e madhe e të ardhurave). Kjo do të thotë zero inspektorë në derën tuaj për tatim-fitimin e asaj periudhe, për sa kohë respektoni marrëveshjen. Administrata mund të bëjë vetëm monitorim nga zyra gjatë vitit, pra verifikime të lehta nga sistemi, por jo kontrolle të mirëfillta në biznes.

Për më tepër, si pjesë e kësaj marrëveshjeje njëvjeçare, biznesit i njihet e drejta të sistemojë disa nga të dhënat financiare të viteve të kaluara. Ligji lejon rideklarimin (rregullimin) e elementëve të caktuar të bilancit për deri në 3 vitet e fundit, si p.sh. gjendja e parave cash, e inventarit, e aktiveve apo detyrimeve të dyshimta. Mund të sistemoni shifra të paregullta (p.sh. hua të mbartura, inventar të pavlefshëm, etj) apo të deklaroni aktive që nuk ishin në bilanc, deri në masën 30% të vlerës së tyre. Mjafton të paguani tatim 5% mbi diferencën e korrigjuar dhe nuk do të penalizoheni për këto korrigjime. Ky mekanizëm ju jep një mundësi për të pastruar pasqyrat financiare me kosto minimale tatimore, diçka e ngjashme me një rivlerësim financiar të thjeshtuar, që normalisht do t’ju kushtonte më shumë në tatime ose gjoba.

Kujdes: këto rideklarime nuk duhet të përdoren për të ulur artificialisht fitimin në vitet e ardhshme apo për të prekur detyrime të tjera si TVSH. Qëllimi është transparenca, jo fshehja.

Pra, në thelb si funksionon Marrëveshja? Ju aplikoni, tatimet ju bëjnë një ofertë me fitimin e paracaktuar +18% mbi vitin e kaluar, ju e pranoni elektronikisht, paguani tatimin sipas asaj marrëveshjeje, dhe në këmbim gëzoni një vit qetësie pa kontrolle. Nëse punët ju ecin më mirë, paguani pak shtesë (5%) vetëm për fitimin ekstra; nëse ecin keq, gjithsesi keni siguruar paqen me një tatim të para caktuar. 

Qëllimi i ligjit dhe përfitimet për të dyja palët

Pse u krijua kjo marrëveshje? Qëllimi kryesor është të nxisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore duke ndërtuar një raport më bashkëpunues midis biznesit dhe shtetit. Ligji synon të ofrojë një mënyrë të re, proaktive, për të rritur besimin e ndërsjellë; biznesi t’i besojë administratës se nuk do ta penalizojë padrejtësisht dhe administrata t’i besojë biznesit se do të deklarojë me ndershmëri. Kjo qasje e re pritet të përmirësojë klimën e të bërit biznes në vend, duke e bërë sistemin tatimor më të parashikueshëm dhe miqësor ndaj investitorëve.

Le t’i shohim përfitimet konkrete për secilën palë.

Për biznesin

Ju përfitoni siguri dhe parashikueshmëri. E dini që në fillim të vitit se sa tatim do të paguani, ndaj mund të planifikoni financat tuaja. Kjo sjell stabilitet në ecurinë e biznesit, sa kohë respektoni marrëveshjen, nuk keni pse druheni nga gjoba apo penalitete të paparashikuara.

Gjithashtu, nëse biznesi juaj tejkalon pritshmëritë dhe gjeneron më shumë fitim, ju shpërbleheni me normë të ulët tatimi (5%) mbi atë fitim shtesë. Kjo ju inkurajon të mos fshihni të ardhura, sa më shumë deklaroni, aq relativisht më pak tatim paguani për tepricën. Në këtë mënyrë, marrëveshja synon të ndryshojë edhe mendësinë e vjetër të fshehjes ose trukimit të fitimit.

Një tjetër përfitim praktik është edhe mundësia për të rregulluar pasqyrat financiare të viteve të shkuara me kosto minimale (5% tatim) pa frikë nga ndëshkimi. Kjo ju jep një rifillim të pastër në aspektin kontabël. Në fund të ditës, për bizneset korrekte, kjo marrëveshje ofron paqen e mendjes, ju shmangni konfliktet me tatimet dhe fokusoheni te rritja e biznesit.

Për administratën tatimore

Edhe shteti ka përfitimet e veta të prekshme.

Së pari, siguron mbledhje më të qëndrueshme të të ardhurave, praktikisht planifikon që në fillim të vitit +18% më shumë tatim nga secili biznes pjesëmarrës. Në vend që të presë deklaratat vjetore me shpresën se bizneset do kenë fitime më të larta; dhe shpesh të zhgënjehet nga deklarimet e ulëta, administrata garanton rritjen e arkëtimeve pa mundim ekstra.

Po ashtu, kursen burime dhe kohë sespe inspektorët tatimorë nuk do të harxhojnë energji me këto biznese të rregullta, por mund të fokusohen te ata që realisht shmangin tatimin. Numri i kontrolleve rutinë mund të ulet ndjeshëm, duke u zëvendësuar me analizë risku ndaj atyre që nuk janë pjesë e marrëveshjes. Konfliktet dhe ankimimet tatimore pritet të pakësohen, kur palët janë dakord në fillim, nuk ka arsye të ketë gjyqe në fund. Kjo rrit eficiencën e administratës dhe ul ngarkesën me çështje administrative.

Në një plan më afatgjatë, një klimë më bashkëpunuese përmirëson imazhin e vendit për investitorët e huaj, bizneset e mëdha e dinë se mund të kenë një marëveshje me shtetin, gjë që e bën Shqipërinë një vend më të parashikueshëm për të investuar. Shteti, pra, fiton besimin e tatimpaguesve të ndershëm dhe krijon një kulturë të re ku përmbushja vullnetare vlerësohet, ndërsa fokuson ndëshkimin vetëm tek shkelësit e vërtetë.

Në fund, qëllimi i përbashkët është që marrëdhënia tatime-biznes të kalojë nga armiqësore në bashkëpunuese. Siç nënvizohet edhe në relacionin shpjegues të ligjit, praktika të tilla rrisin efikasitetin e mbledhjes së të ardhurave, ulin konfliktet dhe kufizojnë ndërhyrjet subjektive gjatë kontrollit, pasi gjithçka është e dakorduar qartë që më parë. Biznesi fiton qartësi, shteti fiton stabilitet, një situatë ku të dyja palët dalin të fituara.

Kush kualifikohet dhe si lidhet marrëveshja?

Jo çdo biznes mund të bëhet pjesë e Marrëveshjes së Paqes Fiskale. Ligji e kufizon qartë fushën e zbatimit tek bizneset e caktuara, kryesisht të mesme e të mëdha. Këtu do të shpjegojmë kushtet kryesore të kualifikimit dhe procedurat hap pas hapi për lidhjen e marrëveshjes.

Kush kualifikohet për paqen fiskale?

Sipas ligjit, të drejtë të aplikojnë kanë tatimpaguesit; persona fizikë ose juridikë që plotësojnë njëherazi këto kritere kryesore:

Të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit

Skema vlen vetëm për bizneset që konsiderohen të mesme ose të mëdha, konkretisht ata me të ardhura bruto vjetore mbi 14,000,000 lekë. Kjo është pika ku biznesi kalon nga regjimi i favorizuar për të vegjëlit në regjimin normal tatimor. Pra, bizneset e vogla nuk përfshihen fare; nëse kompania juaj ka xhiro nën këtë prag, ju as nuk mund; dhe as nuk keni nevojë, të futeni në marrëveshje. Qëllimi është të targetohen ata që tashmë paguajnë tatim të plotë pa përjashtime.

Lexo edhe Si të shmangni pasigurinë fiskale: Udhëzues praktik për ndryshimet e fundit në tatimin mbi të ardhurat

Të mos ketë detyrime tatimore të papaguara apo deklarata të padorëzuara

Biznesi duhet të jetë i rregullt me pagesat dhe deklarimet. Nuk duhet të keni detyrime tatimore të pa paguara apo deklarime të munguara për periudhat e kaluara. Administrata kërkon biznese të rregullta në këtë skemë, pra vetëm ata që historikisht kanë qenë korrekt me tatimet mund të përfitojnë.

Të mos jeni nën proces ankimi apo hetimi tatimor

Nëse aktualisht jeni në një çështje ankimimi apo hetimi, p.sh. keni një apelim administrativ për ndonjë gjobë apo jeni nën kontroll/hetim special, si p.sh. verifikim anti-evazion, nuk mund të hyni në marrëveshje. Duhet që situata juaj me tatimet të jetë e qetë dhe pa çështje të hapura juridike. Po ashtu, nëse kompania juaj po hetohet penalisht për vepra tatimore si mashtrim dhe/ose evazion apo keni një dënim të formës së prerë për fshehje të të ardhurave apo pastrim parash, skualifikoheni menjëherë.

Të mos jeni subjekt i ndonjë përfitimi të veçantë

Siç u përmend, ligji përjashton ata që përfitojnë nga norma tatimore të reduktuara ose nga përjashtime ligjore të veçanta. Po ashtu, nuk pranohen subjekte që realizojnë projekte koncesionare, ndoshta sepse ata trajtohen veçmas nga legjislacioni fiskal.

Në terma praktikë, administrata do të bëjë një filtrim të aplikantëve bazuar në këto kritere. Ideja është që në marrëveshje të futen bizneset pa probleme. Një kompani prodhimi me xhiro të lartë që çdo vit ka deklaruar e paguar rregullisht detyrimet mund të përfitojë, por një kompani tjetër, bie fjala në ndërtim, që ka patur probleme me TVSH-në ose gjyqe me tatimet, nuk do lejohet. Administrata kërkon partnerë të besueshëm për këtë pakt, jo dikë që ka histori abuzimesh.

Si lidhet marrëveshja? Hapat dhe procedurat

Procesi për t’u bërë pjesë e Marrëveshjes së Paqes Fiskale është mjaft i drejtpërdrejtë dhe bëhet online:

Aplikimi

Biznesi i interesuar duhet të bëjë kërkesë elektronikisht në portalin tatimor, në sistemin e-filing, për t’u pjesë e marrëveshjes. Ligji përcakton që aplikimi bëhet brenda afatit të dorëzimit të deklaratës vjetore të të ardhurave të vitit paraardhës. Kjo do të thotë, zakonisht nga janari deri në 31 mars, apo 15 prill, siç është shpesh afati i shtyrë për bilancet, i vitit pasardhës. Për vitin e parë të zbatimit, viti 2026, pritet një udhëzim i veçantë që do ta specifikojë afatin dhe procedurën, meqë është vit pilot. 

Këshillë: Nëse jeni të interesuar, që në fillim të vitit kontrolloni njoftimet e Drejtorisë së Tatimeve për mënyrën e aplikimit, sepse mund të ketë udhëzime shtesë praktike.

Përgatitja e ofertës nga administrata

Pasi keni aplikuar, administrata tatimore verifikon nëse i plotësoni kushtet dhe harton një propozim konkret të marrëveshjes. Kjo përfshin përllogaritjen e fitimit tuaj të tatueshëm të vitit të kaluar +18%, normën standarde të tatimit që do aplikohet mbi të, dhe normën 5% për çdo fitim mbi këtë nivel. Ky propozim ju dërgohet në llogarinë tuaj te e-filing.

Vendimi juaj: pranimi ose refuzimi

Pasi merrni propozimin, ju keni të drejtë ta shqyrtoni dhe ta pranoni ose ta refuzoni atë deri më 15 prill të atij viti. Pranimi bëhet elektronikisht, me nënshkrim elektronik ose konfirmim në portal. Nëse mendoni se oferta nuk ju përshtatet, p.sh. ndoshta 18% rritje ju duket shumë e lartë për ta realizuar, mund edhe ta refuzoni, dhe nuk keni asnjë penalitet për këtë. Marrëveshja është terësisht vullnetare dhe nëse nuk arrihet, ju vazhdoni normalisht regjimin e zakonshëm tatimor. Në praktikë, pritet që administrata dhe biznesi të kenë mundësi komunikimi gjatë këtij momenti, në rast se diçka nuk përputhet, ndoshta të dhënat historike, etj., mund të sqarohen. Gjithsesi, ose pranoni brenda afatit, ose oferta skadon.

Formalizimi i marrëveshjes

Me pranimin tuaj, marrëveshja konsiderohet e lidhur dhe merr fuqi ligjore për atë vit tatimor. Të gjitha detyrimet e mëtejshme zhvillohen në bazë të saj. Praktikisht, ju do të deklaroni e paguani tatimin e dakordësuar në deklaratën vjetore të atij viti, me këste paraprake gjatë vitit, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Në deklaratën vjetore, fitimi do reflektohet sipas marrëveshjes, me rritjen 18%. Çdo e dhënë që deklaroni gjithsesi mund të kontrollohet nga zyra nga administrata, për t’u siguruar që nuk ka mospërputhje teknike, por nuk do të keni kontrolle fizike në terren për atë tatim. Marrëveshja regjistrohet edhe në regjistrin elektronik tatimor, pra bëhet pjesë e dokumentacionit tuaj zyrtar.

Rinovimi (opsional)

Në fund të vitit, mund të vlerësoni sërish. Ligji ju jep të drejtën ta rinovoni marrëveshjen deri edhe për 2 vite të tjera radhazi, me kusht që vazhdoni të plotësoni kriteret, p.sh. keni paguar korrekt, nuk keni shkelje në ndërkohë etj., dhe bëni sërish aplikim për vitin pasardhës. Procedura do jetë e ngjashme, çdo vit konfirmoni vullnetin tuaj, tatimet propozojnë bazën e re, duke marrë sërish fitimin e vitit të kaluar dhe duke e rritur me 18%, ju pranoni e vazhdoni. Pas 3 viteve, skema mbyllet nëse nuk zgjatet me ligj të ri. Natyrisht, mund të zgjidhni edhe ta ndërprisni më herët nëse nuk ju leverdis më për vitet pasuese, nuk keni detyrim ta rinovoni.

Përfundimi para kohë i Marrëveshjes

Nëse në çdo moment prishet një nga kriteret, p.sh. ju shfaqet një detyrim i papaguar, ose gjendeni të përfshirë në ndonjë shkelje serioze, marrëveshja mund të konsiderohet e pavlefshme. Ligji parashikon edhe situata të tjera kur marrëveshja përfundon para kohe, dhe kalohet sërish në regjimin normal:

  • Nëse nuk arrini rritjen 18% të fitimit të tatueshëm (pra fitimi real del më i ulët se ai i marrëveshjes). Kjo llogjikohet, pasi qëllimi ishte të garantoheshin +18%, nëse s’e arrini, marrëveshja s’ka kuptim të vijojë më tej.
  • Nëse biznesi ndryshon aktivitetin kryesor, pezullon apo mbyll aktivitetin gjatë vitit.
  • Nëse zbulohen shkelje të përsëritura nga ana juaj që cenojnë ndershmërinë fiskale (p.sh. kapeni disa herë në gabime apo parregullsi serioze).
  • Nëse vononi pagesat ose nuk paguani detyrimet sipas marrëveshjes.
  • Nëse nuk plotësoni më kriteret e ligjit (p.sh. papritur ju del një detyrim i vjetër i padeklaruar, ose hyni në hetim penal etj.).
  • Nëse realizoni një rritje të fitimit mbi 50% gjatë vitit (krahasuar me vitin paraardhës), atëherë marrëveshja përfundon po ashtu. Praktikisht, nëse biznesi “fluturon” me fitime shumë mbi pritshmëritë, administrata rezervon të drejtën ta prishë paktin dhe t’ju trajtojë në regjim normal (ndoshta sepse një rritje mbi 50% ngre dyshime se mund të keni pasur të ardhura të padeklaruara më parë, ose thjesht sepse shteti s’do humbasë shumë tatim mbi atë rritje marramendëse). Sidoqoftë, ky është një skenar ekstrem.

Kur marrëveshja ndërpritet para kohe, për çfarëdo arsye nga këto më sipër, efektet mbrojtëse marrin fund. Në atë rast, administrata tatimore ka të drejtë të kryejë kontroll tatimor normal dhe të rivlerësojë detyrimin tatimor sipas ligjeve në fuqi, sidomos për ato elementë financiarë që mund të keni rideklaruar gjatë marrëveshjes. Prandaj është e rëndësishme të futeni në marrëveshje vetëm nëse jeni të bindur që do ta çoni deri në fund vitin pa shkelje, përndryshe mund t’ju kushtojë më shumë.

Nuk është amnisti fiskale

Meqë termat paqe fiskale dhe amnisti fiskale shpesh ngatërrohen, ato nuk janë e njëjta gjë. Marrëveshja e paqes fiskale nuk është një amnisti fiskale. Kjo nuk është një skemë ku shteti fal taksa të papaguara ose legalizon para të padeklaruara pa ndëshkim. Përkundrazi, është një marrëveshje për tatimin e së ardhmes, jo falje e detyrimeve të së shkuarës.

Ja dallimet kryesore:

(1) Amnistia fiskale nënkupton që shteti fal ose redukton detyrimet tatimore të papaguara, p.sh. borxhe tatimore, taksa për pasuri të padeklaruara, shpesh kundrejt një pagese simbolike ose me qëllim formalizimin. Shumë herë amnistitë lidhen me deklarimin e pasurive të fshehura apo kapitalit të padeklaruar, duke i pajisur deklaruesit me imunitet nga ndjekja penale ose administrative. Shqipëria pati diskutime për një amnisti fiskale e penale për pasuritë e padeklaruara, por Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk ka lidhje me këtë.

(2) Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk fal asgjë, përkundrazi, tatimpaguesi angazhohet të paguajë më shumë tatim sesa minimalisht do t’i takonte, +18%, në mënyrë që të mos i nënshtrohet kontrolleve. Kjo është një marrëveshje vullnetare. Asnjë detyrim i vjetër nuk do të fshihet nga kjo skemë. Madje, një nga kushtet është që biznesi të mos ketë detyrime tatimore.

Lexo edhe Amnistia Fiskale 2026: Çfarë detyrime tatimore falen dhe si mund të përfitoni?

(3) Në një amnisti të mirëfilltë, shpesh shteti jep imunitet edhe ndaj ndjekjeve ligjore për shkeljet e mëparshme tatimore. Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk jep asnjë imunitet për shkelje penale. Kjo marrëveshje nuk sjell asnjë lloj imuniteti administrativ, tatimor apo penal për veprime të paligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo vepra të tjera penale që lidhen me origjinën e paligjshme të pasurisë. Përkundrazi, administrata ka detyrimin të informojë autoritetet nëse has indikacione për aktivitete të tilla të paligjshme.

(4) Një amnisti zakonisht synon të mbyllë llogaritë e së kaluarës dhe jepet shpesh një herë e mirë. Marrëveshja e paqes fiskale synon të hapë një kapitull të ri për të ardhmen, duke formalizuar një praktikë bashkëpunimi që s’mund të zgjasë përgjithmonë, por teston terrenin për disa vite. Edhe gjuha e përdorur (“paqja”) nënkupton një pakt ndërmjetësues, jo falje njëanshme.

Kështu që, nëse keni dëgjuar fjalë si amnisti, falje tatimore etj., ato i referohen ligjit tjetër, atij për fshirjen e detyrimeve të vjetra, ose projekteve të mëparshme. Marrëveshja e Paqes Fiskale, ndonëse pjesë e të njëjtës paketë të politikave lehtësuese, është krejt tjetër gjë. Kjo është një qasje tërësisht e re për ne, dhe duhet trajtuar veçmas nga termat amnisti apo legalizim të kapitaleve.

Kur ia vlen që tatimpaguesi të hyjë në marrëveshje dhe kur jo?

Marrëveshja e Paqes Fiskale nuk është e detyrueshme, çdo biznes i madh/mesëm ka të drejtë të vlerësojë vetë leverdinë e këtij pakti. Natyrisht, nuk ka një përgjigje universale po ose jo sepse çdo biznes ka situatën e vet. Më poshtë po rendisim skenarët tipikë kur ia vlen të konsideroni futjen në marrëveshje dhe kur mund të jetë më mirë ta shmangni.

Kur ia vlen të bëheni pjesë e marrëveshjes:

Biznesi juaj ka fitime relativisht të qëndrueshme ose në rritje të moderuar.

Nëse historikisht fitimi juaj rritet me 10-15% në vit, atëherë kërkesa e marrëveshjes për +18% mund të jetë pak mbi mesataren tuaj, por jo e paarritshme. Për kompani me rritje të qëndrueshme, kjo marrëveshje sjell qetësi, ju paguani pak më shumë sesa do paguanit normalisht, por merrni sigurinë se nuk do të keni vizita nga inspektorët. 

Shembull: Bankat, kompanitë e telekomit, fabrika prodhimi, këto zakonisht kanë fitime të parashikueshme vit pas viti dhe mund ta kapërcejnë pragun +18%. Për to, paqja fiskale është atraktive sepse u jep stabilitet dhe i mbron nga telashet e kontrolleve të shpeshta.

Keni pasqyra financiare jo perfekte dhe doni t’i rregulloni

Nëse e dini se në bilancet tuaja ka ndonjë element që nuk është pasqyruar siç duhet (p.sh. para cash në arkë që nuk përputhen me librat, inventar që realisht mungon, ose ndonjë hua e keqe që ende figuron si aktive), hyrja në marrëveshje ju jep mundësinë t’i rregulloni këto pa frikë. Paguan 5% tatim për t’i vënë pikat mbi “i” është një çmim i vogël krahasuar me rrezikun e një kontrolli tatimor që mund t’ju gjobisë rëndë për to. Pra, nëse keni nevojë për një sistemim të bilancit dhe jeni gati të paguani diçka simbolike mbi diferencat, kjo marrëveshje ia vlen.

Vlerësoni shumë parashikueshmërinë dhe shmangien e konflikteve

Disa sipërmarrës thjesht duan të flenë të qetë natën, pa merakun mos po gaboj gjëkundi në letra, se po më erdhi kontrolli do më nxjerrë ndonjë problem. Nëse jeni nga ata që preferoni të paguani pak më shumë për të pasur mendjen rehat, paqeja fiskale është e duhur. Praktikisht ju po blini një “policë sigurimi” kundër kontrolleve, dhe kjo mund të jetë me vlerë sidomos në sektorë ku kontrollet tatimore kanë qenë agresive tradicionalisht.

Keni plane investimi apo doni të aplikoni për kredi

Një aspekt indirekt, kur jeni në marrëveshje, ju garantoni një fitim minimal në pasqyra (atë +18%) dhe pastroni anomali të vjetra. Kjo mund ta bëjë kompaninë tuaj të duket më e shëndoshë financiarisht në sytë e bankave ose investitorëve, të paktën afatshkurtër. Gjithashtu, fakti që nuk keni çështje të hapura me tatimet dhe jeni në paqe mund të interpretohet pozitivisht nga partnerë të huaj apo investitorë që e vlerësojnë formalitetin. Pra, nëse po mendoni të zgjeroni biznesin dhe ju duhet një profil sa më i rregullt financiar, marrëveshja mund t’ju ndihmojë ta arrini atë profil.

Nëse besoni se pas këtij 3-vjeçari, administrata do ashpërsojë disiplinën

Është lënë të kuptohet se pas ofertës së paqes dhe faljes, tatimet mund të bëhen më rigoroze me ata që sërish nuk paguajnë korrekt. Kjo paqe vjen me mesazhin përfitoni tani, se pastaj s’ka më tolerime. Nëse e lexoni kështu situatën, mund të mendoni se më mirë hyj tani vetë te sistemi i dakordësisë, se sa të mbetem jashtë e pastaj të kem në shënjestër inspektorët. Kjo vlen sidomos për ata biznesmenë që e njohin kulturën shqiptare tatimore dhe duan të parandalojnë çdo keqkuptim të mundshëm në të ardhmen.

Kur nuk ia vlen (ose kur duhet të jeni të kujdesshëm)

Nëse parashikoni një rënie të ndjeshme të fitimit vitin e ardhshëm

Ky është ndoshta faktori më i rëndësishëm. Nëse biznesi juaj pret një vit të vështirë, p.sh. për shkak të tregut, krizave apo investimeve, dhe mendoni se fitimi juaj mund të bjerë ose të jetë shumë poshtë nivelit të vitit të kaluar, më mirë mos bëni marrëveshje. Sepse do detyroheni të paguani tatim sikur fitimi të ishte 18% më i lartë, edhe kur realisht s’keni fitim fare. Kjo do ta rëndonte edhe më tepër situatën tuaj financiare. Më mirë në atë rast të vazhdoni me regjimin normal, ku nëse fitimi bie, paguani më pak tatim automatikisht. Pra, bizneset me fitime të paqëndrueshme ose ciklike duhet ta mendojnë dy herë. P.sh. një kompani ndërtimi që një vit shënon super fitime e një vit tjetër zero, do ta ketë të vështirë të luajë me +18% mbi vitin e artë, se pastaj vitin e keq do paguajë taksë për fitim fantazmë. Këto lloj biznesesh ndoshta s’do jenë as të interesuara.

Nëse fitimet tuaja mund të rriten ndjeshëm (shumë më shumë se 18%)

Kjo tingëllon pak kundërintuitive (sepse edhe po të rriten shumë, pjesën mbi 18% do e keni me 5% tatim). Në fakt, deri diku rritjet e larta janë të favorshme sepse paguani pak tatim mbi to. Por ka dy arsye këtu.

Së pari, ligji vendos kufirin e 50% rritje. mbi atë nivel, marrëveshja prishet. Kështu që, nëse mendoni se fitimi juaj mund të dyfishohet a më shumë vitin që vjen (p.sh. keni një kontratë të madhe që do ju ndryshojë lojën), atëherë futja në marrëveshje mund të jetë pengesë. Në mes të vitit, po pa tatimet që po tejkaloni shumë, mund t’ju dalin nga marrëveshja dhe pastaj do ju faturohet tatimi normal për gjithë fitimin.

Së dyti, edhe nëse rritja është p.sh. 30-40% (nën pragun prishës), mbani parasysh që po “falni” 10% tatim në pjesën 18-30% (sepse për atë pjesë do kishit paguar 15% normalisht, tani paguani 5%). Kjo është gjë e mirë për ju financarisht, por nga ana tjetër shteti po humb të ardhura nga ju në atë skenar. Në teori s’duhet të ketë problem sepse shteti e ka pranuar këtë humbje në këmbim të paqes. Por në praktikë, mos u çuditni nëse administrata mund të bëhet pak më vigjilente me ju vitin pas marrëveshjes. (Ky është një supozim, jo domosdoshmëri ligjore.) Gjithsesi, thelbi është: nëse prisni boom të madh, mund t’ju leverdisë të mos lidheni fare, paguani 15% normalisht dhe mbani fleksibilitetin tuaj pa kufizime.

Nëse nuk i plotësoni realisht kriteret e nxënësit shembullor

Shumë biznese shqiptare, edhe pse me xhiro të lartë, mund të kenë ndonjë gjë të vogël mangët – p.sh. një gjobë e papaguar, një deklaratë e vonuar, një apelim për ca taksa lokale etj. Zyrtarisht, këto do t’ju pengonin të hynit. Nëse provoni prapëseprapë (ose shpresoni se do mbyllni sytë), mund të humbni kohë kot. Derisa të pastroheni nga çdo detyrim i vjetër apo konflikt, nuk ka paqe fiskale për ju. Prandaj, mos e shihni si shpëtim nëse jeni me probleme, se s’do t’ju pranojnë. Zgjidhni ato probleme më parë, pastaj mendohuni për marrëveshjen në ndonjë vit të ardhshëm.

Nëse jeni biznes i vogël (nën 14 mln lekë)

Kjo është e qartë, por vlen të thuhet. bizneset e vogla realisht nuk kanë asnjë arsye të mërziten me këtë punë, sepse ligji nuk përfshin. Ato paguajnë fare tatim fitimi (0% për xhiro < 14 mln deri në 2029). Për ju, rruga e duhur është të vazhdoni me sistemin aktual që është mjaft i favorshëm. Në të kundërt, kur biznesi juaj rritet mbi prag dhe bëhet i mesëm, atëherë mund të konsideroni hyrjen në marrëveshje nëse plotësoni kushtet e tjera.

Nëse jeni skeptik ose preferoni lirinë e sistemit aktual

Disa sipërmarrës mund të mendojnë: Pse të lidh veten? Po sikur të kem ndonjë mundësi të fsheh ndonjë shpenzim më shumë e të ul fitimin real, pse të marr përsipër t’u jap +18% tatimeve që pa nis viti? Ky është mendim i kuptueshëm për ata që e shohin sistemin aktual si me hapësira manovrimi. Marrëveshja kërkon disiplinë dhe transparencë maksimale. Nëse preferoni të ruani fleksibilitetin tuaj (edhe atë joformal) dhe s’keni shqetësim nga kontrollet, ndoshta s’keni motiv të futeni. Është zgjedhje biznesi, disa do thonë “më lirë më del të vazhdoj siç jam, me riskun për kontroll”, sidomos nëse vlerësojnë se ky risk është i vogël për ta ose mund të menaxhohet.

Në përmbledhje, ia vlen për bizneset me ritëm normal rritjeje, korrekte dhe që duan stabilitet, dhe s’ia vlen për ato me fitime të paparashikueshme, me rënie, ose që nuk duan të kufizohen. Shumë biznese të mëdha do ta bëjnë llogarinë kosto-përfitim, a ia vlen të paguaj, fjala vjen, nja 3 milion lekë tatim më shumë për të qenë rehat? Nëse po, atëherë hyjnë; nëse jo, jo. Disa mund të presin të shohin edhe si do ecë viti i parë i pilotimit, nuk është çudi që në 2026 të ketë hezitim dhe pastaj në 2027, po e panë që funksionoi pa telashe për fqinjin, të kërkojnë edhe ata të futen. E rëndësishme është që secili tatimpagues i kualifikuar të analizojë gjendjen e vet financiare dhe objektivat përpara se të marrë vendimin.

Këshilla praktike: Si të kuptoni nëse duhet të aplikoni apo jo

Në mbyllje, ja disa këshilla të drejtëpërdrejta për ju si lexues, ndoshta pronar ose financieri i një biznesi të mesëm, që po përpiqeni të vendosni për këtë çështje:

Analizoni gjendjen tuaj financiare historike dhe projeksionet

Shikoni fitimet e 2-3 viteve të fundit. A kanë qenë në rritje konstante? A do ta kishit kapërcyer çdo vit pragun +18%? Bëni edhe një plan për vitin e ardhshëm, a duket realiste 18% rritje e fitimit? Nëse po, jeni në territor të sigurt. Nëse vitet kanë luhatur (një vit +5%, një vit -10% p.sh.), kini kujdes, pyeteni veten pse kanë luhatur dhe a i keni nën kontroll ato faktorë për të garantuar rritjen kur jeni në marrëveshje.

Kontrolloni shëndetin tatimor të kompanisë suaj

Para se të aplikoni, sigurohuni që çdo detyrim i vjetër është shlyer, çdo deklaratë e dorëzuar, dhe që nuk keni asnjë konflikt të hapur me tatimet. Nëse keni ndonjë gjë pezull (edhe të vogël), merrni masa ta zgjidhni tani, p.sh. paguani ato gjoba të vogla apo hiqni dorë nga ai apelim nëse do hyni në skemë (sepse gjithsesi falja e borxheve mund ta zgjidhë, por kushti është të s’keni ankim aktiv). Konsultohuni me kontabilistin tuaj dhe bëni një verifikim tatimor.

Llogarisni koston e mundësisë

Sa tatim shtesë do paguani me +18%? Dhe çfarë gjasash ka të kishit paguar në skenarin normal? Për shembull, nëse vitin e kaluar fitimi ishte 10 mln lekë dhe norma 15%, tatimi ishte 1.5 mln. Me marrëveshje do deklaroni fitim 11.8 mln dhe tatimi 1.77 mln. Plus, nëse fitoni mbi 11.8, paguani pak shtesë. Pra kostoja juaj e paqes është minimalisht 270 mijë lekë (1.77 – 1.5 mln). Mendoni, a ia vlen kjo shumë për të mos patur kontrolle? Në disa sektorë, një kontroll mund t’ju nxjerrë shumë më tepër detyrime (sidomos nëse s’keni qenë 100% korrekt), prandaj 270 mijë mund të jetë një sigurim i lirë. Në sektorë të tjerë, ku gjithçka është e pastër, mbase e shihni si shpenzim koti. Bëni këtë llogari me shifrat tuaja.

Konsideroni nevojën për të rregulluar bilancin

Nëse e dini që keni stoqe të vjetra pa vlerë, bilanci i arkës që s’përputhet me paratë reale, etj., vlerësoni sa të mëdha janë. Marrëveshja ju lejon t’i rregulloni ato me kosto 5%. Pyetja: Po të mos futeni në marrëveshje, a ka gjasa t’ju kapë ndonjë kontroll për to? Dhe nëse ju kap, sa mund t’ju kushtojë (tatim i plotë + gjobë)? Zakonisht, diferenca cash e padeklaruar tatimohet 15% plus gjobë 100% = 30% efektiv; në marrëveshje është 5%.

Mos u nxitoni, por as mos e lini për në minutë të fundit

Informohuni mirë (shpresojmë ky artikull ju ndihmoi!). Ndiqni udhëzimet që pritet të dalin nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Tatimeve. Diskutoni me këshilltarin tuaj fiskal ose ekspertë të jashtëm. Nëse vendosni të futeni, aplikoni herët, mos e lini për ditën e fundit të afatit, që të keni kohë të korrigjoni ndonjë gabim aplikimi ose të sqaroni paqartësi me administratën.

Shqyrtoni alternativa të ndërmjetme

Mbani mend, nuk është e thënë “ose hyj, ose s’ka rrugë tjetër”. Ju mundedhe të provoni të negocioni indirekt me administratën në kuadër të sistemit ekzistues, p.sh. të kërkoni këshillim fiscal nga tatimet, ose të përdorni mekanizma të tjerë si rulings (interpretimet zyrtare) për çështje të paqarta, në mënyrë që të shmangni konfliktet pa hyrë në pakt formal. Për disa biznese të mëdha, edhe kjo mund të jetë rrugë (ndonëse s’ju jep mbrojtje si marrëveshja). Gjithashtu, mund të vendosni të hyni në marrëveshje me një pjesë të kompanive të grupit tuaj (nëse keni më shumë se një subjekt) e me ndonjë jo – pra ta testoni në një njësi më parë.

Marrëveshja e Paqes Fiskale është një risi që ofron zgjidhje të reja, por kërkon edhe mënyrë të re të të menduarit nga ana e biznesit. Është si të ndryshosh strategji loje: nga mbrojtje (duke minimizuar taksat dhe duke luftuar kontrollet) në sulm (duke paguar pak më shumë dhe duke siguruar mbrojtje në kthim). Për shumë sipërmarrës të vegjël e të mesëm në Shqipëri, kjo mund të jetë e paçmueshme; për të tjerë, e panevojshme. Vendimi mbetet në duart tuaja.Shpresojmë ky udhëzues praktik ju ndihmoi të kuptoni më qartë ligjin Nr. 84/2025 “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe të vlerësoni me mendje të kthjellët hapat tuaj të radhës. Paçi veç sukses dhe, pavarësisht nëse hyni apo jo në marrëveshje, urojmë që gjithmonë të gjeni paqe (fiskale apo jo) në drejtimin e biznesit tuaj!

Ke pyetje për Marrëveshjen e Paqes Fiskale (Ligji Nr. 84/2025)?

Po mendon të hysh në Marrëveshjen e Paqes Fiskale, por nuk je i sigurt
a të leverdis, a i plotëson kriteret ose çfarë rreziku merr përsipër?

Na kontakto për një analizë të shpejtë dhe praktike (pro/kundër), të përshtatur për situatën tënde:
fitimi i pritshëm, skenarët e rritjes/uljes dhe ndikimi në tatimin final.

KËRKO VLERËSIMIN TANI

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online