Kryerja e procesit të ndërtimit dhe të mirëmbajtjes
Referuar dispozitave të ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, operacionet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit dhe mirëmbajtjes, janë furnizime shërbimi. Furnizimi i këtyre shërbimeve është i tatueshëm për qëllim të TVSH-së.
Ndërtimi përcaktohet si çdo operacion që ka për rezultat përfundimin tërësor ose pjesor të një ndërtese të re ose substancialisht të ndryshuar. Mirëmbajtja përcaktohet si çdo operacion i kryer mbi tokë ose në ndërtesë, për të parandaluar degradimin ose dëmtimin dhe për t`i mbajtur tokën dhe ndërtesat me pamje të mirë dhe rregull funksionimi, duke përfshirë pastrimin.
Punime që kanë të bëjnë me procesin e ndërtimit, pa u kufizuar vetëm në to, janë:
i) Punimet e ndërtimit të ndërtesave dhe punime të tjera të ndërtimit;
ii) punimet për pajisjen e ndërtesave që kanë si efekt të përfshijnë përfundimisht vendosjen e aparateve apo materialeve të instaluara;
iii) punimet e restaurimit dhe të riparimit të ndërtesave, si dhe instalimet me karakter të paluajtshëm.
Në punimet e ndërtimit bëjnë pjesë:
i) punimet e ndërtimit që kryhen nga grupe të ndryshme profesionesh që marrin pjesë në ndërtimin e ndërtesave të tilla si gërmimet, krijimi i themeleve, spastrimi dhe nivelimi i territorit, puset dhe gërmimet paraprake për ndërtimin e pasurive të paluajtshme, punimet
e ekipit të terrenit, fasada, etj.;
ii) punët publike të tilla si: rrugët, hekurudhat, urat dhe të gjitha veprat e artit, pistat e fluturimit, stadiumet, etj.;
iii) punimet me fletët metalike të ndërtesave si dhe ndërtimet metalike të tilla si punimet e grumbullimit apo të qarkullimit;
iv) punimet e rregullimit të territorit që sjellin modifikimin e relievit ekzistues të tilla si: zbulimet e guroreve, nivelim i shpateve; gërmimi dhe mbushja e gropave; spastrimi i dheut, etj.
Për disa punime që lidhen me ndërtesat dhe me pasurinë e paluajtshme gjithashtu, edhe pse qëllimi kryesor nuk është ndërtimi i objektit, konsiderohen si furnizime shërbimi të tilla si: pastrimet e caktuara vetëm për mirëmbajtjen dhe hapjen e kanaleve të vegjël në porte, lumenj, etj.
Punimet që përfshihen në punimet për pasurinë e paluajtshme
Punimet e instalimit që përmbajnë vendosjen e elementeve që e humbin karakterin e tyre të luajtshëm për shkak të përfshirjes së tyre në një tërësi të paluajtshme, për zbatimin e TVSH-së duhet të konsiderohen, si pjesë e pasurisë të paluajtshme. Konsiderohen si të tilla kur heqja e materialit të instaluar nuk mund të kryhet pa dëmtime të rënda që pëson ky material apo ndërtesa që e mban atë.
Operacionet që bëjnë pjesë në punimet në pasuritë e paluajtshme:
i) Instalimet dytësore në ndërtimin e ndërtesave të tilla si instalimet elektrike (drita, energjia, zilja); instalimet sanitare (lavamanë, dushe, pllaka dushi); instalimi i aparateve që prodhojnë ujë të ngrohtë të përfshira në ndërtesë; instalimi i ngrohjes, i pajisjeve hidraulike, për thithjen e tymit etj; instalimi i shtresave të dyshemesë, etj;
ii) Punimet që nuk përfshihen në punimet për pasuritë e paluajtshme janë ato të cilat, cilado qoftë natyra e ndërtesës ku kryhen instalimet e objekteve apo aparateve të luajtshme, në momentin që vendosen e ruajnë karakterin e tyre të luajtshëm.
Punimet e restaurimit apo të riparimit
Punimet e restaurimit apo të riparimit që kanë si qëllim rinovimin e një ndërtese apo të një instalimi me karakter të paluajtshëm, konsiderohen si punime në pasuritë e paluajtshme Konsiderohen si të tilla kur operacionet e realizuara përmbajnë vendosjen e materialeve apo të elementeve që integrohen në një pasuri të paluajtshme ose kur këto operacione kanë si qëllim zëvendësimin e elementeve të përdorura të një instalimi me karakter të paluajtshëm ose shtimin e elementeve të reja që përfshihen në këtë instalim apo në ndërtesën që i mban ato. Nga këto operacione, mund të citojmë:
i) restaurimin e fasadave që përmban punimet për pastrimin e fasadave të ndërtesave të vjetra apo që mund të integrohen në një cikël të plotë të ndërtimit të ri;
ii) riparimi i çative, oxhaqeve, parketeve, dyerve dhe dritareve.