TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Zhvillimet në fushën e kontabilitetit dhë te profesioneve për kontabilitetin.

Sistemi ekonomik i çdo vendi do të mund të funksionojë normalisht dhe pa shumë probleme në se drejtimi i çdo njësie ekonomike merr në tërësi një informacion të saktë dhe të shpejt. Ndër informacionet e shumta që përdor drejtimi i çdo njësie ekonomike, kontabiliteti luan rol të veçantë.

Kontabiliteti, vazhdimisht dhe pa ndërprerje i siguron drejtimit të njësisë ekonomike dhe më gjerë, informacion të shpejt, të saktë, rigorozisht të dokumentuar dhe të shkruar. Ai i jep drejtimit të njësisë ekonomike informacion të plotë për gjendjen financiare të njësisë, për suksesshmërinë e saj dhe për faktorët që kanë ndikuar sipas rastit në arritjet e veprimtarisë ose në mos arritjet e saj. Prandaj themi që nga informacioni që merret nga kontabiliteti i sigurohet drejtimit të njësisë ekonomike “sytë dhe veshët” e nevojshme për një drejtim sa më efikas të veprimtarisë ekonomike, është pika e nisjes të të gjithë drejtimit financiar të saj. 

Në vendin tonë, edhe para fillimit të shekullit të kaluar, jo vetëm në periudhën e ekonomisë së centralizuar por edhe shumë kohë para saj është shkruar dhe është mbajtur kontabilitet. Patrioti dhe Rilindasi Jani Vreto që ne vitin 1889 në librin e tij “RADHUESHKRONJË” shtypur në shtypshkronjën “Dituri” në Bukuresht ka shkruar për nevojën e mbajtjes të hesapeve të mara e të dhenë. Ja si shprehet ai që në fillim:

“Radhueshkronja thuhet të shkruarit e të dhënave dhe e të marrave në fletore a ndryshe libra që quhen rradhua. Po vecan Radhueshkronjë quhet mësimi i te shkruarit atyre mjeshtërve që kurdoherë me pak punë në të shkuar të mund të dinë se ku gjenden. Radhueshkronja cdo njeriu që ka të dhena e të marra i është i vyer, por tregtarëve u është që pa te s‟bëhet. Ndaj tregtari që mban radhon të drejte e te qëruarë, veç të mires që siç thamë, kurdoherë mund të dijë se ku gjendet dhe të kanonisje punët e tij e të marrë përpara, fiton edhe nderin e të zënit bese, si njeriu që ka punët e tij të drejta dhe të qëruara prej njerezisë që duhet, le edhe trashëgonjësit kur të vdesë”. Në vijim, në këtë libër, autori ka hartuar ditarin për gjendjen, për te marrat dhe të dhënat e mjeteve monetare (grosh).

Kontabilitet, madje dhe duke zbatuar parimin e regjistrimeve të dyfishta, është mbajtur që në kohën e sundimit otoman. Po kështu, sot në arshivat tona gjenden bilancet e periudhës së qeverisë së Ismail Qemalit për shoqëritë vendase dhe të huaja që zhvillonin veprimtari në vendin tonë.

Në periudhën e mbretërisë me ligj te posaçëm “Për Administrimin e Pasurisë dhe Kontabilitetin e Përgjithshëm të Shtetit” të datës 31 korrik 1928 dhe të miratuar me dekret të Mbretit Zogu i Parë me datën 28 maj 1929, janë sanksionuar në mënyrë moderne te gjitha problemet që lidhen me kontabilitetin, administrimin dhe sistemin e thesarit në vendin tonë. Më hollësisht, për sanksionimin me ligj të shumë problemeve financiare në këtë periudhë, shkruan edhe inspektori i përgjithshëm i oborrit mbretëror Haxhi Shkoza në punimin e tij “Financat e Shqipnis” (1839- 1934).

Kështu, përjashtuar periudhën e sundimit otoman, mbajtjen e kontabilitetit në vendin tonë mund ta ndajmë në tre periudha:

i) nga shekulli i XIX deri në vitin 1944,

ii) nga viti 1944 deri në vitin 1991

iii) nga viti 1991 deri në ditët e sotme

Në periudhën 1944-1991, pra në kushtet e ekonomisë së centralizuar, për nga qëllimi i mbajtjes së kontabilitetit, kam mendimin se ai ka qenë i plotë. Sigurisht rregullimi kontabël nuk bëhej me një ligj te veçantë për kontabilitetin por bëhej në bazë të një plani unik kontabël të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave i cili përcaktonte rregullat bazë të ndërtimit të Pasqyrave Financiare, listën e llogarive dhe funksionimin e tyre. Ka ekzistuar një plan unik kontabël me kritere të përgjithshme dhe të njejta për tu zbatuar nga të gjitha degët e ekonomisë. Për çdo degë të ekonomisë siç ishin industria, bujqësia, tregtia, ndërtimi ,etj kishte plane kontabël te veçanta që u përgjigjesh veçorive të cdo dege. Brenda çdo dege kishte edhe veçori më të detajuara, pa harruar këtu edhe plane kontabël të veçanta për institucionet buxhetore, për bankat, për kooperativat bujqësore, etj. Sigurisht, si edhe tërë politika e asaj periudhe edhe informacioni që përgatitesh nga kontabiliteti i shërbente zbatimit të direktivave të partisë shtet, parullës famëkeqe “të ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Ishte kjo arsyeja që shkolla e mbajtjes së kontabilitetit në atë periudhe ishte ajo Europiane Lindore apo Ruse; nuk bëhej fjalë për shkollat perëndimore të kontabilitetit edhe pse edhe shkolla Lindore zanafillën e saj për kontabilitetin dhe statistikën e kanë në atë perëndimore.

Në këtë periudhë, informacioni kontabël dhe vetë kontabiliteti ishin të orientuara vetëm drejt ruajtjes së vlerave materiale e të administrimit të pasurisë shtetërore; kontabiliteti analitik ishte tepër i detajuar dhe shumë i rënduar dhe që shkonte deri në prekjen e parimit te kosto-përfitimit; nuk kishte ndarje të qartë dhe të dalluar të kontabilitetit financiar nga kontabiliteti i kostos sikurse në kushtet e mungesës së drejtimit real nga ana e drejtueseve të njësisë ekonomike, nuk bëhej fjalë për kontabilitetin e drejtimit. Ky i fundit barazohej me analizën e veprimtarisë ekonomike e financiare të ndërmarrjeve. Ishte kjo arsyeja që specialistët e mbajtjes së kontabilitetit ishin tepër të ngarkuar me punë, angazhoheshin më tepër me punë mekanike për të bërë regjistrimet dhe këto të gjitha me dorë sepse nuk bëhesh fjale per programet kompjuterike që zbatohen sot. Në mes të viteve ‟60 në kuadër “të luftës kundër burokratizmit”, u ndërmor fushata për thjeshtimin e të dhënave që nxirreshin nga informacioni kontabël, madje u arrit në teprime. Kështu u hoq dorë nga llogaritja e kostos së prodhimit për shumë prodhime veçanërisht në industri dhe u zëvendësua me treguesin “të ardhura për njëqind lekë shpenzime”.Të tilla “thjeshtime” u bënë shumë për rrjedhojë u shkurtuan shumë vende pune në personelin e zyrave të kontabilitetit në ndërmarrje ose zbritje në pozicionet e punës. Në përgjithësi mënyra e mbajtjes së kontabilitetit në këtë periudhë ishte manuale; vetëm pas viteve ‟70 filloi që për një pjesë fare të vogël të ndërmarrjeve, madje edhe për një pjesë të kooperativave bujqësore, kontabiliteti të mbahej i mekanizuar në qendrat e evidencës kontabël. Jo vetëm në ndërmarrjet dhe në kooperativat bujqësore në tërësi por edhe në këto qendra, të dhenat që mbaheshin për shpenzimet ishin aq të detajuara sa arihesh deri në teprime. Kështu psh në bujqësi shpenzimet vazhdimisht janë mbajtur jo vetëm për cdo kulture dhe lloj të gjësë së gjallë por edhe sipas zërave të veçanta të shpenzimeve. Dikush sot me të drejtë mund të thotë që ishte një evidentim me vlerë. Mund të ketë të drejtë, mirëpo përse shërbente një mbajtje kaq shumë e detajuar, kush e shfrytëzonte atë? As që bëhej fjalë që ky informacion të përdorej për marrjen e vendimeve nga drejtuesit e ndërmarrjeve. Ai përdorej kryesisht dhe vetëm në nivelin e planifikimit nga organet e larta në rang ekonomie ose thjesht për propagandë.

Në këtë periudhë as që bëhej fjalë për profesionin e mirëfilltë të kontabilitet – ata mbeten regjistrues të thjeshtë të shifrave, ndërtues të thjeshtë të pasqyrave financiare. Rrallë herë kërkohej mendimi i tyre i specializuar për problemet ekonomike; por kur vinte rasti i përgjegjësisë madje shpesh edhe pse nuk realizoheshin treguesit ekonomik me përgjegjësi ngarkohej edhe financieri, shpesh edhe deri në dënime me privim lirie me te famshmin nen të kodit penal “sabotim në ekonomi”. Në se deri ne fund të viteve ‟50 të shekullit të kaluar, kontabilistet ishin specialist të përgatitur kryesisht me arsim të mesëm në shkollën tregtare të Vlorës (1924), në shkollat e mesme të vendeve të tjera, në shkollat e mesme ekonomike të vendit tonë pas çlirimit (teknikumit financiar, ekonomik dhe atij tregtar) ose me kurse të veçanta afatshkurtra, pas këtij viti Fakulteti i Ekonomisë në Tirane dhe më vonë Fakulteti i Ekonomisë Agrare në Universitetin Bujqesor, përgatiten specialist të mbajtjes së kontabilitetit me arsim të lartë, madje ne vitin 1959, Fakulteti i Ekonomisë diplomoi kontigjentin e parë prej 30 vetash “Specialist për Kontabilitetin”. Përgatitja e kësaj armate të madhe specialistesh të profilit ekonomik në shkollat tona të larta, publike apo private si dhe kualifikimi i tyre i mëtejshem, kam bindjen se është garancia më e madhe për zbatimin e të rejave të shkencës në mbajtjen e kontabilitetit. 

Kështu, në periudhën e tretë që i përket vitit 1991 deri në ditët e sotme, reforma kontable e inicuar në vitin 1991 nga Ministria e Financave, nuk filloi në boshllëk. Natyrisht ndryshimet social ekonomike të ndodhura në këtë kohë, diktonin reformime edhe në fushën e kontabilitetit ashtu si dhe në të gjitha fushat e tjera të jetës sonë. Në këtë kohë reforma në fushën e kontabilitetit kishte dy objektiva kryesore:

Së pari, ndryshimet në dispozitivat rregullator të kontabilitetit në menyrë që ky t‟u përgjigjej kërkesave të një ekonomie tregu dhe të ishte në pajtim me harmonizimin evropian e më gjerë.

Së dyti, organizimin e profesioneve të lira kontabël siç ishte ai i Kontabilistit të Miratuar dhe të Ekspertit Kontabël të Autorizuar (audituesit).

Realizimi i objektivit të pare iu besua një grupi personash të cilët pas miratimit të ligjit “Për Kontabilitetin” u formalizuan si anëtare te Këshillit të pare Kombëtar të Kontabilitetit (KKK) dhe që ishin nxënësit e mësuesve dhe kontributorëve më të hershëm në fushën e kontabilitetit. Edhe këta mbeten si kontribuesit kryesor të reformës në kontabilitet dhe si pjestar i këtij grupi midis nënte anetareve të parë të KKK dua të veçoj kontributin kryesor të kryetarit Baki Berberi dhe përfitoj nga rasti të shpreh edhe një herë nderim të veçantë për këtë figurë të çmuar në fushën e kontabilitetit dhe të reformes në sferën ekonomike dhe financiare. Në kuadrin e dispozitivit regullator të kontablitetit me të drejtë këshilli zgjodhi normalizimin e tipit kontinental mbështetur në sistemin francez dhe kjo sepse:

i) Në Shqiperi normalizimi kontabël ka qenë realizuar të paktën që nga viti 1947 e këtej nëpërmjet ligjeve dhe akteve nënligjore. Planet kontable unike dhe planet kontable sektoriale të hartuar dhe të miratuara nga organet e shtetit (Ministria e Financave) kanë qënë çelsat e këtij normalizimi. Kjo kërkonte që tradita e Shqiperise si vend i vogël i së drejtës së kodifikuar duhej ruajtur dhe paralelisht me ketë duke ndryshuar objektivat, fushën e shtrirjes dhe formën e normalizimit. Në këtë mënyre specialistët e kontabilitetit duke qenë të mësuar që të punojnë me rregulla të fiksuara do ta kishin më të lehte zbatimin e një sistemi kontabel të ri. Dhe kjo ndodhi; duke justifikuar besimin e një numuri të madh të brezit tonë që kontabiliteti në kushtet e ekonomisë së tregut do të gjente zbatimin e tij të shpejtë dhe të plotë.

ii) Normalizimi kontabël në vendin tonë duhet të mbulonte një fushe të gjerë zbatimi. Njëherazi, ai duhej të shtrihej jo vetëm në përgatitjen dhe publikimin e gjendjeve financiare por edhe në mbajtjen e kontabilitetit.

iii) Në kushtet që profesionalistët kontabël shqiptar, me pak përjashtime, ishin larg njohjes së parimeve dhe normave kontabël ndërkombëtare përgjithesisht të pranuara, ishte e nevojshme që këto parime e norma të paraqiteshin të sistemuara në tekste unike dhe me një natyrë metodike. Plani Kontabël i Përgjithshëm ishte një instrument mjaft i përshtatshem për këtë qëllim dhe lehtësonte zbatimin e këtyre normave e parimeve praktike.

iv) Normalizimi i tipit kontinental mban parasysh lidhjen e fortë midis kontabilitetit dhe fiskalitetit dhe rezultati kontabël është bazë për llogaritjen e tatimit. Që këtej doli nevoja e një Plani Kontabel të Përgjithshem dhe një klasifikim të të ardhurave dhe shpenzimeve sipas natyrës. Fillimisht, barra për vënien në jetë të këtij Plani i ra armatës së madhe të kontabilisteve dhe me vonë, duke filluar nga mezi i vitit 2000 edhe pjesës më të kualifikuar, Kontabilisteve të Miratuar që aktualisht arrijne rreth 900 nga të cilet një pjesë e madhe prej tyre kanë ngritur zyrat e tyre te profesionit. Në vështrim si me siper, pas futjes në ekonominë e tregut, zhvillimi i rregullimit kontabël mund të ndahet në dy periudha:

  • Nga fillimi i viteve ‟90 deri në vitin 2004
  • Nga viti 2004 e në vijim. Periudha e parë karakterizohet nga ndryshime të thella, të shpejta dhe radikale politike dhe ekonomike, për rrjedhoje edhe në fushën e kontabilitetit. Ekonomia e tregut të lire, hapja e sipërmarrjeve private si dhe rritja e rolit të drejtimit në vendimmarrje, kërkonin domosdoshmërisht edhe rritjen e rolit të informacionit që jepte kontabiliteti. Kështu, kontabiliteti fiton një rol te ri krahas rolit tradicional të informacionit në lidhje me ruajtjen dhe administrimin e pasurisë. Ai tashti duhet të bëhet përcaktues në vendimmarrjen e drejtimit të njësisë ekonomike. Por këto ndryshime dhe në përputhje me kushtet e reja të krijuara kërkonin që të shoqëroheshin edhe me masa të tjera të nevojshme për të siguruar rregullimin e kontabilitetit në mënyrë që t‟i përgjigjej kërkesave aktuale dhe në perspektivë.

Pra, jemi në periudhën e trazicionit, shumë ndryshime ndodhen paralelisht edhe në kontabilitet u ndërmorën një sërë hapash të cilat për nga natyra dhe rëndësia që patën synuan dy qëllime kryesore:

i) Sistemi kontabel dhe zhvillimi i tij duhet të riformoheshin.

ii) Duhet të krijoheshin dhe të zhvilloheshin profesionet e lira me bazë kontabilitetin.

Për vënien në jetë të qëllimit të parë emergjente ishte përcaktimi i disa rregullave dhe formulimi i disa udhëzimeve sigurisht të përkohshme si për përshtatjen e kontabilitetit në kushtet e ekonomisë së tregut ashtu dhe për plotësimin e pasqyrave financiare. Përpjekja e parë u ndërmor në janar te vitit 1991 ku doli edhe ligji i parë për kontabilitetin i cili për mangësitë që pati, me asistencën edhe të të huajve, u zëvendesua dhe hyri në fuqi ligji “Për Kontabilitetin” i vitit 1993. Në zbatim të tij në korrik të po këtij viti, ky ligj u shoqërua me “Planin Kontabël të Përgjithshëm” i cili përcaktonte rregullat dhe parimet bazë të mbajtjes së kontabilitetit, të funksionimit të llogarive dhe ndërtimin e pasqyrave financiare sikurse pas disa viteve u miratua plani kontabël i Institucioneve Buxhetore dhe Manuali Kontabël i Bankave.

Fillimi i viteve ‟90 ishte një periudhë mjaft intensive në hartimin e legjislacionit në fushën e kontabilitetit dhe të auditimit. Kështu ligji i vitit 1992 “Për Shoqëritë Tregtare” hodhi bazat e para për krijimin e profesionit të lirë të audituesit, të rregullave për miratimin dhe publikimin e pasqyrave financiare. Ishte kërkesë e investitorëve publike dhe aksionarëve për të patur një auditues të pasqyrave financiare mbasi ata kane investuar kapitalet e tyre. Në kushtet e ekonomisë së tregut, koncepti i ri në veprimtarinë e profesionistëve kontabël kërkonte që në Shqiperi duhej filluar menjeherë puna për përgatitjen e legjislacionit, legalizimin, kualifikimin dhe përgatitjen e specialistëve përkates nga profesionistët ekzistues. Dhe kjo punë u bë paralelisht me vetë njohjen dhe vënien në jetë të planit të ri kontabel. Roli i audituesit nga viti në vit rritej, në Shqiperi filluan të operojnë edhe shoqëri audituese të rangut boteror siç ishin Deloite&Touche, Ernst&Young, KPMG, etj të cilat auditojnë kryesisht shoqëri të huaja të cilat janë filjale të këtyre shoqërive pjesmarrëse në bursën e shtetit të tyre e më gjerë. Në fund të viteve ‟90 në vendin tonë filloi të funksionojë profesioni i “Kontablit të Miratuar” i rregulluar në përputhje me kërkesat e ligjit “Për Kontabilitetin” dhe Urdhëresës të Ministrit të Financave. Kështu në fund të vitit 2000 kur u formatua lidhja e veçantë, Lidhja Profesionale e Kontabëlve të Miratuar, sot Instituti i Kontabëlve të Miratuar, në gjirin e saj kishte 114 anetarë ndërsa sot numëri i anetarëve është tetëfishuar.

Të dy këto profesione gjatë dhjetevjecarit të fundit janë forcuar dhe perfeksionuar mjaft jo vetëm në mbajtjen e kontabilitetit, përgatitjen dhe auditimin e pasyrave financiar për treguesit e veprimtarisë së njësive ekonomike, por kanë rritur dhe forcuar më tej rolin e tyre në drejtim të ngritjes cilësore të shërbimeve që ato ofrojnë, të rritjes së efektivitetit të shërbimeve dhe në garantimin e investitorëve në besushmërinë dhe rolin e këtyre profesioneve. Kjo bëri që ne mars te vitit 2009 të miratohet ligji për të dy profesionet e lira, atë të kontablit të miratuar dhe të audituesit të cilët përkatësisht, krahas të drejtës që kanë për përgatitjen dhe auditimin e pasqyrave financiare, u jepet e drejta edhe për konsulenca të pavarura të shoqërive të ndryshme për probleme finance, analizë të pasqyrave financiare, probleme fiskale, plane studimore të tregut, vlerësimin e shoqërive, procedurat e krijimit dhe likujdimit të shoqërive tregtare,etj. Të dy këto profesione, në fillim ai i audituesit (Instituti i Eksperteve të Autorizuar- IEKA) dhe me pas Kontablit të Miratuar (Instituti i Kontabëve të Miratuar – IKM) janë anëtarësuar në organizata presticioze ndërkombetare siç është IFAC “Federata Ndërkombetare e Kontabilitetit” dhe SEE PAD “Partneriteti i vendeve të Europës Lindore për zhvillimin e profesionit kontabël” ku përfaqesues të të dy profesione marrin pjesë rregullisht në takimet e organizuara ku prezantohen përvojat më të përparuara në të dy profesionet, shkëmbehen eksperienca dhe zhvillohen seminare kualifikuese.

Janë këto dy profesione si dhe shoqata e kontabilisteve që më tepër se çdo organizëm tjetër ballafaqohen përditë me probleme që kërkojnë zgjidhje, madje në ballë të luftës së informalitetit në ekonomi. Pronarët e njësive ekonomike nga njëra anë dhe profesionistët kontabel nga ana tjetër kanë interesa të njejta për të rritur sa më shumë fitimin e njësisë ndërsa kur vjen problemi i llogaritjes së detyrimeve ndaj shtetit për tatimin mbi fitimin, të parët kërkojne me çdo mënyre ta ulin këtë. Kjo vjen për faktin se në periudhën që kalojmë një pjesë e sipërmarjeve shqiptare janë ende larg ndërgjegjesimit dhe vlerësimit të evidencës kontable, të nevojës së dokumentimit të rregullt dhe aq më pak të përpjekjeve të kontabilisteve dhe rolit që ata kanë ne rritjen e efektivitetit të veprimtarisë dhe të vendimmarjes së tyre. Jo në të gjitha njësitë ekonomike, nga ana e drejtuesve kërkohet ndihmesa e kontabilisteve për të hartuar programe ekonomiko financiare të zhvillimit të njësise së tyre dhe duke shtuar ketu edhe mungesën e tregjeve financiare të zhvillimit të njësise ekonomike publike, janë faktorë që nuk stimulojnë një raportim cilësor e të besushem financiar dhe të një profesioni të zhvilluar të kontabilisteve. Por ka mjaft shoqëri tregtare, veçanerisht në ato të mëdha, ku profesioni i kontabilistit është i fortë dhe tepër i kualifikuar, që raportimi financiar është cilesor dhe i besushem, për rrjedhoje ndihmon përdoruesit në marrjen e vendimeve të drejta dhe efikase. 

Shqipëria, në dhjetevjeçarin e fundit vazhdimisht punon dhe synon integrimin e saj në Bashkimin Europian. Kjo midis të tjerave kërkon reflektim dhe zhvillim edhe në rregullat kontable. Pas viteve 2000 edhe në nivel ndërkombetar pati zhvillime të rëndësishme në fushën e kontabilitetit. Pati rishikim rrënjësor në një sërë standarde ndërkombëtare të kontabilitetit, u përpunuan dhe u nxoren një sërë standade të tjera të reja ndërkombëtare të kontabilitetit; informacioni financiar që raportonin njësitë ekonomike bëhet më cilësor për rrjedhojë dhe më i besushëm për përdoruesit e tij.

Në vitin 2003, qeveria hartoi një strategji për një reformë të re në fushën e kontabilitetit dhe të profesioneve me bazë kontabilitetin me qëllim përmirësimin e rregullimeve kontabël për të rritur më tej trasparencën dhe besushmërine e informacionit financiar dhe për t‟u përgjigjur sa më mirë nevojave të tregut dhe për mbrojtjen e interesave të publikut dhe të shtetit. Kjo strategji parashikonte edhe rishikimin e rregullimit kontabël ekzistues dhe hartimin e një ligji te ri për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare.

Ligji “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”i prillit të vitit 2004 me ndryshimet që ju ben në vitin 2006, ishin materializimi i kësaj strategjie dhe ç‟është më kryesorja ky ligj është formuluar nën frymën e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit duke autorizuar rregullimin e kontabilitetit jo me Plan Kontabël të Përgjithshëm por me Standarde Kontabël. Ligji detyron që standardet të hartohen në nivel kombëtar dhe në koherent me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit SNK) dhe Standardet Ndërkombetare të Raportimit Financiar SNRF) dhe të zbatohen nga shumica e shoqërive, ndërsa shoqërite e huaja që operojnë në vendin tonë dhe të kuotuara në burse, shoqeritë bankare dhe ato financiare do të zbatojne SNK pa asnjë ndryshim.

Ligji formaton Këshillin Kombëtar tëKontabilitetit KKK) duke i dhëne atij rol dhe pozicion ndryshe dhe duke e bërë atë një organ të pavarur në vendimmarrje në fushën e kontabilitetit. Këshili në fund të vitit 2006 publikoi 14 Standarde Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) të cilat filluan me ligj të zbatohen në janar të vitit 2008 dhe në vitin 2009 u hartua dhe filloi të zbatohet SKK 15 i cili vlen vetëm për mikronjësitë duke siguruar një lehtësim jo të vogël të tyre nga kostot e larta të përgatitjes të informacionit kontabël. Përvoja e këtyre viteve të fundit tregon që standardet e kontabilitetit si ato kombëtare dhe ato ndërkombetare, janë zbatuar gjerësisht nga njësitë ekonomike duke e ngritur më tej rolin dhe efektishmërine e informacionit që serviret për vendimmarje.

Kjo ka rritur më tej besushmerinë e informacionit financiar për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për hyrjen e investimeve të huaja, pasi besushmëria dhe sinqeriteti i këtij informacioni zhvillon tregjet e kapitalit dhe sigurin e duhur për të marrë vendime. Rastet e skandaleve në ENRON, Parmalat, Ëorldcom e gjetkë janë shembuj të rolit negativ të informacionit të gabuar dhe shtrëmbërimeve të bëra në pasqyrat financiare të përgatitura nga kontabiliteti i këtyre kompanive. Dëmet patën një shtrirje të gjerë duke filluar nga aksionaret e këtyre kompanive që humbën kapitalet e tyre, shumë shoqëri të lidhura me to falimentuan, u dëmtuan bankat dhe punonjësit humbën vendet e tyre të punes. Kontabiliteti është ai që jep sinjalin e parë të çdo krize ekonomike prandaj duke zbatuar me korektësi standardet kombëtare të kontabilitetit të harmonizuara mirë me ato ndërkombëtare, do të arrihet që kontabiliteti të përgatisë dhe japi informacion të besushëm, të saktë dhe cilësor.

Në mbyllje të kesaj paraqitjeje, kam deshirë të shpreh edhe në këtë auditor të nderuar, një ndjesi te veçantë dhe detyrën e çdo brezi nga armata e kontabilistëve që herë pas here të flasim dhe të shkruaj për këtë informacion kaq të vlefshem dhe tëpazevendesushem. Për fat të keq dhe në mënyre të veçantë ne specialistët e kontabilitetit, ndërsa tërë kohën punojmë mbi shifra, shkruajmë raporte dhjetra faqesh, japim mendime dhe sugjerojme zgjidhje me vlerë, pak vëmendje i kushtojme anës historike të veprimtarisë sonë dhe njëheresh lëmë në haresë Ata që kanë kontribute të vlefshme në këtë fushe.

Dhe këta janë të shumtë. Kështu, brezi të cilit i takoj edhe une, duhet në radhë të parë të përmendim me mirënjohje të thellë dhe respekt mësuesit tanë: Profesorët Xhemil Cela, Lefter Kriqi dhe Aristotel Pano, specialistët e shquar Pandeli Gjika në Ministrinë e Financave, Laze Ajazi në atë të Bujqesisë, Malo Frashërin në Industri, Lefter Cave në Tregëti, Vangjel Karajanin në Ndërtim e shumë të tjere. Kam patur shansin, madje do të thoshja fatin që kam jetuar dhe kam punuar me këto personalitete të shquara në fushen tonë dhe mund të them me bindje që prej tyre si unë ashtu dhe koleget e tjerë që kemi patur fatin të punojne me „ta, kemi përfituar shumë për aftësimin tonë profesional dhe më gjerë.

Autori: PROF.DR. LEANDRO HAXHI

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online