Ministrja Denaj: Biznesi të respektojë ligjin dhe konkurrencën e ndershme

AlProfit Consult

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, nëpërmjet një komunikim me mediat, informuan opinionin publik lidhur me ecurinë e zbatimit të Planit Operacional Stop Informalitetit, duke synuar jo vetëm transparencën, por mbi të gjitha rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve, për të qenë në përputhje me detyrimet ligjore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë pohoi se zbatimi i Planit Operacional ka nxjerrë në pah disa fenomene, si fakti që duhet një ndërgjegjësim më i madh i konsumatorëve për tërheqjen e kuponit tatimor; mosrespektimi i përsëritur i ligjit nga një pjesë e bizneseve, ku në disa raste janë kërcënuar punonjësit e Administratës Tatimore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre; apo dhe heqja e shiritit të bllokimit të aktivitetit nga Administrata Tatimore me anë të vendimeve të gjykatave.

Përsa i përket këtyre të fundit, Ministrja Denaj tha, se do respektohen të gjitha vendimet e gjykatave që janë në favor të biznesit dhe të rihapjes së aktivitetit së tyre edhe pas bllokimit nga ana e Administrata Tatimore. Megjithatë, Ministrja garantoi se Plani Operacional kundër informalitetit do të zbatohet me përpikmëri e në vazhdimësi, duke mos toleruar mosrespektim të ligjit dhe dëmtimin e konkurrencës së ndershme në treg.

“Gjykatësve u kërkoj që të respektojnë ligjin, të lexojnë mbrojtjen që bën Administrata Tatimore, ta konsiderojnë atë,  e në qoftë se kjo mbrojtje nuk është e saktë, sigurisht të shkojnë e të flasin në favor të biznesit. Por, në qoftë se vendimi i marrë nga Administrata Tatimore është konform ligjit, të mendojnë dy here, nëse ata vetë shkelin ligjin”, theksoi znj. Denaj.

E pyetur nëse do të ketë ndryshime ligjore në këtë drejtim, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha se aktualisht është duke u punuar mbi draftimin e një pakete, e cila do të dalë për konsultim publik gjatë muajit shtator. Ministrja sqaroi se synimi nuk është rritja e masës së gjobave, por evidentimi i paligjshmërisë.

Lidhur me sektorët e evidentuar më me risk, Ministrja informoi se po ushtrohen kontrollet nga institucionet përkatëse në produktet e akcizës, si hidrokarburet, pije alkoolike dhe kafeja; hoteleri-turizmi dhe ndërtimi.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Ibrahimaj, bëri me dije se që nga data 4 korrik e deri më sot janë inspektuar 2995 subjekte, ku janë konstatuar 1285 shkelje të ndryshme, si mosregjistrim i punonjësve, moslëshim i kuponit tatimor, apo subjekte të palicencuara.

Ndërsa fokusi kryesor i punës së administrates tatimore ka qenë monitorimi i zonës bregdetare, Plani Operacional kundër informalitetit po zbatohet në të gjithë territorin e vendit. Nga inspektimi në Rajonin Qendror, që përfshin Tiranën, Durrësin, Pogradecin, Korçën, Elbasanin, etj,  janë konstatuar 532 shkelje, nga 1137 kontrolle, ku 67 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, 59 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar , ndërsa 18 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë).

“Ne do të vazhdojmë të jemi në terren jo vetëm në muajin gusht, por gjatë gjithë vitit, duke u transferuar nga linjat bregdetare në qytetet kryesore, me qëllim që të gjithë subjektet të legalizohen dhe të paguajnë detyrimet ndaj shtetit”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Ministrja Anila Denaj u ndal edhe te projektligji i “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, i hapur për konsultim publik përgjatë gjithë muajit gusht. Ministrja tha se ky projektligj do të sigurojë qëndrueshmëri në luftën kundër informalitetit dhe ftoi bizneset dhe grupet e interesit të japin sugjerimet e komentet e tyre, në mënyrë që drafti të jetë sa më i plotë dhe në përputhje me nevojat që ka vendi.

Related Posts

Write a comment