Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit po intensifikojnë bashkëpunimin midis tyre.
Të dy insitucionet kanë thjeshtuar ndjeshëm procedurat e shkëmbimit të informacionit, duke e bërë atë kryesisht elektronik. Kjo ka bërë të mundur që reduktohen procedurat, të shkurtohet koha e marrjes së të dhënave, si dhe të ulen kostot administrative.
Më konkretisht në çdo rast, kur tatimpaguesi aplikon për çregjistrim, komunikimi me QKB-në për detyrimet tatimore dhe deklaratat e padorëzuara bëhet në rrugë elektronike dhe në kohë reale. Në këtë mënyrë QKB, që në momentin e aplikimit, mund t’i bëjë me dije subjekteve që aplikojnë për çregjistrim, situatën në lidhje me detyrimet dhe dorëzimin e deklarimeve. Por, kjo mënyrë nuk do të përjashtojë mundësinë që QKB-ja të respektojë afatet e përcaktuara me ligj për çregjistrim.
Lehtësime në procedura janë bërë edhe në komunikimin me QKB për identifikimin e tatimpaguesve, të cilët kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore/ bilancit. Verifikimi edhe në këtë rast bëhet në kohë reale nga QKB-ja e cila i referohet sistemit tatimor sa herë që e gjykon të nevojshme.
Ky lehtësim vjen në zbatim të nenit 45, të ligjit 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të marrëveshjes dypalëshe dhe protokollit elektronik të komunikimit ndërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për të zbatuar politika që shkurtojnë kohën e ndërveprimit mes institucioneve, si dhe të garantojë saktësinë e të dhënave për gjendjen reale dhe detyrimet ligjore të tatimpaguesit.