Si të dorëzoni pasqyrat financiare në QKB dhe vendimin e asamblesë deri më 31 korrik 2026

Deri më 31 korrik 2026 çdo biznes me detyrim hartimi duhet të ketë dorëzuar dy dokumente. Pasqyrat financiare të vitit 2025 në QKB dhe vendimin e asamblesë për destinimin e fitimit pranë administratës tatimore. Të dyja bien në të njëjtën datë dhe të dyja shoqërohen me gjobë nëse harrohen.

Nga puna jonë e përditshme shohim të njëjtin gabim çdo korrik. Biznesi e ka dorëzuar deklaratën e tatimit mbi fitimin në mars dhe mendon se detyrimi u mbyll. Në fakt dorëzimi te tatimet nuk e zëvendëson publikimin në QKB dhe as depozitimin e vendimit të asamblesë.

Ky udhëzues ju tregon hap pas hapi kush ka detyrim, si përgatitet vendimi i asamblesë me dy formate gati për përdorim, si llogaritet tatimi mbi dividendin sipas rregullave në fuqi dhe si kryhet aplikimi në e-Albania nga fillimi deri në nënshkrim.

Lexo edhe: Pasqyrat financiare të vitit 2025. Çfarë kërkohet nga biznesi juaj dhe deri kur

Dy detyrime, një datë

Detyrimi i parë është publikimi i pasqyrave financiare. Çdo njësi ekonomike fitimprurëse me detyrim hartimi i depoziton pasqyrat vjetore pranë QKB-së jo më vonë se shtatë muaj pas mbylljes së periudhës kontabël. Për vitin 2025 kjo do të thotë deri më 31 korrik 2026. Mosdorëzimi dënohet me gjobë 60,000 lekë dhe detyrimi mbetet edhe pas gjobës.

Detyrimi i dytë është depozitimi i vendimit mbi destinacionin e fitimit pranë organeve tatimore. Ligji nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 56, e përcakton të njëjtin afat, jo më vonë se 31 korriku i çdo viti. Ky detyrim vlen edhe kur rezultati i vitit ka qenë humbje ose zero. Paraqitja me vonesë ndëshkohet me gjobë.

Lajmi i mirë është se vendimi i asamblesë që përgatitni për tatimet është i njëjti dokument që ngarkohet edhe në aplikimin e QKB-së. Një dokument i saktë i mbulon të dyja detyrimet.

Kush duhet të dorëzojë

Rregulli ndahet sipas formës së organizimit.

SHPK-të dhe SHA-të kanë detyrim gjithmonë, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Ligji nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” zbatohet për njësitë ekonomike fitimprurëse pa asnjë prag xhiroje dhe kërkon që edhe mikronjësitë të hartojnë të paktën pasqyra të shkurtuara. Niveli i të ardhurave ndryshon vetëm formatin e pasqyrave dhe raportet shoqëruese, jo vetë detyrimin.

Personat fizikë tregtarë e kanë detyrimin kur të ardhurat vjetore nga veprimtaria kalojnë 5,000,000 lekë. Nën këtë nivel individi mban vetëm regjistrin e thjeshtuar të të ardhurave dhe shpenzimeve, siç e parashikon shprehimisht ligji nr. 29/2023, neni 9, dhe nuk ka detyrim të hartojë e të depozitojë pasqyra.

Një sqarim praktik ka rëndësi këtu. Sistemi i e-Albania tashmë i pranon aplikimet e personave fizikë, kështu që arsyetimi i vjetër se kjo kategori nuk dorëzon dot teknikisht nuk vlen më.

Për SHPK-të me xhiro nën 5,000,000 lekë ekziston sot një debat i hapur interpretimi, për të cilin organizatat e profesionistëve i kanë kërkuar QKB-së qëndrim zyrtar. Deri në atë qëndrim, këshilla jonë është e thjeshtë. Dorëzoni gjithsesi. Shërbimi është pa pagesë, kërkon rreth gjysmë ore dhe ju mbron nga çdo rrezik gjobe.

Organizatat jofitimprurëse nuk depozitojnë në QKB por në gjykatë, ndërsa njësitë e mesme, të mëdha dhe ato me interes publik kanë edhe detyrimin t’i publikojnë pasqyrat në faqen e tyre zyrtare të internetit brenda të njëjtit afat.

Lexo edhe: Çfarë ndodh nëse nuk dorëzohet bilanci në kohë

Vendimi i asamblesë. Çfarë duhet të përmbajë

Vendimi merret nga asambleja e ortakëve, ose nga ortaku i vetëm kur shoqëria ka një ortak, dhe duhet të përmbajë të paktën këto elemente. Miratimin e pasqyrave financiare të periudhës së mbyllur më 31 dhjetor 2025, miratimin e rezultatit të paraqitur në to dhe vendimin për destinimin e fitimit. Fitimi ose mbartet në shoqëri, ose shpërndahet si dividend, ose përdoret për rritje kapitali. Zgjedhja ka pasoja të drejtpërdrejta tatimore që i shpjegojmë në seksionin tjetër.

Më poshtë gjeni dy formate të gatshme. Zëvendësoni të dhënat në kllapa me të dhënat e shoqërisë suaj.

Formati A. Miratimi i pasqyrave dhe mbartja e fitimit

VENDIM I ASAMBLESË SË ORTAKËVE TË SHOQËRISË [EMRI I SHOQËRISË] SHPK

Nr. Vendimi [/2026] Data dhe ora e mbledhjes [..2026 / :__]

Sot, më datë [data], në selinë e shoqërisë në [adresa e plotë], u mbajt mbledhja e Asamblesë së Ortakëve të shoqërisë “[Emri]” SHPK, e regjistruar me NUIS [numri], për të diskutuar këtë rend dite.

Çështjet e rendit të ditës

  1. Miratimi i pasqyrave financiare për periudhën e mbyllur më 31 dhjetor 2025.
  2. Miratimi i rezultatit të paraqitur në këto pasqyra dhe destinimi i tij.
  3. Të tjera, propozime nga ortakët nëse ka.

Pjesëmarrës në mbledhje janë [emri i ortakut 1], zotërues i []% të kuotave, dhe [emri i ortakut 2], zotërues i []% të kuotave të kapitalit.

Meqenëse kuorumi i nevojshëm plotësohet, mbledhja u deklarua e mbajtur rregullisht. Pasi shqyrtoi çështjet e rendit të ditës, në përputhje me ligjin nr. 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe me Statutin e shoqërisë, Asambleja e Ortakëve

VENDOSI

  1. Të miratojë pasqyrat financiare për periudhën që mbyllet më 31 dhjetor 2025.
  2. Të miratojë fitimin e paraqitur në këto pasqyra në shumën [shuma] lekë.
  3. Fitimi i realizuar nuk do të shpërndahet, por do të mbahet në shoqëri për investime dhe zhvillim të veprimtarisë.

Ngarkohen administratorët e shoqërisë për zbatimin e këtij vendimi dhe për depozitimin e tij pranë administratës tatimore dhe QKB-së brenda afateve ligjore.

Ky vendim u mbajt në dy kopje identike dhe hyn në fuqi në momentin e nënshkrimit.

[Emri i ortakut 1], Ortak _________
[Emri i ortakut 2], Ortak _________

Formati B. Miratimi i pasqyrave dhe shpërndarja e dividendit

Pjesa hyrëse është e njëjtë me Formatin A. Ndryshon vetëm pjesa e vendimit, e cila formulohet kështu.

VENDOSI

  1. Të miratojë pasqyrat financiare për periudhën që mbyllet më 31 dhjetor 2025.
  2. Të miratojë fitimin e paraqitur në këto pasqyra në shumën [shuma] lekë.
  3. Të shpërndajë si dividend shumën [shuma] lekë, në përpjesëtim me kuotat e zotëruara nga secili ortak.
  4. Shoqëria, në cilësinë e agjentit të mbajtjes së tatimit në burim, do të llogarisë, mbajë dhe transferojë tatimin mbi dividendin në masën 8%, në përputhje me ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, neni 56 dhe neni 59, brenda afateve ligjore.
  5. Pagesa e dividendit neto ndaj ortakëve do të kryhet nëpërmjet sistemit bankar [brenda datës / sipas planit të likuiditetit].

Ngarkohen administratorët e shoqërisë për zbatimin e këtij vendimi, për depozitimin e tij pranë administratës tatimore dhe QKB-së, si dhe për deklarimin dhe pagesën e tatimit mbi dividendin brenda afateve ligjore.

Tatimi mbi dividendin. Si llogaritet dhe kur paguhet

Norma e tatimit mbi dividendin është 8% dhe mbahet nga vetë shoqëria si agjent i tatimit në burim. Kujdes te afati, sepse këtu qarkullon ende informacion i vjetëruar. Rregulli i dikurshëm i datës fikse 20 gusht i përkiste ligjit të mëparshëm. Ligji në fuqi nr. 29/2023, neni 56, e llogarit afatin sipas datës së vendimit.

Kur dividendi miratohet por nuk paguhet ende, tatimi mbahet dhe transferohet në fund të muajit të tretë pas muajit në të cilin asambleja ka vendosur shpërndarjen. Kur dividendi paguhet realisht, tatimi deklarohet dhe paguhet deri më datën 20 të muajit që pason muajin e pagesës.

Një shembull i thjeshtë e bën të qartë. Shoqëria miraton më 30 qershor 2026 shpërndarjen e një dividendi prej 1,000,000 lekësh. Tatimi është 80,000 lekë dhe ortakët marrin neto 920,000 lekë. Nëse dividendi nuk u është paguar ende ortakëve, tatimi duhet transferuar jo më vonë se 30 shtatori 2026. Nëse dividendi u paguhet ortakëve në korrik, tatimi deklarohet dhe paguhet deri më 20 gusht 2026.

Dy sqarime plotësojnë tablonë. Nëse asambleja vendos mbartjen e fitimit ose rritjen e kapitalit, tatim dividendi nuk lind fare. Dhe kur dividendin e merr një shoqëri tjetër që zotëron të paktën 10% të kapitalit për një periudhë të pandërprerë prej 24 muajsh, ai përjashtohet nga tatimi sipas nenit 29 të po këtij ligji. Tatimi 8% prek shpërndarjen te ortakët individë.

Nëse nuk jeni të sigurt cili destinim i fitimit është më i favorshëm për situatën tuaj, ne e llogarisim bashkë me numrat e biznesit tuaj.

Si bëhet aplikimi në e-Albania hap pas hapi

Shërbimi quhet “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)” dhe aksesohet me llogarinë e biznesit në e-Albania. Aplikanti duhet të jetë i pajisur me nënshkrim elektronik. Më poshtë gjeni katër hapat e formularit ashtu siç shfaqen në sistem, bashkë me listën e plotë të dokumenteve.

Aplikimi kryhet online dhe zgjat rreth 27 minuta. Më poshtë gjeni katër hapat e formularit ashtu siç shfaqen në sistem, që të dini paraprakisht çfarë ju kërkohet në secilin hap.

HAPI 1. Informacioni mbi subjektin

Sistemi plotëson automatikisht NIPT-in, emrin e subjektit, administratorin, formën ligjore, statusin, adresën dhe kodin NVE. Ju zgjidhni periudhën raportuese (2025) dhe plotësoni email-in, të dhënat e dy viteve të fundit (totali i aktiveve, të ardhurat nga veprimtaria, numri mesatar i punonjësve), tipin e biznesit (p.sh. mikronjësi ekonomike), formatin e pasqyrave (SKK ose SNRF), tipin e pasqyrave (individuale ose të konsoliduara) dhe personin përgjegjës për hartimin e pasqyrave me NIPT-in e subjektit përgatitës.

HAPI 2. Profili i audituesit ligjor dhe grupi

Ky hap plotësohet vetëm nëse subjekti i nënshtrohet auditimit ligjor të detyrueshëm ose vullnetar. Kërkohen të dhënat e audituesit, numri i regjistrit publik dhe data e dorëzimit të auditimit. Këtu deklarohet edhe nëse njësia ekonomike bën pjesë në ndonjë grup. Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla zgjedh “Nuk bën pjesë në ndonjë grup” dhe kalon direkt te hapi tjetër.

HAPI 3. Të dhënat e aplikantit

Plotësohen të dhënat e personit që kryen aplikimin. NID, emri, mbiemri, telefoni dhe email-i. Nëse aplikimin e kryen vetë administratori, shënohet kutia “Aplikanti është i njëjtë me administratorin e subjektit”. Nëse aplikon dikush tjetër, p.sh. kontabilisti, kërkohet edhe dokumenti i autorizimit.

HAPI 4. Ngarkimi i dokumenteve dhe nënshkrimi

Ngarkohen dokumentet sipas listës më poshtë. Çdo skedar duhet të jetë maksimumi 5MB dhe emërtimi nuk duhet të përmbajë simbole si / # ” $ *. Pas ngarkimit klikoni “Dërgo”, pastaj “Dërgo kodin e nënshkrimit” dhe nënshkruani elektronikisht me kodin që merrni në telefon.

Dokumente të detyrueshme

  • Pasqyra e pozicionit financiar (format XLSX)
  • Shënimet e pasqyrave financiare (format PDF)
  • Akti i miratimit të bilancit nga asambleja ose individi tregtar (format PDF)
  • Pasqyra e performancës sipas natyrës ose sipas funksionit (format XLSX)
  • Dokumenti i autorizimit, kur aplikanti nuk është administratori (format PDF)

Dokumente sipas rastit

  • Raporti i audituesit ligjor dhe vendimi për emërimin e tij, për subjektet që auditohen (format PDF)
  • Akti i pagesës së kundërvajtjes administrative, nëse subjekti është gjobitur më parë për mosdepozitim (format PDF)
  • Formë e lirë, për çdo dokument shtesë sqarues (format PDF)

Kujdes. Për pasqyrën e flukseve të mjeteve monetare sistemi kërkon të bashkëlidhet të paktën njëra nga dy variantet, metoda direkte ose metoda indirekte.

Kohëzgjatja e aplikimit rreth 27 minuta  ·  Kosto pa pagesë  ·  Përgjigja nga QKB brenda 1 dite pune, me email dhe te “Hapësira Ime” në e-Albania  ·  Kërkesë paraprake aplikanti duhet të ketë nënshkrim elektronik

HAP SHËRBIMIN NË E-ALBANIA SHKARKO MANUALIN ZYRTAR

Pas dërgimit dhe nënshkrimit elektronik, aplikimi shqyrtohet nga nëpunësi i autorizuar i QKB-së dhe përgjigja, miratim ose refuzim, ju vjen me email dhe te “Profili” në e-Albania brenda një dite pune.

Pse ka rëndësi

Mosdorëzimi nuk mbaron te gjoba 60,000 lekë. Mungesa e pasqyrave shënohet në ekstraktin e regjistrit tregtar, të cilin e shohin bankat kur shqyrtojnë kreditë, partnerët kur verifikojnë bashkëpunimet dhe institucionet kur vlerësojnë tenderët. Njëkohësisht profili juaj i riskut pranë administratës tatimore rëndohet dhe subjekti trajtohet me kontrolle të shtuara.

E kundërta vlen po aq. Një biznes me pasqyra të depozituara rregullisht ndër vite jep sinjal besueshmërie që hap dyer. Kredi me kushte më të mira, partnerë më seriozë dhe qetësi në çdo verifikim. Kostoja për ta arritur është gjysmë ore aplikim dhe një vendim asambleje i përgatitur saktë.

Pyetje të shpeshta

A duhet të dorëzojë pasqyra një SHPK me xhiro nën 5 milionë lekë?

Leximi më i sigurt i ligjit thotë po. Ligji i kontabilitetit nuk parashikon prag xhiroje për shoqëritë dhe kërkon që edhe mikronjësitë të hartojnë pasqyra të shkurtuara. Meqë shërbimi është pa pagesë, dorëzimi ju mbron plotësisht ndërsa pritet qëndrimi zyrtar i QKB-së për këtë kategori.

Nuk e shpërndamë fitimin. A paguajmë tatim dividendi?

Jo. Kur fitimi mbartet në shoqëri ose përdoret për rritje kapitali, tatimi mbi dividendin nuk lind. Vendimi i asamblesë depozitohet gjithsesi te tatimet deri më 31 korrik, edhe kur rezultati është humbje ose zero.

Vendimin për dividendin e morëm në qershor. Deri kur paguhet tatimi?

Nëse dividendi nuk u është paguar ende ortakëve, tatimi 8% transferohet në fund të muajit të tretë pas muajit të vendimit, pra deri më 30 shtator 2026. Nëse dividendi paguhet, tatimi deklarohet dhe paguhet deri më datën 20 të muajit pasardhës të pagesës.

Jam person fizik tregtar. A mund të aplikoj në e-Albania?

Po. Sistemi i pranon aplikimet e personave fizikë. Detyrimi ju takon kur të ardhurat vjetore nga veprimtaria kalojnë 5,000,000 lekë. Nën këtë nivel mbani vetëm regjistrin e thjeshtuar dhe nuk keni detyrim depozitimi.

Çfarë ndodh nëse afati 31 korrik ka kaluar?

Detyrimi nuk shuhet. Paguani gjobën, bashkëlidhni mandatin e pagesës në aplikim dhe dorëzoni pasqyrat sa më parë, sepse çdo vonesë e mëtejshme rëndon profilin e riskut dhe bllokon certifikata të caktuara nga QKB.

Lexo edhe: Si të përgatisësh një plan tatimor për vitin edhe pa qenë ekonomist

Afati i 31 korrikut nuk pret dhe një vendim i gabuar për fitimin kushton më shumë se tatimi vetë. Si ekonomistë të jashtëm, ne i përgatisim pasqyrat, vendimin e asamblesë dhe aplikimin në QKB për ju, si pjesë e abonimit mujor.

SHIKO ÇMIMET

GDPR