Në ditët e sotme, krijimi i një ekipi të suksesshëm është një nga sfidat më të rëndësishme që një organizatë përballet. Ngritja e një ekipi funksional, ku çdo anëtar kontribuon dhe shton vlerë, është jetike për suksesin tonë në punë dhe në jetën e përditshme.
Nga ana tjetër, prania e një anëtari që nuk sjell vlerë, por përkundrazi minon frymën e ekipit, mund të krijojë probleme serioze. Një anëtar që jo vetëm që nuk kontribuon, por edhe ndikon negativisht në këtë ekuilibër, është një pengesë për zhvillimin dhe përparimin e grupit.
Në tregun e librave dhe artikujve mbi këtë temë, një nga veprat më të njohura dhe të respektuara është “The Ideal Team Player” nga Patrick Lencioni. Ky libër i veçantë, që paraqet temën në formën e një fabule, i lejon lexuesit të kuptojnë më mirë konceptet e përfshira dhe t’i përvetësojnë ato në një mënyrë të natyrshme. Kjo qasje e bën leximin më tërheqës dhe më të kuptueshëm për të gjithë.
Tre Cilësitë Kryesore të Një Anëtari Ideal të Ekipit
Lencioni sugjeron se ka tre cilësi thelbësore që një anëtar i ekipit duhet të ketë për të kontribuar në mënyrë të suksesshme në një skuadër. Ato janë:
- Të jetë i etur për të mësuar dhe punuar (Hungry)
Një anëtar ideal i ekipit duhet të jetë gjithmonë i uritur për të mësuar gjëra të reja dhe për të punuar fort. Ky entuziazëm dhe kjo përkushtim janë thelbësore për të siguruar që ai ose ajo të japë gjithmonë më të mirën për ekipin dhe për veten. - Të jetë inteligjent që përshtatet në realitetin e ri (Smart)
Inteligjenca, në këtë kontekst, nënkupton aftësinë për të kuptuar dhe për të vepruar me mençuri në situata të ndryshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërpersonale brenda ekipit. Një anëtar i zgjuar di si të bashkëpunojë me të tjerët dhe si të ndërtojë një mjedis pune pozitiv dhe produktiv. - Të jetë i thjeshtë dhe njerëzor (Humble)
Thjeshtësia dhe përulësia janë cilësi që i lejojnë një anëtari të pranojë gabimet e tij, të mësojë prej tyre dhe të vlerësojë kontributin e të tjerëve. Një anëtar i tillë është gjithmonë i gatshëm të vendosë interesat e ekipit mbi ato personale, duke krijuar kështu një mjedis bashkëpunues dhe harmonik.
Kombinimi i Cilësive dhe Pasojat e Mungesës së Njërës Prej Tyre
Nëse një anëtar i ekipit nuk zotëron një nga këto cilësi, kjo mund të krijojë sfida të mëdha për ekipin dhe për arritjen e objektivave të përbashkëta. Ja disa kombinime dhe pasojat e tyre:
- I etur dhe i thjeshtë, por jo i zgjuar
Një anëtar i tillë është i dedikuar dhe i përkushtuar, por mund të mos ketë aftësinë për të kuptuar dhe për të reaguar në mënyrë të zgjuar ndaj situatave të reja. Kjo mund të çojë në situata ku përpjekjet e tij janë të pamjaftueshme për të arritur rezultate të dëshiruara, dhe ai shpesh do të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga të tjerët. - I thjeshtë dhe i zgjuar, por jo i etur
Një individ i tillë është i aftë dhe i mençur, por mungesa e dëshirës për të punuar më shumë dhe për të tejkaluar detyrat bazë mund të pengojë zhvillimin e tij personal dhe atë të ekipit. Ai mjaftohet me minimumin e nevojshëm, duke mos kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të ekipit. - I zgjuar dhe i etur, por jo i thjeshtë
Ky tip individi është më i rrezikshmi. Ai mund të duket si një anëtar produktiv dhe i vlefshëm, por mungesa e përulësisë dhe thjeshtësisë mund të krijojë tensione brenda ekipit. Ky individ shpesh kërkon të dominojë situatën, duke minuar përpjekjet e të tjerëve dhe duke krijuar një atmosferë të pakëndshme pune.
Përfundim
Gjatë procesit të rekrutimit dhe përzgjedhjes së anëtarëve të ekipit, është e rëndësishme të shikojmë përtej aftësive teknike dhe të fokusohemi në përshtatshmërinë e kandidatit me ekipin. Pyetja kryesore duhet të jetë: A do të kontribuojë ky individ në ndërtimin e një mjedisi pozitiv dhe bashkëpunues, ku secili anëtar i ekipit të ndiejë besim dhe përkushtim ndaj objektivave të përbashkëta?
Nëse përgjigja është po, atëherë kemi gjetur kolegun ideal, një “team player” që do të ndihmojë në arritjen e suksesit afatgjatë të ekipit dhe organizatës tonë.