TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Ndryshimet kryesore të Paketës Fiskale 2019

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpauesit se nga data 1 janar 2019 ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale.

Ndryshimet kryesore ligjore kanë të bëjnë kryesisht me:

  • Procedurat Tatimore
  • Tatimin mbi të Ardhurat
  • Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
  • Taksat Kombëtare.

Konkretisht:

PROCEDURAT TATIMORE

  • Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.
  • Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore.
  • Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”.
  • Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike.
  • Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.
  • Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%.

TATIMI MBI TE ARDHURAT

Tatimi mbi pagat:

0%    për pagën mujore bruto deri 30,000 lekë;

13%  për pagën mujore bruto mbi 30,000 – 150,000 lekë

23%  për pagën mujore bruto mbi 150,000 lekë

Burimi i të ardhurave: Do të konsiderohen të ardhura me burim në Shqipëri edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident.

Tatimi mbi Fitimin: Tatimit mbi Fitimin do t’i nënshtrohet edhe çdo person jorezident, që nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat.

Personi joresident, duhet të përgatisë një deklaratë të të ardhurave të tatueshme, e cila duhet dorëzuar brenda datës 31 mars të vitit pasues.

Shpenzime të panjohura: Do të konsiderohen të panjohura shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.

Tatimi mbi Dividentin: Do të aplikohet shkalla tatimore 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që:

  • tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;
  • tatimi për divitdentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Kujdes! Në rast se nuk zbatohen kushtet e mësipërme  tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividetin.

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

Ka ndryshime në shkallët tatimore në masën:

  • 6% për furnizimet e shërbimit të reklamave nga media audiovizive;
  • 6% për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me kapacitet 9+1 vende ose me shumë, me motor elektrik, deri në 31/12/2021. Nga data 1/1/2022 shkalla tatimore bëhet 10%.
  • 6% për furnizimin e librave të çdo lloji.

Nënkontraktorët e Regjimit të Përpunimit Aktiv: Do të aplikohet shkallë tatimore 0%, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, nga personat e tatueshëm të autorizuar dhe nënkontraktorët e tyre, mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacionet nën regjimin e përpunimit aktiv.

Norma e kompensimit të fermerëve: Do të aplikohet norma prej 6%, për kompensimin e fermerëve.

Përjashtimet nga TVSH-ja: Listës së përjashtimeve nga TVSH-ja i shtohen:

  • furnizimi i makinave bujqësore;
  • furnizimi i inputeve bujqësore;
  • furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake;
  • importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave.

TAKSAT KOMBËTARE

  • Taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare.
  • Taksa e ambalazheve prej qelqi për ambalazhet e importuara dhe të prodhuara në vend, në masën 5 lekë/kg
  • Taksa e lëndëve të para në formë primare të importuar dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, në masën 25 lekë/kg.

Njoftimi nga DPT https://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/847/ndryshimet-kryesore-te-paketes-fiskale-2019

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online