Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit se procesi i aplikimit për përfitimin e ndihmës financiare të Paketës së 2-të, sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020 (Paketa nr.2) është në vijim.
Duke qenë se aplikimi për punonjësit përfitues duhet të kryhet nga subjektet, të cilët plotësojnë kushtet sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje të gjithë subjekteve, të cilët nuk kanë aplikuar ende, se duhet të plotësojnë formularin e “Kërkesës” në llogarinë e-filling për përfitimin e ndihmës financiare për punonjësit e tyre.
Masat përfituese sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020 janë si me poshte:
Masa 1
- Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.
Masa 2
- Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.
Masa 3
- Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)
Masa 4
- Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.
Aplikimet për përfituesit e masave 1 dhe 4 do të verifikohen dhe trajtohen nga DRT, ndërsa trajtimi i aplikimeve për subjektet përfitues të masave 2 dhe 3 është automatik. Me dorëzimin e Formularit të plotësuar, në seksionin “Statusi” shfaqet shënimi Miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës Financiare prej 40.000 lekësh, sipas VKM nr. 305, datë 16.04.2020.
Duke qenë se aktualisht janë 2245 subjekte përfitues për masën 2 dhe 10645 subjekte përfitues për masën 3, të cilët ende nuk e kanë plotësuar “Kërkesën” për përfitim të ndihmës financiare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje të gjithë subjekteve për të plotësuar këtë “Kërkesë”.
Duke klikuar në linkun e mëposhtem ju mund të njiheni me mënyrën e aplikimit për dorëzim të Kërkesës për Përfitim të ndihmës financiare sipas paketës nr.2.