TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349

Zyrtarizohet garancia e dytë shtetërore, kredi deri në 300 milionë lekë, interes deri në 5%

Është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi për miratimin e fondit të garancisë prej 15 000 000 000 (pesëmbëdhjetë miliardë) lekë, në favor të bankave tregtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

Linja e garancisë shtetërore, që lëshohet në favor të secilës bankë tregtare, është, si më poshtë vijon:

  • Raiffeisen Bank sh.a. Albania, deri në vlerën 2 600 000 000 lekë;
  • Banka Tirana sh.a. deri në vlerën 850 000 000 lekë;
  • Banka Union sh.a. deri në vlerën 800 000 000 lekë;
  • Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. deri në vlerën 1 200 000 000 lekë;
  • Banka Kombëtare Tregtare sh.a. deri në vlerën 2 550 000 000 lekë;
  • Banka OTP Albania sh.a. deri në vlerën 1 450 000 000 lekë;
  • Banka Procredit sh.a. deri në vlerën 600 000 000 lekë;
  • Banka Alpha Albania sh.a. deri në vlerën 950 000 000 lekë;
  • Banka Amerikane e Investimeve sh.a. deri në vlerën 650 000 000 lekë;
  • Banka Credins sh.a. deri në vlerën 2 800 000 000 lekë;
  • Banka e Bashkuar e Shqipërisë sh.a. deri në vlerën 150 000 000 lekë;
  • Banka e Parë e Investimeve, Albania sh.a. deri në vlerën 400 000 000 lekë.

Qëllimi i skemës së garancisë është që të stimulojë huadhënien nga bankat tregtare që operojnë në Republikën e Shqipërisë, për t’i mundësuar tregtarëve ose shoqërive tregtare financimin e nevojshëm për të rimëkëmbur aktivitetin e tyre tregtar, i cili është prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

GARANCIA

  1. MFE-ja merr përsipër të garantojë Huadhënësin deri në vlerën [XXXXXX] (me fjalë) lekë (“Vlera e Garancisë”), sipas kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara shprehimisht në këtë Marrëveshje. Vlera e Garancisë përfaqëson shumën maksimale të pagesave që do të kryhen nga MFE-ja për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj Huadhënësit që burojnë nga Huatë që do t’i nështrohen kësaj skeme garancie.
  2. MFE-ja merr përsipër të garantojë deri në Vlerën e Garancisë të cituar në pikën pikën 1 të këtij neni, 60% të principalit të çdo Huaje që Huadhënësi do t’u lëvrojë Huamarrësve sipas kushteve që pasojnë në këtë Marrëveshje.
  3. “Vlera e Garantuar e Huasë” do të jetë shuma maksimale e garantuar nëpërmjet kësaj Marrëveshje përkatësisht për secilën nga Huatë e lëvruara nga Huadhënësi, në zbatim të kushteve të kësaj Marrëveshje dhe e cila do të jetë e barabartë me prodhimin e principalit të Huasë me përqindjen e principalit të garantuar nga MFE-ja sipas pikës 2 të këtij neni.
  4. Në asnjë rast, MFE-ja nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga Huatë që Huadhënësi do t’i lëvrojë Huamarrësve.
  5. Shuma maksimale e akumuluar e Vlerës së Garantuar të Huasë që buron nga disbursimet e Huave dhe e përllogaritur sipas pikës 3 të këtij neni, nuk duhet të tejkalojë Vlerën e Garancisë të cituar në pikën 1 të këtij neni. Çdo disbursim i ri i ndonjë Huaje që tejkalon vlerën e sipërcituar nuk garantohet nga kjo Marrëveshje, me përjashtim të rastit kur shuma totale e Vlerës së Garantuar të Huasë, së bashku me Vlerën e Garantuar të Huasë që buron nga disbursimi i ri nuk tejkalon Vlerën e Garancisë.
  6. Në rastin kur Huadhënësi e ka ezauruar të gjithë Vlerën e Garancisë në dispozicion të tij sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni, Huadhënësi duhet të njoftojë me shkrim MFE-në brenda një afati prej 5 (pesë) ditë pune.
  7. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.

Kriteret e kualifikimit të Huamarrësve dhe kriteret për përfitimin e Huasë

Huadhënësi do të japë Hua të garantuar sipas kësaj Marrëveshje, vetëm Huamarrësve, të cilët plotësojnë kriteret si më poshtë:

  1. a) Huamarrësi duhet të jetë tregtar ose shoqëri tregtare i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në përputhje me ligjin 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar dhe ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, dhe struktura e kapitalit të zotërohet 100% nga subjekte jopublike.
  2. b) Huamarrësi mund të jetë subjekt që ushtron veprimtarinë tregtare në të gjithë sektorët e ekonomisë, me kusht që veprimtaria e tij tregtare të jetë prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, nëpërmjet mbylljes së përkohshme të aktivitetit tregtar ose nëpërmjet ndikimit me ulje të aktivitetit tregtar.
  3. c) Huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara për 3 periudhat tatimore njëkohësisht dhjetor 2019, janar-shkurt 2020, përjashtuar tatimpaguesit të cilët kanë lidhur marrëveshje për pagimin me këste të detyrimeve tatimore si dhe tatimpaguesit, detyrimet e papaguara të të cilëve janë në proces apelimi në të gjitha shkallët.
  4. Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë është për t’i mundësuar Huamarrësit fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është prekur nga situata e krijuar nga COVID-19. Në asnjë rast fondet e Huasë nuk do të përdoren për të financuar veprimtari të jashtëligjshme, apo për të rifinancuar hua të tjera.
  5. Huamarrësi duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit
  6. Huamarrësi duhet të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit që do t’i vendoset në dispozicion nga Huadhënësi, nëpërmjet të cilit deklaron se
  7. Nuk ka aplikuar dhe nuk ka marrë ndonjë Hua tjetër që mbulohet nga kjo skemë garancie;
  8. Fondet e Huasë do të përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
  9. Huamarrësi duhet të dorëzojë kërkesën e aplikimit për Hua pranë Huadhënësit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike nga data e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje.
  10. MFE-ja gëzon të drejtën që në çdo moment të rishikojë, shtojë ose heqë çdonjërin prej kritereve të cituara në pikat e mësipërme të këtij neni, duke vendosur në dijeni paraprakisht Huadhënësin. Ky ndryshim do të bëhet efektiv menjëherë pas marrjes së njoftimit me shkrim të MFE-së nga Huadhënësi. Asnjë ndryshim i bërë në përputhje me këtë pikë nuk do të ndikojë mbi Huamarrësit, Huaja e të cilëve është aprovuar përpara datës së bërjes efektive të këtij ndryshimi.
  11. Me përjashtim të rasteve të veçanta, ashtu si përcaktohet në pikën 6 të këtij neni, Huadhënësi në asnjë rast nuk do të aprovojë kërkesat për Hua të Huamarrësve, të cilët nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikat 1-5 të këtij neni.

Detyrimet e Huadhënësit

  1. Huadhënësi merr përsipër të përdorë format e aplikimit, të cilat garantojnë sigurimin e të gjithë informacionit të cituar në nenin 3 të kësaj Marrëveshjeje, sipas praktikave të tij bankare për këto produkte.
  2. Huadhënësi mban përgjegjësi për plotësimin e dokumenteve të aplikimit për hua dhe mban kopje të këtyre dokumenteve në arkivat e veta.
  3. Huadhënësi merr masat që stafi i burimeve njerëzore, i cili do të angazhohet me huadhënien të ketë ekspertizën e duhur dhe të jetë familjar me politikat dhe procedurat e kësaj skeme garancie.
  4. Huadhënësi do t’i trajtojë huatë që do të jenë pjesë e kësaj Marrëveshjeje me profesionalizëm dhe në përputhje me kriteret dhe procedurat e brendshme që ai aplikon gjatë aktivitetit të tij të zakonshëm të kredidhënies për produkte bankare tregtare të ngjashme, si edhe në përputhje me përmbajtjen e nenit 3 të kësaj Marrëveshjeje.
  5. Huadhënësi do të bëjë vlerësimin e riskut të kreditit të Huamarrësve në përputhje me standartet dhe legjislacionin bankar, duke i’u referuar gjendjes financiare të Huamarrësit jo më vonë se muaji shkurt 2020.
  6. Huadhënësi duhet të regjistrojë Huanë menjëherë pas lëvrimit në regjistrin e kredive me një emërtim të vecantë “Kredi për kapital qarkullues dhe investime brenda skemës së garancisë shtetërore për situatën e COVID-19”.
  7. Huadhënësi ka detyrimin të verifikojë nëpërmjet regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë në momentin e aplikimit për Hua, si edhe përpara disbursimit të Huasë, nëse Huamarrësi është përfitues i ndonjë Huaje brenda të njëjtës skemë garancie nga Huadhënës të tjerë. Gjithashtu, Huadhënësi në përputhje me nenin 3, pika 4, duhet t’i vendosë në dispozicion Huamarrësit formularin e vetëdeklarimit, sipas formës dhe përmbajtjes që Huadhënësi e gjykon të arsyeshme.
  8. Në rast se Huamarrësi ka marrë një Hua për të njëjtën skemë garancie nga një Huadhënës tjetër, çdo hua tjetër e aprovuar pas Huasë së parë nuk do të jetë objekt i kësaj Marrëveshjeje.
  9. Huadhënësi nuk duhet të favorizojë ndonjë prej Huamarrësve, mbi bazën e kritereve të tij preferenciale.
  10. Huadhënësi duhet të vendosë në dispozicion të MFE-së (ose çdo strukture tjetër të autorizuar nga MFE-ja për këtë qëllim), me kërkesë të kësaj të fundit, kopje të dosjeve, të ekstrakteve, të dokumenteve, të dhënave të regjistruara dhe të shkresave të të gjitha Huave që i nënshtrohen kësaj Marrëveshje Garancie.
  11. Huadhënësi, shqyrton dokumentacionin e nevojshëm dhe aprovon Huanë në përputhje me afatet dhe procedurat e tij të brendshme, si dhe garanton kalimin e fondeve në llogarinë e Huamarrësit, sipas pikës 1 të nenit 5, si dhe përdorimin e Huasë për qëllimin e mbuluar nga Garancia Shtetërore për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të Huamarrësit, i cili është prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Termat dhe kushtet e Huasë

  1. Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300,000,000 (treqind milion) lekë.
  2. Pavarësisht pikës 1, në asnjë rast shuma e Huave me vlerë më të lartë se 150,000,000 (njëqind e pesëdhjetë milion) lekë nuk duhet të jetë më e lartë se 50% e shumës së Huave të akorduara nën këtë Marrëveshje.
  3. Afati i Huasë duhet të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 (pesë) vite.
  4. Huaja mund të jetë në formën e kredisë, overdraft-it, ose linjës së kredisë, e vlerësuar kjo në përputhje me nivelin e riskut të kredisë dhe preferencat e Huamarrësit.
  5. Pavarësisht produktit me të cilin do të ofrohet Huaja, periudha pa pagesë principali nuk do të jetë më pak se 6 muaj, me përjashtim të rasteve kur Humarrësi preferon një periudhë më të shkurtër.
  6. Në rastet e parapagimit të Huasë, Huadhënësi nuk duhet të aplikojë komision, penalitet apo cfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e Huasë.
  7. Monedha e Huasë duhet të jetë në monedhën vendase (lekë).
  8. Huadhënësi duhet të ofrojë Huanë me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me: (i) normën mesatare të interesit të tre bonove të thesarit 12 mujore më të fundit të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë (referenca/indeksi), plus (ii) një marzh deri në 3.0% në varësi të afatit të Huasë dhe produktit me të cilin do të ofrohet Huaja. Norma vjetore e interesit do të jetë e ndryshueshme mbi bazë vjetore në varësi të referencës/indeksit, por duke parashikuar shprehimisht që në asnjë rast norma vjetore e interesit të mos tejkalojë vlerën prej 5.0%.
  9. Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin Huamarrës gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga Huamarrësi, por në asnjë rast masa e alokuar e kolateralit duke përfshirë edhe Vlerën e Garantuar të Huasë sipas kësaj Marrëveshjeje nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të Huadhënësit.
  10. Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Huadhënësit dhe Huamarrësit, në përputhje me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Termat dhe kushtet e percaktuara në Marrëveshjen e Huasë të cilat bien në kundërshtim me këtë Marrëveshje do të konsiderohen të pavlefshme dhe nuk do të prodhojnë asnjë efekt kundrejt MFE-së.
  11. Asnjë transferim i të drejtave apo detyrimeve të Huadhënësit që burojnë nga kjo Marrëveshje ose nga Marrëveshja e Huasë nuk mund t’i transferohet palëve të treta pa marrë paraprakisht aprovimin me shkrim të MFE-së.
  12. Për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë, që mund të bëhet në marrëveshjen ndermjet Huadhënësit dhe Huamarrësit brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, nuk është i nevojshëm miratimi i MFE-së, me kusht që këto ndryshime nuk do të kenë asnjë efekt në të drejtat e Huadhënësit kundrej MFE-së, sipas kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje. Huadhënësi do të njoftojë me shkrim MFE-në (ose çdo strukturë të autorizuar nga MFE-ja) për çdo ndryshim, rinovim apo ristrukturim të Marrëveshjes së Huasë.
  13. Huadhënësi është përgjegjës që totali i shumës së Vlerës së Garantuar të Huave, të mos tejkalojë Vlerën e Garancisë të lëshuar nga MFE-ja në favor të tij sipas nenit 2 të kësaj Marrëveshjeje. Në asnjë rast, tejkalimi i Vlerës së Garancisë nuk do të përbëjë detyrim për MFE-në.
  14. Huaja do të quhet e përfunduar dhe nuk do të jetë më objekt i kësaj Marrëveshjeje vetëm pasi të jetë paguar plotësisht nga Huamarrësi në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së Huasë. Huadhënësi duhet të njoftojë me shkrim MFE-në për të gjitha Huatë e përfunduara brenda një afati prej 10 (dhjetë) ditësh kalendarike nga data e përfundimit të tyre
Burimi: Monitor.

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online