Shtyhet afati për depozitimin e llogarive bankare deri në datë 28 Tetor 2019.

Në sqarim të ndryshimeve të fundit ligjore, mbi detyrimin e tatimpaguesve për të hapur llogari bankare, sjellim edhe një herë në vëmendje se subjekte të përfshira janë:

  • Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë aktivë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar;
  • Tatimpaguesit persona juridikë aktivë pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë;
  • Organizatat jo-fitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.

Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore deri më datë 28 Tetor. Afati shtyhet për në datë 28 Tetor, pasi data 26 është ditë pushimi. Administrata Tatimore ju ka bërë me dije se këto të dhëna do të mund t’i dorëzoni, duke i plotësuar në llogarinë tuaj të deklarimit elektronik në E-filing.

Në menunë “e-Filing Im”, zgjidhni nën menunë “Profili Im” dhe në rubrikën  “Detajet Bankare”, ndiqni këto hapa:

  • Në dritaren pop up që shfaqet duhet të zgjidhni emrin e bankës suaj;
  • Plotësoni kutinë me të dhënat e IBAN, duke u kujdesur që të regjistroni të dhënat e sakta;
  • Zgjidhni llojin e monedhës në të cilën keni llogarinë tuaj bankare;
  • Plotësoni datën, prej së cilës është e vlefshme llogaria juaj;
  • Nëse dëshironi mund të ngarkoni dokumente që dëshmojnë për hapjen e llogarisë bankare që po deklaroni;
  • Ruaj të dhënat dhe deklarimi juaj është kryer me sukses.

Kjo procedurë përsëritet për çdo llogari që do të deklaroni.

Tatimpaguesit e rinj  janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në të njëjtën mënyrë në Administratën Tatimore.

Theksojmë se, përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.

Theksojmë dhe një herë se, tatimpaguesit të cilët janë me status pasiv, nuk kanë detyrim ligjor për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore. Nëse në vijim tatimpaguesi kalon në statusin aktiv, atëherë duhet të hapë dhe deklarojë  llogarinë bankare në Administratën Tatimore.

Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, Ligji nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon sanksione për tatimpaguesit.

Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit, subjekte të këtyre përcaktimeve ligjore, të përmbushin në mënyrë vullnetare këtë detyrim ligjor brenda afateve e të shmangin penalitetet.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Related Posts

Write a comment