Në kuadër të vijimësisë së proçesit të fiskalizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë subjektet e fushës së Teknologjisë së Informacionit, mbi krijimin e komisionit të përbashkët të çertifikimit të prodhuesve/mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike.
Në zbatim të VKM Nr.239, datë 20.03.2020 “Për kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software-ike për proçedurën e faturimit dhe të fiskalizimit si dhe proçedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike”, është firmosur urdhëri i përbashkët midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për emërimet në komisionin e përbashkët çertifikues, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë për aplikim dhe çertifikim të çdo subjekti të interesuar.
Në shoqërim të urdhërit të përbashkët është firmosur edhe rregullorja e përbashkët mbi saktësimin e procedurave të çertifikimit me qëllim qartësimin e të gjithë hapave të proçesit të çertifikimit duke filluar nga aplikimi e deri tek marrja e çertifikatës.
Në zbatim të kësaj rregulloreje ngarkohet grupi i përbashkët i punës me specialistë sipas fushave përkatëse i cili do të shqyrtojë kërkesat e cdo aplikanti, të dhënat dhe dokumentacionin e paraqitur si dhe vetë zgjidhjen e softuerit.
Theksojmë se, aplikimi për çertifikimin kryhet pranë Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit nëpërmjet Platformës së Ndërveprimit Qeveritar e-Albania.
Administrata Tatimore nxit të gjithë subjektet e interesuara që të bëjnë aplikimin për çertifikimin duke u bërë kështu pjesë e proçesit shumë të rëndësishëm të fiskalizimit.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Shkarko: DP Tatimeve urdher i perbashket