Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat e individëve.
- Individët rezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore, për të gjitha burimet e të ardhurave.
- Individët jorezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore, për burimet e të ardhurave, të realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Të ardhura të tatueshme:
- pagat dhe shpërblimet e tjera, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës;
- të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqërinë tregtare;
- të ardhurat nga interesat bankare apo ato të përfituara nga letrat me vlerë;
- të ardhurat që rrjedhin nga e drejta e autorit dhe pronësia intelektuale;
- të ardhurat nga enfiteoza, huaja dhe qiratë;
- të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme;
- të ardhurat e individëve nga lojërat e fati dhe kazinotë;
- të ardhurat e realizuara nga diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së kuotave ose aksioneve, që një ortak ose aksioner zotëron dhe ja shet një personi tjetër;
- të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë, ndërkohë që kanë qenë objekt tatimi dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave. Procedurat përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave;
- të ardhura të tjera, që nuk identifikohen në format e paraqitura.
Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat
Të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit tatohen sipas tabelës së mëposhtme:
Shkalla tatimore e tatimit mbi pagat:
Paga | Tatimi |
0 – 30,000 | 0 |
30,001-150,000 | 13% të shumës mbi 30,000 lek |
150,001 | 15,600 lek + 23% të shumës mbi 150,000 lek. |
Çdo punëdhënës, që paguan për punëmarrësin një pagë a shpërblim, mban tatimin mbi të ardhurat personale, dhe e derdh tatimin e mbajtur në favor të organeve tatimore, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës të kryerjes së pagesës.
Personat rezidentë në Shqipëri, organet e qeverisjes qëndrore e vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim në masën 15% nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht:
- dividendët;
- ndarjet e fitimit;
- interesat;
- pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale;
- pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit;
- pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;
- pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to;
- pagesat për qeratë;
- pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, për shfaqjet e tyre;
- të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.
(shkarko ligjin në fund të faqes)
Paguesi i shumave është i detyruar të mbajë regjistrime për llogaritjen dhe mbajtjen e tatimit në burim për çdo përfitues të ardhurash dhe t’i vërë ato në dispozicion të organeve tatimore dhe të personit përfitues të të ardhurave, për të cilin është bërë pagesa.
Personi rezident i regjistruar për qëllime tatimore, i cili kryen pagesat e parashikuara në nenin 33 të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”, deklaron dhe paguan tatimin e mbajtur në burim, në masën 15% të shumave bruto të pagesave, deri në datën 20 të muajit që pason muajin e pagesës.
Përjashtim nga ky rregull bën deklarimi dhe pagesa e tatimit në burim për:
- dividendët, si dhe
- për faturat e palikuiduara për shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi.
Kujdes
- Për dividendët, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur në burim bëhet brenda datës 20 gusht të çdo viti, pavarësisht nga koha kur do të kryhet pagesa e dividendëve për përfituesit.
- Për faturat e palikuiduara për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur duhet të bëhet brenda datës 20 dhjetor të periudhës tatimore, pavarësisht nga koha kur do të kryhet likuidimi i tyre.
Nuk mbahet tatimi në burim të pagesave të kryera për:
- personat rezidentë shqiptarë, të regjistruar si tatimpagues të tatimit mbi fitimin dhe të tatimit mbi vlerën e shtuar ose personat e regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël;
- dividendët dhe shpërndarjet e tjera të fitimit për Pjesëmarrjet që përjashtohen me ligj nga tatimi mbi fitimin të ligjit;
- pagesat e bëra personave jorezidentë për shërbimet për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave.