Shpenzimet e zbritshme
Shpenzimet e zbritshme janë të gjitha shpenzimet e kryera nga një person që i nënshtrohet këtij ligji gjatë vitit tatimor, në masën që këto shpenzime për blerje mallrash apo shërbimesh kryhen realisht për qëllim të realizimit të fitimit dhe në interes të biznesit, që janë të dokumentuara nga tatimpaguesi dhe që nuk janë objekt i ndonjë kufizimi të përcaktuar me këtë ligj. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim mënyrën e zbatimit të këtij neni.
Shpenzime të zbritshme për tokën që shkëmbehet për ndërtim
Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të sipërmarrjeve që operojnë në ndërtimin dhe/ose shitjen e ndërtesave për qëllime strehimi, veprimtari prodhuese, tregtare ose veprimtari të shërbimit, metodologjia për njohjen e të ardhurave nga shitja dhe shpenzimeve të veprimtarisë, si dhe konsiderimi i pjesës përfituese të pronarëve të truallit dhe vetë kostove të truallit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shpenzimet jo të zbritshme dhe kufizimi i zbritjes
- Shpenzimet e mëposhtme nuk janë të zbritshme:
a) kostot e blerjes dhe përmirësimit të tokës dhe shesheve të ndërtimit;
b) kostoja e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të amortizueshme;
c) shpenzimet e amortizimit sipas rregullave të kontabilitetit dhe nenit 51 të këtij ligji;
ç) zmadhimi i kapitalit themeltar të shoqërisë ose të kapitalit kontribues në një partneritet;
d) dividendët për aksionarët ose ortakët, si dhe dividendët e entiteteve të tjera që i nënshtrohen këtij ligji;
dh) interesat e paguara që tejkalojnë normën mesatare vjetore të interesit 12-mujor të kredisë të vendosur nga bankat tregtare, siç publikohet zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë, përjashtuar interesat e kredive të dhëna nga institucionet e mikrokredisë;
e) gjobat dhe dënimet që i paguhen një autoriteti publik për shkelje të legjislacionit;
ë) shpenzimet për krijimin ose rritjen e provigjioneve, rezervave apo fondeve të tjera speciale, përveç kur kjo është e përcaktuar ndryshe me këtë ligj;
f) tatimi mbi fitimin korporativ, TVSH-ja e kreditueshme, si dhe akciza e paguar nga subjektet që administrojnë mallra akcize;
g) shpenzimet e përfaqësimit dhe shpenzimet për pritje-përcjellje që tejkalojnë 0,3 për qind të të ardhurave vjetore. Për tatimpaguesit eksportues, përjashtuar prodhuesit me material porositësi, të cilët në 3 vjetët e fundit kanë realizuar mbi 70 për qind të të ardhurave nga eksporti, shpenzimet e dokumentuara, të kryera për pjesëmarrje, prezantim në panaire apo ekspozita jashtë vendit, njihen si shpenzime të zbritshme deri në masën 3 për qind të të ardhurave vjetore.
gj) shpenzimet e kryera si konsum personal nga aksionerët, ortakët, administratorët dhe familjarët e tyre;
h) shpenzimet të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore në fuqi;
i) dhuratat dhe donacionet;
j) shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit të faturuara nga jorezidentë, në qoftë se nuk paguhen nga tatimpaguesi brenda periudhës së dorëzimit të deklaratës tatimore. Në rast se shpenzime të tilla paguhen më vonë, ato janë të zbritshme në vitin tatimor kur ato paguhen;
k) shpenzimet për pagat, shpërblimet dhe forma të tjera të të ardhurave personale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës, të paguara të punësuarve, duke përfshirë administratorët dhe që nuk janë bërë nëpërmjet sistemit bankar ose institucioneve të parasë elektronike të licencuara nga Banka e Shqipërisë;
l) shumat e paguara me para në dorë në tejkalim të kufijve të përcaktuar nga dispozitat e ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë;
ll) shpenzimet e sigurimit të jetës dhe shëndetit të punonjësve të tatimpaguesit që tejkalojnë 5% të pagave bruto të tyre për vitin tatimor;
m) bursat që jepen për nxënësit dhe studentët e institucionit arsimor publik dhe privat ndryshe nga ato të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
n) shpenzimet për kontributet e bëra nga punëdhënësi në emër të punonjësve të tij në një plan pensioni privat, që tejkalojnë kufizimet e pikës 5 të nenit 20 të këtij ligji;
nj) shpenzimet e lidhura me të ardhurat, të cilat nuk janë përfshirë në fitimin e tatueshëm në bazë të këtij ligji;
o) mitdhëniet dhe ryshfetet;
p) shumat e sponsorizuara:
i. që tejkalojnë masën 5 për qind të fitimit para tatimit për botuesit e shtypit dhe botimet e
veprave letrare, shkencore, enciklopedike, si dhe për veprimtaritë kulturore apo artistike;
ii. që tejkalojnë masën 5 për qind të fitimit para tatimit për veprimtaritë sportive. Shumat e sponsorizuara, brenda kufirit të mësipërm për veprimtaritë e ekipeve sportive, pjesë të organizatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. Mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme nuk lejohet. Kjo zbritje lejohet pas lëshimit të “Autorizimit të sponsorizimit” nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat. Kjo dispozitë zbatohet vetëm për entitetet
sponsorizuese, të cilat realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë,
iii. që tejkalojnë masën 3 për qind të fitimit para tatimit për sponsorizimet e veprimtarive të tjera, që nuk përfshihen në nënndarjet “i” dhe “ii” të kësaj shkronje;
q) humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot gjatë prodhimit, tranzitimit, magazinimit, tregtimit tej rregullave të përcaktuara në akte të veçanta ligjore dhe nënligjore që janë në fuqi;
r) çdo shpenzim i pretenduar, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi apo që nuk përfaqëson një transaksion real. - Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim mënyrën e zbatimit të këtij neni.