TiranëTiranëDurrës E Hënë – E Premte 08:30 – 17:00 +355693232349 E Hënë – E Shtunë 08 – 18 +355693232349
Familje me fëmijë – rimbursimi për fëmijët dhe shpenzimet arsimore përmes Deklaratës Vjetore DIVA

Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) është formulari vjetor ku individët deklarojnë të gjitha të ardhurat e tyre dhe llogarisin tatimin që duhet paguar ose rimbursuar. Qëllimi i DIVA-s është të sigurojë një llogaritje përfundimtare të tatimit mbi të ardhurat personale, duke marrë parasysh të gjitha burimet e të ardhurave dhe zbritjet ligjore të lejuara. Me ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat (Ligji Nr. 29/2023) janë shtuar lehtësi fiskale që prekin familjet me fëmijë – konkretisht, rimbursime për shpenzimet e rritjes dhe arsimimit të fëmijëve. Më poshtë do të shpjegojmë se si funksionon kjo skemë, kush përfiton, çfarë ka ndryshuar dhe si ta plotësosh vetë deklaratën vjetore për të marrë përfitimin e mundshëm.

Çfarë është DIVA dhe pse duhet ta dorëzosh?

DIVA është deklarata vjetore e të ardhurave personale. Nëse ti ke realizuar mbi një prag të caktuar të ardhurash, ke pasur më shumë se një punëdhënës dhe ke të ardhura të cilat nuk janë tatuar; ligji të detyron ta dorëzosh këtë deklaratë brenda afatit (deri më 31 mars të vitit pasardhës). Qëllimi është që administrata tatimore të bëjë llogaritjen e tatimit – d.m.th. të krahasojë sa tatim ke paguar gjatë vitit (p.sh. të mbajtur nga paga jote çdo muaj) me sa duhej të paguaje në total, duke llogaritur të gjitha të ardhurat së bashku.

Nëse gjatë vitit ke paguar më pak tatim se sa duhej, do të dalë një detyrim për pagesë shtesë. Nëse ke paguar më shumë sesa duhej (p.sh. sepse ke përfituar zbritje tatimore shtesë), atëherë krijohet një tepricë kreditore – pra tatimet të kanë borxh para për t’i kthyer mbrapsht si rimbursim. Në këtë mënyrë, DIVA siguron që çdo individ në fund të vitit paguan saktësisht tatimin e ligjshëm, as më shumë e as më pak.

Kush është i detyruar të deklarojë? Sipas ligjit të ri, duhet të plotësosh DIVA-n nëse plotëson të paktën një nga kushtet e mëposhtme:

Të ardhurat e larta

Ke të ardhura bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë (nga çdo burim: pagë, qira, divident, interesa bankare, fitime kapitale, lojëra fati, etj.). Ky prag ishte 2 milionë lekë, por është ulur në 1.2 milionë duke filluar me të ardhurat e vitit 2024.

Punësim i shumëfishtë

Ke qenë i punësuar te më shumë se një punëdhënës njëkohësisht, pavarësisht shumës totale të të ardhurave. Edhe nëse paga jote e kombinuar është nën 1.2 milionë lekë, fakti që ke pasur dy (ose më shumë) paga paralele të detyron të deklarosh, sepse tatimi duhet rillogaritur mbi totalin.

Të ardhura të patatueshme gjatë vitit

Ke realizuar të ardhura mbi 50,000 lekë që nuk janë tatimuar në momentin e pagesës. Kjo vlen p.sh. për të ardhura nga qiraja (kur qiramarrësi është individ dhe s’është mbajtur tatim), të ardhura nga jashtë vendit, ose çdo të ardhur tjetër ku s’të është mbajtur tatimi në burim. Këto raste tani duhen deklaruar dhe tatimuar përmes DIVA-s.

Edhe personat jo-rezidentë që kanë realizuar të ardhura të tatueshme në Shqipëri duhet të dorëzojnë këtë deklaratë.

Nëse ti nuk e dorëzon fare deklaratën brenda afatit ligjor, gjobitesh me 3,000 lekë. Po ashtu, nëse nga deklarata rezulton që ke pasur tatime për të paguar dhe s’i ke paguar në kohë, do të ngarkohesh me kamatëvonesa dhe penalitete për vonesën. Pra, është e rëndësishme ta dorëzosh në kohë DIVA-n nëse je i detyruar – jo vetëm për të shmangur gjobat, por edhe sepse përfiton rimbursimet apo zbritjet tatimore që të takojnë.

Si funksionon rimbursimi për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore të fëmijëve?

Lehtësitë më të reja fiskale (të vendosura nga ligji i ri) lidhen me kompensimin tatimor për familjet me fëmijë në ngarkim. Kjo skemë fillon e zbatohet për të ardhurat e vitit 2025 e në vazhdim, që do thotë se për herë të parë do ta shohim në praktikë në deklaratën që dorëzohet në mars 2026. 

Si funksionon? Kur plotëson DIVA-n, do të kesh mundësi të deklarosh një shumë të caktuar si shpenzim i zbritshëm për çdo fëmijë nën 18 vjeç dhe për shpenzimet arsimore të tyre. Këto shpenzime të deklaruara ulen nga baza tatimore vjetore, rillogaritet tatimi i ri mbi paga, dhe krahasohet me tatimin që ke paguar gjatë vitit. Nëse tatimi i rillogaritur del më i ulët se ai që ke paguar gjatë vitit, diferenca të kthehet mbrapsht si rimbursim nga administrata tatimore.

Pra, nuk është se shteti të jep një shumë fikse parash direkt për çdo fëmijë, por të ul tatimin e paguar duke llogaritur 48,000 lekë më pak të ardhura të tatueshme për çdo fëmijë dhe deri 100,000 lekë shpenzime arsimore si të zbritshme. Kjo ulje në bazën tatimore bën që tatimi i ri i llogaritur të dalë më i vogël sesa tatimi që ishte mbajtur pa këto zbritje. 

Shembull: Nëse gjatë 2025-ës paga jote është tatimuar çdo muaj normalisht, kur të deklarosh në 2026 dhe të zbresësh shpenzimet për fëmijët, mund të rezultojë që ke paguar, fjala vjen, 30 mijë lekë më shumë tatim sesa duhej. Këtë diferencë prej 30 mijë lekësh ke të drejtë ta rimarrësh nga tatimet.

Administrata Tatimore ka bërë të ditur se, pasi të plotësosh deklaratën me këto zbritje në mars, nëse rezulton tepricë kreditore (tatim i mbipaguar), mund të bësh kërkesë dhe brenda 3 muajve të marrësh paratë e rimbursimit. Pra, praktikisht, paratë që ke paguar tepër në tatim do të t’i kalojnë në llogarinë tënde bankare (ose mund të zbriten ndaj detyrimeve të tjera tatimore, sipas rregullave).

Kujdes: Rimbursimi nuk jepet automatikisht – duhet të deklarosh saktë fëmijët dhe shpenzimet për ta dhe të kërkosh rimbursimin pas konfirmimit të deklaratës. Gjithashtu, kompensimi nuk është i pakushtëzuar: duhet të keni dokumentacion që vërteton shpenzimet arsimore (fatura, mandat-pagesa shkollash, etj.) dhe fëmija duhet të jetë realisht në ngarkimin tënd. Në seksionet më poshtë do sqarojmë kriteret specifike se kush përfiton dhe kush jo.

Kush përfiton dhe kush përjashtohet nga këto zbritje?

Përfituesit kryesorë të kësaj skeme janë prindërit rezidentë në Shqipëri, me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Ligji parashikon që çdo fëmijë nën 18 vjeç u jep prindërve të drejtën e një zbritjeje prej 48,000 lekësh në vit nga të ardhurat e tatueshme. Gjithashtu, prindërit mund të zbresin deri në 100,000 lekë në vit për shpenzimet arsimore të fëmijëve, si pagesa shkollore, libra, kurse, uniforma, etj.. Megjithatë, jo të gjithë prindërit i gëzojnë njësoj këto përfitime – ka disa kufizime të rëndësishme:

Të ardhurat vjetore mbi 1.2 milionë lekë

Nëse ti ke të ardhura të larta (mbi 1.2 mln lekë/vit), përfiton vetëm zbritjen për fëmijët (48 mijë lekë secili), por nuk përfiton zbritjen për shpenzimet arsimore. Logjika është se ata me të ardhura më të larta kanë përfituar tashmë personalisht një nivel zbritjeje (p.sh. ata me paga të larta paguajnë tatim më të ulët falë normave progresive të reja) dhe zbritja shtesë për shkollimin u është kufizuar.

Të ardhurat vjetore deri në 1.2 milionë lekë

Prindërit me të ardhura më të ulëta ose mesatare (≤ 1.2 mln lekë/vit) i marrin të dyja përfitimet. Pra, 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe deri 100 mijë lekë në total për shpenzimet arsimore vjetore. Edhe nëse ke më shumë se një fëmijë, shuma maksimale për arsim mbetet 100 mijë lekë në vit (është fikse, pavarësisht numrit të fëmijëve).

Vetëm një prind përfiton

Nëse fëmijët janë në ngarkim të dy prindërve, zbritjet për fëmijët dhe arsimin mund t’i kërkojë vetëm njëri prej prindërve, jo të dy. Konkretisht, ligji dhe udhëzimi kërkojnë që zbritjet t’i marrë prindi me të ardhurat vjetore më të larta. Kjo për të parandaluar “dyfishimin” e përfitimit. Prindi tjetër nuk mund t’i deklarojë këto zbritje në DIVA-n e vet.

Fëmijët duhet të jenë ligjërisht “në ngarkim”

Kjo do të thotë, fëmija duhet të figurojë në certifikatën familjare të tatimpaguesit (pra, të jeni prind kujdestar ligjor i tij) dhe normalisht nën 18 vjeç gjatë vitit përkatës fiskal. Nëse fëmija ka mbushur 18 vjeç gjatë vitit, ai nuk konsiderohet më “në ngarkim” për atë vit (përjashtim mund të bëjnë raste si fëmijë që vazhdojnë shkollën e mesme dhe janë pak mbi 18 – por kjo nuk mbulohet nga ligji, i cili flet qartësisht për <18 vjeç). Pra, sapo fëmija të mbushë 18 vjeç, nuk llogaritet më për këtë kompensim.

Dokumentimi i shpenzimeve arsimore

Për të marrë zbritjen e 100 mijë lekëve për arsim, duhet të kesh dokumente që e provojnë se ke bërë shpenzime për arsimin e fëmijës në vitin përkatës. Administrata tatimore këshillon: ruaj faturat e pagesave për shkollë, kurse, libra, transport shkollor, etj., gjatë gjithë vitit. Pastaj, kur plotëson DIVA-n, deklaro shumën totale të këtyre shpenzimeve (deri në kufirin 100 mijë lekë). Nëse nuk ke fatura, zbritja mund të mos njihet në rast kontrolli tatimor.

Shembull

Një familje ku prindërit fitojnë 1.5 milionë lekë në vit (secili nga puna) dhe kanë një fëmijë, nuk do të përfitojë uljen prej 100 mijë lekësh për shkollën, por do të përfitojë 48 mijë lekë zbritje për fëmijën. Në një familje tjetër ku të ardhurat e prindit kryesor janë 800 mijë lekë në vit dhe ka dy fëmijë, ai prind mund të deklarojë të dyja zbritjet: 2×48,000 = 96,000 lekë për fëmijët + deri 100,000 lekë shpenzime arsimore. Kjo do t’i ulë ndjeshëm tatimin që i takon për atë vit, ndoshta deri në pikën që del me rimbursim.

Procedura e dorëzimit të deklaratës DIVA

Si dorëzohet DIVA? Procesi kryhet online, përmes portalit të tatimeve (e-filing). Ti duhet të identifikohesh me NID-intënd (Numri i Identifikimit të Tatimpaguesit) – për individët rezidentë ky është numri personal i kartës ID. Deklarata plotësohet elektronikisht duke plotësuar të ardhurat në rubrikat përkatëse (paga primare, paga të tjera, qira, dividentë, interesa, etj.), tatimin e mbajtur gjatë vitit për secilën, dhe zbritjet e lejuara. Formulari standard i DIVA-s përmban edhe seksione ku deklaron numrin e fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet arsimore (nëse ke të drejtë t’i kërkosh).

Pasi ke plotësuar të dhënat, sistemi tatimor (ose vetë llogaritjet e tua në formular) do të llogarisin automatikisht tatimin përfundimtar. Në fund, paraqitet një përmbledhje ku mund të shohësh:

(1) Tatimin total të llogaritur mbi të ardhurat e deklaruara.

(2) Tatimin që është paguar tashmë gjatë vitit (përmes mbajtjeve në burim nga paga, qiraja, etj.).

(3) Rezultati final: që mund të jetë detyrim për pagesë ose tepricë për rimbursim.

Nëse del një shumë për të paguar (detyrim), atë duhet ta paguash brenda afatit ligjor (31 Mars të vitit pasardhës). Nëse del një shumë për t’u rimbursuar, ke të drejtë ta kërkosh këtë rimbursim me aplikim tek Drejtoria e Tatimeve brenda 3 muajve. Shuma e rimbursimit zakonisht kalohet në llogarinë bankare që ke deklaruar.

Deklarata mbi Statusin Personal

Në kuadër të lehtësirave të reja, administrata ka futur edhe konceptin e Deklaratës së Statusit Personal. Ky është një formular që i jep punëdhënësit të dhëna mbi statusin tënd (p.sh. nëse ke fëmijë në ngarkim, nëse ke punë tjetër paralelisht, etj.), në mënyrë që tatimi mujor në pagë të llogaritet drejtë gjatë vitit. Duke plotësuar këtë deklaratë te punëdhënësi, ti mund të bësh që një pjesë e zbritjeve (ato personale bazë) të aplikohen muaji për muaj, që të mos krijohet shumë diferencë në fund të vitit. Megjithatë, për zbritjet e fëmijëve dhe arsimit, aplikimi bëhet kryesisht në deklaratën vjetore – pra, te DIVA.

Lexo edhe Agjenti i Listëpagesës dhe Deklarata mbi Statusin Personal: Çfarë duhet të dini?

Dorëzimi dhe konfirmimi

Pasi të kesh plotësuar DIVA-n online, e dorëzon elektronikisht dhe sistemi gjeneron një konfirmim dorëzimi. Ruaje atë konfirmim (mund ta printosh ose ta ruash si PDF) sepse është provë që ke deklaruar në afat. Tatimet mund të kryejnë më pas verifikime të deklaratës tuaj, dhe nëse gjithçka është në rregull, deklarata konsiderohet e mbyllur. Në rast se ata konstatojnë gabime a pasaktësi, mund të të njoftojnë për saktësim ose mund të korrigjojnë vetë (në raste specifike). Por në përgjithësi, nëse e plotëson me kujdes të dhënat, deklarata konfirmohet pa probleme.

Rregullat e reja që vlejnë nga viti 2024

Ligji i ri Nr. 29/2023 ka sjellë një sërë ndryshimesh në tatimin mbi të ardhurat personale, që hyjnë në fuqi gradualisht. Ja pikat kryesore që duhet të kesh parasysh:

Ulja e pragut të deklarimit

Siç u përmend, tashmë çdo i ardhur me mbi 1.2 milionë lekë/vit duhet të deklarojë (pragu i vjetër 2 milionë u ul në 1.2 mln). Kjo do të thotë që më shumë individë do të dorëzojnë DIVA-n për herë të parë për vitin 2024. Nëse paga jote mujore e kalon 100 mijë lekë (bruto) ose ke burime të tjera që e çojnë totalin mbi 1.2 mln, përgatitu të deklarosh.

Afati i ri i dorëzimit

Afati final është 31 mars (jo më 30 prill si më parë). Për vitin 2024 (që deklarohet në 2025) kjo datë është e Hënë, 31 Mars 2025. Mos e humb këtë afat, pasi pas tij vihet gjoba.

Deklarimi i të ardhurave të patatueshme

Tani e tutje edhe shumat e vogla (mbi 50 mijë lekë) për të cilat nuk është mbajtur dhe paguar në burim gjatë vitit (p.sh. qiraja e dhënë pa tatim, para të ardhura nga jashtë, apo fitime nga platformat online) duhet të raportohen në DIVA për të paguar tatimin. Kjo rrit transparencën dhe formalizimin – që do të thotë se edhe nëse ke pasur një qira të vogël apo fitim nga freelance online, duhet ta deklarosh.

Normat e reja tatimore mbi pagat (nga 2025)

Deri në dhjetor 2024, pagat tatoheshin me skemë progresive mujore. Për shembull, një pjesë e pagës ishte e patatueshme dhe pjesa tjetër tatohej me 13% ose 23% sipas intervalit. Nga janari 2025 hyn në fuqi skema e re e tatimit në pagë: 13% për të ardhurat deri në 2,040,000 lekë/vit dhe 23% për shumën mbi këtë prag. Kjo e thjeshton llogaritjen: praktikisht 13% për pjesën deri ~170 mijë lekë/muaj, dhe 23% për pjesën mbi atë. Efekti i kësaj është se shumica e të punësuarve do kenë tatime të mbajtura pak më ndryshe gjatë vitit 2025, me qëllim që në fund të vitit të mos dalin diferenca ekstreme për t’u paguar.

Lexo edhe Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale për 2024: Detyrimi, Afatet dhe Rregullat e Reja

Zbritjet personale mujore sipas nivelit të pagës

Skema e re e përcaktuar në ligj jep zbritje personale të ndryshme bazuar në pagën vjetore: deri 600 mijë lekë në vit – zbritje 600 mijë; 600–720 mijë – zbritje 420 mijë; mbi 720 mijë – zbritje 360 mijë lekë. Këto të ndara në muaj bëhen 50 mijë, 35 mijë, ose 30 mijë lekë zbritje në muaj respektivisht. Kjo është arsyeja që, p.sh., nga 2025 një pagë e ulët mund të mos tatohet fare (se e mbulon zbritja 50 mijë mujore), ndërsa një pagë e lartë do ketë vetëm 30 mijë lekë të patatueshme në muaj para llogaritjes së tatimit. Këto zbritje mujore aplikohen nga Agjenti i Listëpagesës (pra punëdhënësi) pasi ti deklaron statusin tënd personal.

Zbritjet e reja për fëmijët dhe arsimin

Këto do të aplikohen në deklaratën vjetore (siç e shpjeguam më lart) dhe janë një risi e madhe. Nga viti 2025 e tutje, ligji i ri u jep mundësi individëve të përfitojnë nga këto zbritje tatimore për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore. Kjo do të bëjë që familjet me fëmijë të kenë një barrë tatimore më të lehtë. Ky është një lajm i mirë për shumë prindër!

Nëse ti je një individ që përmbush kriteret, sigurohu t’i shfrytëzosh këto rregulla të reja. Jo vetëm që do paguash tatimin e saktë, por mund të kursesh para të konsiderueshme përmes zbritjeve. Mjafton të deklarosh saktë dhe të dorëzosh në afat dokumentet përkatëse.

FAQ – Pyetje të Shpeshta

Kush duhet ta plotësojë DIVA-n? Nëse kam vetëm një pagë nën 1.2 mln lekë, a jam i detyruar?

DIVA duhet dorëzuar detyrimisht nga ata që kanë mbi 1.2 mln lekë në vit nga të gjitha të ardhurat, ata me më shumë se një punëdhënës, dhe ata me të ardhura të patatueshme gjatë vitit mbi 50 mijë lekë. Pra, nëse ke pasur vetëm një punëdhe paga jote bruto vjetore është ≤ 1.2 mln lekë, ligjërisht nuk je i detyruar të deklarosh – por: nëse ke fëmijë dhe dëshiron të përfitosh rimbursimin tatimor për ta, ke të drejtë të deklarosh vullnetarisht për të marrë atë lehtësi. Ligji s’të ndalon të dorëzosh DIVA-n edhe sikur të ardhurat të jenë nën prag, nëse ke një arsye për ta bërë (p.sh. kërkon zbritjen e fëmijëve dhe shkollës). Në fakt, administrata tatimore inkurajon që çdo individ me mbi 100,000 lekë në muaj ose më shumë se një burim të deklarojë, për të qenë në rregull dhe për të përfituar nga zbritjet.

Si mund të përfitoj nga zbritjet për fëmijët nëse gjatë vitit paga ime u tatua normalisht?

Thjesht duke deklaruar në DIVA. Punëdhënësi gjatë vitit nuk ka si t’i dijë benefitet e tua familjare (përveç nëse ke plotësuar tek ai deklaratën e statusit personal). Në deklaratën vjetore, ti do të shënosh numrin e fëmijëve në ngarkim dhe shumën e shpenzimeve arsimore. Nëse je brenda kushteve ligjore (fëmijë <18 vjeç, ti je prindi me të ardhura më të larta, etj.), sistemi i tatimeve do ta llogarisë automatikisht zbritjen për secilin fëmijë (48 mijë lekë) dhe shpenzimet (deri 100 mijë lekë). Kjo do të ulë bazën tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi yt vjetor. Si pasojë, del që ke paguar disi më shumë tatim gjatë vitit. Diferenca midis tatimit të paguar dhe tatimit final kthehet si rimbursim për ty. Pra, nuk duhet ndonjë veprim i veçantë gjatë vitit – mjafton të mos harrosh t’i deklarosh këto zbritje në fund.

Çfarë dokumentesh duhet të mbledh për t’i justifikuar zbritjet e fëmijëve?

Për vetë fëmijët (48 mijë lekë secili) nuk ke dokument financiar – mjafton certifikata familjare që provon që janë fëmijët e tu në ngarkim (këtë administrata e verifikon lehtë në regjistrin civil). Për shpenzimet arsimore (100 mijë lekë), duhet të ruash faturat ose vërtetimet e pagesave që ke kryer: p.sh. faturën e shkollës private, ose mandatet e pagesave për kurse jashtëshkollore, faturat e librave dhe mjeteve mësimore, etj. Kur plotëson deklaratën, nuk do t’i ngarkosh ato fatura, por duhet t’i kesh të ruajtura. Tatimet kanë të drejtë t’i kërkojnë për kontroll deri disa vite më pas. Pra, nëse kërkon zbritjen, sigurohu që shpenzimi të jetë i dokumentuar dhe i ligjshëm.

A mund t’i marrin të dy prindërit zbritjet për të njëjtin fëmijë?

Jo. Për çdo fëmijë në ngarkim, zbritja prej 48,000 lekë (dhe shpenzimet e arsimit) jepet vetëm një herë në vit dhe vetëm nga njëri prind. Zakonisht, deklaron dhe përfiton ai prind që ka paguar më shumë tatim gjatë vitit (pra, me të ardhura më të larta), që efekti i zbritjes të jetë maksimal. Prindi tjetër thjesht plotëson DIVA-n e vet pa këto zbritje (ose mund të mos ketë fare detyrim të deklarojë, varet nga të ardhurat e tij). Kjo është e rëndësishme: koordinohuni në familje që të mos e deklaroni dy herë të njëjtin fëmijë, se do refuzohet nga sistemi për dublim.

Fëmija im mbushi 18 vjeç në janar të këtij viti – a e përfitoj zbritjen për muajt që ishte 17?

Për fat të keq, jo. Ligji e formulon kriterin thjesht si “fëmijë nën 18 vjeç”, duke nënkuptuar që për vitin fiskal që po deklaron, fëmija duhet të ketë qenë i mitur gjatë gjithë vitit (deri më 31 dhjetor). Edhe udhëzimi nuk jep zbritje të pjesshme mujore; është konceptuar si një shumë vjetore fikse. Kështu që sapo fëmija mbush 18 vjeç brenda atij viti, ai vit nuk llogaritet për kompensim. (Nëse ke fëmijë student mbi 18 vjeç, për ta aktualisht nuk ka zbritje specifike në këtë ligj.)

Kam vetëm një punëdhënës dhe paga ime bruto është 800 mijë lekë në vit. S’jam i detyruar të deklaroj, por kam 1 fëmijë dhe shpenzime shkolle. A ia vlen të deklaroj?

Po, pa dyshim! Edhe pse ligji s’të detyron, nëse ke paguar tatim mbi pagën gjatë vitit, ti mund të kthesh një pjesë të atij tatimi mbrapsht duke dorëzuar deklaratën dhe duke përfituar zbritjet. Në rastin tënd: me 800 mijë lekë në vit (për 2025 e tutje), paga jote ka pasur rreth 360 mijë lekë përjashtim personal dhe pjesa 440 mijë është tatuar me 13%, dmth ke paguar rreth 57,200 lekë tatim. Nëse deklaron një fëmijë dhe 100 mijë lekë shpenzime arsimore, baza e tatueshme bie ndjeshëm (dmth 800k – 360k – 48k – 100k = 292k) dhe tatimi i duhur del afro 0. Do të rimbursohesh për pjesën dërrmuese të atyre ~57 mijë lekëve tatim të paguar. Në të kundërt, po të mos deklarosh, i humbet këto para. Pra, edhe kur s’është detyrim, deklarimi vullnetar është në interesin tënd financiar në këtë rast.

Kur e marr rimbursimin dhe si?

Pas dorëzimit të deklaratës brenda 31 marsit (fjala vjen të 2026-ës për të ardhurat 2025), nëse rezulton me tatim të tepër paguar, duhet të bësh një kërkesë zyrtare për rimbursim tek Drejtoria e Tatimeve. Është një procedurë standarde (mund të bëhet online nëpërmjet portalit e-tatime). Tatimet kanë afat deri 90 ditë të shqyrtojnë kërkesën. Zakonisht, nëse gjithçka është në rregull, ata e miratojnë dhe kryejnë transferimin e shumës në llogarinë bankare që ke deklaruar. Koha e pritjes mund të jetë disa javë; rëndësi ka që t’i ndjekësh udhëzimet (p.sh. mund të kërkojnë konfirmimin e IBAN-it të llogarisë tënde bankare). Nëse ke detyrime tatimore të papaguara nga vite të mëparshme, mund të ndodhë që, në vend t’i marrësh në bankë, shuma e rimbursimit neto të përdoret për të shlyer ato detyrime – por këtë do ta shihje në komunikimin me tatimet.

Kam gabuar diçka në deklaratë (ose kam harruar të deklaroj). Çfarë mund të bëj?

Nëse ende është brenda afatit (deri më 31 mars), mund ta rihapësh deklaratën dhe ta korrigjosh para dorëzimit final. Pas afatit, ke ende një mundësi: mund të dorëzosh një deklaratë të korrigjuar (ose shtesë) pas afatit. Kjo do të rregullojë shifrat, por ki parasysh se nuk të shpëton nga gjoba e vonesës nëse je pas 31 marsit. Sidoqoftë, është më mirë të korrigjosh gabimet sesa t’i lësh, sepse deklarimi i pasaktë mund të sjellë telashe më vonë (p.sh. në rast kontrolli). Për të korrigjuar, mund të përdorësh përsëri portalin online – DIVA e lejon versionin “deklaratë e rishikuar”. Në raste komplekse, mund të kontaktoni zyrën tatimore për sqarime.

A do të thotë kjo skemë që do marrë para mbrapsht kushdo që ka fëmijë?

Jo, nuk është e thënë. Shumë individë thjesht do paguajnë më pak tatim gjatë vitit (ose në momentin e deklarimit) falë zbritjeve, por jo domosdoshmërisht do kenë para për të marrë mbrapsht. Rimbursimi ndodh kur tatimi i paguar ndër vit tejkalon tatimin përfundimtar të llogaritur. Disa mund të dalin zero-zero (as për të paguar, as për të marrë). Disa që kanë pasur pak mbajtje tatimi gjatë vitit e ndërkohë kanë edhe detyrime të tjera mund të dalin ende me pagesë pavarësisht zbritjeve (thjesht shumë më e vogël). Skema synon kryesisht të ndihmojë familjet të paguajnë më pak tatim në total, dhe në disa raste këto para të tepërta kthehen fizikisht te familjet. Sipas parashikimeve, familjet me paga mesatare do jenë përfituese kryesore të rimbursimeve, kurse familjet me paga shumë të larta thjesht do paguajnë pak më pak tatim, por s’do kenë rimbursime pasi gjatë vitit atyre u mbahet tatimi i llogaritur me formulën e re tashmë të reduktuar.

Çfarë ndodh nëse nuk e dorëzoj fare deklaratën?

Siç u përmend, mosdorëzimi të sjell një gjobë 3,000 lekë. Për më tepër, tatimet mund të bëjnë vlerësim tatimor me të dhënat që disponojnë dhe të nxjerrin detyrimin tatimor që ti duhej të paguaje. Nëse nuk e paguan, ai detyrim do të rritet me kamatë për çdo ditë vonesë deri sa ta shlyesh. Gjithashtu, mosdorëzimi i deklaratës mund të jetë një flamur i kuq në sistem – në të ardhmen, nëse aplikon për kredi, apo punë jashtë, shpesh kërkohet vërtetim i shlyerjes së detyrimeve tatimore; një deklaratë e padorëzuar mund të krijojë probleme. Prandaj, është në interesin tënd ta dorëzosh deklaratën edhe nëse e ke kaluar afatin – më mirë vonë sesa kurrë. Ndërgjegjësimi fiskal po rritet, dhe këto rregulla të reja synojnë pikërisht formalizimin; ndaj shmang situatat e pakëndshme duke u përmbajtur afateve.

Në përfundim, Deklarata Vjetore e të Ardhurave (DIVA) është një detyrim, por edhe një mundësi për tatimpaguesit individë. Me rregullat e reja në fuqi, sidomos për familjet me fëmijë, ia vlen të jesh korrekt në deklarim sepse mund të përfitosh lehtësira të prekshme financiare nga shteti. Nëse je i pasigurt për ndonjë aspekt, kërko këshillë profesionale – por mos e neglizho deklarimin. Duke qenë i informuar dhe aktiv, ti siguron që paguan vetëm aq sa duhet në taksa dhe, në rastin më të mirë, edhe rrimbursohesh për shpenzimet jetësore si ato për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Këshillim për DIVA & përfitimet tatimore – FALAS

A jeni të sigurt që po përfitoni maksimalisht nga Deklarata Vjetore e të Ardhurave (DIVA),
zbritjet për fëmijët dhe shpenzimet arsimore sipas ligjit të ri?

Nëse jeni individ i punësuar, me më shumë se një burim të ardhurash,
prind me fëmijë në ngarkim ose keni detyrim për të dorëzuar DIVA-n,
ne ju ndihmojmë të kuptoni saktë:

  • nëse jeni subjekt deklarimi dhe çfarë duhet të raportoni,
  • si të aplikoni zbritjet për fëmijët dhe shpenzimet e shkollës,
  • nëse keni të drejtë për rimbursim tatimi apo pagesë shtesë,
  • si të shmangni gabimet, penalitetet dhe deklarimin e pasaktë.

Një ekonomist i jashtëm mund t’ju ndihmojë të veproni në mënyrë të saktë,
transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.


REZERVO NJË KONSULTË

dhe përfitoni nga këshillimi fillestar FALAS për DIVA-n,
zbritjet tatimore dhe detyrimet tuaja si individ.

Ose na kontaktoni direkt në
+355 69 323 2349
ose në
[email protected].

GDPR

A ju duhet ndihme?? Ne jemi online