Paketa fiskale 2019 – prezantimi në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat
Fjala e Ministrit Ahmetaj
Përgjatë dy mandateve të para Qeveria “Rama” ka ndërmarrë një sërë masash fiskale, të orientuara nga parimi bazë me të cilin erdhëm në qeveri, progresivitetin dhe taksimin e ndershëm, sipas parimit “kush fiton më shumë, paguan më shumë” dhe “kush fiton më pak, paguan më pak”.
Politikat tona fiskale në këto vite kanë synuar dhe mundësuar uljen e barrës fiskale për sipërmarrjen dhe qytetarët, përmirësimin dhe thjeshtësimin e procedurave dhe lehtësimin e klimës së të bërit biznes.
Dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj se kjo qeveri mbetet e angazhuar për vazhdimin e konsolidimit fiskal.
Në këtë kuadër, jemi duke balancuar shpenzimet e domosdoshme për investime publike; financimin e paketës së solidaritetit si një instrument që tashmë e karakterizon këtë qeveri, në reflektim të drejtpërdrejtë të vëmendjes ndaj qytetarëve; financimin e reformave që mundësuan kthesën ekonomike që po konsolidohet, duke mbajtur nga ana tjetër ritmin në rritjen e të ardhurave, uljen e vazhdueshme të borxhit publik dhe uljen e ngarkesës fiskale.
Pas stabilizimit të situatës financiare dhe shlyerjes së stokut të borxheve të prapambetura në vitet 2014-2015, që nga viti 2016 e në vijim, politikat dhe ndryshimet fiskale të dizejnuara nga Qeveria kanë synuar reduktimin gradual të barrës fiskale, nëpërmjet uljes së taksave.
Është një inventar i gjatë masash fiskale që e kemi bërë prezent edhe këtu në këtë Komision, dhe për interesin tuaj mund t’i referoheni dhe prezantimit për të parë historikun e uljes së taksave.
Paketa e thjeshtimit të procedurave tatimore e doganore në vitin 2016 ishte një “revolucion” në klimën e të bërit biznes në vend, një shembulli konkret i bashkëpunimit qeveri-sipërmarrje, që sërish na dallon nga qeveritë e mëparshme ku politikat diktoheshin nga zyrat e qeverisë dhe me asnjë konsultim me terrenin ekonomik.
Në ato procedura duhet t’ju kujtoj që për herë të parë u vendos një marrëdhënie me sipërmarrjen për kontrollin tatimor, ku sipërmarrja ka mundësi që të vetëkorrektohet për një periudhë përtej 12 muajve pa penalitet; ka të drejtë të negociojë kohën e kontrollit fiskal me tatimet; ka të drejtë gjatë lajmërimit për kontroll të korrektohet me gjysmën e penalitetit dhe për kontrollin e thelluar duhet të lajmërohet 30 ditë përpara.
Në maj të 2018-ës ne nisëm një proces të gjerë konsultimesh me të gjithë aktorët për paketën e qershorit, një pjesë e mirë e masave të së cilës hyjnë në fuqi në 1 janar të 2019-ës, por edhe paketën e re të këtij viti, të cilën e prezantojmë sot.
Kemi filluar të konsultohemi me sipërmarrjen për paketën që nga prilli i vitit 2018. Kemi bërë konsultime të vazhdueshme, individuale, me shoqata, me përfaqësues publikë, jo publikë, në Këshillin Tatimor, në Këshillin Ekonomik Kombëtar. Pra, konsultime të gjera e të thella për të arritur në konkluzionet që kemi arritur.
Edhe ndryshimet e prezantuara në paketën fiskale të 2019-ës synojnë uljen e mëtejshme të ngarkesës fiskale, incentivimin e sektorëve dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Qëllimi i Paketës Fiskale
- ulja e barrës fiskale për qytetarët dhe biznesin, nëpërmjet uljes së normës tatimore të tatimit mbi të ardhurat, tatimit mbi fitimin dhe detyrimeve të tjera;
- lehtësimin e të bërit biznes, nëpërmjet thjeshtimit të procedurave, reduktimit të kohës për çregjistrimin e biznesit;
- incentivimin e sektorëve dhe industrive të caktuara, nëpërmjet lehtësimeve dhe përjashtimeve tatimore;
- vendosjen e rregullave transparente në taksim, duke parandaluar keqpërdorimin e ligjit dhe përfitimin e incentivave të padrejta fiskale;
- mbrojtjen e interesave fiskale te vendit dhe të bazës së tatimit, duke parashikuar rregulla të reja, të aplikueshme edhe në nivel ndërkombëtar.
Paketa e Qershorit 2018, që vlen të ritheksohet, përfshin:
- Uljen me tre herë të normës së tatimit mbi fitimin nga 15 % në 5 % për sipërmarrjet me të ardhura 8-14 milion lekë.
- Përfitojnë 11 mijë biznese ose 50 % e bizneseve që taksoheshin me normë 15 %
- Pas kësaj mase, vetëm 9 %, kjo është shumë e rëndësishme që ta theksojmë dhe ta riktheksojmë të gjithë bashkë, pas kësaj mase vetëm 9 %, ose 10 mijë e numrit total të tatimpaguesve, tatohen me normën 15 %, ndërkohë që 65 % e tyre ose 71 mijë subjekte do të paguajnë tatim ZERO. Pra, 65 % e sipërmarrjes shqiptare e ka tatim fitimin zero. 26 % ose 28 mijë subjekte e kanë tatimin vetëm 5 %
- Që do të thotë, 91% e sipërmarrjes shqiptare sot e ka tatim fitimin ose 0, ose 5%.
Diferencë shumë e madhe nga ajo që ka qenë, 10 për qindëshi i padrejtë, varfërues, në favor të 1 për qind të sipërmarrjes dhe në disfavor, në ngarkesë, të sipërmarrjes së vogël, të sipërmarrjes së mesme dhe të të gjithë të punësuarve me paga me nivel mesatar dhe me nivel të ulët. 10 përqindëshi ka qenë një masë kundër 99 % të të punësuarve dhe sipërmarrjeve.
Incentivimin e fermerëve të inkorporuar në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke ulur me tre herë normën e tatimit mbi fitimin korporativ nga 15 % në 5 %.
- Përfitojnë mbi 50 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor të regjistruara, ndërkohë që një masë e tillë do të nxisë kooperimin dhe krijimin e entiteteve të reja.
Më lejoni të bëj një kërcim nga sot në dje, për t’ju rikujtuar që bujqësia do të jetë në 2019-ën një nga sektorët më të financuar dhe më të mbështetur, qoftë me fonde, qoftë me strukturë fiskale dhe ekonomike. Mbështetja me fonde është e madhe, 2.6 miliardë lekë janë mbështetja e drejtpërdrejtë e buxhetit për fermerët, 1+3 miliardë, pra 4 miliardë është buxhet + IPARD, dhe pastaj kemi Fondin e Garancisë, i cili nëse punohet mirë nga institucionet që drejtojnë sektorin, kemi mundësi që të injektojmë në bujqësi mbi 100 milionë dollarë vetëm investime të drejtpërdrejta ose mbështetje për fermerin.
Dua t’ju kujtoj që kur i referohemi problematikës së bujqësisë, është fragmentimi, pra mungesa e ekonomisë së shkallës. Nëpërmjet instrumenteve fiskalë që unë po përmend sot këtu, incentivimi i Shoqatave të Bashkëpunimit Bujqësor, kemi mundësi të korrektojmë atë defekt në strukturën ekonomike të bujqësisë. Por, sigurisht që është sfidë e institucioneve tona që ta orientojnë zhvillimin në bujqësi në drejtim të ekonomisë së shkallës. Instrumentet fiskalë janë tashmë aty, në shërbim të kësaj politike që unë iu referova.
- Incentivimin e fermerëve të inkorporuar në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke hequr dhe pragun e qarkullimit prej 5 milion lekësh për përfitimin e rimbursimit. Një debat i vështirë, por një instrument incentivues në të njëjtën logjikë që fola më lart.
- Incentivimin e bizneseve që janë të licensuar dhe operojnë në fushën e agroturizmit:
- duke reduktuar normën e tatimit mbi fitimin korporativ nga 15 % në 5 %;
- duke reduktuar normën e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 20 % në 6 % për shërbimet që ofrojnë në fermë (akomodim, ushqim etj);
- duke i përjashtuar subjektet e agrobiznesit nga “taksa e ndikimit në infrastrukture” për ndërtimet me destinacion agroturizmin, dhe duke ju dhënë në këtë mënyrë të njëjtat incentiva stimuluese sikurse edhe ato për turizmin elitar.
- Përjashtim nga TVSH-ja për investimet në energjinë diellore, me qëllim reduktimin e kostove dhe nxitjen e tyre.
Paketa Fiskale 2019
- Tatimi mbi dividentin ulet nga 15 % në 8 %.
- Përfitojnë mbi 15 mijë kompani ose rreth 50 mijë individë investitorë të kapitalit.
- Parashikohet stimul për gjithë fitimet e akumuluara/kapitalizuara nga vitet e kaluara, duke zbatuar edhe për ato shpërndarje normë tatimore 8 % nëse tatimi paguhet brenda një afati të caktuar me ligj, që mendohet se është gjysma e parë e 2019-ës.
- Ulje e kufirit të taksimit të pagës me 23 %:
- 400 të punësuar me pagë mbi 130.000 lekë në muaj përfitojnë 25,8 milion lekë çdo muaj, ose 310 milion lekë në vit.
Dua që ta kujtojmë që nëpërmjet çmontimit të taksës së sheshtë, armike e të gjithë të punësuarve, sidomos atyre me paga më të ulëta, ne vendosëm taksën progresive ku sot përfitojnë, në përllogaritje të punësimit total dhe të fondit total të pagës në Republikën e Shqipërisë, 120 milionë dollarë, të cilat dikur shkonin në buxhetin e shtetit, e mos harroni se po bëjmë dhe konsolidim fiskal, po ulim borxhin, sot shkojnë në xhepat e qytetarëve, 120 milionë dollarë. Tani i shtohet dhe një 3 milionë dollarë tjetër, 123 milionë dollarë shkojnë në xhepat e qytetarëve. Mos harroni që jemi duke ulur borxhin publik, jemi duke shëndoshur financat publike. Pra, po ndodhin dy procese në të njëjtën kohë, lehtësimi i barrës dhe ulja e borxhit, në qendër qëndron përgjegjshmëria e kësaj qeverie.
Përsa i përket përfitimve të sipërmarrjes
Ulje me 2/3 e taksës së ambalazheve plastike dhe me ½ të ambalazheve të qelqit, çka do të thotë ulje kosto prodhimi për prodhuesit vendas në industrinë ushqimore.
- Përjashtim nga TVSH-ja i lëndëve të para të industrisë së prodhimeve farmaceutike, duke e vendosur në kushte konkurrencë të njëjta me medikamentet e importuara të cilat janë të përjashtuara.
- Përjashtim nga TVSH-ja i importit të makinerive bujqësore, me qëllim lehtësimin e mundësive për fermerët dhe nxitjen e tregut të brendshëm të importimit dhe tregtimit të tyre.
- Normë e reduktuar 10 % TVSH në importimin e autobusëve elektrike, të destinuar për transportin publik, si një masë që do synojë kufizimin e përdorimit të mjeteve ndotëse të ambientit.
- Përjashtim nga TVSH i nënkontraktorëve në industrinë fason për eksport, me qëllim:
- lehtësimin e kostove të eksportuesve
- lehtësimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së,
- lehtësimin e situatës së cash floë, pra të qarkullimit të likujditeteve, për nënkontraktohet, të cilët paguheshin vetëm kur eksportuesi rimbursonte TVSH-në.
- Procedura më të thjeshta dhe transparente regjistrimi dhe çregjistrimi të biznesit duke reduktuar kohën dhe burokracinë.
Sa i takon aspektit të financave publike, Paketa parashikon masa dhe ndryshime të cilat synojnë të mbrojnë bazën e tatimit në Shqipëri dhe kufizimin e keqpërdorimit të tarifave të ulta dhe taksave zero:
- Biznesi i madh i regjistruar si i vogël me disa NIPT-e, pra rregulla të forta.
- Individë tradicionalisht me kontrata punësimi dhe pagan në nivele të larta, që fiktivisht shndërrohen ne biznes i vogël për të përfituar taksen zero.
- Parashikojmë masa të tilla që për të ardhurat dhe fitimet që lidhen me pasuritë e vendit, tatimi të paguhet në Shqipëri. Rasti i Bankers: Kur Bankers u shit jashtë Shqipërisë, Shqipëria nuk përfitoi asnjë nga shitja. Nuk arriti ta tatonte për shkak të sistemim fiskal dhe të rregullave që akoma nuk i ka adoptuar dhe po i adopton me këtë paketë të avancuar nga OECD.
Mbrohen të drejtat fiskale të vendit duke detyruar pagimin e tatimit mbi fitimet kapitale të jorezidentëve. Shembulli që ju solla me Bankers, që shet aksionet jashtë Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë nuk përfiton asnjë cent.
Implementohen parimet e gjithë pranuara në kuadër ndërkombëtar në lidhje me klauzolën anti-abuzim me taksat dhe planifikim agresiv tatimor, duke shmangur tatimet.
PËRMBAJTJA E PAKETËS FISKALE 2019
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”
- Ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15 % në 8 %
- Rritja e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë.
- Dispozitë taksimi për fitimet kapitale të jorezidentëve, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive apo aktiveve që ndodhen në Shqipëri.
- Dispozitë saktësuese në lidhje me tatimin që mbahet në burim për shërbimet e jorezidentëve.
- Kufizim sasior në lidhje me shpenzimet për dieta, që ishte një lloj shmangie e bazës tatimore, e tatimit mbi të ardhurat personale.
Ligji “Për taksat Nacionale”
- Kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike. Ulje e tarifës së taksës me 2/3. Ulje me 50 % edhe e tarifës se taksës për ambalazhet e qelqit.
- Rritja e rentës minerare për eksportin e kromit nga 6 % në 9 %, që e përmenda edhe dje.
Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”
- Përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik.
- Përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktohet për kontraktorët në industrinë fason.
- Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listës së miratuar me VKM, nga çdo importues.
- Normë e reduktuar TVSH-je 10 % për importin e autobusëve elektrike të transportit publik.
- Normë e reduktuar 6 % për shërbimin e reklamave nga televizionet.
Ligji “Për akcizat”
- Vendosja e akcizës 1 lekë/kg për zhavorret bituminozë që përdoren si lëndë djegëse alternative.
- Heqja e akcizës për fishekzjarrët, llampat, pilat/bateritë, e sugjeruar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
- Rritja e akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvendësuesit e tij, duhanet me ngrohje dhe purot.
Ligji “Për Procedurat Tatimore”
- Dispozitë antishmangie e përgjithshme nga taksat, në përputhje me Direktivën e Bashkimit Europian.
- Dispozita antishmangie në lidhje me regjistrimin e më shumë se një biznesi nga personat fizik tregtar; është evazioni që bëjnë individë të ndryshëm kur krijojnë entitete të ndryshme, i kthejnë në pasivë, i lënë dhe të ngarkuar me borxhe ndaj tatimeve, dhe krijojnë një person fizik tjetër. Kjo dispozitë antishmangie do ta reduktojë deri në eleminim të fenomenit gangrenizues për bazën tatimore.
- Lehtësim i procedurave të çregjistrimit të biznesit.
Ligji “Për taksat vendore”
- Rregullime procedurale që synojnë saktësimin e aplikimit të ligjit nga njësitë e pushtetit vendor, duke iu referuar kryesisht taksës së infrastrukturës; që ka të bëjë me rastet kur ndërtojnë individë, kur ndërtojnë me shoqëri, apo kur ndërtojnë banesë apo objekt komercial.
Ligji “Për tarifat”
- Rishikimin e disa tarifave dhe unifikimin e tyre për mallra të njëjtë.
Kjo është përmbledhja në parim e gjithë Paketës Fiskale për vitin 2019.