Kriteret formale të zbritjes së TVSH-së. Kur lind e drejta dhe çfarë dokumenti kërkohet

Pikat kryesore
  • Kur lind e drejta juaj për të zbritur TVSH-në, pavarësisht nëse keni paguar faturën.
  • Çfarë dokumenti ju duhet patjetër për të ushtruar këtë të drejtë.
  • Deri kur mund ta ushtroni zbritjen, pa e humbur atë.
  • Kur dhe si merrni mbrapsht tepricën kreditore që ju takon.
Verifikuar më 11 tetor 2026. Kushtet u krahasuan me ligjin nr. 92/2014, nenet 69 e vijues dhe 77. Deklarimi dhe librat, faqja e burimit

Zbritja e TVSH-së nuk është e drejtë automatike. Ajo lind vetëm kur plotësohen njëkohësisht kushtet e ligjit, dhe humbet kur mungon qoftë edhe njëri prej tyre. Rregullat e deklarimit dhe afatet janë te faqja jonë e deklarimit dhe librave.

Gabimi më i shpeshtë në praktikë. Fatura mbahet në sirtar dhe zbritet dy ose tre muaj më vonë, kur bëhet rakordimi. Kjo prish periudhën në të cilën ushtrohet e drejta dhe krijon diferencë mes librave dhe deklaratës.

Kur nga zbritja del tepricë kreditore, ajo nuk kërkohet menjëherë. Kushtet dhe afatet e rimbursimit janë te faqja jonë e rimbursimit të TVSH-së.

Në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,

Lexo edhe: Kur deklarohet TVSH dhe si plotësohen librat.

e drejta e zbritjes së TVSH-së e përfshirë në çmimin e blerjes së një malli/shërbimi, ushtrohet prej blerësit kur TVSH-ja bëhet e kërkueshme tek furnizuesi. Kushtet që duhet të plotësohen për ushtrimin e të drejtës së zbritjes së TVSH-së janë si më poshtë:

Dokumentimi

TVSH-ja e zbritshme është TVSH e shënuar në faturën tatimore të lëshuar nga furnizuesi, si dhe TVSH e paguar në import, e shënuar në dokumentin doganor të importit (deklaratë doganore).

Për plotësimin e deklaratës së TVSH-së, personi i tatueshëm duhet të zotërojë faturën e blerjes me TVSH për blerje të kryera në vend, që e tregon atë si blerës, ose çdo lloj dokumenti tjetër, si deklarata e importit, që e tregon atë si marrësin e mallrave të importuara.

Kujdes!
Zbritja e TVSH-së në blerje kërkohet mbi bazën e faturës tatimore origjinale të lëshuar prej furnizuesit dhe të plotësuar në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligj.

Për qëllime të zbritjes së TVSH-së, konsiderohet e vlefshme edhe kopja e noterizuar e faturës së blerjes (në rast se fatura origjinale humbet), me kusht që shitësi të zotërojë kopjen e tij të faturës dhe ta ketë deklaruar atë. Pa këtë faturë nuk ushtrohet e drejta për të zbritur TVSH- në e paguar, ose për t’u paguar në blerje.

Kriteret e personit të tatueshëm

Kushtet që duhet të plotësojë tatimpaguesi

  1. Për zbritjen e TVSH-së, lidhur me shitjet e mallrave dhe kryerjen e shërbimeve, të zotërojë një faturë të hartuar në përputhje me nenet nga 96 deri në 105 të Ligjit;
  2. Për zbritjen e TVSH-së, lidhur me furnizimet kundrejt pagesës, kur kemi të bëjmë me vetëfurnizim, duhet të jetë dokumentuar me faturë;
  3. Për zbritjen e TVSH-së, lidhur me importimet e mallrave, duhet të zotërojë një deklaratë që provon importimin, të lëshuar në momentin e çlirimit për qarkullim të lirë të mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  4. Kur blerësi detyrohet të paguajë TVSH-në, pra zbaton skemën e auto-ngarkesës së TVSH-së, gëzon të drejtën e zbritjes së TVSH-së në blerje sipas faturës së lëshuar, siç përcaktohet në pikën 2 të nenit 99 të Ligjit.

Momenti në të cilin ushtrohet e drejta e zbritjes

Personi i tatueshëm e ushtron të drejtën e zbritjes, në momentin kur lind kërkueshmëria e tatimit. Pra për rrjedhojë, lind e drejta e zbritjes për personin e tatueshëm dhe ky person zotëron një faturë tatimore ose një deklaratë të importit sipas kërkesave të ligjit,

Periudha në të cilën ushtrohet zbritja

E drejta e zbritjes ushtrohet në deklaratën e periudhës, në të cilën furnizimi ose importi është kryer. Kjo është edhe periudha në të cilën ka lindur kërkueshmëria e TVSH-së. Deklarata e TVSH-së, në të cilën ushtohet e drejta e zbritjes, i përket periudhës që përkon me datën e lëshimit të faturës tatimore nga furnizuesi sipas përcaktimeve në nenin 99 të Ligjit, ose data e shënuar në deklaratën doganore, e cila njihet si data e çlirimit të mallrave.

Nëse personi i tatueshëm nuk kryen zbritjen e TVSH-së në periudhën tatimore në të cilën i lind e drejta e zbritjes, ai mund ta zbresë këtë shumë të TVSH-së së zbritshme pas kësaj periudhe, por jo më vonë se 12 periudha tatimore përfshirë periudhën në fjalë. Pas 12 periudhave kjo faturë regjistrohet si “blerje me TVSH jo të zbritshme”. TVSH-ja nuk zbritet përpara periudhës në të cilën ka lindur e drejta e zbritjes.

Deklarimi

Personi i tatueshëm nga shuma e TVSH-së, së llogaritur mbi vlerën totale të tatueshme të të gjitha furnizimeve të tatueshme të kryera gjatë një periudhe tatimore, zbret shumën e TVSH- së, për të cilën ka lindur e drejta e zbritjes, gjatë së njëjtës periudhë tatimore.

Teprica e TVSH-së dhe rimbursimi

Në qoftë se për një periudhë tatimore shuma e TVSH-së së zbritshme është me e madhe se TVSH-ja e llogaritur për t’u paguar, atëherë për këtë periudhë tatimore personi i tatueshëm rezulton me tepricë të TVSH-së së zbritshme, TVSH e cila i rimbursohet personit të tatueshëm pasi plotësohen kriteret e parashikuara në nenin 77 të Ligjit.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Çdo herë që ka një ndryshim tatimor ose financiar që prek biznesin tuaj, ju njoftojmë direkt në email me shpjegim praktik.

Dërgomë njoftimet falas

Kontabiliteti, deklarimet dhe këshillimi tatimor për biznesin tuaj, në një paketë mujore. Konsulta e parë është falas dhe pa detyrim.

SHIKO ÇMIMET

Rreth autorit

Andi Haxhillari është ekonomist dhe themelues i AlProfit Consult, zyrë kontabiliteti, këshillimi tatimor dhe menaxhimi financiar në Tiranë, e themeluar në 2015. Mban titullin profesional Kontabilist i Miratuar, çertifikata nr. 359, lëshuar nga Autoriteti i Çertifikimit pranë Ministrisë së Financave më 4 korrik 2012. Është diplomuar Master i Nivelit të Dytë në Kontabilitet dhe Ekonomist i Përgjithshëm në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si ekonomist i jashtëm për biznese të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

GDPR