Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, projektligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Prezantimi
Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se hartimi i një ligji të ri për tatimin mbi të ardhurat ka lindur si nevojë për qasje të re në taksimin e individëve dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme, për shkak se ligji aktual daton që në vitin 1998 dhe amendimet e ndryshme që i janë bërë në vite nuk adresojnë risitë e reja që kanë lindur në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ.
Ministrja bëri me dije se projektligji është hartuar edhe me asistencën teknike të FMN dhe sjell një risi në legjislacionin tatimor shqiptar, duke synuar neutralitetin e tatimit, rritjen e transparencës dhe aplikimin e një sistemi sa më të drejtë tatimor, si dhe përafriminin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me direktivat e Bashkimit Europian.
“Nevojitet një qasje e re si rezultat i amendimeve të ndryshme të ligjit në kohë dhe për shkak të incentivave, përjashtimeve, tarifave të reduktuara të miratuara në vite, pasi është cënuar dhe parimi i neutralitetit të tatimit. Një pjesë e këtyre incentivave, përjashtimeve, tarifave e kanë plotësuar tashmë misionin e tyre, ose nuk kanë përmbushur misionin e tyre dhe për këtë arsye propozohen që të ndryshohen”
tha Ibrahimaj.
Një prej risive të projektligjit është përcaktimi i taksimit të të ardhurave në dy kategori: taksimi i individëve dhe personave fizikë tregtarë me tatim mbi të ardhurat personale dhe taksimi i entiteteve juridike me tatim mbi fitimin korporativ.
Po ashtu, ai kategorizon 3 grupet e të ardhurave personale të cilat realizohen nga individët dhe personat fizikë tregtarë dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale: të ardhurat nga punësimi; të ardhurat nga biznesi; dhe të ardhurat nga kapitali pasiv.
Lidhur me tatimin e individëve dhe bizneseve të vogla persona fizikë në fushën e prodhimit, tregtisë, transportit dhe shërbimeve, Ministrja sqaroi se projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar, ku personat fizikë dhe personat juridikë me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të paguajnë 0% tatim mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” përbën një komponent shumë të rëndësishëm të paketës së legjislacionit tatimor shqiptar.
Ky projektligj paraqitet përpara Kuvendit nga Këshilli i Ministrave, sipas procedurës ligjore, për miratim në kuadër të Paketës Fiskale të vitit të kaluar, që do të fillojë në vitin 2023, pasi është konsultuar me grupet e interesit, si dhe duke konsideruar afrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave të Shqipërisë me parimet e direktivave të Bashkimit Europian.
Nevoja për ndërhyrjen legjislative dhe për shfuqizimin e ligjit në fuqi dhe hartimin e një ligji të ri erdhi natyrshëm duke qenë se ligji aktual daton në vitin 1998. Ka lindur gjithashtu si nevojë për një përqasje të re në taksimin e individëve dhe të ardhurave të tyre nga burime të ndryshme.
Në vitet e fundit kanë ndodhur shumë ndryshime në fushën e taksimit ndërkombëtar, shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit në fushën e taksimit, me qëllim pengimin e konkurrencës së pandershme në fushën e taksave.
Gjithashtu, kanë lindur risi të reja në fushën e taksimit të të ardhurave personale dhe fitimit korporativ, të cilat nuk janë pasqyruar dhe rregulluar nëpërmjet amendimeve që i janë bërë ligjit aktual.
Pra, nevojitet një qasje e re si rezultat i amendimeve të ndryshme të ligjit në kohë dhe për shkak të incentivave, përjashtimeve, tarifave të reduktuara të miratuara në vite, pasi është cënuar dhe parimi i neutralitetit të tatimit.
Një pjesë e këtyre incentivave, përjashtimeve, tarifave e kanë plotësuar tashmë misionin e tyre, ose nuk kanë përmbushur misionin e tyre dhe për këtë arsye propozohen që të ndryshohen. Ndërkohë, ndërhyrjet në tarifa, regjime, përjashtime, kanë ndikuar në disa raste shmangien e tatimit, duke nxitur tatimpaguesit individë, persona fizikë tregtarë apo persona juridikë, që të kalojnë nga një rregjim me tatim më të lartë, në një rregjim me tatim më të ulët.
Projektligji i propozuar, i cili është hartuar edhe me asistencën teknike të FMN, sjell një risi në legjislacionin tatimor shqiptar, duke synuar neutralitetin e tatimit, rritjen e transparencës dhe aplikimin e një sistemi sa më të drejtë tatimor. Projektligji përmbush në nivel të lartë kërkesat që lidhen me:
- përmirësimin e sistemit të tatimit të individëve dhe entiteve ligjore në Shqipëri;
- forcimin e parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar;
- përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri, me Direktivave të BE-së në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit;
- adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 23-vjecare të aplikimit të ligjit ekzistues;
- pasqyrimin në legjislacionin tatimor shqiptar mbi të ardhurat, të parimeve të dakordësuara dhe angazhimeve të marra nga Republika e Shqipërisë dhe të ratifikuara nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në lidhje me Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI), Instrumentin Multilateral (MLI), Kuadrin Gjithëpërfshirës në lidhje me Erozionin e Bazës së Tatueshme dhe Zhvendosjes së Fitimit (BEPS) etj;
- modernizimin e sistemit të tatimeve direkte, duke rritur nivelin e vetëdeklarimit me qëllim përpunimin e informacionit në nivel entiteti dhe individi, çka do të përmirësojë përmbushjen vullnetare në lidhje me deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore;
- dizenjimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues.
Risitë e projektligjit:
Përcakton taksimin e të ardhurave në dy kategori:
- Taksimi i individëve dhe personave fizikë tregtarë me tatim mbi të ardhurat personale;
- Taksimi i entiteteve juridike me tatim mbi fitimin korporativ.
Kategorizon 3 grupet e të ardhurave personale të cilat realizohen nga individët dhe personat fizikë tregtarë dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale”:
- Të ardhurat nga punësimi.
- Të ardhurat nga biznesi.
- Të ardhurat nga kapitali pasiv.
Të ardhurat nga punësimi taksohen sipas skemës aktuale progresive të taksimit 0 %, 13 % dhe 23 %, me diferencën që është hequr tarifa 0 pasi skema e ligjit ka parashikuar zbritjen nga baza e tatimit duke ruajtur të njëjtin rezultat sikurse kemi në sistemin aktual por parashikohet që kategoria me të ardhura nga punësimi nga 40 deri në 50 mijë lekë të mos paguajë tatim. Pra nuk kemi më tatim zero deri në 40 mijë lekë apo 50 mijë lekë siç propozon pragun ky ligj, por kemi një skemë tjetër e cila ka zbritje nga baza e tatueshme për vlerën ekuivalente të të ardhurave deri në 50 mijë lekë në muaj. Për fashat e tjera vijon 13 % dhe 23 %.
Të ardhurat nga biznesi tatohen me 15 % mbi fitimin neto.
Të ardhurat nga kapitali pasiv dhe të ardhurat e tjera taksohen me normën 15 %, me përjashtim të dividentit 8 %.
Për të ardhurat nga biznesi me qarkullim deri në 10 milion lekë në vit është parashikuar një skemë e thjeshtë taksimi duke deklaruar shpenzimet në një shumë të vetme, pa pasur detyrimin e mbajtjes së kontabilitetit. Kjo është një formë fakultative, pra biznesi zgjedh të përdorë formën e thjeshtuar të deklarimit, e cila nuk e detyron të mbajë skemë kontabiliteti, por në bazë të aktivitetit ku operon është përcaktuar një përqindje e cila do të jetë e barazvlefshme me shpenzimet mbi të ardhurat që gjeneron biznesi.
Tatimi mbi të ardhurat e korporatës ka një normë tatimore prej 15%.
Projektligji gjithashtu parashikon disa zbritje të tjera:
- zbritje 48 mijë lekë nga baza e tatimit të punëmarrësit për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç;
- zbritje 100 mijë lekë për arsimin e çdo fëmijëve në ngarkim të tij, të cilat do të deklarohen në deklaratën individuale të të ardhurave çdo vit, për vitin paraardhës, me qëllim që të njihen këto si shpenzime.
Projektligji në mënyrë të balancuar përcakton se:
- Tatimi i individëve tregtarë dhe të vetëpunësuar, pra me normën 15 % mbi fitimin neto kur fitimi neto është deri 14 milionë lekë në vit;
- me normën 23 % të fitimit neto, vetëm për pjesën e fitimit mbi 14 milionë lekë në vit.
Sistemi i propozuar i tatimit të personave fizikë, tregtarë dhe të vetëpunësuar synon:
- të trajtojë në mënyrë të barabartë dhe të ndershme të gjithë tatimpaguesit, pavarësisht formës juridike të tyre;
- të dekurajojë shmangien e tatimit nëpërmjet kalimit nga marrëdhëniet e punësimit, në marrëdhëniet e biznesit si i vetëpunësuar.
- të dekurajojë përdorimin e statusit të personit fizik dhe shkallës tatimore eksiztuese zero të tatimit si një mekanizëm për zhvendosjen e fitimeve nga entiteti që taksohet me 15 %, tek personi fizik pa tatim.
Edhe të vetëpunësuarit dhe tregtarët gëzojnë të drejtën e zbritjes nga baza e tatimit, pra reduktim të detyrimit tatimor, për të gjithë elementet që janë parashikuar për të punësuarit.
Nëpërmjet aplikimit të zbritjeve nga baza e tatimit, norma efektive e tatimit për tregtarët dhe të vetëpunësuarit ulet tej normës statutore:
Norma efektive e tatimit për tregtarin apo të vetëpunësuarin me të ardhura bruto vjetore 5 milionë lekë, parashikohet 4.5 % e të ardhurave në rastin e prodhuesve si furrë buke, pastiçier etj., ose 11 % e fitimit neto të supozuar;
- tregtar mallrash 3 % e të ardhurave ose 10 % e fitimit neto të supozuar;
- për bar restorant 4,5 % e të ardhurave ose 11,2 % e fitimit neto të supozuar;
i vetëpunësuar në shërbime profesionale (avokat, konsulent, noter etj.) 9% të të ardhurave ose 12 % të fitimit neto të supozuar.
Në lidhje me tatimin e individëve dhe bizneseve të vogla persona fizikë në fushën e prodhimit, tregtisë, transportit dhe shërbimeve:
Projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar (prodhim, tregti, transport, ushqim social, artizanat etj), ku personat fizikë dhe personat juridikë me qarkullim deri në 14 milionë lekë do të paguajnë 0% tatim përkatësisht mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.
Projektligji propozon futjen në skemën e tatimit nga 1 janari 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale,
duke adresuar në këtë mënyrë fenomenin e identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira, fenomen i cili ka eroduar bazën e listëpagesave dhe ka krijuar pakënaqësi në radhët e të punësuarve me paga të mesme dhe të larta, në lidhje me politikat e tatimit që zbatohen për profesionet e lira, apo furnizuesit e shërbimeve në përgjithësi.
Sistemi progresiv me norma 15% dhe 23% për të ardhurat nga vetëpunësimi dhe tregtia për personat fizikë është i nevojshëm pasi një kategori tatimpaguesish ruajnë statusin e personit fizik, për të shmangur tatimin mbi dividentin si ortakë të biznesit.
Nga personat fizikë që realizojnë të ardhura nga vetëpunësimi dhe tregtia, një kategori tatimpaguesish ruajnë statusin e personit fizik pavarësisht se arrijnë nivele fitimi të larta. Kjo për të mos kaluar në statusin e personit juridik dhe për të shmangur tatimin mbi dividentin si ortakë të biznesit.
Referuar të dhënave nga Administrata Tatimore, rezulton se në sektorin e shërbimeve nga rreth 50 mijë tatimpagues me status person fizik, fitimi neto mbi 14 milionë lekë i deklaruar është 4,7 miliardë lekë. Nëse këta tatimpagues me nivele kaq të larta fitimi do të ishin me statusin e personit juridik, tatimi mbi dividentin teorik që do të paguhej do të ishte 320 milionë lekë;
Në sektorët e prodhimit, transportit, tregtisë: 91 persona fizikë deklarojnë fitim neto secili mbi 14 milionë lekë në vit, gjithsej 2,3 miliardë lekë fitim. Nëse këta tatimpagues me nivele kaq të larta fitimi do të kishin statusin e personit juridik, tatimi mbi dividentin teorik që do të paguhej do të ishte 160 milionë lekë.
Tarifa progresive 23% e parashikuar për të vetëpunësuarit dhe tregtarët me fitim neto mbi 14 milionë lekë në vit, nuk e dëmton biznesin e vogël në tërësi. Ky rregullim ligjor prek një përqindje shumë të ulët të personave fizikë, pjesa e tyre do të vijojë të ruajë statusin aktual, pra nuk do të paguajnë tatim fitimi pasi afati i përcaktuar është deri në vitin 2029.
Për të ilustruar faktin, referuar të dhënave, rezulton se në grupin e personave fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e shërbimeve, nga mbi 50 mijë tatimpagues, vetëm 0,3 % e totalit të tyre kanë fitim neto mbi 14 milionë. Kjo kategori do të paguajnë 23% tatim, vetëm për fitimet mbi 14 milionë duke nisur nga 1 janar 2023, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milionë lekë do të paguajnë 15% tatim, grupi i profesioneve të lira.
Në grupin e personave fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregti, nga mbi 42 mijë tatimpagues, vetëm 0,15% e totalit të tyre kanë fitim neto mbi 14 milionë. Ata do të paguajnë 23% tatim për fitimin mbi 14 milionë, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milionë lekë janë të përjashtuar.
Projektligji ka parashikuar skema të thjeshta deklarimi për personat fizikë të vetëpunësuar dhe me të ardhura nga tregtia, me qarkullim deri në 10 000 000 lekë në vit.
Dispozitat e tatimit mbi fitimin korporativ përfshijnë zhvillimet e reja në fushën e tatimit ndërkombëtar dhe njëkohësisht lehtësojnë korporatën nëpërmjet:
- Zgjatjes së periudhës së mbartjes së humbjeve nga 3 vjet në 5 vjet;
- Thjeshtimin dhe lehtësimin e shpenzimeve afatgjata nëpërmjet amortizimit linear individual të grupeve makineri/pajisje dhe soft/hardware;
- Njehsimit të rregullave të taksimit për kontratat afatgjata;
- Rregullat e zbatueshme për riorganizimet e biznesit dhe transferimin e aktiveve të biznesit;
- Njohjen si të zbritshme të vlerës së mbetur të një aktivi që del jashtë qarkullimit;
- Vendosjen e rregullave transparente në lidhje me borxhin e keq;
- Vendosjen e rregullave të gjithë pranuara në lidhje me shpërndarjen dhe kufijtë e interesave të kredi dhënies etj.
Projektligji parashikon rregullat e taksimit të dhuratave dhe trashëgimive, duke parashikuar njëkohësisht edhe përjashtimet nga tatimi për dhuratat/trashëgimitë brenda trungut familjar.
Efektet dhe periudha e tranzitore:
Në lidhje me të ardhurat, sqarojmë se përgjithësisht projektligji propozon ruajtjen e tarifave tatimore ekzistuese, ndërkohë që propozon gjithashtu caktimin e një kufiri kohor në lidhje me incentivat, tarifat zero dhe tarifat e reduktuara të tatimit për sektorë, industri dhe grupe të caktuara biznesesh.
Projektligji parashikon lehtësim të barrës tatimore për tatimpaguesit me të ardhura të ulëta, konkretisht kategorisë me të ardhura nga punësimi në fashën 40 – 50 mijë lekë t’u zbritet e gjithë baza tatimore, pra nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat nga punësimi. Njëkohësisht lehtësohet barra tatimore për të gjithë tatimpaguesit me të ardhura nga punësimi në fashën 50-60 mijë lekë, të cilëve nga 30 mijë lekë që ishte e ardhura e tatueshme me 0%, tashmë u njihet një zbritje tatimore prej 35 mijë lekësh në muaj, duke lehtësuar barrën tatimore të tatimpaguesve. Efektet në buxhetin e shtetit parashikohet të jenë negative me rreth -1.1 miliardë lekë.
Projektligji propozon që në fushën e shërbimeve dhe kryesisht të furnizimit të shërbimeve profesionale, për shkak të riskut dhe deformimit të tregut, taksimi i personave fizikë dhe juridikë me të ardhura deri 14 milionë lekë të fillojë nga 1 janar 2023. Sipas të dhënave të regjistrit të tatimpaguesve, janë rreth 16 700 tatimpagues të regjistruar, të cilët ofrojnë shërbime profesionale dhe për të cilët propozohet që skema e taksimit të fillojë nga 1 janari 2023. Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjykon se periudha 5-vjeçare me tatim 0 % dhe para saj periudha 2-vjeçare me tatim 5 % mbi fitimin neto, kanë qenë incentiva të mjaftueshme për këtë sektor. Nga implementimi i tatimit sipas dispozitave të këtij ligji për këtë kategori, llogariten të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2.1 miliardë lekë.
Ndërkohë, personat fizikë dhe ata juridikë me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit, është propozuar që të hyjnë në skemën e taksimit në vitin 2029 dhe për këtë arsye është e vështirë që të llogariten efektet në këtë moment.